Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kinema / Media / Narratologji / Televizion

SULLTANËT E NETFLIX-IT

nga Edon Qesari

Ngado përflitet se jetojmë në kohëra fort të pakëndshme për librat dhe shfletimin e tyre. Po fundja, cili është ai brez, së paku në epokën bashkëkohore, që nuk është qortuar nga pararendësi si i mangët në lëmin e leximeve? Çka nuk përjashton dëshirën e madhe të shumëkujt për të gërmuar dhe vëzhguar në ngjarje të shkuara, për të parë me imtësi se si ka ndodhur diçka dhe si është përfshirë dikush në të. Historia, në mos në modë, mbetet në qendër të vëmendjes më të gjerë popullore. Dhe populiste.

Çka bën që historia të përftohet jo vetëm përmes librave. Dhe Netflix-i (apo kush mbështetet pas këtij provider-i) duket se e ka kuptuar mirë këtë të vërtetë.

E meqë as unë nuk i shpëtoj dot thirrjes primitive dhe tunduese të divanit që eglendiset para ndonjë seriali, përpiva me një frymë një ndër shfaqet më të fundit të këtij lloji, me titull “Rise of Empires: Ottoman”. Është prodhimi që Netflix-i nxjerr në vazhdën e një gjinie përherë e më të ndjekur, e që përkufizohet si docudrama.

Bëhet fjalë për ngjarje të së shkuarës që riprodhohen përmes një shartimi filmik ku bashkëveprojnë loja aktoriale dhe shtjellime ekspertësh të fushës (së historisë, në rastin konkret). Nuk është diçka fare e re, sidomos për sytë e një publiku të kalitur me dokumentare që marrin spunto nga ngjarje të largëta në kohë, për të cilat nuk ka trashëgimi fotografike apo filmike.

Në mungesë të këtyre të fundit, e me qëllim që dokumentarët të mos jenë vetëm dëgjesa akademike – pavarësisht gjuhës së thjeshtëzuar që ekspertët përdorin, duke qenë se teleshikuesit nuk janë gjithmonë lëvrues të fushës – lind nevoja që hapësira filmike të plotësohet e të bëhet më tërheqëse. Si pasojë, dokumentarët stolisen me fictions dramatike, me qëllim që të rikrijojnë rrethanat historike në brendësi të së cilave zhvillohen ngjarjet. Një sipërmarrje e cila ka shpenzimet e veta: skenografi, kostume, dialogë, aktorë (profesionistë ose jo), shpesh herë muzikë që gërmohet dhe përzgjidhet me merak – me një fjalë, një investim i mirëfilltë filmik, e si i tillë industrial, që shpesh merr të tatëpjetën mbi investimin intelektual, të përqendruar tek personalitetet akademike të intervistuara.

Në prodhimet e Netflix-it (mes të cilëve një i vjetshëm, mbi fundin e dinastisë perandorake ruse të Romanovëve) loja aktoriale ka një epërsi të tillë në minutazh sa kemi të bëjmë me dramas të mirëfillta televizive, teksa elementi dokumentar është i pranishëm vetëm si sfond përligjës. Krejt ndryshe – kryekëput ndryshe – nga modeli i vjetër i dokumentarëve, ku dy elementët gjendeshin në marrëdhënie të përmbysur.

Tani pajtohen aktorë të sprovuar, zotësia e të cilëve dhe fama që gëzojnë në publik veç rrit mundësinë e një audience të gjerë. Të tillë docudrama, shumë cilësorë dhe të kushtueshëm nga ana teknike, ndikojnë që teleshikuesit, teksa argëtohen, të asimilojnë një histori en passant. E që shpesh do të thotë një version të historisë, më të shpejtë e shumë më të lehtë për t’u injektuar – të paktën nëse e krahasojmë me metoda më tradicionale (si ato arsimore) të ngulitjes së historisë në ndërgjegjen kolektive.

Një ndërthurje e tillë funksionesh (argëtuese dhe kulturore) nuk është e re. Rast edhe më i njohur botërisht është ai i telefilmit rus – prodhim i Netflix-it edhe ky – me titull “Trotsky”, që pasqyron në mënyrë thuajse të përsosur nga ana artistike qasjen interpretuese (aspak bujare, më vjen të shtoj) që autoritetet politike dhe kulturore të sotme në Rusi kanë në lidhje me revolucionin bolshevik të vitit 1917 dhe veçanërisht me një figurë eprore të asaj ngjarjeje si Lev Davidoviç Bronshtein (nom de guerre Trocki).

Sidomos në Turqi, prodhime ambicioze të singjashme, të cilat rëndom i quajmë “telenovela” e që kanë synim të popullarizojnë një version të caktuar të historisë, kanë themeluar një traditë tashmë. E bëjnë në mënyrë kaq bindëse sa nuk është e rrallë të hasësh persona – edhe në Shqipëri, ku ndjekshmëria nuk mungon – që këmbëngulin se “aksh sulltan bëri këtë, e filan mbret shkaktoi atë”, pasi kështu e ka treguar seriali përkatës.

Një docudrama veç e thellon këtë prirje, le ta quajmë, dykëndore: i vë syrin barkut dhe mendjes së publikut. Kësaj radhe, në sytë e teleshikuesit nuk shfaqet thjesht një fiction (qoftë edhe i mbështetur mbi ndodhi reale të së shkuarës) por një riprodhim verbatim i realitetit të shkuar; ngase nuk bëhet fjalë për një film, por një dokumentar, gjë që vërtetohet dhe nga prania e ekspertëve në të.

***

“Rise of Empires: Ottoman” mëton të përcjellë tek publiku rrethanat e betejës epokale të zhvilluar në vitin 1453 për marrjen e kryeqendrës bizantine të Kostandinopojës nga ana e ushtrisë osmane të sulltan Mehmetit II. Është realizim turk, pa mëdyshje interesant dhe që të mbërthen pas ekranit.

Pavarësisht se ngjarja reale njohu dy protagonistë qendrorë (dy shtete, dy kultura, dy botëkuptime, dy vizione) që përplasen mes tyre, siç e qartëson dhe vetë titulli, parësore tek seriali është pala fituese. Ngjyresat epike që i përvishen, kuptohet, janë aq të forta sa shpesh të vrasin sytë, edhe sepse kemi të bëjmë, më shumë se me një kronikë historike, me një biopic të kushtuar figurës së Fatih-ut (pushtuesit), siç njihet Mehmeti II për pasardhësit.

Si i tillë, ai shfaqet si diç më tepër se një prijës. Mehmeti është një murg i mistikës që mbështjell frymën e historisë. Ai jeton veç për të shpënë në vend një vullnet mbinjerëzor me të cilin vetë njësohet. Gjithçka luhet jo vetëm për t’i dhënë figurës së tij një prerje më universale, por edhe për ta ridimensionuar në përfytyrimin kolektiv të audencës perëndimore. Që do të thotë se, përkundër imazhit të një pushtuesi levantin, të një përmbysësi islamik, lartohet ajo e një sendërtuesi.

Në serial ka një merak të veçantë për ta çmuar Mehmetin në tërë dimensionin e tij kozmopolit: parashtrues i një melting pot-i multietnik e multifetar, ai shfaqet si mecenat artesh dhe përvijues i një tradite perandorake shumë më të moçme se dinastia osmane. Duket më tepër si trashëgimtar i denjë cezarian i një Rome të dytë se themelues oriental i një Stambolli të parë.

Një tjetër Aleksandër i madh me një fjalë, para të cilit figura tragjike e perandorit të fundit bizantin, Kostandinit XI të Paleologëve, veç zbehet, pavarësisht spazmave heroike që shoqërojnë shfaqen e tij fundore në sheshin e betejës. Për të mos folur, mandej, për të tjerë personazhe që popullojnë frontin bizantin, më së shumti të vulosur si aventurierë apo mercenarë. (Pavarësisht se mercenarizmi nuk ishte i huaj as për përvojën ushtarake të osmanëve. Përkundrazi!).

Megjithatë, një ndër aspektet më domethënëse të serialit ka të bëjë me përkufizimet identitare të pranishme në të. Pothuajse në çdo skenë banorët e Kostandinopojës lakohen si “romakë”, pak më rrallë si “grekë” e gjithsesi asnjëherë si “bizantinë” – një emërtim ky i sajuar në modernitet e që ka pak lidhje me emërtimin që ata i jepnin vetes. Pavarësisht se në gjithë atë trevë mbizotëronte gjuha dhe kultura helene – nga jeta e përditshme deri tek ajo kishtare – ata që sot i quajmë konvencionalisht “bizantinë” e konsideronin veten bartës të një identiteti politik dhe kulturor të pazgjidhshëm nga Perandoria e lashtë romake.

Përpos, e njëjta përpikëri semantike nuk haset në përdorimin e termave “grek/e/ë” apo “turk/e/q”. Këto, nëse i referohemi kohës që seriali merr përsipër të riprodhojë, nuk kishin asfare lidhje me horizontin kuptimor të kombësive, siç ndodh sot, por përfaqësonin identitete shumë më të gjera, multietnike dhe madje prozelite, pashmangshmërisht të lidhura me dy fetë abrahamike përkatëse. Në kësi rastesh seriali duket sikur i bën thirrje një ndjeshmërie të pagjendshme në shekullin XV, por të kudondodhur në gjirin e publikut të shekullit XXI.

Çka, nga ana tjetër, lë në errësirë elementin fetar, sundues në një kohë në të cilën kombet nuk ishin shpikur ende dhe identitetet protokombëtare mbështeteshin fort mbi levat përbashkuese të librave të shenjtë. Përveç ndonjë ikone ortodokse që shfaqet mjaft rrallë në krahun bizantin, si dhe dy-tri thirrjeve ndërsyese “Allahu Akbar!” të sulltan Mehmetit para sulmin final mbi Konstandinopojë – duke e cilësuar këtë të fundit si koshere të pabesish – elementi fetar është dëbuar plotësisht nga paraqitja filmike. Një nënvizim i tij, afërmendsh, do të binte ndesh me dimensionin kozmopolit që autorët orvaten t’i mveshin Fatih-ut.

