Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MOSHA E DARDAN BABICËS

nga Arb Elo

Aq shumë na pat habitur Dardan Babica me erudicionin e tij, saqë një ditë po rrekeshim t’ia llogaritnim moshën, mbase ngaqë dhe nuk dinim se me çfarë të merreshim, pasi mbaruam ecejaken e përditshme nga kodrat.

Që imazhi i tij televiziv ishte i sajuar ose me aktorë të paguar, ose me ato maskat që vishen nga koka si te filmi »Mision i pamundur«, për këtë mjaftonte një intervistë live në tre kanale njëkohësisht me moderatorë të ndryshëm, kur diskutohej asokohe çështja e armëve kimike; njëri nga Dardanët kishte patur një vragë në faqe, i dyti fytyrën vrarëlije, ndërsa ai i treti është Dardani i vërtetë, – ngulte këmbë Harallambi, që kishte rrjedhur, por që çuditërisht fitonte akoma në domino e sillte nganjëherë argumenta të habitshëm, ku nuk të shkonte mendja.

Perikliu, që kishte qenë në jetën aktive ekonomist, i kërkoi kamerierit një laps e një letër e nisi të bënte një listë me të dhënat që dispononim për Dardanin.

Shënoi së pari gjumin që i duhej njeriut për të gjalluar, fillimisht 7-8 orë në ditë, por ndërhyra unë e i thashë se Napoleoni flinte vetëm 4-5 orë dhe që dija edhe të tjera raste për njerëz që flinin vetëm 3-4 orë. Mirë tha ai, le të shënojmë 3.

Të ngrënën e lamë edhe atë mënjanë, pasi ka njerëz që hanë duke lexuar ose shkruajnë duke ngrënë, që janë multitasking domethënë.

E njëjta gjë vlente edhe për jashtëqitjen.

Shënuam rreth 10.000 libra, më së paku, që i binte të kishte lexuar Dardani; ah, çfarë, tha Perikliu dhe e fshiu atë shifër për të shënuar 30 mijë e sipër. Nga gjysmë ore për një libër, bëri shumëzimin dhe voilà = 625 ditë, gati dy vite.

Sikur e thjeshtove ca si shumë me atë gjysmën e orës për një libër, ndërhyra unë; okay, ka libra të hollë, siç ka edhe të tillë që nuk kërkojnë shumë përkushtim, por tjetri është shkencëtar, është studiues, kupton? Ke të drejtë, tha Perikliu, dhe e korrigjoi e shënoi një orë për një libër e unë desha të ndërhyja sërish, ndërkohë që ai ma preu: nuk dalim përndryshe asgjëkund, dhe kishte të drejtë, pasi tani dolëm te shkrimet e Babicës e më tutje.

Dyqind e njëzet mijë vargje, 738 artikuj, 136 intervista, katërmbëdhjetë libra, tri gra, dy fëmijë, dhjetëra afera, tridhjetë e ca udhëtime e me radhë: ndonjë shëtitje, ndonjë vizitë te mjeku, tek avokati, ndonjë shëtitje, ah po: Dardan B. ishte i pasionuar pas peshkimit, orë dhe net të tëra ndanë bregut me kallam në dorë…

Perikliu i kërkoi kamerierit makinën llogaritëse dhe ndërsa po çakërrente sytë, ngase i doli një shifër e pabesueshme, u hap dera e lokalit dhe hyri Dardan Babica, dora vetë – nuk është ai, jo, na pëshpëriti Harallambi, është njëri nga sozitë – dhe nuk u ndiem mirë për një çast, pasi na u duk sikur na zuri me presh në dorë dhe se po e përflisnim në mënyrë të pabesë, por fytyra e tij e buzëqeshur dhe gazmendi i vazhdueshëm që rrezatonte ishin thuajse ngjitëse e kështu nuk zgjati shumë dhe e morëm edhe ne me të qeshur llogaritjen që sapo kishim bërë.

98, po më fliste si me vete Perikliu, 98 vjeç e mendo se kam shkruar vetëm 3 orë gjumë e të ngrënët nuk e kam llogaritur fare. Ke rast t’ia matësh kohën e të ngrënit tani, thashë unë me zë të ulët, ai vjen këtu përditë e përditë porosit të njëjtën haje: shpatull derri të marinuar, me salcë. Pastaj një trileçe dhe voilà…pashë në mënyrë të pavullnetshme orën unë.

Fiks pas një ore e dyzet e shtatë minutash Dardan B. fshiu buzët me pecetë e u shtriq në karrigen e tij. Perikliu, i cili mezi kishte pritur të ndodhte kjo, e shënoi këtë kohë në listën e tij, që e kishte kontrolluar ndërkaq disa herë, bëri shumëzimet e m’u kthye.

Luaj vendit, i bie që tjetri të jetë 243 vjeç, dhe padashur kryet i shkoi andej ku ishte ulur Babica, ndërsa vështrimi iu mbush me tmerr kur nisi një intervistë live në televizorin që rrinte gjithnjë ndezur e moderatori iu drejtua bashkëbiseduesit.

Si thoni sikur të bëjmë një domino? – na pyeti pastaj papritur Harallambi dhe një ndriçim prej të krisuri i vezullonte dhe atij në sytë deri më atëherë të shuar. E pranuam thuajse mekanikisht ftesën e tij dhe bëmë sikur çdo gjë të ishte si zakonisht.

© Arb Elo

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin