Nga Charles Baudelaire
Dielli ka përmbytur qytetin me dritën e tij të pingultë e të hatashme. Rëra është lëbyrëse dhe deti llamburit. Njerëzit të topitur lëshohen me t’patëkeq të bëjnë gjumin e drekës, një gjumë që është një lloj vdekje e ëmbël, ku ai që fle, me sy gjysmë të çelët, shijon kënaqësitë e shpërbërjes së tij.
Ndërkohë, Doroteja, e vetmja krijesë e gjallë në atë orë, e fortë dhe krenare si dielli, ecën në rrugën e shkretë, nën kaltërsinë e pafund, duke lënë një njollë fekse dhe të errët.
Ecën duke lëkundur lehtë gjoksin aq të imët mbi këllqet e saj të gjëra. Fustani prej mëndafshi të derdhur, në një ngjyrë të çelur rozë, dallon thekshëm në terrin e lëkurës dhe nxjerr në pah format e shtatit të saj të lartë, kurrizin e harkuar dhe gjinjtë me majë*.
Ombrella e saj e kuqe, që zbut dritën, lë t’i bjerë mbi fytyrën e errët hija ngjyrë gjaku e reflekseve të saj.
Pesha e floknajës së madhe, pothuaj blu, tërheq nga pas kokën e brishtë dhe i jep një pamje ngadhënjyese e përtace. Vathët e mëdhenj u mërmërisnin fshehtas veshëve të saj të bukur.
Herë pas here, flladi i detit i ngre kindin e fustanit dhe zbulon këmbën e saj të mrekullueshme që llamburit. Këmba e saj, njëlloj si këmbët e perëndeshave që Evropa mbyll në muze, lë me besnikëri gjurmën mbi rërën e imët. Sepse Doroteja është madhërisht nazike, sa dëshira që të adhurohet është më e madhe se krenaria e të qenit e lirë**, por edhe pse ajo është e lirë, ajo ecën pa këpucë.
Ajo ecën ashtu, plot harmoni, e lumtur që jeton dhe buzëqesh me një buzëqeshje të bardhë, sikur tutje në hapësirë të qe një pasqyrë ku shihte ecjen dhe hijeshinë e saj.
Në një orë të tillë kur edhe vetë qentë kuisin nga dhimbja nën diellin që kafshon, cili është ai motiv aq i fuqishëm pra, që e bën të ecë ashtu dembelen Dorote, e bukur dhe e ftohtë si një bronz?
Përse ka lënë shtëpizën e saj të rregulluar aq këndshëm, ku lulet dhe thurimat edhe në atë mungesë freskie e shndërrojnë në një sallon të vogël pritjeje, ku ajo kënaqet aq shumë tek krihet, tymos, freskohet apo tek vështrohet në pasqyrën e erashkave të saj prej puplash, ndërkohë që deti që rreh plazhin njëqind hapa më tutje u bëhet ëndrrave të saj të pasigurta një shoqërues i fuqishëm e monoton dhe kusia prej hekuri, ku gatuan një ragu gaforresh, orizi e shafrani, përcjell deri te ajo, në fund të oborrit, aromën e saj ndjellëse?
Mbase ajo ka takim me ndonjë oficer të ri, i cili në plazhet e largëta ka dëgjuar nga shokët e tij të flitet për Dorotenë e famshme. Me siguri ajo do t’i lutet, krijesa e thjeshtë, që ai t’i përshkruajë vallëzimin në Opera dhe do ta pyesë nëse aty mund të shkohet këmbëzbathur, sikundër në vallëzimet e të dielës, ku edhe vetë kafrinat*** e vjetra dehen e çmenden nga gëzimi dhe, akoma më tej, nëse bukuroshet e Parisit janë të gjitha po aq të bukura sa ajo.
Doroteja adhurohet dhe përkëdhelet nga të gjithë dhe ajo do të ishte plotësisht e lumtur nëse nuk do të qe e detyruar të mblidhte pjastër pas pjastre për të blerë motrën e saj të vogël që ka mbushur njëmbëdhjetë vjeç dhe tashmë është e rritur dhe aq e bukur.
Me siguri do t’ia dalë mbanë, Doroteja e mirë. Pronari i fëmijës është tepër cingun për të kuptuar bukuri tjetër veç asaj të ekuve!
……………………….
Përktheu nga origjinali (La Belle Dorothée): D. Kokonozi. Kopertina: Marie-Guillemine Benoist, Portrait de Madeleine (1800), detaj.
* Për këtë frazë ekziston një letërkëmbim i Bodlerit me një nga botuesit e tij, i cili këmbëngulte që ai të shkruante thjesht se: fustani nxirrte në pah format e trupit të saj. ˗ Beson ti vërtet, se shprehja jote është e barabartë me : son dos creux et sa gorge pointue (kurrizi i saj i harkuar dhe gjijtë me majë?), sidomos kur është fjala për zezaket e pjesës orientale (të Afrikës) ?˗ përgjigjet poeti, ˗ Gjithë jetën e kam kaluar duke mësuar të ndërtoj fraza dhe e them, pa patur frikë se bëj njeri të qeshë, se ajo që dorëzoj në shtypshkronjë është e përkryer.
**E çliruar nga skllavëria
*** Term i gjuhës kreole, për të treguar një grua malgashe apo afrikane
…”Këmba e saj, njëlloj si këmbët e perëndeshave që Evropa mbyll në muze”…
And yet…
Duket sikur Baudelaire ne idene e tij se cfare eshte e bukura ka per pike referimi pikerisht ato perendesha qe “Evropa mbyll ne muze”… Kudo qe ai e sheh ai e krahason me ate qe njeh, qe di, kudo qe shkon, kerkon ate qe (i) mungon tashme ne jeten e tij. Kerkon forcen krenare te Artemisit, profilin e bukur, gjoksin e vogel dhe me maje te Afroditit, mencurine e mistershme te Athines, heshtjen e rende te Hestias, krahet e plote te Demetres.
Po s’eshte vetem Baudelaire keshtu. Kam pershtpypjen qe te gjithe ne kerkojme te njejten gje. Kerkojme ate realitet qe krijoi keto “perendesha qe Evropa mbyll ne muze”. Kerkojme ate shoqeri qe pati nevoje per to,qe i gjeti dhe i vuri ne piedestal. Kerkojme ate kulture qe e kuptoi te bukuren dhe sublimen ne te tilla forma dhe shprehje te saj. Eshte nje kerkim pa kuptim, pa qellim, por pa shpetim. Pa shpetim. Ne kuptimin qe ajo cfare kerkojme dhe nuk do ta gjejme dot asnjeher ne kete jete, eshte aty brenda nesh. Si ajo fara, berthama, qe ashtu e vogel sic eshte, ka brenda vetes potencialin per tu bere dicka krejt tjeter. Ndofta nje peme gjigande dhe e madherishme. Mjafton qe te mbillet ne vendin e duhur.
Dhe ne kohen e duhur… tha.
Ksamil, zgjeroje edhe pak dhe do te shohesh qe ka potencialin e nje eseje mjaft e bukur e te veçante per estetiken e krijimtarise es Bodlerit.Edhe mua me ka habitur gjithnje ky tregim se eshte shkruar me shume se 170 vjet me pare dhe te le pa fjalë zhdervjedhtesia e gjuhes, pershkrimin e holle e delikat dhe harmonine e stilit edhe pse ne thelb prek dramën e skllaverise. Zaten keto jane shenjat e jashteme te gjenialitetit te autorit.
Ndjese Lyss, per vonesen. Me shume deshire por me fare pak kohe.
Ideja ime eshte se cdo gje ka te beje me te bukuren.
Dhe e bukura eshte reaksionare.
Tejet madje… tha.