Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

BESË DHE FE

nga Albert Riska

(për burimin dhe historinë e fjalës besë)

Fjala shqipe besë nuk do të mund të konsiderohej si një fjalë e atij fondi të dallueshëm leksikor që lidhet përjashtimisht me sferën e besimit fetar e aq më pak të besimit të krishterë, megjithatë ajo do të meritonte një vend të veçantë edhe brenda këtij rrethi, për shkak të vlerave të pazakonta semantike, historike e kulturore që mbart.

Në rrafshin semantik do të mjaftonte një vështrim sipërfaqësor i shpjegimeve që jepen në fjalorët e gjuhës shqipe për të nxjerrë në pah gjerësinë semantike dhe shumësinë e përdorimeve të kësaj fjale.[1] Do të duhej vetëm të përmendnim sinonimet e shumta që mund të gjenden, për të pasur një përfytyrim mbi bashkësinë e përbërësve semantikë që mbushin domethënien e saj. Kështu kemi: fjalë, premtim, detyrim, bindje, marrëveshje, mirëkuptim etj.

Akoma më i gjerë dhe më i rëndësishëm paraqitet sfondi historik e etnokulturor në të cilin ka gjalluar fjala. Në këtë aspekt do të mjaftonte të përmendnim vetëm se fjala besë është gati mitike për shqiptarët dhe se kodi i saj qëndron në themel të një institucioni të organizimit të jetës së tyre shoqërore.

Nuk ka të dyshuar se idiomat e shumta, si edhe fjalët e urta në të cilat ajo përdoret, do të shiheshin si shfaqje të kësaj peshe etnokulturore. Nga analiza tekstualiste e këtyre mjeteve të “parafabrikuara” të gjuhës shqipe kuptohet se nga njëra anë idiomat gjuhësore do të dëshmonin vlerën e besës si institucion, ndërsa fjalët e urta, në anë tjetër, do të dëshmonin rëndësinë e besës si virtyt për shqiptarët.

Ndër idiomat në të cilat merr pjesë fjala besë do të përmendnim: kam besë, jap besë, marr besë, zë besë, lë në besë, ha në besë, thyej besën, shkel besën etj., pas të cilave lexohen elemente të kodit etik e institucional; ndërsa ndër fjalët e urta mund të përmendim: “Besa e shqiptarit si purteka e arit” apo “Besa e burrit-pesha e gurit”[2], që lidhen pa dyshim me një virtyt të shqiptarit.

Në pikëpamje etimologjike fjala besë duket se është pjesë e një çerdheje fjalësh të parme në gjuhën shqipe dhe qëndron në lidhje shumë të ngushta me fjalët be, beto(hem) dhe bind. Lidhjet midis këtyre fjalëve do të mbështesnin idenë se kemi të bëjmë me fjalë vendi, ndërsa semantika dhe përbërja fonematike e tyre nuk lë për të dyshuar se kemi të bëjmë me fjalërrënjë të para rindërtimi i të cilave do të shpinte në të njëjtën lemë indoevropiane.

Ndër lidhjet jashtëgjuhësore të fjalës besë, detyrimisht edhe të fjalëve të tjera të çerdhes, do të përmendnim, midis të tjerash, greqishten πίστις, πιστός dhe πείθω, πείθομαι, me kuptime që lidhen me “besë” e “bindje”; latinishten foedus e fides, po me kuptimin “besë”; ndërsa do të duhet të përmendim në mënyrë të veçantë afrimin me irlandishten béss dhe galishten bessus, të cilat, me kuptimin “doke, zakon”[3], sikur përligjin kuadrin semantik të fjalës sonë që, siç është e qartë, nuk lidhet përjashtimisht me besimin fetar, por para së gjithash me norma të organizimit të jetës shoqërore.

Pavarësisht shkarjeve semantikore që mund të vihen re (si ndër më të fortat do të përmendeshin shkarjet në raport me gotishten baidjan “shtrëngoj”, sllavishten bĕda “shtrëngim” apo letonishten bèda “brengë”[4]), për të gjithat format që vijnë në lojë  rindërtohet një lemë e përbashkët indoevropiane *bheidh– (por edhe *bhoidh– e *bhidh-) me kuptimin gjenerik “shtrëngoj, detyroj”.[5]

Edhe fjalët e çerdhes shqipe be, besë, beto(hem) dhe bind, pavarësisht dallimeve fonematike që paraqesin midis tyre, mund të lidhen me këtë lemë indoevropiane.

Me shumë mundësi ato janë zhvillime nga trajta të ndryshme gramatikore të një fjalërrënje parashqipe dhe dallimet e sotme fonematike burojnë nga kombinime të ndryshme në të cilat janë ndodhur njësitë fonetike për shkak të mjeteve të ndryshme morfologjike që i janë shtuar rrënjës.

Kështu, pa dashur të zgjatemi në çështje të morfologjisë historike, dhe as në analizat e zhvillimeve fonetike aq të diskutuara nga etimologët, do të mund të supozonim se:

fjala shqipe be mund të përligjej nga një parashqipe *beda, me rënien e okluzivit të zëshëm ndërzanor dhe, siç do të shohim më poshtë, mund të gjejë një analogji me fjalën fe (< fede);

fjala besë mund të përligjej nga një parashqipe *bedtia, në një analogji perfekte me shqipen vesë (< *vedtia);

beto(hem) mund të mendohet nga një *bed-to-;

ndërsa bind duhet të ketë pësuar nazalizimin (si vend?!) dhe do të përligjej nga një *bid- (<*bhidh-), ose nga një *bed- (<*bhedh-) duke nënkuptuar në këtë mundësi të dytë mbylljen e zanores /e/ në /i/ para dy bashkëtingëlloreve.

Për burimin dhe historinë e fjalës fe

Fjala shqipe fe, me derivatin e saj fetar, vjen sot në gjuhën shqipe me një semantikë shumë të ngushtë dhe do të lidhej vetëm me një tip të caktuar besimi, besim në një zot a në një perëndi.[6] Vetë togu i shqipes besim fetar është shprehës i qartë i marrëdhënieve semantike hiponimike midis dy fjalëve. Ndërsa në formulën e betimit “për besë e për fe” apo në togun e ngurtësuar “as besë e as fe” mund të shihet që ajo paraqitet semantikisht krejt e ndryshme edhe nga fjala besë.

Në aspektin fonetik fjala fe do të qëndronte shumë pranë me fjalën be të çerdhes shqipe, veçse bashkëtingëllorja nistore /f/ do ta bashkonte atë me latinishten fidem e anglishten faith, kështu që, për norma fonetike indoevropiane të njohura[7], kundërvënia /b/ ~ /f/ për çiftin be ~ fe do të mjaftonte që të pranonim be si fjalë vendase dhe fe si fjalë të huazuar.

Etimologët kanë menduar se fjala shqipe fe duhet të jetë huazuar nga latinishtja fides, edhe kjo nga e njëjta lemë indoevropiane *bheidh[8], veçse kjo lidhje do të kërkonte përligjjen e zhvillimit brenda shqipes të zanores rrënjore /i/ në /e/, kështu që nuk është për t’u përjashtuar edhe mundësia e një huazimi nga italishtja e hershme fede.

Është e rëndësishme që nga fjala fe kemi edhe një derivat në gjuhën shqipe, fejoj, dhe, po të gjykojmë semantikën e këtij derivati “premtoj martesë”, nuk mund të dyshohet se ajo ka pasur dikur një përbërës semantik që do ta bashkonte me fjalën besë. Në këto rrethana duhet menduar se fe ka pësuar në gjuhën shqipe një ngushtim të rëndësishëm kuptimor.

Për bashkëjetesën e fjalëve besë e fe

Normalisht mund të ndodhë që një fjalë e huazuar të gjejë në gjuhën marrëse përgjegjësen e saj semantikore për të krijuar për momentin një sinonimi të plotë dhe, më pas, nga bashkëjetesa do të pritej ndarje e sferës së përdorimit dhe diferencimi semantik i njësive për të arritur në një sinonimi të pjesshme. Kjo natyrisht që do të përbënte një rrugë për pasurimin leksikor të një gjuhe.

Në rastin besë e fe shihet se për nga burimi dhe historia ato përbëjnë një çift me një marrëdhënie jo të zakontë ndërmjet tyre, duke qenë fjalë që kanë të njëjtin burim, por janë përftuar në rrugë e kohë të ndryshme, njëra si një trashëgim indoevropian i gjuhës shqipe dhe tjetra si një huazim më i ri nga latinishtja, por që lidhet me të njëjtën bazë indoevropiane. Kuptohet se një dukuri e tillë (një rast i skajshëm i përftimit të dy a më shumë fjalëve të ndryshme nga i njëjti etimon) mund të ndodhë në marrëdhëniet e shkëmbimit ndërmjet dy gjuhëve të të njëjtës familje apo me lidhje gjenealogjike midis tyre.

Përmendëm se fjala fe, me derivatin jo të lidhur detyrimisht me besimin fetar, fejoj, duhet të ketë ardhur me një semantikë të ngjashme me fjalën besë, por, duke qenë e fituar në rrethana të caktuara historike, ngushtohet në përdorim në një sferë të caktuar të veprimtarisë shoqërore. Si fjalë e sferës së besimit të krishterë është e qartë se ajo lidhet me kushtet historiko-shoqërore të përhapjes dhe përqafimit të krishterimit në Perandorinë Romake, pra, normalisht nuk do të mund të ishte më e hershme se shekulli IV.

Fjala besë dhe fjalët e tjera të çerdhes be, beto(hem) e bind, pa dyshim që i kapërcejnë këto kufij dhe do të lidheshin detyrimisht me periudhën parakristiane e parashqiptare.

Me këtë histori fjala besë dhe grupi i saj do të konsideroheshin si gjetje që do të flisnin për mënyrën e organizimit shoqëror të jetës së parashqiptarëve në periudha historikisht mjaft më të hershme dhe detyrimisht mjaft më të errëta. Në këto rrethana rindërtimi gjuhësor fiton atë vlerë që ka normalisht rindërtimi arkeologjik, pra jemi në terrenin e “arkeologjisë gjuhësore”.

Në fund do të shtonim se në gjuhën shqipe mund të përmendim edhe të tjera raste kur pranë fjalëve të trashëguara të qëndrojnë fjalë të huazuara apo përgjegjëset e huaja dhe rindërtimi gjuhësor të ketë edhe vlerën e një rindërtimi “arkeologjik” për periudha parakristiane, si fjala shqipe zot, për  mënyrën e përftimit (< *djēous+atta apo < *dijēous+atta), përballë fjalëve përgjegjëse në gjuhët e tjera, si ζευς (zeus), θεός, dio, Jupiter, dumnezéu etj.; fjala shqipe i kal-tër (me ilirishten Kailla), përballë huazimit qiell (< lat. caelum); fjala shqipe motër, përballë përgjegjëseve në gjuhë të tjera që duan të thonë “nënë”; “Nata e buzmit” përballë kërshëndella; apo edhe perëndi (< perenna) e bashkë me të ndoshta edhe e enjte e e premte.

Përqasjet dhe rindërtimi etimologjik i rasteve të tilla do të mund të krijonin një ide për mënyrën e perceptimit të botës dhe për mënyrën e organizimit të jetës shoqërore të parashqiptarëve. Duke qenë se krijimi i etniteteve të reja ballkanike mund të lidhet edhe me përqafimin e besimit të krishterë, është e qartë se ato bëhen shumë të rëndësishme dhe në këtë drejtim duhet kërkuar.

 

(c) 2020, Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] ASHSH, Fjalor i gjuhës shqipe, Tiranë, 1980, fq. 126.

[2] ASHSH, Fjalor i gjuhës shqipe, Tiranë, 1980, fq. 126.

[3] E. Çabej, Studime etimologjike II, Tiranë, 1976, fq. 204-206.

[4] E. Çabej, Studime etimologjike II, Tiranë, 1976, fq. 186-187.

[5] J. Pokorny, Indo-European Etymological Dictionary – Indogermanisches Etymologisches Woerterbuch, Bern- Muenchen, 1959, fq. 117.

[6] ASHSH, Fjalor i gjuhës shqipe, Tiranë, 1980, fq. 459.

[7] Sh. Demiraj, Gjuha shqipe dhe historia e saj, Onufri, Tiranë, 2013, fq. 83-84.

[8] M. de Vaan, Etymological dictionary of latin and the other italic languages, B R I LL, Leiden-Boston, 2008, fq. 218.

1 Koment

  1. Artikull i mire permbledhes per fjalen bese. Eshte perdorur edhe ne kuptimin e fese dhe i pabese ka pasur edhe kuptimin i pafe ( zakonisht ai i fese tjeter ka qene i pabese).
    Nuk kuptova vetem kush jane parashqiptaret ? kush kane qene para shqiptareve ? Behet fjale per arberit, iliret apo pellazget ?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin