nga Arjan Shahini
Sipas një sondazhi të kryer nga përfaqësitë e Fondacionit Soros në 2019 në Shqipëri dhe Kosovë (“Raporti i Hulumtimit ‘Shqipëri – Kosovë, Dekonstruktimi i idesë së bashkimit – Perceptimet e qytetarëve për bashkëpunimin mes dy vendeve.”), rreth 42 përqind[1] e të intervistuarve e vlerësojnë bashkëpunimin në fushën e arsimit si relativisht të ngushtë. Ndërsa mbi 60 përqind e të anketuarve janë dakord që programet mësimore të jenë të përbashkëta (Kampioni total: 2204, 54.4% nga Shqipëria, 49.3% meshkuj, 48.4% nga zonat urbane. Në grafik paraqiten vendet nga ku është marrë intervista, Kosovë ose Shqipëri.)
Megjithatë, po sipas sondazhit, mobiliteti ndërmjet dy vendeve për qëllime në lidhje me arsimin rezulton shumë i ulët, dhe pse në favor të Shqipërisë. Ndërsa një përqindje e papërfillshme nga Shqipëria kanë vizituar Kosovën, rreth 0.6 përqind e të anketuarve nga Kosova raportojnë se e kanë vizituar Shqipërinë për këtë qëllim. (Në total, rreth 37 përqind e të anketuarve nga Shqipëria, pohojnë se nuk e kanë vizituar asnjëherë Kosovën, kundrejt 5 përqind atyre nga Kosova që nuk kanë udhëtuar ndonjëherë në Shqipëri).
Në Kosovë, numri i studentëve nga Shqipëria është ulur nga rreth 70 në vitin 2016[2], në rreth 25 në 2018. Edhe pse sistemi i arsimit në Shqipëri ngelet ende më shumë tërheqës sesa ai i Kosovës, numri i studentëve nga Kosova është ulur me 50 përqind prej 2012 (nga 1083 në 550). Sistemi i kuotave në Shqipëri, që u rezervon një numër të vendesh studimi studentëve nga Kosova e trojeve të tjera, është i pamjaftueshëm për të vazhduar tërheqjen e studentëve nga Kosova pa mbështetjen financiare.
Shqipëria e Kosova bashkëpunojnë ngushtë për arsimimin në gjuhën shqipe, por bashkëpunimi është kryesisht formal dhe nuk shtrihet në zhvillimin dhe zbatimin e politikave të përbashkëta arsimore. Ky është rezultati i një raporti të përbashkët të Qendrës Shqiptare të Asistencës Arsimore (QSHAA, Shqipëri) dhe Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC). Studimi vlerëson e analizon marrëveshjet ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit parauniversitar dhe universitar prej vitit 2010. Organizatat gjithashtu parashtrojnë një sërë rekomandimesh për të thelluar bashkëpunimin në fushën e arsimit, që prekin konkretisht kurrikulën e programet mësimore, zhvillimin e arsimit profesional, mobilitetin e pedagogëve e studentëve dhe kërkimin shkencor.
Nisur nga problematikat e ngjashme që shfaqen në sistemet arsimore të dy vendeve, zgjidhjet nuk mund se të jenë të përbashkëta dhe në dobi të të dy vendeve. Për shembull, lëvizjet demografike kanë shkaktuar probleme të ngjashme për sistemet arsimore të të dy vendeve.
Numri i nxënësve dhe studentëve bie vit pas viti. Prej 2015, numri i nxënësve në sistemin parauniversitar ka zbritur me rreth 4 përqind në Kosovë, e rreth 16 përqind në Shqipëri. Ndërsa në Kosovë efekti i zhvillimeve demografike nuk është shoqëruar ende me mbylljen e shkollave, në Shqipëri pasojat kanë qenë më të rënda. Prej 2010 deri në 2016 në Shqipëri janë mbyllur mesatarisht rreth 21 shkolla në vit. Kosova pritet të përballet së shpejti me të njëjtin problem. Sikur raportohet nga Kallxo.com (01 Tetor, 2019) disa shkolla nëpër fshatrat e Kosovës rrezikojnë të mbyllen për shkak të numrit të vogël të nxënësve.
Numri i studentëve në ciklin e parë në Shqipëri prej vitit 2015 ka rënë me rreth 14 përqind. Në Kosovë, ku është të vështirë të gjykohet situata pasi të dhënat e publikuara janë çoroditëse (ato publikohen të pjesshme për disa institucione e jo për sistemin), ka institucione që nuk e dinë numrin e studentëve të tyre, si rasti i Universitetit të Prizrenit. Por Universiteti i Prishtinës, më i madhi në vend, ka pësuar një ulje prej rreth 600 studentësh nga viti akademik 2016-2017 në vitin 2018-19.
Sikur përmendet në dokumentet strategjikë (shih Kosovë, “Plani Strategjik i Arsimit 2017-21”; Shqipëri, “Strategjia e Arsimit të Lartë 2008-13”) dhe raportet e shoqërisë civile (shih p.sh. në Kosovë, “Arsimi dhe Tregu i Punës në Kosovë …”, 2018, Oda Amerikane në Kosovë; në Shqipëri, shih “Studimi i Rinisë 2018-19”, Fondacioni Friedrich Ebert – Tiranë) sfidat në arsimin e lartë janë të ngjashme për të dy vendet. Ato përfshijnë kryesisht çështje të sigurimit të cilësisë dhe aftësimit për tregun e punës.
Për shembull të dy dokumentet e referuara më sipër në Kosovë rendisin (1) shpërputhjen e programeve të studimit me kërkesat e tregut të punës; (2) kapacitetet e dobëta administrative, infrastrukturore dhe kërkimore; (3) mos-inkurajimin e punës kërkimore; (4) mungesën e një sistemi financimi bazuar mbi performancën /llogaridhënien; (5) numrin e pakët të studentëve e pedagogëve që marrin pjesë në programet ndërkombëtarë të shkëmbimit etj.
Sa i përket mobilitetit, si plani strategjik i Kosovës për arsimin, dhe ai i shkencës për Shqipërinë evidentojnë problemin e pjesëmarrjes së pakët të personelit dhe të studentëve në programet e shkëmbimeve akademike. Ky i Shqipërisë i referohet një sondazhi të Rrjetit Akademik Shqiptar 2017, ku mbi 80 përqind e personelit akademik në Shqipëri nuk kanë dhënë informacion në lidhje me veprimtari shkencore jashtë vendit.
Zgjidhja e këtyre problematikave kërkon një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve zbatuese dhe integrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit në dokumentet e zhvillimit strategjik e politik të qeverive. Veç disa instrumenteve dhe një plani masash të propozuara nga dy organizatat, QSHAA dhe KEC, një ndër kryesorët është krijimi i një programi mobiliteti të financuar nga të dy vendet. Propozohet të mbështeten një numër i caktuar pedagogësh dhe studentësh për zhvendosjen e përkohshme të tyre në Kosovë apo Shqipëri, të krijohen kushtet për mësimdhënien online, të financohet praktikat mësimore, të mbështeten programet e përbashkëta të studimit etj.
Arsyet përse Kosova dhe Shqipëria duhet të shpenzojnë për mobilitetin ndërmjet dy shteteve nuk janë sqaruar shprehimisht në raport. Për zgjedhësit ndoshta do të ishte e vetëkuptueshme nisur nga dëshira për bashkëpunim, por ngelet një hamendësim. Madje e guximshme, referuar sondazhit. Veç argumentit që Shqipëria dhe Kosova aktualisht nuk mund të mburren me nivelin e cilësisë në arsimin e lartë dhe në dukje i ofrojnë pak njëra-tjetrës.
Por të dy vendet mund të përfitojnë shumë nga programi i mobilitetit. Së pari, një program i tillë mund të grupojë një numër kritik kërkuesish e pedagogësh në lëmi të caktuara, që mvetësisht të dy vendet e kanë të pamundur t’i zhvillojnë me cilësi, eficiencë dhe konkurrueshmëri në nivelin rajonal. Përpjekjet në Shqipëri prej 2009 për të krijuar shkolla doktorale dhe grupe kërkuesish me ndikim në fusha të caktuara (research clusters) kanë rezultuar jo shumë të suksesshme, edhe për shkak të mungesës së financimit. (Shembull për tu veçuar është një grup në Universitetin Bujqësor të Tiranës, udhëhequr nga D. Imami, por që vepron kryesisht me ndihmë të jashtme financiare). Madje, unë do të sugjeroja që disa programe studimi të ofroheshin përjashtimisht në njërin apo tjetrin vend, sipas epërsive. Duke i përqendruar studentët e pedagogët në institucione që kanë mundësi të zhvillojnë mësim apo kërkim cilësor në lëmi përkatëse. P.sh. programi i studimit të shkencave politike e filozofisë, ku pranimet po ulen nga viti në vit, mund të zhvillohen vetëm në Tiranë. Ndryshe mund të veprohej për degë të specialitetit të inxhinierisë mekatronike e informatikës, që në ciklin e dytë (master) dhe doktorate, mund të zhvilloheshin në Kosovë. Kësisoj, në nivel kombëtar mund të mbijetojnë edhe një sërë programesh studimi, në të cilat numri i studentëve është vazhdimisht në ulje, si p.sh. për programet në fushën e bujqësisë, veterinarisë apo të shkencave të arsimit.
Deklarata e konfliktit: Autori ka marrë pjesë në projektin për arsimin si ekspert i jashtëm.
[1] Të dhënat nga sondazhi janë përpunuar nga autori me programin R (paketat: tidyr, strengejacke dhe psych). Në raportim janë aplikuar peshat e rekomanduara. Disa konstrukte janë reduktuar (PCA) apo rikoduar për analizën e paraqitur. Të gjitha përgjegjësitë për vërtetësinë e informacionit të paraqitur janë të autorit dhe jo të organizatorëve të sondazhit.
[2] Të dhënat për Shqipërinë janë marrë nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, dhe INSTAT. Për Kosovën janë marrë nga ASK (Agjencia e Statistikave të Kosovës).
(C) Arjan Shahini. Të drejtat e autorit. Licencuar sipas Creative Commons Attribution 4.0 International License. Lejohet kopjimi, ndryshimi, inkorporimi etj., por duke cituar autorin dhe lidhjen te Peizazhe.com.
Programi arsimor shqip duhet vene online ,te jete interactive dhe I aksesueshem nga te gjithe zogjte e shqiptareve kudo qe te jene.
Licensimi I mesuesve te jete me te njejtat standarde ne menyre qe kosovaret te japin mesim ne shqiperi dhe anasjelltas .Ne kete menyre rritet objektiviteti dhe ulet korrupsioni I mesimdhenies .