Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

INTELIGJENCIA SHQIPTARE NË TEHUN E LUFTËS SË FTOHTË (I)

-Rasti i Krist Malokit dhe Eqrem Çabejt-[1]

nga Agron Alibali, LL.M.

1 – Hyrje. 2 – Sfondi juridik. 3 – Kongresi i I i Studimeve Ballkanike dhe të Europës Juglindore. 4 – Krist Maloki në vëmendjen e shërbimit të zbulimit amerikan. 5 – Çfarë mungon në raportin e deklasifikuar? 6 – Biografia e Krist Malokit sipas informatorit të CIA-s. 7 – Biblioteka e jashtëzakonshme albanologjike e Krist Malokit në Graz. 8 – Të dhëna të tjera personale për Krist Malokin. 9 – Tirana josh Malokin. 10 – Intriga kundrejt Çabejt. 11 – Cili ishte Profesori Zeta?  12 – Konkluzione.  13. Dokumente. 

  1. Hyrje

Punimi ynë e ka zanafillën tek libri, ky depozitar i gjallë i dijes dhe dëshmitar i heshtur i jetës. Sikurse dihet, një pjesë e konsiderueshme e bibliotekës së humbur të Faik Konicës u gjurmua, u gjet dhe iu kthye në vitin 2016 Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, siç dëshironte i zoti i tyre i shquar. Një vit më vonë, një nismë private dhe e pavarur çeli përpjekjet për kthimin në Shqipëri të Bibliotekës së Norbert Joklit, sipas testamentit të kumtuar të zotit të tyre të madh. Ndërkaq, ishte bërë e njohur se gjurmët e një biblioteke tjetër të rëndësishme, të tretës që njihet si e ngritur dhe e pasuruar jashtë Shqipërisë, të çonin në qytetin simpatik austriak të Grazit, në universitetin e të cilit kishin studiuar dijetarë e autorë të shquar si Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci etj. Zot i kësaj biblioteke kishte qenë Krist Maloki, edhe ky student në Graz dhe mik i Çabejt.[2]  Dosja Maloki e CIA-s, e deklasifikuar së fundmi, e vërtetoi ekzistencën, si dhe dëshirën e zotit të saj për t’ia dhuruar pas vdekjes qendrave studimore shqiptare.

Mirëpo shfletimi i Dosjes Maloki të CIA-s na shfaqi befas një ndër aspektet më të çuditshme, pak ose aspak të ndriçuara, të përplasjeve, kombinacioneve e intrigave të zbulimeve e kundërzbulimeve nga të dyja anët e Perdes së Hekurt, për manipulimin e studiuesve të gjuhës shqipe.

Në qerthullin e pashembullt të rrethanave dhe ndërlikimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, inteligjencia shqiptare, këndej dhe andej kufirit, hasej me sfida të jashtëzakonshme. Përveç detyrimeve e objektivave shkencore dhe vështirësive ekonomike, ajo ndodhej praktikisht në rrethim të trefishtë. Ata shkencëtarë shqiptarë që i kishin mbijetuar diktaturës komuniste dhe spastrimeve të vazhdueshme në Shqipëri ballafaqoheshin me tri pengesa të jashtëzakonshme:

Së pari, ndarja brenda kombit, që shfaqet te pengesat e vështirësitë objektive në shkëmbimet ndërshkencore e ndërakademike midis shkencëtarëve të Shqipërisë me kolegët e tyre në Kosovë;

Së dyti, ndarja brenda të ashtuquajturit kamp socialist. Krisja dhe çarja midis krerëve komunistë shqiptarë dhe udhëheqjes komuniste të Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1960 solli pezullimin apo dobësimin e shkëmbimeve shkencore edhe me vendet e Lindjes;

Së fundi, rrethi apo pengesa e tretë ishte Perdja e Hekurt, që përbënte një nënndarje të dyfishtë. Gjatë dekadave të para të Pavarësisë, një aradhe studiuesish shqiptarë ishin përgatitur në universitete të Perëndimit. Perdja e Hekurt i vështirësoi komunikimet, në mos i shkëputi dhe izoloi studiuesit shqiptarë nga kolegët e tyre në Europën Perëndimore e SH.B.A., çka përbën aspektin e parë. Aspekti tjetër ishte vështirësia në komunikim midis shkencëtarëve shqiptarë që jetonin e ushtronin aktivitet në Perëndim me kolegët e tyre në Shqipëri. Përveç rasteve të studiuesve nga viset arbëreshe të Italisë, shembull domethënës është ai i Krist Malokit [1900 – 1972], studiuesit, publicistit, juristit, ekonomistit dhe kritikut të shquar jokonformist kosovar, që jetonte dhe punonte në Austri, kryeqyteti i së cilës, Vjena, asokohe ishte një ndër qendrat kryesore të spiunazhit në Europë.

Përtej personazheve, të identifikuar ose jo, si dhe metodave të përdorura, kjo kumtesë rreket të përcjellë një moment reflektimi apo përsiatjeje për rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin ballafaqoheshin shkencëtarë e albanologë të shquar si rrjedhojë e kombinacioneve qartazi diabolike nga të dyja anët e Perdes së Hekurt. Nga shqyrtimi i dokumenteve arkivore të deklasifikuara, dhe duke ditur ashpërsinë e pashembullt me të cilën regjimi komunist godiste kundërshtarët e vet brenda vendit, mund të thuhet pa mëdyshje se këtyre shkencëtarëve në çdo moment mund t’u rrezikohej jo vetëm karriera e raportet e tyre sociale e familjare në Shqipëri, por edhe vetë ekzistenca e tyre fizike.

  1. Sfondi juridik

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, Ballkani gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë [1945 – 1990] përbëhej nga 6 shtete, subjekte të së drejtës ndërkombëtare. Ndryshe nga sot, Ballkani shfaqte në hartën gjeopolitike subjektet e mëposhtme:

Turqia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Shqipëria dhe Jugosllavia.

Perdja e Hekurt përshkonte kryq e tërthor Gadishullin Ballkanik. Nga Kepi i Stillos në Kanalin e Korfuzit në Lindje ajo gjarpëronte nëpër kufirin shqiptaro-grek[3], greko-jugosllav, bullgaro-grek, dhe shtrihej deri në grykëderdhjen e lumit Rezovo / Mutlu Dere në kufirin bullgaro – turk.

Në jug të kësaj vije ndarëse shtriheshin dy shtete anëtare të NATO-s, Turqia dhe Greqia. Kurse në veri, NATO-ja ballafaqohej me dy shtete të Traktatit të Varshavës – Shqipërinë[4] në Perëndim dhe Bullgarinë në Lindje. Në mes, Federata Jugosllave shërbente si njëfarë zone e ndërmjetme përmes nismës së saj të lëvizjes së vendeve të paangazhuara.

Në vitin 1949 Shqipëria përbënte “një objektiv tundues për skifterët antikomunistë në radhët e zbulimit britanik dhe amerikan” dhe konsiderohej si “fushë beteje kyçe në Luftën e Ftohtë.”[5] Të dy zbulimet përgatitën një plan të përbashkët veprimi për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Projekti mori emrin e koduar “VALUABLE” për pjesën britanike, dhe OBOPUS BGFIEND për pjesën amerikane. Zbatimi i tij filloi në tetor 1948 me zbarkimin nga Italia të një grupi të parë “kryengritësish”. Pavarësisht nga konsideratat gjeopolitike dhe zbulimore-operacionale, projekti për ndërhyrje në Shqipëri “përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të së drejtës ndërkombëtare”.[6]

Ndarja e pashembullt gjeopolitike dhe fillimi i Luftës së Ftohtë në rajonin e Ballkanit përbënte faktor shtesë kompleksiteti dhe tensioni për vetë mozaikun e historisë, kombeve, minoriteteve përkatëse, gjuhëve, alfabeteve, kulturave, traditave juridike-zakonore, besimeve fetare etj. që kishte karakterizuar prej shekujsh cepin juglindor të kontinentit europian. 

  1. Kongresi i I Ndërkombëtar i Studimeve Ballkanike dhe të Europës Juglindore

Një fushë, të cilën politika ndërkombëtare dukej sikur e kishte lënë kinse të qetë e të pangacmuar ishin studimet ballkanologjike. Kjo veprimtari hulumtuese shkencore, ndërdisiplinore e ndërakademike, përbënte tharmin që bashkonte gjuhëtarë, historianë, etnologë e studiues të fushave të tjera.

Më 23 prill 1963 u krijua në Bukuresht Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve të Europës Juglindore [Association Internationale d’Etudes du Sud-Est Européen, A.I.E.S.E.E], e mbështetur edhe nga UNESCO.[7] Tre vjet më vonë, më 26 gusht deri me 1 shtator 1966, mbahet në Sofje të Bullgarisë Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Studimeve Ballkanike dhe të Europës Juglindore. Delegacioni nga Shqipëria përbëhej nga 15 studiues; “historianë, linguistë, historianë të letërsisë, folkloristë, historianë arti“.[8]

Ngjarja e rëndësishme shkencore, e para e llojit të vet ishte “forum i vërtetë shkencor…që inauguroi një etapë të re në studimet ballkanike“, duke u quajtur “njëzëri: Kongres i vullnetit të mirë“.[9]

Duhet përmendur se ky forum i madh shkencor shenjonte edhe zhvendosjen për herë të parë të “qendrës së rëndesës” së studimeve të ballkanologjisë brendapërbrenda gadishullit.

Kongresi nuk do të mbetej larg vëmendjes së politikës[10] dhe shtypit të specializuar, ku përmendej se ishte e para herë që mblidheshin bashkë 1350 delegatë nga 24 vende të botës për të rrahur problematikën përkatëse në “gjuhësi, foklorë, histori të popujve të këtij gadishulli”.[11]

Vetëm nga Shqipëria kontribuan personalisht si dhe me punimet e tyre 40 pjesëmarrës.[12][13]

Ndër 19 delegatët zyrtarë të Kongresit, dy ishin nga Shqipëria: prof. Androkli Kostallari dhe prof. Aleks Buda.[14]

Prof. Aleks Buda madje përshëndeti në hapje të Kongresit në emër të delegacionit shqiptar.[15] Ditën e çeljes, në seancën plenare të seksionit të linguistikës, të Premten, me 26 gusht 1966 foli edhe Prof. Eqrem Çabej. Kumtesa e tij titullohej “Der Beitrag des Albanischen zum Balkansprachbund” [Kontributi i shqipes në formimin e lidhjes gjuhësore ballkanike]. Aty diskutoi edhe Prof. Mahir Domi.[16]

Në grupin e gjuhëtarëve nga Shqipëria, që paraqitën kumtesa, diskutuan në punimet e Kongresit apo dërguan punimet e tyre, bënin pjesë Eqrem Çabej, Mahir Domi, Anastas Dodi, Spiro Floqi, Shaban Demiraj, Jorgji Gjinari, Androkli Kostallari. Komunikime me shkrim “përgatitur për nder të Kongresit” paraqitën edhe studiues që nuk mundën të ishin të pranishëm, si Kosta Kazasis, Martin Camaj, Emil Lafe, Lirak Dodbiba dhe Anton Krajni.[17]

Mirëpo Konferenca tërhoqi edhe interesimin e shërbimeve të zbulimit dhe kundërzbulimit të shteteve nga të dyja anët e Perdes së Hekurt.

Një dokument i deklasifikuar së fundmi nga arkivat amerikane hedh dritë mbi një ndër misteret më të çuditshme të Luftës së Ftohtë, dhe pikërisht luftës për të fituar mendjet e inteligjencies së vendeve të Lindjes, dhe synimet për përdorimin e saj të mundshëm për qëllime politike.

  1. Krist Maloki në vëmendjen e shërbimit të zbulimit amerikan

Në qendër të episodit tonë është Krist Maloki, intelektual i shquar shqiptar i Kosovës.[18] I ndodhur në prag të pensionit, matanë kufirit dhe Perdes së Hekurt, më saktë në Graz, Austri, Maloki joshet nga regjimi komunist për t’u zhvendosur përfundimisht në Shqipëri. Këndej kufirit dhe Perdes së Hekurt jetojnë, punojnë, kërkojnë, shkruajnë studiues dhe personalitete të tjera të shquara të albanistikës, si Justin Rrota, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Injac Zamputi, Kristo Frashëri, Hasan Ceka, etj.

Mirëpo joshja as nuk filloi, dhe as nuk mbaroi në Tiranë.  Krist Maloki u vu në qendër të vemendjes edhe të shërbimeve perëndimore. Interesimi ndaj tij kishte filluar herët.

Figurë e nderuar dhe e papërlyer, Maloki ishte konsideruar nga CIA qysh në vitin 1949 si një ndër intelektualët e diasporës që mund të përfshihej në operacionin masiv OBOPUS BGFIEND për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.[19] Emri i tij ishte futur në një listë “personalitetesh shqiptare në mërgim” [Albanian refugee personalities], që mund të konsideroheshin “të dëshirueshëm për pjesëmarrjen në një Komitet në Mërgim” [desirable for participation in a Commitee-in-exile]. Një Listë A u hartua nga CIA, “si udhëzues për persona që, përmes aftësive dhe të kaluarës” së tyre [guide to persons who through ability and background]” konsideroheshin “të përshtatshëm” [suitable].[20] Maloki bënte pjesë në grupin e “intelektualëve të pavarur jashtë Shqipërie”, të cilët “nuk ishin përfshirë, për një arsye ose tjetrën, në pushtimin fashist dhe nazist të Shqipërisë”.[21

Dokumenti 1 – Stavro Skëndi për Krist Malokin[22]

Nuk ka asnjë të dhënë që Maloki të jetë përfshirë në ndonjëfarë mënyre në ato operacione. Në fakt, Maloki ishte përqendruar më shumë me punët e Kosovës, duke u interesuar për Institutin Albanologjik etj. “Ai nuk ka marrë pjesë asnjëherë në punët apo çështjet e Shqipërisë edhe pse ka ndërmarrë studime të shumta në shkencat politike”,[23] nënvizonte një raport për të i vitit 1955. Kredoja politike e Malokit lidhur me vendin e Kosovës në Jugosllavi mund të përmblidhet me thënien e tij se: 

“Ne jemi popull shumë i vogël dhe pa mbështetje efektive nga një Fuqi e Madhe. Me një fjalë, ne nuk kemi miq të vërtetë, dhe jemi në duart e Fuqive të Mëdha, që na përdorin si monedhë shkëmbimi për interesat e tyre politike…Pra, çfarë mund të bëjmë ne, 2 milionë frymë kundër 17 milionëve në Jugosllavi”.[24]

Qëndrimi i kujdesshëm, pragmatik dhe neutral i Malokit duhet të ishte parë me sy të mirë edhe nga Tirana. Mirëpo 17 vjet më vonë një ide u hodh nga shërbimet perëndimore që, përmes Malokit, të përdorej apo të futej në lojë edhe ndonjë shkencëtar i shquar shqiptar, që pretendohej se ishte “afër” me udhëheqësit komunistë të Shqipërisë.

Ishte fundi i vitit 1966, kulmi i Luftës së Ftohtë.

Me 29 dhjetor 1966 Shefi i Stacionit të CIA-s në Vjenë harton një raport [dispatch] sekret dhe ia dërgon shefit të “SB”, që duhet të ishte “Soviet Bureau”, si dhe shefit të EUR, që duhet të ishte “Byroja Europiane”. Raporti përmbante bashkëngjitur një “Vlerësim zbulimor” për Krist Malokin. Vlerësimi është hartuar nga një oficer i zbulimit amerikan sipas të dhënave të grumbulluara pas takimit me një informatori misterioz të zhvilluar rreth 6 javë më parë në Mynih, d.m.th. me 19 dhe 20 nëntor 1966.[25]

Sikurse përmendëm, dokumenti arkivor shfaq një aspekt thuajse surreal të pozitave dhe rolit të inteligjencies shqiptare jo vetëm në zhvillimet shkencore në lëmenjtë përkatës të studimeve ballkanologjike, por edhe në përpjekjet për përdorimin apo manipulimin e saj nga spiunazhi dhe shërbimet e huaja të zbulimit.

  1. Çfarë mungon në raportin e deklasifikuar?

Në kushtet kur midis SHBA-së dhe Shqipërisë nuk kishte marrëdhënie diplomatike, kurse shkëmbimet ekonomike, kulturore etj. ishin në nivelin zero, çdo kontakt njerëzor, i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, merrte vlerë të veçantë informative dhe/ose operacionale për shërbimet e zbulimit nga të dy anët.

Pjesë e Dosjes Maloki, edhe Dokumenti EAVA 30417 është deklasifikuar nga Agjencia Qëndrore e Zbulimit (CIA) në bazë të Ligjit për Transparencën e Krimeve të Luftës të Nazizmit, i vitit 1998.[26] Ky Raport, të cilin do ta analizojmë më poshtë, paraqet para së gjithash, disa pjesë të fshira shumë të rëndësishme.

Është praktikë e zakonshme që çdo dokument, dosje apo material i deklasifikuar t’i nënshtrohet procesit të shqyrtimit, spastrimit dhe fshirjes sidomos të emrave të personave pjesëtarë të agjenturës, apo edhe për arsye të ruajtjes së privatësisë, si dhe të metodave të përdorura. Ligji për Transparencën e Krimeve të Luftës të Nazizmit, i vitit 1998, përmbante edhe detyrimin ligjor për të hequr apo fshirë çdo referencë për burimet dhe metodat [“sources and methods exempt”].

Raporti ynë, i titulluar “Dispatch” dhe i klasifikuar “sekret”, ka këto mungesa:

(i) Referohet, por nuk jepet lista e delegacionit shqiptar në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Studimeve Ballkanike dhe të Europës Juglindore, Sofje, Bullgari, 29.08 – 2.9.1966;

(ii) Jepet “raporti i vlerësimit”, por mungon “raporti i kontaktit”;

(iii) Është fshirë subjekti i dokumentit “Dispatch“;

(iv) Është fshirë emri i përgjegjësit kontrollues të agjenturës [handler];

(v) Është fshirë emri i informatorit, që hipotetikisht mund të ketë qenë vetëm një, por që nuk përjashtohet që të kenë qenë edhe më shumë. Për qëllimet e këtij punimi, dhe duke u nisur nga interesat e dukshme akademike, më saktë, në fushën e gjuhësisë, si studiues i paidentifikuar jashtë Shqipërisë, po e quajmë “Prof. Z. [Zeta]”;[27]

(vi) Referohet, por nuk jepet, lista e personave në Shqipëri që përfituan falas librin e një studiuesi të paidentifikuar [emri i fshirë] të shkencave albanologjike;

(vii) Është fshirë emri i autorit të raportit Dispatch, me detyrë Shef i Stacionit të Zbulimit në Vjenë.[28] 

  1. Biografia e Krist Malokit sipas informatorit të CIA-s

“Raporti vlerësues”[29] prej 3 faqesh, i hartuar në bazë të informatave dhe të dhënave të profesorit misterioz Zeta, na jep këtë biografi për Krist Malokin.[30]

“Krist Maloki u lind në Prishtinë, Jugosllavi rreth 65 vjet më parë. Ai erdhi në Austri kur ende ishte fëmijë; në fakt, Maloki ndoqi shkollën fillore, të mesme dhe universitetin e Grazit. Maloki u diplomua për drejtësi dhe filozofi në Universitetin e Grazit.

Ndërkohë që po ndiqte studimet në Universitetin e Grazit, ai u caktua nga Ministria e Arsimit Publik në Tiranë si kujdestar [fiduciary] i studentëve shqiptarë në Graz. Maloki ka qenë lektor [reader] i gjuhës shqipe në Grazit për rreth 9 vjet, d.m.th. në periudhën midis dy luftrave.

Maloki është i mirënjohur për esetë e tij kritike që u botuan në revista të ndryshme kulturore shqiptare para Luftës II Botërore. Maloki njihet në Botën kulturore Shqiptare si person me përgatitje të jashtëzakonshme arsimore. Ai ka dhënë mësim në studimet ekonomike [economics] përreth 30 vjet në shkollën ekonomike të Grazit.”[31]

Për Krist Malokin dhe veprimtarinë e tij kanë shkruar studiues në Shqipëri dhe Kosovë.[32] Vëmendje të veçantë ka tërhequr publicistika dhe kritika e Malokit në vitet midis dy luftërave botërore, sidomos artikulli “Oriental apo oksidental” [Hylli i Dritës, Janar 1937], apo “A asht poet Lasgush Poradeci”? [Përpjekja Shqiptare, Mars 1939, Nr. 25-27].[33]

[vijon]


[1] Copyright @ Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Punimi u mbajt si kumtesë në konferencën “Këndvështrime shkencore për totalitarizmin: rasti i Shqipërisë”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Shoqërore, 27-28 tetor 2017. Autori është veçanërisht mirënjohës ndaj Brikena Çabejt dhe Institutit Çabej në Tiranë për ndihmën shumë të vlefshme, të pakursyer e bujare, përfshirë konsultimin me arkivën dhe korrespondencën e Çabejt. Autori falenderon përzemërsisht personelin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, për kontributin e veçantë dhe thelbësor për këtë punim. Autori vlerëson edhe ndihmën e Bibliotekës së Universitetit të Harvardit, të Universitetit të Grazit, të Universitetit të Prishtinës.

[2] Shih edhe Uran Asllani, “Studentët shqiptarë në Austri: roli i tyre në pavarësinë, konsolidimin e zhvillimin e shtetit shqiptar”, Tiranë, 2000. Një listë e plotë e studentëve shqiptarë që studiuan në Austri para Luftës II Botërore jepet në ff. 392 – 399.

[3] Të dy vendet për shumë vjet nuk kishin marrëdhënie diplomatike. Greqia ishte zyrtarisht në gjendje lufte me Shqipërinë.

[4] Shqipëria denoncoi dhe u largua nga Traktati i Varshavës në gusht 1967.

[5]But Albania, sandwiched between Yugoslavia, Greece, and the Adriatic, was poised to become a key cold-war battlefield”. “By 1949 Albania presented a tempting target for the anticommunist hawks in British and American intelligence…”. Ben Macintyre, A Spy Among Friends, Kim Philby and the Great Betrayal, with an aferward by John Le Carré. Crown Publishers, New York, 2014, f. 121, 122.

[6] “Albania would be the target of a counterattack, in direct contravention of international law but in keeping with the new mood of agression”. Po aty, f. 122.

[7] Për më tepër, shih http://www.aiesee.org/en/history.html Konferenca më të ngushta Balkanologjike ishin bërë edhe më parë, siç trajtohet më poshtë në këtë punim.

