nga Erida Gjini
Hera e parë që kam dëgjuar per deus ex machina ka qenë në orën e letërsisë diku në vitet e gjimnazit kur studionim Jeronim de Radën dhe Këngët e Milosaos. Bëhej fjalë për një dashuri të pamundur që shkrimtari e zgjidhte në vepër me anën e një elementi deus ex machina: një tërmeti që binte në Shkodër, dhe sheshonte deri diku dallimet klasore, gjë që do të ndihmonte në afrimin e Rinës me Milosaon. Nuk e di pse, por këto ditë pas tërmetit të vërtetë që ndodhi në Shqipëri në 26 nëntor, koncepti deus ex machina, mu rikthye në mendje. Ndoshta është pak absurde ta mendosh, por paralelizmi me kohët e vështira dhe krizën që po kalonte Shqipëria muajt e fundit është ngacmues për imagjinatën e dikujt të etur për letërsi. Tërmetet janë të dhimbshme, vrasin njerëz, lëndojnë, dëmtojnë godina, shembin pallate, frikësojnë të mëdhenj e të vegjël, paralizojnë jetën, por nga ana tjetër ato gjithashtu na kujtojnë për brishtësinë tonë elementare si njerëz dhe për vlerat esenciale të ekzistencës. Këtu nuk bëhet fjalë për romantizëm apo idealizëm, por për një realitet të prekshëm, natyror, diçka që na bashkon si individë përtej partive, përtej ngjyrave politike, përtej pasurisë, origjinës apo statusit social.
A mos ndoshta tërmeti që ndodhi mund të shërbejë si një deus ex machina simbolik për nyjën e koklavitur dhe atmosferën konfliktuale që dukej gati e pazgjidhshme midis institucioneve dhe disa partive në Shqipëri? A mos ndoshta fatkeqësia do të ndihmojë për ta mbyllur atë kapitull me njëfarë solemniteti dhe justifikimi perfekt per një të mirë më madhore e të përbashkët?
Të reflektosh me përgjegjësi mbi vdekjen, të vësh veten në pozitat e tjetrit, të shikosh perspektivën e tjetrit, të përpiqesh të ndjesh frikën dhe humbjen e tjetrit në një kohë të vështirë, është një pasuri shpirtërore për ditët që do të vijnë, sikurse është baza e çdo kompromisi. Në ditët që pasuan tërmetin, solidariteti ndër shqiptarë ka qenë mahnitës, do të ishte bukur sikur kjo ndjenjë solidariteti dhe respekti për të mirën e përbashkët të vijonte dhe në të ardhmen dhe të përhapej në çdo shkallë të shoqërisë. Do të ishte bukur, sikur në vend të konflikteve të vazhdueshme që përsëriten dhe kundërshtive për pushtet, të kishim kështu ndër ne më shumë tolerancë dhe bashkëbisedim, të kishim më shumë komunikim dhe më pak dhunë, të kishim më shumë sy për nevojat, vlerat dhe rëndësinë e tjetrit. Sa mirë kur bashkohen forcat për të shpëtuar jetë nën rrënoja, sa mirë kur bashkohen forcat për të minimizuar dëme, sa mirë kur besohet së bashku në një prioritet absolut!
Jeta është një mrekulli e pazëvendësueshme. Përtej emergjencës (por ndoshta pikërisht prej emergjencës, çdo ditë vlen si dita e fundit) ta përdorim atë për të bërë më të mirën që kemi mundësi, duke shmangur konfliktet, dhunën, dhe duke u përpjekur për të mos lënduar të tjerët gjatë rrugëtimit tonë. Përkundrazi, të lartësojmë atë që kemi mundësi, të ndërtojmë atë që kemi mundësi, të kontribuojmë të shpëtojmë atë pak, sadopak që mundemi. Mbase kjo që ndodhi do të jetë një mësim ndërgjegjësues për ata që nga dëshira për tu pasuruar shpejt, ndërtojnë pa kriter dhe cilësi, do të jetë një mësim për ata që japin lejet e gabuara, për ata që nuk kontrollojnë sic duhet, për ata që anashkalojnë problemet e godinës ku jetojnë, për ata që neglizhojnë ankesat, për ata që nuk dëgjojnë ekspertët, për ekspertët që të thërrasin më fort, për studentët që të studiojnë dhe të japin më shumë, për mediat për tu marrë më pak me opinione dhe më shumë me hallet e vërteta të popullit dhe problematikat konkrete, për qytetarët për t’u kujdesur më nga afër, me zemër e ngulmim për të mirën e tyre dhe të komunitetit ku jetojnë.
Ra ky mort dhe u pamë… – ka shkruar dhe i madhi Kadare për kohën e dhimbshme të luftës së Kosovës. Të shikuarit është aspekt vital i ndërgjegjes dhe i identitetit. Ashtu si jeta e njeriut transformohet kur ndesh papritmas vdekjen e një të dashuri apo humbje madhore, ashtu edhe jeta e kombeve dhe popujve, sidomos ajo shpirtërore, ka shans të transformohet dhe ridimensionohet rrënjësisht pas fatkeqësive. Mbase, pas tërmetit, do të duhet të themi për veten tonë si shqiptarë: ra ky mort dhe u pamë… sy më sy me vetveten kësaj here, me njeri-tjetrin, me gjithë dobësitë dhe papërsosmëritë që kemi, me gjithë të metat dhe limitet që na karakterizojnë, por edhe me gjithë forcën, arritjet objektive dhe shpirtin që na mban gjallë, ra ky mort dhe u pamë. Dhe mbase, duke pranuar që jemi të përkohshëm e të brishtë, do të duhemi më shumë, do të falemi më shumë, dhe do i hapim vend që këtej e tutje edhe “dashurive” në dukje të pamundura. Dhe mbase kështu do të realizojmë një version më të mirë, më të vërtetë dhe më konstruktiv të vetes, në punë, në familje dhe në shoqëri. Sepse nga vetja fillon gjithçka tjetër. Përfshirë dhe politika.
© 2019, Erida Gjini.
(Imazhi në kopertinë: Alegoria ao Terramoto de 1755, João Glama Strobërle)
“I d e a l e”, pëshpëriti ujku dhe, sikur të mos të mos u besonte syve të vet, e lexoi shkrimin edhe një herë. “Ideale fare”, përsëriti i lehtësuar, i bëri një like shkrimit në facebook dhe, tashmë i ndërgjegjësuar, iu vu menjëherë kërkimit të një kostumi të ri: një lëkurë deleje.
P.S. Me gjithë mirëkuptimin që kam për dëshirën e mirë të autores për paqe mes shqiptarëve dhe për një fillim të ri në Shqipëri, diçka thelbësore mungon aty, tre fjalë që i kërkova më kotë në reflektimin mbi tërmetin: shtet, ligj dhe drejtësi. Po ndoshta do të jenë edhe ato të groposura në rrënojat e tërmetit, bashkë me viktimat.