Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori

KUR TË RREN UZDAJA

nga Sait N. Saiti

Këndova jo pa buzëqeshje shkrimin e prof. Bardhyl Demirajt (Motra mbë Tënëzonë, 12 mars) në hullinë e përsiatjeve[1] që nisën qysh në fillimet e shkurtit për paragrafin e divulguem në facebook të librit të botuem rishtazi ku intervistohet Ismail Kadare. Buzëqeshja më buroi nga një connecting the dots që m’u fanit mbasi lexova edhe shkrimin në dy pjesë Zonjat e vogla të letërsisë shqipe më la shijen e uzdajës së ftohtë.

Shkrimi i Demirajt ndërmerr një shqyrtim tejet interesant, që më ngacmoi hem kureshtjen e hem imagjinatën, e për ma tepër përkoi edhe me periudhën e krezhmeve. Mallkimet e Imz. Ndoc Babit, si akt ekleziastik, parashohin një censurë rregullatore për grigjën, të cilën Kongregata e Shenjtë e paska shpjegue përmes omelisë së njenit prej Etënve të Kishës. Vrojtimet dhe komentarët që Etnit i kanë ba Sacra Scriptura-s kanë rrahë shtigjet e derisotshme se si me u relatue me tekstin e shenjtë të nënqiellit shpirtnor përkatës, dhe diskrecioni i rendit të mileteve të ancien régime-it osman ia garantonte mjedisin zbatues. Analiza e vyeme e këtij dokumenti e ka hak me i pranëvu ndonjë të antropologjisë zakonore,[2] prej ku mund të jetë edhe një mënyrë për me pa tabanin tonë zakonor me shqyrtim diakronik ma të gjanë; që edhe disiplinimi i ideve që na kanë ardhë me dhe pa teklif me u ba në mënyrë sa ma ndërdisiplinore.

Librë mbë Tënëzonë

Nëse relatimi me Sacra Scriptura-n dhe komentarët e parë të saj mbarështon një traditë të përshpirtshme me grigjën e vet dhe anasjelltas, moderniteti shqiptar që patëm taksirat kishte Profana Scriptura-n e vet që ishte socrealizmi me zonat e veta gri. Me fshimjen represive [3] që iu ba sakrales dhe zëvendësimit të saj me profanen, që e përshenjtnoi mbështetja dhe divulgimi nga tagri shtetnor me monopolin e vet kulturor, harresa preskriptive e veshi profanen me petkat e sakrales dhe në këtë kompensim[4] ushqeu uzdajë (harresa si kusht i formimit të një identiteti të ri) tek breznitë që u rritën në këtë amnezi strukturore,[5] e cila me ramjen e regjimit ngeli si Mbreti lakuriq i Andersenit. Në daçim me i dhanë një kornizë këtij subversioni të thellësishëm, mendoj se hyn tek traditat e shpikura. Kësodore kur ndërlidhim “autori që më ka rritur” (Femrat e pamoralshme të Kadaresë, 9 shkurt) në “Shkrimtari që më rriti, është zhgënjyes”, them se asht ashiqare që e ka rrenjtë uzdaja.[6] Me sa duket, moderniteti ka mënyrën e vet me lëshue mallkimet disi ma ekumenike, dhe kjo vjen kur ballafaqohet vetja e kalueme me historinë e ideve (die Ideengeschichte) që kena përshkue dhe bahen hesapet. Por them se zhgënjimi e minon hapjen e syve nëse ndalet me kaq, i hap derën edhe harresës si fashitje. Në rastin tonë, simjet shkurti i Revolucionit Kulturor kaloi pa u vu re, pjesë e emancipimit të të cilit qe edhe romani Dasma, dhe sa e sa vepra të mediumeve të tjera artistike. Kodi kryesor si i revolucionit ashtu edhe i librit ishte zhveshja nga tradita – en bloc – dhe veshja me kominoshe. Katherine Ward e ka shtjellue këtë “ndërrim garderobe” në kushte totalitare si kalim nga patriarkalizmi në paternalizëm shtetnor.[7]

Por nëse ndërmarrim me kërkue ndonjë punim të llojit “Revolucioni kulturor në arte” apo “në letërsi” lodhemi kot nëse nuk i japim vëmendje dy vëllimeve të punimit Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit (Tiranë, 2018).[8]

Polifonia e zhgënjimit apo zhgënjimi si litani

Përftesat shqyrtuese nën syzet e ideosinkrezave momentale mund të nxjerrin jo vetëm tekstet off-side, por mbarë epokën koloniale, siç pamë ndër media heqjen e statujave të eksploratorëve. Por në rrethanat tona edhe nëse i kemi heqë herët statujat, ngelen verbi dhe dispozitivët, përmes hibridit të fatshtjelluesit Ziso Vangjeli tek Rrugët e ferrit të Visar Zhitit. Liturgjia intelektuale e regjimit si dispozitiv praktikisht ende gjallon përmes forma mentis-ve që ka lanë mbrapa; meqenëse në kohën kur u mbrujt, letërsia shkruhej – nëse përdornim formulën e polifonisë labe ia merr/ia kthen këngës – tuj ia kthye historiografisë, kontigjencave politike apo memuaristikës së udhëheqjes, kur njena prej këtyne ia merrte kangës. Përpjekja për me i dhanë hapje sinkronike e diakronike, dhe së fundmi anakronike, divulgon një kakofoni të hierarkive përmes të cilave duhet kuptue ajo letërsi. Nëse asokohe ishte e diktueme shtetërisht mbas berihait një mostër e të kuptuemit tekstin – për dikënd ndoshta thjesht formalisht – sot lexuesi asht krejt i lirë me e kuptue ndryshe, për mos me thanë me e shpërfillë si rol kulturor sepse nuk duem një tjetër tabula rasa të palimpsestit tonë. Me e thanë troç: paternalizmi shtetnor nuk na e kishte për borxh me krijue letërsi feministe, tuj kenë se emancipimi që dha mjaftonte për synimet momentale. Në këtë mënyrë hesapi më del se ky zhgënjim asht thjesht reaksion zinxhir mbasi i bie petku mbretit dhe zen vend mënyra e re e të qenit motra mbë Tënëzonë. Por a asht reduktues berihai i radhës apo asht edhe ky marifet thjesht sa për me shkrue ato që kanë vite që thuhen tavolinave të qokësokaqeve? Ndoshta hibrid edhe ky, por që s’i jep hakun asnjenës.

 

(c) 2021, Sait N. Saiti. Të gjitha të drejtat të rezervueme.


[1] Sepse debat m’u duk ai për Dropullin, me kenë i sinqertë.

[2] Shih Donato Martucci (2014). Donne che diventano uomini? Le vergini giurate nella cultura tradizionale albanese.

[3] E para nga llojet e harresës që trajton Paul Connerton, Seven types of forgetting. Ma gjatë në shkrim harresa preskriptive, harresa si kusht i formimit të një identiteti të ri, amnezia strukturore, harresa si fashitje.

[4] Arshi Pipa te Trilogia Albanica III shkruen se e gjithë letërsia jonë deri në Luftën e Dytë Botërore asht letërsi kompensimit (si letërsi), kam qejf me e shtri ma gjatë kahjen e kësaj: në njëfarë mënyre letrarët e kohës së regjimit si “inxhinierë të shqiptarit të ri” ishin po ashtu kompensues, të Zhdanovizmit të munguem, letërsisë politike, por edhe të mbushjes së vakumit sakral, frymëtuen një atmosferë letrare që bijoi botëkuptime kompensuese.

[5] E katërta harresë e Connerton; Milazim Krasniqi përsiatet ma gjatë me këtë lloj harrese në letërsinë shqipe tek E kujt është kjo kulturë, Shkup 2015.

[6] Njësi frazeologjike e cila nuk e di të ketë hy në ligjërimin e standardizuem pas-’72, si duket do t’ia ketë zanë vendin kallpi më gënjeu shpresa, por që mbetet ende sot e kësaj dite pjesë e të folmes veriore.

[7] Çelo Hoxha (2017). “Marrëdhëniet e besimeve fetare me shtetin komunist në Shqipëri krahasuar me regjimet e vendeve komuniste të Europës Lindore”

[8] Shih për këtë edhe Nuridin Ahmeti, Kultura, letërsia dhe arti në shërbim të partisë në Shqipëri (1945-1968), Prishtinë, 2019.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin