Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

MBI [GRATË] QË KRIJOJNË DRAMAT

Nga Irma C.

Nëpër rrjetet sociale vë re se është botuar Kohë për rrëfim, biseda të Ismail Kadaresë me Alda Bardhylin. Nëse Kadareja është ndoshta krenaria e shumëve (me sa lexoj nga disa komente) dhe kësisoj i mirënjohur, Alda Bardhyli, për kë nuk e njeh, është Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit – e lexova dhe unë në rrjet. Duke i hedhur një sy profilit të Alda Bardhylit, shoh se ndër të tjera ka postuar dhe foto e thënie të Simone de Beauvoir. Domethënë, mund të mendojmë se edhe mund të jetë feministe, sepse kush publikon përndryshe mendimet e një radikaleje si de Beauvoir!? Lexoj pyetjen që ajo i ka drejtuar Kadaresë, vrojtoj sërish foton e Simone de Beauvoir, që ka publikuar në profil. Bëhet fjalë për letrat e dashurisë që de Beauvoir ka shkëmbyer me Nelson Algren. Por ndoshta them, Alda Bardhyli nuk është thelluar me de Beauvoir si feministe radikale për barazinë midis gjinive… ndoshta është ndalur veçse tek letrat dashurore. Është ndoshta një shpjegim i mirë më duket. Por nejse, mbetet veçse një hamendje e imja, sepse nuk di si ta shpjegoj, se nëse Alda Bardhyli do mbështeste vërtet parimet feministe të de Beauvoir, atëherë them, nuk do shtronte atë pyetje, në atë mënyrë. Po e sjell këtu fjalë për fjalë: «Në letërsinë tuaj takojmë gra që tradhtojnë, gra interesante, të vështira, me një tis negativ. Duket se pëlqeni gratë pa moral?»

Një grua feministe (të mos ngatërrojmë feminizmin e vërtetë me feminizmin neoliberal, apo fun-feminism, që ia shtron rrugën me petale patriarkatit) nuk do guxonte asnjëherë të quante «negative», «të vështira», apo «pa moral», gratë e lira. Po, po. Lexuat mirë, sepse për gratë e lira bëhet fjalë, ato që i krijojnë «probleme» shoqërisë dhe burrave, që dëshirojnë t’i komandojnë, duke filluar nga babai, tek vëllai e duke ia dorëzuar gruan më pas bashkëshortit. Janë ato, «gratë me tis negativ», që dëshirojnë të jenë po aq të lira dhe të barabarta sa gjysma tjetër e popullsisë. Dhe nëse lexoj komente aty këtu «se atëherë, nëse e marrim kaq seriozisht, nuk do mbeste më literaturë për t’u lexuar.», është e vërtetë, pasi fillon që tek Voltaire, Immanuel Kant e miq, që grua të bukur e të hijshme, quajtën atë «pa tru»[1].

Përgjigjet Ismail Kadare: «Në letërsi femrat i kam trajtuar zakonisht si femra problematike, me një moral jo të përsosur. Femra të tilla më dukeshin interesante. Dhe është e vërtetë kjo që këto lloje femrash të lirshme, jo fort të moralshme, janë interesante. Të tjerat nuk më kanë interesuar. Më duket se të gjithëve nuk u interesojnë të tjerat. Femrat me një tis «negativ» janë interesante. Sepse ato krijojnë edhe problemet, edhe pakënaqësitë, edhe dramat

Ndërsa mendjendrituri Kadare, gjeniu i letrave shqipe, mund ta kish zgjidhur ndryshe këtë pyetje, jo vetëm që e mbështet, por na bën të vëmë duart në kokë. Me sa duket e ka për zemër të tregojë, se tjetër s’është veçse një old white man – në një moment, ku është i domosdoshëm një rishikim i këndvështrimit patriarkal. Por Kadare madje, as nuk përdor fjalën «grua» – ai flet për «femra problematike», «femra jo fort të moralshme», «ato që krijojnë dramat».

Po bëj një ekskurs të vogël: shkrimtarja italiane Candida Carrino hulumton kartelat klinike në psikiatritë italiane nga viti 1850 deri më 1950 dhe përmbledh në një libër studimet e saj, të cilat botohen në vitin 2018 nga Carocci Editore nën titullin Luride, agitate, criminali. Un secolo di internamento femminile. (1850-1950). Pak a shumë titulli do të thotë: të ndyra, të trazuara, kriminele – bëhet fjalë për vajzat dhe gratë që ishin internuar nëpër psikiatri gjatë këtij shekulli. Gratë që donin të jetonin të lira, konsideroheshin të rrezikshme për veten dhe për të tjerët: nëpër kartelat e mjekëve ishte kjo arsyeja e mbylljeve në psikiatri. Kush nuk i përulej rregullave të kohës, mbyllej në çmenduri. Çmimi që kanë paguar vajzat dhe gratë për të qenë të lira dhe të pavarura, ka qenë gjithmonë shumë i lartë. Shpesh bëhej fjalë për vajza në moshë të mitur, me të cilat familjet kishin vështirësi, sepse nuk jetonin sipas rregullave të ngurta të patriarkatit (babait), për vejusha, apo jetime – të ashtuquajtura gra «të rrezikshme», të cilat jo vetëm që nuk pranoheshin nga shoqëria, por edhe stigmatizoheshin nga kjo e fundit, sepse refuzonin rregullat e imponuara.

Po sjell disa shembuj.

Carrino shkruan për Maria C., për të cilën kish urdhër mbylljeje në psikiatri, sepse dëshironte të jetonte e lirë jetën e saj seksuale – ndërkohë, le të kujtojmë bashkërisht si burrat salloneve gëzojnë namin e Casanova-ve e të Don Juan-ve: heronj grash. Burra që duan gratë. Sa prej jush e adhuruan Bel Ami të Maupassant-it, por quajtën «kurvë» Madame Bovarinë!?

Carrino raporton dhe për Rosa R., 22-vjeçaren që e mbyllën në psikiatri, sepse u rebelohej prindërve dhe ikte nga shtëpia. Nuk donte Rosa të nënshtrohej – mbeti shtatzënë dhe si pasojë e internuan.

Nëse në këtë libër përballemi me historinë e hidhur të internimeve të grave dhe vajzave në Itali, ngjashëm ka rrjedhur historia e grave në më të shumtën e kulturës perëndimore – që gratë «problematike» dhe «dramatike» i dogji në turra drush. Sepse kush dëshiron, dhe një herë, të jetë e barabartë me gjysmën tjetër të popullsisë, krijoka probleme, kush dëshiron të dashurojë e lirë, qenka e pamoralshme, kush dëshiron të mos jetë shtëpiake, qenka negative.

Nëse sot po përjetojmë një valë të re feministe dhe vajzave e grave edhe një herë më shumë nuk u mjaftojnë më rolet e ngurta patriarkale, Kadareja humbi shansin të tregonte se mund të ishte më tepër se një plak i thinjur dhe i bardhë, duke vërtetuar atë për çka e akuzojnë disa: provincializmin e tij.

 

© Irma C., 09.02.2021. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë kopjimi dhe ribotimi në media të tjera, përfshi edhe ato elektroniket. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.


[1]    Për më shumë të konsultohet «L’harem e l’Occidente» e filozofes Fatema Mernissi, Giunti, 2010.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin