Të dashur lexues, ndjekës, miq dhe dashamirës të revistës “Peizazhe të fjalës”,
Sapo mbyllëm një vit të vështirë për të gjithë, për shkak të epidemisë, të imponimeve karantinës, të vështirësive ekonomike por jo vetëm. Me gjasë, çdokush nga ne ka humbur tashmë, sërish me gjasë, për shkak të Covid-it, një të afërm, një mik a një koleg tonin dhe, nuk i kemi shlyer ende llogaritë me këtë të keqe biologjike, sociale dhe politike, që na gjeti të papërgatitur.
Edhe kultura, pjesë e së cilës jemi, po paguan haraç të lartë, anembanë botës; mes shqiptarësh madje më keq se gjetiu, meqë rezervat tona të qytetërimit nuk janë gjithnjë ato që duhen. Skamjes kulturore, që shkaktoi rishtas pandemia ndër shqiptarët, do të duhen vite për t’ia rrokur në tërësi pasojat.
Edhe pse revista jonë “Peizazhe të fjalës” nuk u rrezikua drejtpërdrejt nga pasojat e pandemisë, u rrezikuan lidhjet tona të qëndrueshme me lexuesit, gatishmëria e publikut për të ndarë shqetësimet tona dhe, në përgjithësi, interesi i njerëzve për çështje që nuk lidhen drejtpërdrejt me bashkëjetesën.
Teksa zotohemi të vazhdojmë të ngulim këmbë, si “Peizazhe të fjalës”, në përpjekjet për t’u profiluar si alternativë e portaleve dhe formulave të tjera të manipulimit mediatik, na duhet tani edhe të ruajmë relevancën, në një sferë komunikimi masiv ku kakofonia e mbyt informacionin dhe dialogun.
Megjithatë, numri i madh i vizitave në faqen tonë dhe në hapësirat që mirëmbajmë në rrjetet sociale, por edhe interesimi i madh i lexuesve, nga e gjithë bota shqipfolëse, për temat dhe trajtimet, na japin shpresë për përpjekjet tona.
Ne nuk japim lajme, as përcjellim lajme të marra nga të tjerët; por duam të reflektojmë, nga një këndvështrim kulturor, për realitetin e sotëm të komunikimit publik mes shqiptarëve. I mbetemi bindjes se pluralizmi, edhe i fjalës së lirë, nuk shprehet në mizërinë shurdhuese të “portaleve”, por në pasurinë e temave dhe të këndvështrimeve.
Ajo çfarë ndodhi këtë vit në Tiranë, me Teatrin, dhe që mori hapësirën e duhur edhe në faqet e revistës sonë, na konfirmon se kultura mbetet seriozisht e rrezikuar dhe askush nga ne nuk duhet ta konsiderojë veten të imunizuar ndaj kërcënimit për asfiksim.
Gjatë vitit 2020, botuam 410 shkrime, ese, opinione dhe studime origjinale; pa llogaritur ato mijëra shkrime të tjera në arkiv, që janë në dispozicion të kujtdo dhe që po shfrytëzohen intensivisht nga lexuesi, duke e shndërruar revistën tonë në një bibliotekë të besuar online, veçanërisht për çështje të kulturës, të gjuhës shqipe, të antropologjisë dhe të historisë.
I kemi ofruar të gjitha këto, së bashku me qindra orë punë editoriale për revistën, jo vetëm ngaqë mundemi, por edhe ngaqë duhet. Gjithsekush ka mënyrën e vet për t’i shërbyer publikut – ne kemi zgjedhur atë që mendojmë se mund ta bëjmë më mirë.
Ëndrra jonë është që, jo vetëm të vazhdojmë t’i shërbejmë publikut dhe kulturës, por edhe të provojmë se, në mes të komercializimit të egër të mediave dhe të manipulimit, është ende e mundshme të mbahet në këmbë një media si “Peizazhet”, përmes një ekonomie të dhurimit dhe të bashkëndarjes.
Këtë duam ta realizojmë me simpatinë, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj edhe gjatë vitit që vjen.
Gëzuar Vitin e Ri 2021: le të gatitemi për të kaluar së bashku një vit që urojmë të jetë produktiv, të lirë, të shëndetshëm dhe të mbarë.
Ardian Vehbiu dhe Elona Pira
Nje përzgjedhje shkrimesh nga ky vit
|