Diçka që zor se i përgjigjet realitetit historik, megjithatë, ndërkohe që, sa për të marrë një shembull, hierarkitë e Kishës lindore ishin tejet të rëndësishme në jetën botore të Kostandinopojës, para dhe pas pushtimit osman; aq sa vetë Mehmeti II, si e pati pushtuar qytetin, dëshmohet se u kujdes menjëherë të vendoste marrëdhënie paqësore me Patriarkanën ortodokse të pranishme aty, (e cila, siç dihet, i mbijetoi pushtetit të cezarëve dhe mbeti qendër e Krishtërimit lindor për shekuj të tjerë me radhë).

Në tërësi, seriali është pjesë e një aradhe (ri)trajtimesh që në Turqi po i bëhen të shkuarës osmane dhe veçanërisht figurës së Mehmetit II, i cili jo për herë të parë gjendet protagonist i padiskutueshëm i një prodhimi televiziv me ndjekje të gjerë. “Rise of Empires: Ottoman” nuk përbën risi në këtë kuptim. Për më tepër që prurjet e këtij lloji, me gjithë paralelizmat që zgjojnë vetvetiu mbi aktualitet, i kanë të hershme referencat: që nga koha kur Sergei Ejzenshtejni sillte për publikun sovjetik një soj krejt të ri, e të papërfytyrueshëm më parë, të carëve mesjetarë rusë.

5 Komente

  1. Ne kohen e Mehmet Fatihut perandoria otomane ishte pak a shume nje vazhdim I perandorise bizantine .Elementi fetar doli ne pah kur u be kalifat nen sundimin e sulltan Selim fytyrevrerosurit(Selim the grim).Renia e konstantinopolit mendohet te kete qene conspiracy e patriarkanes me turqit,per faktin we ortodokset ndjeheshin me te sigurte nen perandorine Ottomane se sa me kauret katolike te europes .

  2. Pasi e speed-watch-a, nuk me ngeli gje ne mendje vec kercenimit ne disa gjuhe te shkuljes se topeve. E kishte vertet ate gjene kozmopolite, por ishte turke ne zemer, si serialet. Nderhyrjet e profesoreve mu duken me interesante.

    1. Eshte e pamundur te te ngele dicka në mendje: nje docudrama eshte nje faqe wikipedie (bashke me referencat ne fund te faqes = nderhyrjet e profesoreve) + ilustrimi permes aktrimit alla hollywoodian. Asnjeri nga te dy perberesit nuk e ka cikur ndonjehere stadin e shënjimit artistik (ate qe ti e quan me te drejte “nuk me ngeli gje në mendje”) keshtu qe shartimi i te dyjave eshte akoma edhe më pak shenjues.
      Asfare në fakt.

  3. Këtë mënyrë rrëfimi e kam ndeshur te romani “Skënderbeu” i Sabri Godos, edhe atje keni përshkrime luftrash, histori personale, ndërhyrje të autorit për të dhënë zëra e shpjegime shtesë etj.
    Madje, hasa një fjali identike të Mehmetit II (në serial thënë nga profesorët e në romanin e Godos nga vetë Mehmeti), kur Veziri i Madh e pyet se ç’janë gjithë këto përgatitje e për ku do të mësynte, Mehmeti përgjigjet:
    “Sikur mjekra ime të dinte ato që mendoj, do ta shkulja”.
    Kjo i jep mjaft kredite Godos, duke e konsideruar si paraprijës të këtij lloj narracioni, i cili tanimë u bë mbizotërues në media, falë kompanive të mëdha botërore mediale, siç është Netflix…

  4. Shprehja e mjekres eshte jashtezakonisht e njohur dhe gjendet ne çdo tekst a biografi te Mehmet Pushtuesit. Natyrisht nuk mungon edhe ne biografine e fameshme te Babingerit, qe ne Tirane gjendej si ne origjinal ashtu edhe ne nje version te perkthyer ne doreshkrim. Me pak shans, ne Tirane, hera heres mund te takoje edhe vete F. Babingerin dhe asnjehere nuk e kam kuptur perse te biografia e tij, qe eshte edhe sot reference boterore, i la aq pak vend rolit te Skenderbeut ne ate epoke.
    Edhe pse e bej shpesh ndermend, ende nuk kam parë ndonje seri te tille, por isha kureshtar te di nese ne kete monument qe turqit i ngrene Fatihiut (dhe jane ne te drejten e tyre) , a del gjekundi se meqe e vleresonte njerzit e shquar e me mend, qe te mos u demtonte koken, ai jepte urdher te sharroheshin ne bark?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin