nga Tannhäuser
Pashë emisionin e Marin Memës në lidhje me origjinën e dropullitëve dhe pyetja e parë që më lindi ishte nëse e meritonte me të vërtetë një përgjigje. Dilema nga ana ime kishte të bënte jo aq me anën historike të çështjes, por më shumë me çështjen etike; pra e meritojnë apo jo një përgjigje ato elemente që rrugëtojnë në skajet e nacionalizmit? Dy historianët profesionistë shqiptarë që u shfaqën në emision, prof. dr. Ferit Duka dhe prof. dr. Pëllumb Xhufi (ky i fundit duket se do dalë në pension nga emisione të tilla), me dëshmitë e tyre duket se nuk kanë dilema të tilla. Kështu që marr shkas edhe unë të sqaroj disa çështje që u prekën në emision, sepse siç u pa, dropullitët u përfaqësuan vetëm nga disa pleq e plaka të incizuar fshehurazi.
Historiografia e institucionalizuar shqiptare u përball relativisht vonë me minoritetin etnik grek të Shqipërisë në përgjithësi, dhe me Dropullin në veçanti. Të paktën gjer në vitet ’80 nuk ka patur asnjë përmendje në veprat historike në lidhje me origjinën[1] e kësaj bashkësie. Pikërisht në këto vite filluan udhëzimet “nga lart” për shkrimin e historikut të fshatrave (në tre kopje; një dorëzohej tek këshilli i fshatit dhe dy kopje dërgoheshin tek komiteti qendror i rrethit), të cilat përshkruanin, jo me shumë pretendime duhet thënë, historinë e këtyre vendbanimeve. Leximi i tyre ka sadopak një interes, ato përqendrohen kryesisht në periudhën që me terminologjinë e kohës përkufizohej si e pas-Çlirimit dhe në aspekte etnografike, pa prekur origjinën etnike (trajtesat nuk e kalonin afatin kohor të shekullit XVIII) dhe elementi i popullsisë dilte në mënyrë të përgjithësuar si i ardhur dhe jo autokton. Madje edhe kur përmendeshin grekët, si në periudhën e luftës italo-greke, ata dalin si diçka e huaj.[2] Në ndonjë historik, si rasti i fshatit Frashtani, i hartuar nga arsimtari Theodor Bezhani me origjinë nga Hllomoja e Pogonit, origjina e fshatarëve dilte e pastër shqiptare. Fakt interesant këtu është se gjatë procesit gjyqësor të Omonia-s, kjo e dhënë iu vu në dukje autorit, pra me pak fjalë, si ky mund të dilte përfaqësues i kauzës greke kur vetë ai kishte dëshmuar për origjinën shqiptare të dropullitëve.
Në mesin e viteve ’80 doli në qarkullim Fjalori Enciklopedik Shqiptar i cili është edhe i pari që prek origjinën etnike të dropullitëve duke pranuar se janë grekë por se prania e tyre në krahinë është e vonë dhe këta dropullitë nuk ishin gjë tjetër veçse hyzmeqarë që u vendosën në këto hapësira për të punuar tokat e çifligarëve shqiptarë.[3] Në shumicën e rasteve burimi i këtyre të dhënave ishin pikërisht këto historikë të fshatrave. Ngjan pak si ironike kur shfrytëzimi i dijes vjen nga ato udhëzime të paracaktuara nga shteti që u imponuan autorëve, mjafton këta të dëshmonin vetë dhe me dëshirën e tyre se ishin të ardhur. Kjo besoj lidhet edhe me aspekte më të gjera të diktaturës në Shqipëri, ku në sistemin e drejtësisë, dëshmia ose pohimi kishin përparësi në lidhje me provat e tjera. Botimi i ri i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar lë më shumë hapësirë për diskutim pasi atje pranohet se për rrethanat dhe kohën e vendosjes së dropullitëve në krahinë janë shprehur mendime të ndryshme por pohon se prania e elementit shqiptar sipas regjistrimeve osmane, është e gjerë.[4]
Argumentet që u dëgjuan në emision u përqendruan në disa të dhëna historike dhe gjuhësore, me në krye regjistrimet e kadastrave osmane, “Kronikën e Dropullit” dhe antroponiminë dhe toponiminë e krahinës. Dihet se kadastrat osmane janë një burim i pazëvendësueshëm i dorës së parë të dhënash që sqarojnë shumë probleme historike por ato nuk mund të përdoren pa kriter sikur të ishin të dhëna të gjendjes civile të epokës moderne, dhe, në një farë mënyre, nuk duhet abuzuar me këto të dhëna.
Abuzimet vijnë sidomos në lëmin e onomastikës, atje ku studiuesit shqiptarë nuk njohin rrethanat e greqishtes apo edhe traditën e përbashkët ballkanike. Do sjell nja dy shembuj këtu për të ilustruar se ato nuk mund të përdoren për përcaktimin e kombësisë së bartësve pa u ballafaquar me të dhëna të tjera. Një nga emrat më të përhapur i greqishtes, Konstandinos, (< lat. Constantinus), ndeshet në këto forma, Konstandís, Kandís, Godís, Godínos, Dínos, Dínas dhe Ndínas, Xínas, Dúllas, Kotandís, Kostandás, Kostandós, Nínos, në rrethana të ndikimit shqip edhe Kóqizas, edhe Dédes, Kóstas, Kostís, Kóstis, Kóços, Kostáqis, Kostákos, Kostúllas, Kostarás, Kostarélis, Kótas (ndër grekët e Pontos), Kótjas, Kotjúlis, Kotíkas, Kotákos.[5] Mirëpo shumë nga këto trajta, sidomos ato diminutive (përkëdhelëse, zvogëluese) siç mund të vërej çdonjëri nga ne, greqishtja i ka të përbashkëta edhe me gjuhë të tjera ballkanike, sidomos format Kosta, Koço që i ndan me serbokroatishten, shqipen, bullgarishten edhe arumanishten.[6] E njëjta gjë ndodh edhe me emra të tjerë si Rista, Miço, Spiro, Ndriko, etj. Po ashtu nuk duhen përjashtuar trajtat e homonimeve, ku një emërtim përshkruan origjina të ndryshme në gjuhët përkatëse. Emri Dodë ndeshet në shqip si diminutiv i emrit Dominicus,[7] po ashtu në arumanishte në formën Doda, ku fjala ka kuptimin e hallës ose gjyshes,[8] por edhe në greqishte në formën Dódis (Ντόντης), si diminutiv i emrit Theodoros (Θεόδωρος).[9]
Ferit Duka që ka botuar defterin e hollësishëm osman të regjistrimit të pronave të vitit 1520 për krahinën e Dropullit[10] u dëgjua në emision të thoshte se ai nuk ndeshi në regjistrin në fjalë emra ose mbiemra që mbarojnë me shkronjën /s/ fundore, aq tipike të greqishtes. Të njëjtën gjë argumenton edhe në studimin e tij (f. 267): “[A]sgjëkundi nëpër faqet e defterit që po shqyrtojmë nuk shihen gjurmë të pranisë së ndikimit të antroponimisë greke, karakteristikë dalluese e së cilës është fakti se emrat mbarojnë përgjithësisht me “s” (p.sh. Andreas, Kostas, Panajotis, etj.)”. Ky argument është mbështetur edhe nga ndonjë autor tjetër.[11] Është më se e vërtetë se nga regjistrimi i emrave mungon pothuajse krejt germa /s/ fundore. Të kihet parasysh se në greqishte emrat e gjinisë mashkullore e rruajnë këtë karakteristikë vetëm në rasën emërore. Në rasat e tjera gjatë lakimit të emrit nuk ndeshet, si p.sh në gjinore, dhanore, kallëzore etj. Nuk dimë në çfarë rrethana është bërë regjistrimi nga ana e osmanëve (apo nga ndihmësit e tyre dhe cilën gjuhë kanë pasur këta si amtare), por kjo pak rëndësi ka, pasi argumentit që do shtjelloj më poshtë nuk i nevojitet një supozim i ndeshjes së emrit në rasa të ndryshme.
E pamë të udhës të kontrollojmë një defter osman të hollësishëm (mufassal) nga një rajon të Perandorisë Osmane ku ka pasur grekë, sa më larg Shqipërisë dhe Epirit, madje disi të izoluar. Një ishull fare mirë i plotëson këto kushte, madje ishulli i Kretës tingëllon për bukuri (650 km në vijë ajrore nga Dropulli në Rethimno). Në vitin 1646 qyteti i Rethimno-s ra në duart e osmanëve, dhe një nga regjistrimet e para i përket vitit 1670 ku këta regjistruan pronat dhe popullsinë në një defter i cili është botuar nga dy osmanistë të njohur, Evangelia Mpalta dhe Mustafa Oğuz.[12] E hapim defterin në një faqe krejt rastësisht, f.v. tek faqja 156; çfarë na bën përshtypje është se nga emrat e regjistruara mungon krejtësisht /s/-ja fundore e greqishtes. Emrat që ndeshen janë Yorgila Kuri, Pero Kastrani, Matyo Kurino, Yani Cefali, Yani Mesuri, Corci Siropulo, Apostol Mano, Marko Darilo, Papa Manoli etj. Hapim edhe ndonjë faqe tjetër, prapë atje ku bie dora (f. 269): Yorgi Lizo, Manol Haroniti, Miheli Mulo, Yorgi Vlata, Yorgi Turgaki. Pra siç shihet, norma e regjistrimeve osmane me emrat e greqishtes është që ajo të mos e përdorë shkronjën fundore /s/ ose ta përdori në një dendësi krejt të papërfillshme. Dhe kjo ka ndodhur në të gjithën hapësirën e Perandorisë Osmane ku janë regjistruar grekë. Çfarë është edhe më interesante është se kjo /s/ e greqishtes mungon edhe në emërtimet e toponimeve që kanë një bazë fetare (hagjionime), si Ayo Nikola, Ayo Kostandin, Ayo Dimitri, Ayo Marko, etj.[13] Atëherë, nëse ky ka qenë argumenti më i fortë i F. Dukës, na vjen shumë keq që u rrëzua kaq lehtë.
Kthehemi tani prapë tek defteri i Dropullit. Nëse /s/-ja ishte pengesa për të përcaktuar në mënyrë absolute etninë e emërtimeve ajo tashmë nuk përbën problem. Midis emërtimeve të regjistrimit ndeshen padyshim edhe emra që janë të identifikuara me traditën onomastike shqiptare, si emrat Leka (e marr të mirëqenë faktin se hemze-ja e shkrimit arab këtu është lexuar drejt, pasi ajo mund të jepet në vend të një /a/ me një /o/), Gjin, Gjon etj. Këtu nuk mund të mohohet një prani e elementit shqiptar, por këtu kemi të bëjmë me një epokë ku nuk ka ndonjë kufi shtetëror dhe në rrethana të caktuara kanë ekzistuar lëvizje mekanike të popullsisë të natyrës familjare ose edhe fisnore. Të kemi parasysh se Dropulli dhe lugina e Drinos përgjithësisht ka qenë dhe është nga ana gjeografike një rrugëkalim, i përdorur në vargun kohor për migrimet dhe shtegtimet e popullsive, sidomos ato arbërore që u zhvendosën në Epir, Tesali apo gjer në Moré. Një emigrim të tillë vetëm të arbërorëve dëshmon Kronika e Tokove pas rënies së Gjirokastrës në duart e osmanëve. Μόνον Ἀλβανῖται ἔφυγαν˙ εἰς τὸν Μορέαν ὑπῆγαν, τόσον τοὺς ἐφοβήθησαν πολλὰ τοὺς Μουσουλμάνους “Vetëm albanitët ikën; në Moré shkuan, kaq shumë u frikësuan nga myslimanët”.[14] Ky element shqiptar ama duket se është një pakicë po të trajtojmë shfaqjet e këtyre emërtimeve, me ndonjë rast të vetëm ku përbëjnë thuajse 50% të regjistrimit si ai i fshatit Goranxi e Sipërme (sot Krioneri).[15]
Unë nuk e vë në dyshim leximin që i ka bërë prof. Duka defterit osman, madje kushedi në raste të tjera ai mund t’i ketë shërbyer onomastikës shqiptare me kontribute të çmuara, por është e sigurt se ai nuk mund të dallojë onomastikën greke dhe përfundimet e tij çalojnë. Nuk di për rastet e qarta të greqishtes ku ato paraqiten me prapashtesat diminutivë –udhi (gr. –ούδης), –opullo (gr. –όπουλος) që ndeshen në tekst, por prof. Duka nuk ka sesi të kuptojë dhe të shqyrtojë trajtat e emrave Polimen (f. 290), Vreto (f. 272) apo Stamad (f. 283). I solla këto tre raste për të ilustruar faktin se në Dropull janë përdorur antroponime jo vetëm të natyrës fetare që janë shumica, por edhe ato që bazohen në besimet popullore të grekëve. Emri Polimen (Πουλημένος) që do të thotë “i shitur” e ka origjinën tek tradita popullore ku fëmijët në një familje që kishte raste të mëdha vdekjesh foshnjore, bënin një shitje artificiale të fëmijës dhe në këtë mënyrë të “zhgënjenin” vdekjen pasi fëmija nuk ishte më e familjes. Po ashtu edhe emri Vreto (Βρεττός), që do të thotë “i gjeturi” lidhet me të njëjtën traditë popullore ku familja e quante foshnjën “të gjetur” për të patur një mundësi mbijetese, pasi kishin vdekur fëmijët e tjerë gjatë fëmijërisë. Edhe rasti i tretë i emrit Stamad apo në trajtën përkëdhelëse Stamo (Σταμάτης, Στάμος) që do të thotë “ndal” i përket të njëjtës sferë të fenomenit të vdekjeve foshnjore, ku në fakt është shprehje e dëshirës së familjes për t’i thënë vdekjes “ndal, mbaje” (khs. me emrin e shqipes Sose, ku i vihej vajzës për të ndaluar lindjet e mëpasshme të vajzave).[16] Emra të tjerë si Harakopi (f. 295) që do të thotë “gazmor, i qeshur, i kënaqur” ndeshet edhe në patronimi edhe në toponimi.[17]
Nuk është vendi këtu të zgjatemi me materialin onomastik në tërësi, por që ta mbyllim këtë çështje të defterit osman ia ven të theksojmë edhe një detaje tjetër. Në veprën e cituar nga Duka (f. 234), ka një shënim ku dashje pa dashje dalin edhe qëllimet e autorit: “Pjesa cilësuese e emrit të këtij fshati shënohet herë në variantin greqisht (Kato Leshnica – Leshnica e Poshtme), herë në variantin osmanisht (Leshnica-i Zir – Leshnica e Poshtme). Duket se në rastin e dytë kemi të bëjmë me një përkthim të drejtpërdrejtë të shkruesit osman të defterit drejtpërsëdrejti nga varianti shqip i përdorimit të pjesës cilësuese të këtij toponimi (e Poshtme).” Këtu studiuesi shqiptar merret me një supozim që ka të bëjë me osmanishten (por që nuk mund të vërtetohen në asnjë toponim tjetër, si tek Küçük Labova apo Büyük Labova) por praninë e toponimit grek e lë të pashpjegueshme. Nëse nuk ka pasur grekë, atëherë si është e mundur që një fshat (që ka edhe sot e kësaj dite grekë) të ketë mbajtur një emërtim në greqisht? Dhe aq më tepër çfarë i bëri osmanët, që duken mjaft të përpiktë në këtë aspekt, të shënojnë një emërtim grek në defterin e tyre? Por ky nuk është ndonjë rast i veçuar. Fshati Goranxi i Dropullit në defter (f. 288 në studimin e Dukës) ruan edhe një emërtim tjetër (Ajnahor), me prapashtesën e greqishtes –hor (-χώρι, fshat, khs. emërtimet Makrihori, Asprohori), e cila ka qenë dhe është produktive në greqishte. Po ashtu në raste të tjera është ruajtur trajta greke e toponimit si tek fshatrat Mikri Vodica dhe Mega Vodica (Vodica e Vogël dhe Vodica e Madhe) të Kaninës.[18] Kur kemi toponim me trajtë shqip ai është dhënë po ashtu, i pa përkthyer, si tek Katune-Muzak[19] (në vilajetin Pavllo Kurtik, prej shqipes katund) ose ato hagjionime si Sin-Gini, Sin-Gergi (Shëngjini, Shëngjergji, në po të njëjtin vilajet) etj.[20]
Natyrisht kontaktet e popujve nuk pasqyrohen vetëm në elemente të kulturës materiale por edhe në ato të kulturës shpirtërore dhe sidomos në gjuhë. Dialektet e greqishtes së re ndahen në dy grupime kryesore në bazë të theksimit të zanoreve; në grupimin verior (βόρειος φωνηεντισμός) dhe në atë jugor (νότιος φωνηεντισμός). Këto diferencime në aspektin kohor e kanë zanafillën në shek. X me disa studiues të shprehen edhe me ndonjë fillesë më të hershme. Në zonën e Epirit fliten idioma që i përkasin grupimit verior përveç zonës së Thesprotisë, Pogonit (pjesa greke) dhe ishullit të Janinës, që fliten idioma me grupim jugor, dhe fshatrave të Konicës dhe Prevezës që fliten idioma të ndërmjetshme (gjysmë-veriore). Në Shqipëri, greqishtja e folur nga minoriteti grek ndahet në zonën e Dropullit, Pogonit (pjesa shqiptare), Sarandës, Delvinës, dy fshatrave të Përmetit dhe Himarës (fshat) ku fliten idioma të grupimit jugor, Palasës dhe Dhërmiut ku fliten idioma të grupimit gjysmë-verior dhe dy fshatrave (Nartës dhe Zvërnecit) ku flitet idioma të grupimit verior.[21] Analiza e huazimeve greke të shqipes ka treguar se ato i përkasin në shumicën e tyre të grupimit jugor,[22] çka do të thotë se shqipja ka qenë gjithmonë në kontakt me atë greqishte që sot flitet nga pjesa më e madhe e minoritetit etnik grek (si ajo e Dropullit) dhe jo me atë greqishte që flitet në pjesën më të madhe të Epirit apo të Greqisë veriperëndimore.
Kontaktet e ndërsjellta gjuhësore mes shqipes dhe greqishtes janë analizuar sistematikisht, por edhe pse është vënë në dukje përgjithësisht karakteri marrës i gjuhës shqipe, nuk është trajtuar aq sa duhet karakteri dhënës i saj. Përjashtim këtu përbëjnë pak studime, si ai i gjuhëtarit grek Konstandinos Oikonomou i cili ka trajtuar ndikimin e gjuhës shqipe në idiomat e Epirit në lëmin e huazimeve.[23] Në këto idioma kanë hyrë fjalë të shqipes si apelativë por duket se ato janë zhvilluar përbrenda idiomave edhe në mënyrë që të përfaqësojnë onomastikën dhe toponiminë. Kështu, kanë hyrë fjalë si ζοτ (< shq. zot, që dha edhe mbiemër e emër të përveçëm Zotos), τατταζότης (< shq. tatëzot, “gjyshi”), μπουρίμι (< shq. burimi, që dha edhe toponime), σκέμπι (< shq. shkëmb, që dha edhe toponime), ντούσκος (< shq. dushk, që dha edhe toponime) στούφος (shq. shtuf, që dha edhe toponime), ντάλα (“ajka e qumështit” < shq. dhallë, që dha antroponime), δαρδιά, ντάρντα, νταρντιά (< shq. dardhë që dha antroponime dhe toponime), etj.[24] Ndonjë prej tyre ka histori të veçantë, si për shembull fjala γκέγκας (< shq. gegë, që dhe edhe mbiemra) në të folmen e Janinës ka kuptimin e “shitësit të ëmbëlsirave”, pasi këta fillimisht ishin me origjinë nga veriu i Shqipërisë dhe qarkullonin nëpër rrugët e Janinës me një tepsi në kokë me ëmbëlsira.[25] Por fjala u përgjithësua edhe në greqishten e re ku ka edhe kuptimin e një race qeni gjuetie që përdoret për gjahun e derrave të egër.[26] Një tjetër rast është fjala βλιόρα (< shq. Vlora, që ka dhënë edhe mbiemra) që në të folmen e Janinës ka kuptimin “endacak, shtresa e të varfëve” dhe zanafillën e ka në ato popullsi që u zhvendosën në Janinë nga qyteti i Vlorës.[27] Të gjitha këto fenomene duhen marrë parasysh kur shqyrtohen elemente të antroponimisë apo të toponimisë. Kështu që nëse në Gjirokastër gjejmë toponime që shpjegohen me anë të greqishtes si Cfakë apo Palorto,[28] nuk duhet thënë detyrimisht se ato janë emërtuar kështu nga një popullsi greqishtfolëse kur apelativët përkatëse cfakë dhe palo janë përdorur gjerësisht në toskërishte. E njëjta gjë vlen edhe për apelativë të turqishtes si çair dhe bostan apo të greqishtes livadh që janë përdorur rëndom në toponiminë shqiptare.
Por në emision nuk u sqarua se cilat toponime apo mikrotoponime të Dropullit i përkasin arealit të shqipes. Madje vetë emri i Dropullit (gr. Δρόπολη) rrjedh prej emërtimit Αδριανούπολη (nga qyteti i Hadrianopolis-it rrënojat e të cilës janë lokalizuar në fshatin Sofratikë). Një supozim i imi që e shpreh këtu me shumë rezerva, është se osmanët kanë emërtuar nahijen Edrine (që ka në vartësi 34 fshatra midis të cilave edhe disa nga Dropulli), në zonën e Gjirokastrës, jo sipas lumit Drino dhe pellgut që formon ai diku në veri të qytetit siç mendon İnalcık,[29] por sipas qytetit Edirne (siç u quajt prej osmanëve edhe qyteti i Hadrianopolit në Trakën lindore). Po të hedhim një sy emrave të fshatrave ato janë në një pjesë të madhe me origjinë sllave, ashtu si edhe shumë emra të vendbanimeve në jug të Shqipërisë. Kështu kemi emërtime si Koshovicë, Derviçan, Llongo, Dhuvjan, Glinë etj. Mund të konsultohet për këto studimi i hollësishëm i gjuhëtarit Xhelal Ylli.[30] Çfarë duhet të na bëjë përshtypje këtu është kjo; që toponimet shqiptare, madje edhe në fushën e mikrotoponimisë, mungojnë ose janë pothuajse të papërfillshme, madje edhe këtu, vendin e dytë pas toponimeve greke, e zënë ato sllave. Kurse ato shqipe, atje ku ka, renditen pothuajse në të njëjtin nivel sasior me ato toponime të turqishtes (duke përfshirë këtu edhe ato që u krijuan nga apelativë që hynë në përdorim në gjuhën greke). Le të marrim si shembull fshatin Derviçan, meqë ky përbën kufirin gjuhësor mes greqishtes dhe shqipes dhe aty ku pritej që ndikimi i shqipes të ishte më i madh. Nga rreth 135 toponime të regjistruara[31] ato që mund të identifikohen me shqipen janë 3-4, pra as 3%.
Xhufi nga ana e tij në emision, u përqendrua tek rrethanat historike që lidhen me atë që njihet si “Kronika e Dropullit” (e njohur ndryshe edhe si “Kronika e Gjirokastrës”, ose “Kronika e Dryopidës”). Teksti është botuar fillimisht, por jo i plotë, nga autori i mirënjohur Pouqueville (1821) i cili edhe e solli në dritë, nga Bekker (1849), nga doktori Ioannis Lampridis (1870) nga Zagori i Janinës dhe, nga dy dropullitë nga fshati Dhrovjan, Athanasios Petridis (1871) i cili edhe e botoi të plotë, dhe Vasilios Zotos-Molossos (1875). Këtu unë po përdor veprën e plotë nga botimi kritik i Petridis.[32] Për pjesën që na intereson dhe që u fol në emision, thuhet se Dropullin (në trajtën Δρυϊνόπολις meqë ka pasur shumë δρυς, “lisa”), si qytet u ndërtua nga Atlasi dhe shoku i tij i ngushtë Ifiti (f. 9) të cilët pas vrasjes së Teseut (pasi ky kishte rrëmbyer Helenën e Trojës; version para-homerik ky) u larguan nga zona e Athinës me katër mijë burra, tok me gratë.
Unë nuk gjeta arvanitë në tekst. Nuk di të them ku i gjeti arvanitët në kohën e Teseut dhe të Helenës bashkë, prof. dr. Pëllumb Xhufi. Të ketë ngelur pa argumente Xhufi, që përndryshe kur ka të bëjë me grekë nuk i mbahet dora apo goja, saqë të përdorë në ekuacion edhe krijesa të mitologjisë si Teseu, kushedi edhe Minotaurin kjo është për të ardhur keq. Por sipas kronikës, që Xhufi mbase e la në heshtje, thuhet se shqiptarët banonin përtej Vjosës dhe kishin qytetin e tyre Αλβιούπολις (Albioupolis-in) (f. 9), të cilin Petridi e lokalizon me Elbasanin e sotëm (kushedi duke marrë në qafë edhe Dhimitër Shuteriqin). Po ashtu ky Ifiti thuhet se kaloi matanë dhe krijoi qytetin e Ifitopolis-it, që në lexime të tjera të tekstit del edhe si Titopolis (Petridi e lokalizon me qytetin e Tepelenës). Xhufi në fakt u bën këtu dropullitëve, natyrisht pa vetëdije, një nder jashtëzakonisht të madh, pasi nëse kronikat e tyre nuk gënjejnë, ata janë të vendosur qysh në epokën e Teseut, Luftës së Trojës, madje para edhe vetë Eneas që bëri një kalim tranzit nga Butrinti. Pastaj, sesi këta u transformuan në arvanitë, u kthyen në Dropull në epokën e mesjetës pa lënë gjurmë, madje humbën gjuhën e tyre (ironike apo qesharake që arvanitët nuk e humbën gjuhën e tyre në Greqi por e humbën në Dropull?), këtë vetëm një historian profesionist si Xhufi mund ta shpjegojë.
U thanë këto më lart vetëm për tu vënë në dukje absurditetet dhe elementi grotesk i një problemi kur ai trajtohet duke e marrë si fakt historik mitologjinë (me gjithë respektin për personazhe si i biri i Egjeut). Do kishte ndonjë kuptim të zgjateshim në “Kronikën e Dropullit” sikur kjo të mos ishte në fakt një fabrikim letrar i kulluar, produkt i një eruditi dashamirës për vendlindjen e tij, por edhe produkt i kohës që është shkruar (shek. XIX). Gjuha, stili, greqizimi në tekst i toponimeve (sidomos atyre sllave që greqizohen për të tingëlluar arkaikë si fshati Suhë që u kthye në Sohakos, apo Humelicë që u kthye në Homyle), shpikja e autorëve dhe veprave të humbura (natyrisht!) e kanë vërtetuar katërçipërisht se kronika nuk është origjinale.[33] Madje, dyshimet mbi origjinalitetin e veprës janë shprehur qysh prej kohës që ajo u botua, me të parin autorin e mirënjohur grek Aravantinos i cili e konsideron përralle.[34] Në fund të fundit është më produktive të sqarojmë regjistrimet e thata osmane sesa Ossian-in e Dropullit.
E mbyllim këtë trajtesë historiko-gjuhësore me një çështje anësore që u prek nga Xhufi. Duket se nuk u mjaftua vetëm me Dropullin por e pa të arsyeshme të tregojë se edhe popullsia e Pogonit është me origjinë shqiptare pasi vetë banorët e krahinës kërkonin, përmes një letre, një prift në shek. e XIX që të dinte gjuhën shqipe. Madje këtë, sqaroi Xhufi, e ka botuar një historian grek që punon këtu (e ka fjalën për prof. Konstantinos Giakoumis ι University of New York Tirana). Të njëjtat gjë i kishte parashtruar Xhufi edhe në monografinë e tij voluminoze disa vite më parë.[35] Këtu profesori i nderuar ka ngatërruar (le të themi pa qëllim që të mos i cenojmë integritetin profesional) Pogonin me kryepeshkopatën e Pogonianisë e cila shtrihej në epokën kur është shkruar letra, gjer në Leskovik dhe që përfshinte jo vetëm fshatra greqisht-folëse si të Pogonit apo Konicës por edhe fshatra shqip-folëse si të Përmetit, të Korçës dhe të Leskovikut. Ata të nënshkruarit siç dëshmohet nga letra e tyre janë pikërisht shqiptarë nga Leskoviku dhe kërkojnë (legjitimisht) një prift që të ketë njohuri të shqipes.[36]
Këto që u thanë më sipër ishin ato që u lanë në heshtje nga emisioni. Natyrisht nuk presim që historia të përcillet në nga tele-historianë me emisione fast-food por kjo të lë një shije shumë të hidhur kur realizon se historiografia shqiptare, e përfaqësuar me dy akademikë në emision, nuk është e çliruar ende nga trashëgimia e diktaturës dhe lë hapësirë që të transformohet nga një dije e institucionalizuar në një nacionalizëm të institucionalizuar.
οἴκαδε zotërinj profesorë, οἴκαδε!
© Tannhäuser & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa leje.
[1] Si përjashtim mund të përmendim ndonjë rast të mënjanuar në vitet ’30 të shek. të kaluar si ai i E. Çabej që shprehej për një karakter sllav të dropullitëve, Çabej E., Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Çabej, 2002, f. 116, shën. 52.
[2] Μπάρκας Π., «Η Ελληνική Μειονότητα επί Καθεστώτος Χότζα», në Τσιτσελίκης Κ. dhe Χριστόπουλος Δ. (red), Η Ελληνική Μειονότητα της Αλβανίας, Κέντρο Ερευνών Μειονοτικών Ομάδων, Σειρά Μελετών 7, Εκδόσεις Κριτική, Athinë 2003, f. 262.
[3] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1985, f. 211.
[4] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, v. I, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2008, f. 537.
[5] Μπούτουρας Α.Χ., Τα νεοελληνικά κύρια ονόματα ιστορικώς και γλωσσικώς ερμηνευόμενα, Τυπογραφείον Β. Αυλής Α. Ραφτάνη, Athinë 1912, f. 74-75
[6] Skok P., Etimologijski Rjecnik Hrvatskoga ili Srpskoga Jezika, Jugoslavenska Akademija Znanosti i Umjetnosti, v. ΙΙ, Zagreb 1972, f. 140; Zaimov J., Bъlgarski Imennik, Izdatelstvo na Bъlgarskata Akademija na Naukite, Sofje 1988, f. 125; Beduli Dh., Kishë dhe Kulturë, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë 2006, f. 233.
[7] Çabej E., Studime etimologjike në fushë të shqipes, bleu III (C-D), Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1987, f. 274-275.
[8] Papahagi T., Dicționarul dialectului aromân, Editura Academiei Republicii Socialiste România, Bukuresht 1974 (bot. II i plotësuar), f. 497.
[9] Μπούτουρας, op. cit., f. 69.
[10] Duka F., “Realiteti etnik i Dropullit në burimet osmane të shek. XVI (Defteri osman i regjistrimit të pronave dhe popullsisë të Sanxhakut të Vlorës i vitit 1520)” në: Po ai, Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare (studime dhe dokumente), UET Press, Tiranë 2009, f. 265-333. Botuar fillimisht në Studime Historike 3-4 (1991), f. 167-199.
[11] Demiraj Sh., Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Infbotues, Tiranë 2008, f. 176.
[12] Μπαλτά Ευ. – Oğuz M., Το οθωμανικό κτηματολόγιο του Ρεθύμνου, Ινστιτούτο Νεοελληνικών Ερευνών (ΕΙΕ) – 98/ Ιστορική και Λαογραφική Εταιρία Ρεθύμνου, Rethimno 2007.
[13] Ibidem, f. 547-548 (indeks). Khs. për Sanxhakun Arvanid edhe İnalcık H., Hicrî 835 Tarihli Sûret-i Defter-i Sancak-i Arvanid, Türk Tarih Kurumu Basimevi, Ankara 1954, f. 135 (indeks).
[14] Schirò G., Cronaca dei Tocco di Cefalonia di Anonimo. Prolegomeni – testo critico, traduzione di Giuseppe Schirò, Academia Nazionale dei Lincei, Romë 1975, f. 464.
[15] Liço F., Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare, Neraida, Tiranë 2009, f. XIV-XV.
[16] Shih për këto Βαγιακάκος Δ.Β., Σχεδίασμα περί των τοπωνυμικών και ανθρωπωνυμικών σπουδών εν Ελλάδι, Σύλλογος προς Διάδοσιν Ωφελίμων Βιβλίων, Athinë 2005, f. 130. Për shqipen Sose shih Topalli K., Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 2017, f. 1336.
[17] Georgacas D.J., “Medieval and Modern Greek Place Names”, Beiträge zur Namenforschung 14 (1963), f. 287-290.
[18] İnalcık, op.cit., f. 39.
[19] Ibidem, f. 92
[20] Ibidem, f. 144 (indeks).
[21] Κυριαζής Δ. – Σπύρου Α., «Τα ελληνικά γλωσσικά ιδιώματα της Αλβανίας», Νεοελληνική Διαλεκτολογία 6 (2011), f. 179.
[22] Me ndonjë autor të ketë dalë në përfundime të ekzagjeruara si Gerda Uhlisch ku shprehej se “finden wir keine epirotischen Dialektformen in Südalbanien” në Uhlisch G., Neugriechische Lehnwörter im Albanischen, Disertacion, Humboldt-Universität, Berlin 1964, f. 232 (cituar sipas disertacionit të prof. Dhori K. Qiriazit, Κυριαζής Δ. Κ., Ελληνικές επιδράσεις στην αλβανική (Ι. Φωνητική και μορφολογική προσαρμογή των ελληνικών δανείων ΙΙ. Λεξικό των ελληνικών δανείων της αλβανικής), Αριστοτέλειο Πανεπιστήμιο Θεσσαλονίκης, Φιλοσοφική Σχολή – Τμήμα Φιλολογίας, Τομέας Γλωσσολογίας, Selanik 2001, f. 108.
[23] Οικονόμου Κ. Ευ., Η αλβανική γλωσσική επίδραση στα ηπειρώτικα ιδιώματα, Εταιρία Ηπειρωτικών Μελετών, Janinë 1997.
[24] Οικονόμου, op.cit., f. 72, 67, 22, 63-64, 33, 66, 33, 31 përkatësisht.
[25] Ibidem, f. 34.
[26] Ιστορικόν Λεξικόν της Νέας Ελληνικής της τε κοινώς ομιλουμένης και των ιδιωμάτων, v. V (fasc. I), Ακαδημία Αθηνών, Athinë 1984, f. 211 (regjistrohen edhe kuptime të tjera).
[27] Οικονόμου, op.cit., f. 69.
[28] Karagjozi Kore M., Gjirokastra. Vështrim historik, gjuhësor, etnologjik, Dudaj, Tiranë 2014, f. 96-97.
[29] İnalcık, op.cit., f. 6, shën. 2.
[30] Ylli Xh., Das slavische Lehngut im Albanischen, Verlag Otto Sagner, v. II, Mynih, 2000.
[31] Κουλίδας Κ. (red), Τα τοπωνύμια των πανάρχαιων ελληνικών χωριών του Νομού Αργυροκάστρου, Έκδοση Συνδέσμου Συνταξιούχων Ελληνοδιδασκάλων Ελληνικής Μειονότητας Νομού Αργυροκάστρου, Janinë 2005, f. 65-71.
[32] Πετρίδης Α., «Χρονικόν Δρυόπιδος», në Νεοελληνικά Ανάλεκτα, v.1, pjesa II (1871), f. 3-32.
[33] Βρανούσης Λ. Ι., Χρονικά της Μεσαιωνικής και Τουρκοκρατούμενης Ηπείρου, Εκδόσεις Εταιρείας Ηπειρωτικών Μελετών, Janinë 1962, f. 117-130; Βερνίκος Ν. & Δασκαλοπούλου Σ., Στις Απαρχές της Νεοελληνικής Ιδεολογίας, Το Χρονικό της Δρόπολης, Εκδόσεις Αφοί Τολίδη, Athinë 1999; Βερνίκος Ν. & Δασκαλοπούλου Σ., Γενεαλογία και Ιδεολογία, Εκδόσεις Έλλην, Athinë 2007. Në dy veprat e fundit autorët e përcaktojnë shfaqjen e kronikës me fillesat e ideologjisë neogreke që kërkon të lidhet me lashtësinë e lavdishme, etj.
[34] Αραβαντινός Π. [= Π.Α.Π], Χρονογραφία της Ηπείρου των τε ομόρων Ελληνικών και Ιλλυρικών χωρών διατρέχουσα κατά σειράν τα εν αυταίς συμβάντα από του σωτηρίου έτους μέχρι του 1854, v. I, εκ του Τυπογραφείου Σ. Κ. Βλαστού, Athinë 1856, f. 132.
[35] Xhufi P., Árbërit e Jonit. Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII, Onufri, Tiranë 2017 (bot. II i plotësuar), f. 56.
[36] Giakoumis K., “The policy of the orthodox Patriarchate towards the use of Albanian in church services”, Albanohellenica 4 (2011), f. 141.