[8] Shih p.sh. “Kongresi i parë ndërkombëtar i studimeve ballkanike dhe të Europës Juglindore”, Studime Historike, Tiranë, 1/1967, ff 199-203; Shih intervistën e Prof. Alexander Kostov me rastin e Kongresit të 11 të Studimeve të Europës Juglindore në Sofje, 31 gusht – 4 shtator 2015.  Tek https://tinyurl.com/y77dzws6, qasur me 12 tetor 2017.

[9] Actes du Premier Congres International des Etudes Balkaniques et Sud-Est Européennes, I, Manifestations Officielles, f. 5, Sofia, 1968

[10] Kongresi u përshëndet në çelje të tij edhe nga Todor Živkov, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës së Bullgarisë, po aty, f. 19.

[11] M.C. “Kongresi i balkanologëve në Sofje”. Shêjzat 7-8, S. 289-290. Shih edhe Studime Historike 4/1967, f. 113; 1/1970, f. 199.

[12] Listat përfshijnë pjesëmarrësit fizikë dhe ata që dërguan komunikime. Anamali, Skënder, Drejtor i Muzeut Arkeologjik, Tiranë; Bala, Vehbi, Tiranë; Belegu, Mentar, Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë [IHGJ], Tiranë; Bihiku, Koço [IHGJ]; Buda, Aleks, Prof. Universiteti i Tiranës [UT]; Çabej, Ekrem, Prof. UT; Çami, Muin, Sekretar Shkencor, IHGJ; Ceka, Hasan, IHGJ; Demiraj, Shaban, Prof. UT; Dhamo, Dhora, IHGJ; Dodbiba, L. [IHGJ}; Dodi, Anastas, IHGJ; Domi, Mahir, Shef Seksioni, IHGJ; Elezi, A. IHGJ; Floqi, Spiro, Prof. UT; Frashëri, K. Tiranë; Gjergji, Andromaqi, IHGJ; Gjinari, Jorgji, IHGJ; Islami, Selim, IHGJ; Koka, Viron, IHGJ; Kostallari, Androkli, Drejtor i IHGJ; Lafe, Emil, IHGJ; Lloshi, Xhevat, IHGJ; Mara, H. IHGJ; Mile, Ligor, IHGJ; Naçi, Stavri, IHGJ; Plasari, Ndreçi, N/drejtor i Institutit të Studimeve M-L, Tiranë; Prendi, F. IHGJ; Pulaha, S. Tiranë; Puto, A. IHGJ; Puzanova, V. IHGJ; Sako, Zihni, Drejtor, Instituti i Foklorit, Tiranë; Sheto, Aleko, anëtar i Komitetit Kombëtar të UNESCO-s, Rr. Reshit Çollaku, 14, Tiranë; Shkodra, Z. Tiranë; Thomaj, J. IHGJ; Uçi, Alfred, drejtues kursi, UT; Xholi, Zija, IHGJ; Zamputi, I, Tiranë, Zojzi, Rr. Tiranë. Po aty, 173-174, Sofia, 1968; në seksionin e historisë  dhe Artit paraqiti kumtesë edhe Theofan Popa, Po ai burim, v. II, ff. 767-783.

[13] Në përbërje të delegacionit jugosllav ishin këta pjesmarrës nga Kosova: Idriz Ajeti; Zejnullah Gruda; Ali Hadri; Hajredin Hoxha; Hasan Kaleshi; Mark Krasniqi; Ahmet Kelmendi-Mehja; Latif Mulaku; Shefqet Pllana; Isak Shema; Vera Vangjeli [Maqedoni]; Po aty, f. 199-201. Sërish theksohet se lista përfshin pjesëmarrës fizikë dhe studiues që dërguan vetëm kumtesat.

[14] Po aty, f. 117, 121-122.

[15] Foto, Actes du Premier Congres International des Etudes Balkaniques et Sud-Est Europeennes, I, Manifestations Officielles, f. 37, Sofia, 1968.

[16] Actes du Premier Congres International des Etudes Balkaniques et Sud-Est Europeennes, I, Manifestations Officielles, f. 72, Sofia, 1968. Shih edhe M.C. “Kongresi i balkanologëve në Sofje”. Shêjzat 7-8, S. f. 289.

[17] Actes du Premier Congres International des Etudes Balkaniques et Sud-Est Europeennes, VI, Linguistique, Sofia, 1968. Renditja emërore jepet sipas indeksit kronologjik të ndërhyrjeve në Kongres. L. Dodbiba, A. Dodi, A. Krajni dhe E. Lafe i paraqitën punimet përmes Byrosë së Komitetit Kombëtar Bullgar. Me gjasë ata nuk morën pjesë në punimet në Sofje. Actes du Premier Congres International des Etudes Balkaniques et Sud-Est Europeennes, I, Manifestations Officielles, f. 112-113, Sofia, 1968.

[18] Robert Elsie jep këtë biografi: “MALOKI, KRIST, (8 prill 1900 – 24 nëntor 1972), Studiues dhe publicist. Krist Maloki u lind në Prizren dhe studioi me bursë në Austri. Ai ndoqi shkollat në Vjenë, Salzburg dhe Graz, ku studioi filozofi dhe muzikë. Doktoraturën e kreu në vitin 1929. Nga viti 1929 deri në vitin 1934 dha mësim privatisht dhe studioi drejtësi, duke marrë një doktoratë të dytë në drejtësi në vitin 1934. Në vitin 1940 u caktua shef i katedrës së studimeve të Europës Juglindore në Universitetin e Grazit; ai ishte gjithashtu edhe Profesor në Akademinë Tregtare të Grazit. Ai doli në pension në vitin 1966. Maloki mbahet mend, sidomos, si autor i shumë artikujve në periodikët shqip në vitet 1930. Robert Elsie, Fjalori Historik i Kosovës, Seria Historical Dictionaries of Europe, No. 44, The Scarecrow Press, Inc. Lanham, Maryland, Toronto, Oxford, 2004, f. 117.

[19] Shih edhe Albert Lulushi, Operation Valuable Fiend: the CIA’s First Paramilitary Strike Against the Iron Curtain, Arcade Publishing, New York, 2014.

[20] Facsimile e listës A jepet në fund të këtij punimi. Dokumenti i CIA-s përfshin edhe Listën B [Appendix B], ku përfshiheshin “refugjatë shqiptarë që duhet të përjashtoheshin nga çdo Komitet në Mërgim dhe veprimtaritë e tij”. Edhe facsimile e kësaj Liste jepet në fund. National Archives, Plan for Albania, Dosjet e CIA-s për operacionin OBOPUS BGFIEND, ff. 24-25.

[21] Ekstrakt i një raporti të Stavro Skëndit i titulluar “Albanian Political Groups in Exile and the Formation of “Free Albania Committee”, Dosja Maloki e CIA-s, dok. i datës 7 nëntor 1949.

[22] Po aty.

[23] Informacion Biografik për Dr. Kristo Malokin, Dosja Maloki e CIA-s, Dispatch No. QIRA – 8914, BGFINESSE, xxx-Italy-5034, 24 tetor 1955. National Archives and Records Administration [Tashembrapa NARA].

[24] Po aty.

[25] Shih Raportin Dispatch, EAVA 39417, fillimisht i klasifikuar “Secret”, datë 29 dhjetor 1966, Dosja Maloki e CIA-s. NARA.

[26] Nazi War Crimes Disclosure Act, (Public Law 105-246); 5 U.S.C. 552, Oct. 8, 1998 [S.1379], tek https://www.congress.gov/105/plaws/publ246/PLAW-105publ246.pdf

[27] Prof. Zeta mund të jetë në njëjës ose shumës. Emrat e përveçëm janë fshirë në dokumentin origjinal, dhe në vend të tyre ka mbetur hapësira midis kllapave të vendosura me shkrim dore. Kllapat ndryshojnë si madhësi kur kemi emra me numër gërmash apo madhësi të ndryshme. Për emra të njëjtë, ose për emra të ndryshëm me të njëjtin numër gërmash, hapësirat midis kllapave janë të njëjta, përveç rastit kur i njëjti emër përdoret në rasën gjinore, që në anglisht mungon dhe shfaqet në trajtë enklitike duke marrë si shtesë një (‘s).

[28] Shih Raportin EAVA 39417, fillimisht i klasifikuar “Secret”, datë 29 dhjetor 1966.

[29] Dokumenti indeksohet si EAVA – 39419/01, datë 30 dhjetor 1966. Indeksimi është bërë me shkrim dore.

[30] Mund të krahasohet me Biografinë e hartuar nga Robert Elsie, Shënimin Nr. 18, më lart.

[31] Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 1. Dosja Maloki.

[32] Kryet e vendit në botimet për Malokin e ze botimi “Krist Maloki, refleksione, kritikë (letrare), analiza dhe mendime”, përgatitur nga Albert Ramaj, Konica, Prishtinë, 2005.

[33] Shih, p. sh. Ibrahim Rugova, “Krist Maloki: Përpjekje psikanalitike për kritikë objektive”, tek “Kahe dhe Premisa të kritikës letrare shqiptare”, Tiranë, Eurorilindja, 1996, Bot. i 2-të, ff. 129 – 137. Rugova përmend edhe shkrimet kritike e publicistike të Malokit me pseudonime; Gazmend Krasniqi e Vjollca Osja, “Grindja estetike si vlerë”, dhe Kujtim M. Shala, “Shekulli i kritikës shqipe”, tek Materialet e punimeve të Seminarit XXXI Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë, 2012, përkatësisht ff. 224-229 dhe 354-365; Enis Sulstarova, “Arratisje nga Lindja: “Orientalizmi shqiptar nga Naimi tek Kadareja”, Globic Press, Chapel Hill, NC, 2006, ff. 66-72, 78, 81, 84, 286; Fatmir Terziu, “Kritika Ndryshe, Vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, II, Lulu, 2010, f. 138; Elsa Demo, “Krist Maloki polemik”, tek http://tinyurl.com/y9jsuusv

4 Komente

  1. Besoj se ka qene nje fare Hasan Kaleshi. Ka nje dokument te CIA si person me interes per tu rekrutuar ne nje konference ne Turqi. Nese do, mund te shkruajme dic bashke per kete komunitetin e studiuesve ne Viene. MPJ ka disa dokumente interesante, sepse kishin nje liste te institucioneve kerkimore qe supozoheshin se paguheshin nga CIA dhe keshtu filtroheshin ftesat per akademine. Nuk e di si mund ta gjejme listen, kati i katert i MPJ, sigurimi, e kishte.

    1. shkruajta me pare nga celulari, por tani e konfirmoj se ka qene ai. Sic shoh nga Wikipedia ka studiuar ne Beograd. Eshte rekrutuar me gjasa ne vitin 1954 pasi eshte dyshuar (dhe ndoshta shantazhuar si agjent i UDBA) pasi nje konference ne Stamboll.

      Sipas dokumentit:

      One of C: =I correspondents appears worthy of further investigation. Hasan Kaleshi, an assistant professor on the faculty of the Oriental Philology- Deparetment at University of Belgrade, is a member of the CPY who was sent to Istanbul during the fall and winter Of 1954 to engage in research for the Jugoslav-government. On •23 eptember, CI_ 231 who had been in previous correspondnce with Kaleshi, had A two’-hour meeting with Kalehhi in Istanbul where C: 2] had gone to attend a congress of the Associtation of European Refugees. In view of the possibility that
      .Kaleshi engaged in intelligence activity for UDBa while in Turkey, he should be ‘ green listed and full Headquarters traces run on him. if such has not ready been done. In addition, Headquarters should request the 1.7_ _..7. to obtain from 1 C ‘/L xx plus any other sources which it may have available, any information available regarding Kaleshi (biographical data) and Kaleshi l s activities and contacts while in Turkey. Even though Keleshi is probably back in Yugoslavia by now, Mich a request should be made for its defensive CE value.

      https://www.cia.gov/library/readingroom/docs/OBDURATE%20DEVELOPMENT%20AND%20PLANS_0007.pdf

      Sipas Wikipedia: Më 1952 u caktua lektor i filologjisë orientale po atje dhe më 1960 mbaroi doktoraturën e tij Najstariji vakufski dokumenti iz Makedonije na arapskom jeziku (Dokumentet më të vjetra të vakëfeve të Maqedonisë në gjuhën arabe). Kaleshi kaloi 1965 duke studjuar turkologji në Institutin Ural-Altaik të Universitetit të Hamburgut, më pas nga 1 tetori 1967 e deri më 31 dhjetor 1970 punoi për departamentin e historisë të Institutit të Albanologjisë në Prishtinë.[2]

      Sidoqofte, tek Peizazhe duhet te kemi nje standard per keto hulumtimet ne lidhje me sherbimete sekrete. Duhet gjithmone te perballen disa burime. P.sh. ato te CIA-s jane ndonjehehere shume te dyshimta, si p.sh. supozimi se Cabej kishte marredhenie te mira me M. Shehun eshte teresisht i pavertete. Pastaj dihet qe ne shume raporte krijohen legjenda per disinformim te armikut nese dihet qe raportet mund te rrjedhin nga agjentet e dyfishte. Disa prej ketyre raporteve ne lidhje me inteligjencen jane shkruar, sikur permendet me siper ne projektin e rrezimit te regjimit nga siper, nen zellin per te rekrutuar cdokend qe mund te ishte afer udheheqjes komuniste. Jane pra shume optimiste ne vleresime dhe teper te larg te vertetes. I jane hedhur publikut shqiptar si ushqim i vertete, por pare me sy kritike, sikur edhe deshmohet nga jetegjatesia e regjimit, ishin thjeshte uje ne hava e CIAs.

  2. Ah, historiani, historiani,
    Ku ti, ku terxhumani!

    Populli

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin