nga Ajkuna Dakli
– Po niset më duket. Si do bëjmë?
– Nuk do bëjmë asgjë.
– Po gjithnjë thua që do të ikim që këtej.
– Po, po jo kështu.
– Po tani është rasti, kur dihet kur vjen prapë.
– Unë dua të ikim si njerëz.
– Ti e di që për ca si ne kjo nuk bëhet. Të paktën jo tani.
– Nuk e di, nuk e kisha menduar kështu.
– Po si e kishe menduar?
– Më lër të lutem!
– Si të duash. Po nuk besoj se do na vijë më ky rast.
Çifti i ri ishte ulur përbri meje në dy ndenjëset përballë njëra tjetrës. Ishin të rinj fare, të dy në të njëzetat .
Ajo mbante në krahë një foshnjë mbështjellë me një batanije pambuku standard nga ato të Kombinatit të Tekstileve.
U dëgjua një fishkëllimë , treni u nis dhe la pas ngadalë stacionin e Durrësit . Burri i ri u ul dhe pa i pezmatuar nga e shoqja që vështronte nga dritarja duke lëkundur foshnjën që filloi papritur të qante . Ajo nxori gjirin nën bluzë duke u mbuluar si mundej dhe foshnja filloi të pijë.
Ai i hodhi një sy ndenjëseve të rrjepura veshur me plastikë të gjelbër të errët nën të cilën shfaqej vende-vende sfungjeri i verdhemë, pastaj i ngriti sytë nga dritaret me mungesa të theksuara xhamash, vështroi nga vendet përballë ku numri i udhëtarëve ishte pothuaj përgjysmuar dhe i nguli prapë në fytyrën e gruas së re që ushqente foshnjën.
– Më duket se e zuri gjumi – tha me zë të ulët.
– E zuri – Ajo e tërhoqi foshnjën paksa mbrapsht, mbuloi kraharorin me bluzë dhe e ngriti ngadalë foshnjën duke ia mbështetur kokën mbi sup e duke e mbajtur me kujdes me njërën dorë në fund të shpinës së kërthiut dhe me dorën tjetër midis kokës e qafës.
– Po mendoje sikur ! Disa orë rrugë dhe nesër gdhiheshim andej.
– Nuk janë gjërat aq të lehta.
– Pse këtu janë të lehta? Ne nuk kemi…….
– Oh! E di! Nuk po them që këtu është mirë.
– Po le të ikim atëherë.
– Po si do bëjmë gjithë atë rrugë me një kërthi. Apo na presin me lule andej?
– Sido që të jetë do na presin. Një kothere bukë do na e japin. Pastaj dalëngadalë…
– Po sikur të na kthejnë?
– Nuk na kthejnë. Nuk kanë kthyer njeri deri tani.
Ajo nuk foli. Ktheu kokën nga dritarja me xham të thyer nga ku deti dukej i qetë dhe i kaltër si një udhë e shtruar enkas për ta.
– Janë gjithë ata njerëz, – tha – Do jetë rrëmujë e madhe.
– Po janë edhe gjithë ato anije.
– Po sikur anija të mbytet?
– Po pse e çon mendjen te e keqja? Gjithë këta njerëz për t’u mbytur po shkojnë?
– Jemi me fëmijë të vogël.
– Po prandaj them. Ky rast nuk na vjen më. Djali mund ta nisë jetën andej. Këtej nuk dihet si vete.
– Gjërat do ndryshojnë edhe këtu.
– Kur?
– Nuk e di kur. Do ndryshojnë.
– Andej i ke gati. Një rrugë disa orë me anije dhe kaq. Shpëtove.
– Uhhhh!
Befas treni u trand dhe ndaloi. Ata kthyen kokën nga dritarja dhe panë të tjerë njerëz të zbrisnin dhe të vraponin drejt detit. Burri u ngrit në këmbë dhe u mundua të marrë vesh çfarë kishte ndodhur.
– Ka ikur makinisti – tha një fatorino trupmadhe duke kaluar nëpër korridorin midis ndenjëseve.
– Duhet të presim ndonjë orë të na sjellin dikë tjetër nga Durrësi. Bir, ku ikin gjithë këta njerëz!
Burri u ul dhe vështroi nga e shoqja. Ajo nuk e ngriti kokën.
– Dëgjo! Dëgjo të lutem se nuk na vjen më ky shans.
– Po dëgjoj.
– Po sikur të iki unë dhe ju të dyve ju marr më vonë ?
– Sapo the që nuk marrim dot vizë.
– Po ndryshe të kesh njeri atje.
– Më vonë kur?
– Sapo…
– Nuk u kemi thënë as njerëzve. As të mive as të tuve.
– U themi më vonë – Ai ishte ngritur ndërkaq në këmbë.
– Të paktën të marrim karrocën – tha ajo – që djali të flejë rehat.
Ai hodhi sytë nga mizëria e njerëzve që shtyheshin drejt bregut, e pa një çast me mëdyshje dhe u mat të thoshte diçka.
– Mirë – pranoi pastaj – Zbresim të dy dhe më prit jashtë sa të marr karrocën në vagonin e mallrave.
Hodha sytë nga dritarja dhe pas pak i pashë tek vraponin drejt turmës duke shtyrë një karrocë të vjetër fëmijësh që duhet të kishte kaluar nëpër disa duar para se të mbërrinte te kërthiu i vogël i cili nuk kishte si ta kuptonte se i shtyrë nga duart plot ankth të prindërve të tij me shpresën se ai, do rritej më në fund në Tokën e Premtuar po vraponte të arrinte njërën nga anijet që dalloheshin tutje në breg.
Një mizëri njerëzish sulej ndërkohë bashkë me ta sikur dallgë ajri po i shtynin drejt detit po pa pasur kohë të kuptonin se kujt po i besonin në atë kalvar, vetes, atyre që po i çonin, atyre që do i prisnin apo thjesht çastit, fatit dhe bujarisë së dallgëve, duke krijuar një pamje biblike që dukej si një histori diku aty midis asaj të Noah-s dhe Moisiut .
– Më duket se ka ngecur, – tha dikush nga njerëzit që po shikonin nga dritarja. – Një nga anijet më duket se ka ngecur në rërë.
– Zot ku ikin gjithë këta njerëz !
Mbështeta ballin në dritare duke u munduar të shquaj çiftin me karrocë po ata kishin humbur tashmë mes turmës që vazhdonte të derdhej në drejtim të bregut.
Tutje në sfond arrita të shquaj vetëm karrocën e cila kishte ngecur gjithashtu në rërë, përmbys me tre rrota nga qielli që dukeshin sikur luteshin ndërsa e katërta dergjej e flakur në ngut e sipër pak metra më tutje.
© 2020, Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.