Fan S. Noli
Transkriptuar dhe pajisur me shënime nga Agron Alibali
Në numrin e 20 prillit 2020 të kësaj reviste përcollëm pjesën e parë të Fjalës së Rastit të Nolit me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, mbajtur para krerëve të organizatave fetare shqiptare në SHBA, anëtarëve të Vatrës dhe komunitetit të Bostonit e më gjerë. Një lexues në FaceBook solli në vëmendje regjistrimin e Pjesës II, e cila mund të dëgjohet këtu. Fjala e plotë e Nolit me siguri u botua menjëherë në gazetën Dielli, dhe prej saj duhet të jetë marrë për t’u ribotuar më vonë në Tiranë.[1]
Ka diçka të veçantë kur zëri kombinohet me tekstin. Kjo arrihet në këtë revistë përmes regjistrimit audio me tekstin e tejshkruar, ose të transkriptuar. Ekzistojnë edhe të paktën dy versione të shkruara të Fjalës së Nolit: (i) botimi në Dielli në një nga numrat e dhjetorit 1962, dhe (ii) ribotimet në Shqipëri. Do të ishte me interes të krahasoheshin tekstet e botuara me burimin origjinal, gjë që sot për sot e kemi praktikisht të pamundur. Kjo jo vetëm për të vlerësuar saktësinë e riprodhimit. Ç’mund të thuhet për të përbashkëtat dhe dallimet midis formulimit, përcjelljes dhe receptimit [nga dëgjuesit dhe lexuesit] të mesazhit gojor përkundrejt riprodhimit të botuar? Ose, përndryshe, midis gojëtarisë dhe tekstit të shkruar?
Stafeta këtu u takon të tjerëve. Në transkriptimin e mëposhtëm është shënuar, për lehtësi, minutazhi rritës. Në ndonjë rast nuk kemi qenë në gjendje të identifikojmë shprehjen apo fjalën e Nolit, prandaj e kemi lënë midis kllapash […]. Mirëpritet çdo koment, vërejtje apo sugjerim për përmirësimin ose saktësimin e tekstit të transkriptuar.
Më poshtë vijimi i Fjalës Nolit. [A.A.]
Fan S. Noli: Në Harvard është koleksioni i plotë i Albania-s[2]. Qerimi ynë[3] mund të vejë atje dhe mund t’i mbledhë ato, siç i mblodhi ato të tjerat edhe të na japë një përmbledhje. Nuk kërkojmë prej tij që të na i botojë, t’i ribotojë të gjitha ato vëllime të Albania-s, se janë ndonjë 130 vëllime. Por një përmbledhje të atyre të na japë, dhe kështë do të na jape materialin prej të cilit të shkruhet historia e rilindjes shqiptare në ato 12 vjet.
Një libër tjatër që mund të botojë Vatra, me Qerimin doemos, është një përmbedhje e një ribotim i disa librave të cilat janë out of print, nukë gjenden më. [‘1:00] Kalendari i Vatrës,[4] për shembull, nuk mund të gjendet më. Ka plot materiale atje. Në qoftë se s’mund Vatra ta ribotojë të tërë se mund të jetë harxh shumë i madh, të botojë një përmbledhje, të atyre, një broshurë.
Puna më e madhe që mund të bënjë Vatra tashti është që të vëmë përsëri Qerimin edhe të na bëjë një përmbledhje të materialit i cili ndodhet në koleksionin e Diellit. Domethënë, i cili nisi të botohet më 1909, 1909 e gjer më sot. Sa vjet bëhen?
[Zë i paidentifikuar] Pesëdhjetetre vjet.
Fan S. Noli: Pesëdhjetetre vjet.[5] Atje kemi një thesar për historinë e Shqipërisë. [‘2:00]. Edhe ka një periudhë prej nja 13 vjetsh, të cilat mund të quhen me një fjalë në inglishte black-out, për të cilën s’ka përkthim në asnjë gjuhë tjatër. Historia e Shqipërisë për ato 13 vjet në këtë periudhë ka qenë e okupuar: dy vjet në kohën e Luftës Ballkanike; nja pesë vjet në kohën e Luftës së Parë. Edhe nja gjashtë vjet në kohën e Luftë së Dytë.
Historia e Shqipërisë në këto vjete është një farë black out, për të cilën kemi shumë pak materiale që ta shkruajmë historinë e Shqipërisë në këtë periudhë të errët, edhe në atë periudhën e ndriçme, in between, në mes të këtyre. [‘3:00].
Këto të gjitha mund të na i bëjë përsëri, sikundër thashë, Qerimi. Pra kjo është këshilla ime: përpiquni që këto libra t’i botoni, edhe t’i thoni të mos i jipni leje Qerimit të shkojë në xhenet [të qeshura në sallë}, përpara se sa të na i mbarojë këto libra [qesh vetë]. [duartrokitje në sallë].
Edhe meqë ardhi fjala, ka edhe një tjatër babaxhan, të cilin nuk duhet ta lini të shkonjë në xhenet pa shkruar disa libra të tjera [vëndenëndi ?] [duartrokitje].
Tashti, çështja që më vjen tani që kur t’i lëmë shëndet kësaj jete do të shkojmë vërtet në xhenet, apo do të shkojmë në atë vëndin tjatër [‘4:00], [qesh], në vendin e atij të ligut me bisht e me brirë.
Edhe kjo më kujton një meselé tjatër. Këtë meselé ma tregonte Gurakuqi, ndjesë pastë.
Një prift i ri vajti në Malësi që të predikonte meshën e parë. Prift katolik. Edhe natyrisht meqë ishte sermoni, predikimi i tij i parë, ndenji i i shkreti edhe e shkrojti edhe e zografisi atë fjalën, edhe e bëri që lëre mos e nga. Çuditej dynjaja e tërë. Edhe, pasi e qëndisi në funt, kjo ishte konkluzja e tij. Konkluzja e sermonit, e predikimit. “Në qoftë se i bëni këto të gjitha, nuk do të shkoni [‘5:00] në ferr, në xhehnem, po do të shkoni në xhenet”. Kjo ishte fundi i fjalës. Por pa arrirë në gjysmën e fjalës, një nga ata malësorët, u ngrit edhe i tha: “Dom Nikolla, të paçim uratën, aman mbaroje atë fjalë se na u doq fërliku.” [të qeshura në sallë]. Fërliku [qesh] është mishi i pjekur në hell [qesh]. Ai po piqej atyja. Prifti i shkretë që e ndëgjoi këtë, u ngatërrua edhe e shkurtoi fjalën. Edhe e shkurtoi edhe konkluzjen. Dhe, në vend që të thotë, “po të bëni këto, nuk do të shkoni në ferr, por në parajsë”, u tha “në qoftë se i bëni këto jam i sigurtë që do të shkoni që të gjithë në ferr, në xhehnem”. “Të lumtë goja”, i tha një nga ata malësorët. “Je i pari prift që na the të vërtetën”. [të qeshura, duartrokitje], [‘6:00].
Tashti, dy fjalë; edhe jo shumë të gjata, por të shkurtëra. Edhe kjo është pyetja që na bëjnë të gjithë shqiptarët që na vijnë: “Ç’mund të bëjë Vatra dhe ç’mund të bëjmë ne në rastet e sotme, ç’mund të bëjmë për Shqipërinë.”
Tashti, përpara që ta marrëm, që ta bisedojmë këtë problem duhet njëherë që të dimë një gjë: të cilën që të gjithë pothuaj e harrojmë, ose s’i japim rëndësi të mjaftë. Problemi i Shqipërisë nuk është problem që ta zgjidhën shqipëtarët sot. Dhe kur thom këtë nuk dua të poshtëronj shqiptarët që shqiptarët nuk janë aq të zotër si kombet e tjera. Asnjë komb sot s’mund t’i zgjidhë problemet e tij vetëm [‘7:02]. Çdo problem i çdo kombi sot, që është bërë bota një – e njëshme, ka një botë sot – është në vetvete problem ndërkombëtar, që në krye gjer në fund. Problemi i Shqipërisë do të zgjidhet kur të zgjidhen të gjitha problemet e botës. Në kohët e vjetra, kjo është e vërtetë edhe në kohët e vjetra. Por në kohët e vjetra të paktën kishim njëfarë arallëku[6], cilido diç mund të bënte për veten e tij. Sot s’ka asnjë posibilitet të atillë.
Tashi, për këtë çështje pothuaj janë që të gjithë në një mëndje. Problemi i çdo vendi sot është problem kryesisht ndërkombëtar me një posibilitet fare të vogël për njerëzit e vendit brenda. Ndahemi që të gjithë kurë vijmë në zgjidhjen e këtij problemi. [‘8:00].
Qysh do ta zgjidhim këtë problem. Ka dy shkolla, dy sisteme mendimesh, të cilët japin një zgjidhje. Këtu përsëri nuk do të zgjatem shumë, do të përpiqem t’jua thom me një mënyrë popullore që ta kuptoni. Është zgjidhja e jataganit, edhe zgjidhja e kalemit. Nga njëra anë ky jatagani, nga ana tjatër kalemi. Por këto fjalë nuk duhet të kuptohen në kuptimin e tyre të ngushtë, por në kuptimin e tyre të gjerë. Kur thom zgjidhja e jataganit, zgjidhja e violencës, zgjidhja e luftës: “O burrani” siç tha lapi, “t’u hidhemi o Gjolekë, pa u mejtuar, mos o lap se s’ ke fishekë”.[…nuk kuptohet shprehja]. Ajo është zgjidhja e jataganit.
Zgjidhja e kalemit, dhe me kalem natyrisht do të thom, kupton, pëndën, kulturën, dijen, shkëncën [‘9:00], logjikën, diplomatinë e paqes, edhe jo kapadaillëkun e jataganit edhe të luftës. Kështu kemi, po të pyeç mirë njerëzia sot e ndan njerëzinë, kupton këto i quajnë njëri një emër dhe një tjatër një tjatër emër që lere mos e nga, kupton. Edhe duket sikur njerëzia është e ndarë në njëzet apo tridhjet izma të ndryshme.
Pas mendimit tim ka vetëm dy shkolla: këto shkolla të gjitha mund t’i përmbledhim edhe t’i futim në dy kategori: shkolla e biçakçinjve, ata që besojnë biçakun, jataganin; edhe shkolla e kalemxhinjve, por në kuptimin e shkollës, e mënyrave paqësore [’10:00]. Domethënë, lufta në njërën anë, edhe mënyra paqësore nga ana tjatër.
Tashi të vijmë ç’lidhje mund të na japë biçaku edhe jatagani. Biçaku edhe jatagani e kanë patur fjalën që kur ka lindur njeriu edhe gjer më sot. Luftëra e mbi luftëra, e jatagani ka lojtur më të djathtë e më të mëngjër. Dhe ç’bëri jatagani? Luftë dhe luftë dhe luftë, dhe s’jep ndonjë zgjidhje. Se jatagani di vetëm të presë.
Dhe sikur të priste lakra s’na prishte punë. Por pret koka. Edhe nuk do të rrinjë rehat gjer sa të presi kokën e funtme të njeriut. Atë zgjidhje mund të japë jatagani.
Dhe kjo më kujton tani një tjatër meselé. Njëherë ishim mbledhur në Tiranë dhe po mejtoheshim disa shokë, kuptoni, tani atje [’11:00]. “Si mundim ta spastrojmë Tiranën”? Atëhere ishte shumë e qelbur. Nuk dij tani, se s’kam vajtur. Atëhere kundërmonte, kupton [qesh]. Secili do jipte mendimin e tij: “jo duhet bërë kështu, jo duhet bërë ashtu”. Ahere Miço Çekani[7] dha një mejtim. Edhe mejtimi i tij ishte ky: Si mund të spastrohet Tirana, të bëhet qytet i pastër:
“Të bëjmë”, tha, “një mur rreth e rrotull Tiranës”.
“Edhe pastaj t’i vëmë zjarrin”. [të qeshura në sallë]. “Ta djegim”.
Një nga ato u hodh: “Po sikur të shpëtojë një, të dalë jashtë?”
“Ahere u prish i tërë pllani”. [të qeshura në sallë, qesh edhe vetë].
Ajo është zgjidhja e jataganit: t’i vrasim që të gjithë. Edhe kjo, edhe sikur të ishte vetëm shaka, sikur ajo e Miço Çekanit, shumë bukur kjo do të na ngjasë ekzaktërisht, sikur të kemi një luftë tjatër, nuk do të mbetet njeri i gjallë. [’12:05].
Nuk do të mbetet njeri i gjallë, dhe ai që do të shpëtonjë do të bëjë lajthim, se kudo që do të vemi do të vdesë edhe ay, se s’ka si të rrojë. Kështu që s’mbetet veçse një zgjidhje, edhe ajo zgjidhje është zgjidhja paqësore.
Tashti, argumenti i madh i biçakçinjve, i atyre që janë në favor të jataganit, kupton, “ahere si mund të fitojë gjë pa jataganin e pa luftën”. Ai s’mund të kuptojë që mund të fitojë gjë pa jataganin, pa luftë.
Po ju jap dy shëmbëlla që të kuptoni menjëherë që ca nga luftërat nga më të mëdha të botës, janë zgjidhur pa shkryer asnjë dyfek edhe pa vrarë asnjë njeri. Duke vrarë, siç thotë Bernard Shaw [’13:00], vetëm atë njeri që kemi të drejtën të vrasim. Dhe cili është ay njeri që kemi të drejtën të vrasim?
Unë kam të drejtë të vras veten, jo tjatrin. Kështu thotë. Atë të drejtë ke, të vraç veten. Jo të vraç tjatër njeri. Ashtu thotë Bernard Show ? [qesh].
Cilat janë këto luftëra. Po Lufta e Krishtërimit. Krishtërimi e fitoi botën të tërë, në kohën e Shën Konstantinit, e fitoi tërë botën. Si e fitoi? Nuku vrau njeri. Me mënyra paqësore. Do të thoni që një tjatër shembull përpara se të hyjmë në atë temë, është ajo shembëlla e Hindit. Hindia vajti pas Ghandit. Ghandi. E pyetën Ghandin, kuptoni, se si do ta çlirojëm Hindin, edhe u tha: “Nëmni njëzet mijë veta të cilët të bëjnë ashtu siç do t’u thom unë. Edhe do ta çlirojmë Hindin”. [’14:01]. Edhe nisi fushatën e tij. Pa përdorur mjete violente dhe pa luftë. Pa bërë kryengritje, pa shkryer dyfekë, dhe e çliroi Hindin. Pa luftë. Domethënë është menyrë shumë praktike kjo, evitimi i luftës.
Tashti, edhe Ghandi thoshte, na tha mënyrën me të cilën e bëri, një tjatër mjet me të cilën e bëri, u tha kur, më e mira menyrë për të thyer armikun është t’ia kthesh mëndjen, t’a fitosh për veten tënde, ta konvertosh. Kur e godit armikun me grusht edhe e përmbys, tregon që je vetëm më i forti, më i zoti nga pikëpamja fizike. Kur e konverton edhe e fiton në mendimin tënd, ahere i provon që je më i lartë se ay [’15:00] në, nga pikëpamja spirituale. Edhe ajo është fitim i plotë. Ua mbush kokën inglizve tashti: “Këtu jemi katërqind milion veta. Edhe s’të duam”, i thanë Inglizit, “po të hikësh. Të çporresh që këtej”. Organizojnë një popull prej 400 milion të thonë “jo, ingliz!”. Edhe ia thane atë “jo” nënë udhëheqjen e Gandhit, edhe fituan pa shkryer një dyfek.
Tashti mund të kemi një shëmbëll shumë të bukur ku mund të marrim vesh, kupton, atë jataganin, këtë meselénë e jataganit dhe të kalemit, domethënë të luftës dhe të mënyrës paqësore, në fytyrën e Shën Konstantinit.
Shën Konstantini ka patur dy periudha në jetën e tij: periudhën përpara se të merrte, të fitonte Romën, periudhën përpara se të bëhej i krishterë, kur ishte pagan. Shumë pak njerëz, ndofta, dinë që Shën Konstantini ka qenë një nga gjeneralët më të mëdhenj të Perandorisë Romane [16:05]. Edhe kanë të drejtë. Fare të drejtë. Gjeneralë të mbëdhenj si Shën Konstantini, produkoi edhe shumë të tjerë Roma. Edhe emrat e tyre kush i di? Ndonjë historian budallá si unë, që kam vënë tërë forcën në histori. Tjatër njeri as ua di emrin, as ua ka dëgjuar ndonjë herë. Shën Konstantinin e dinë të gjithë. Përse? Jo si gjeneral që fitoi luftëra me jatagan, por si gjeneral, i cili imponoi krishtërimin mbi Romën. Domethënë e hodhi jataganin tutje, edhe mori Ungjillin në dorë.
Tashti, një zgjidhje e këtillë mund të vijë prapë. Bota njerëzore që lindi një njeri si Shën Konstantini, unë besonj që do të mund të lindë një tjatër Shën Konstantin, edhe të vinjë e të na shpëtonjë nga këto, nga këto mjerime, të cilat do të na presin në qoftë se bëhet një luftë tjatër. [’17:04]. Edhe ai ç’mund të bënjë vallë. Mos harroni, Shën Konstantini ka qënë shqiptar, shqiptar nga raca […fjala e paqartë] Kështu s’është çudia që Shën Konstantini që mund të vinjë përsëri të na shpëtojë mund të jetë përsëri shqiptar. [duartrokitje në sallë]. Po në mos qoftë shqiptar, duhet të përpiqemi që atij Shën Konstantinit t’i japim ushtarët. Edhe ato ushtarë do t’ia japim duke dërguar djema në shkollë. Të mësonjë, edhe të përpiqen tok me Shën Konstantinin e ri dhe me Shën Konstantinët dhe gjithë shënjtorët e tjerë, me menyra paqesore të na shpëtojnë nga mjerimi më i madh që mund t’u ngjajnë njerëzimit, nga Lufta e Tretë Mondiale. [’17:58].
Tashti i dhashë fund, edhe do t’ju them, këtu më kujtohet një meselé. Njëherë një zonje vanë e i thanë njerëzia që është një djalë shumë trim, edhe vanë edhe ia dhanë lajmin që ay djalë trim u vra. Zonja shqiptare u përgjegj me, nuku nisi të ulërinjë, por u përgjegj me një menyrë heroike. Edhe spartane. “Ajo pelë që ka bërë atë at[8], do të bënjë një at më të mirë dhe më të zotin! Mos kini frikë!”, u tha. [duartrokitje] Kështu edhe Vatra! [’18:50].
[fund i regjistrimit].
[1] Fan Noli, Vepra, vol. VI, Akademia e Shkencave e RSH, f. 222 (citim i paverifikuar). BKSH jep këto të dhëna për botimin: https://tinyurl.com/yyrx888s Fjala e Nolit është botuar edhe në përmbledhjen e përgatitur nga Prof. Nasho Jorgaqi: https://tinyurl.com/yxzxgpyk
[2] Revista Albania e Faik Konicës, 19897-1909. Koleksioni i plotë ndodhet në Bibliotekën e Universitetit të Harvardit, Widener, http://id.lib.harvard.edu/alma/990046411230203941/catalog
[3] Qerim Panariti, mik i Nolit, një ndër drejtuesit e Vatrës dhe Kryeredaktor i Diellit.
[4] Fjala është për Kalendari i Vatrës i motit 1918, Vatra (Society) / Boston, Mass. : Shtypur në Shtypëshkronjën e Gazetës Dielli, 1918 të shkruar dhe redaktuar nga Fan. S. Noli.
[5] Pikërisht ky dialog vërteton se Fjala e Nolit u mbajt me 28 nëntor 1962, në përvjetorin e 50 të Pavarësisë.
[6] Nga turqishtja, këtu: hapësirë.
[7] Nuk kemi të dhëna për këtë emër. Mbiemri Çekani i takon një familje të njohur nga Labova e Vogël [e Zhapës] në rrethin e Gjirokastrës.
[8] Nga turqishtja, kalë.