Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

PERFECTUM TRINUM

nga Botime Çabej 

Perfectum trinum përmban rreth njëqind poezi të tre poetëve të mëdhenj të shekullit XX, Eugenio Montale, Giuseppe Ungaretti, Salvatore Quasimodo, të cilat u përzgjodhën e u shqipëruan me përkushtim poeti nga Zef Zorba, njohës e admirues i të treve; por ato mbetën dorëshkrim për disa dekada rresht. Zef Zorba mund të quhet padyshim një artist i plotë e i shumanshëm: poet, përkthyes, publicist, regjisor, autor pjesësh dramatike dhe libretesh, njihet së pari si poet me vëllimin Buzë të ngrira në gaz, botuar një vit pas vdekjes së autorit në 1994. Thuajse kurrgjë e Zorbës nuk pa dritën e botimit në të gjallë të tij. Pas viteve ’90 lexuesit nisën ta njohin atë falë përkthimeve që kish lënë, fare pak prej të cilave u botuan (Estetika 2 e Benedetto Croce-s e Love Story e Eric Segal-it). Ende sot shumë përkthime të tij mbeten në sirtar, në dorëshkrim: T. S. Eliot (Katër Quartete, Pritje koktej, E mërkura e përhime) Robert Frost (Poema), Oscar Wilde (Rëndësia e seriozitetit) si dhe vepra të tjera të rëndësishme nga autorë si Pirandello, Wilder, O’Neil etj.

Si regjisor në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, ai pat vënë në skenë qysh herët pjesë dramatike (Armiku i Popullit të Ibsenit e Juda Makabe të Fishtës). Mundet kjo qe dhe arsyeja pse u arrestua e u burgos më 1946, për vite me radhë. Zorba kapërceu kufijtë e krijimit mirëfilli letrar dhe eksploroi pikëtakimin e letërsisë me muzikën apo artet pamore, duke i shtuar korpusit të tij artistik dy librete operash, Teuta dhe Rozafa, tekste këngësh me muzikë të Prenk Jakovës, po dhe punime gdhendjesh në dru, të cilat ilustrojnë poezinë antike greke, tragjedinë dhe komedinë klasike.

Fletorja me dorëshkrimin e përkthimit të këtyre poezive na u soll për botim nga të bijat e Zorbës: ato kanë meritën që e ruajtën e u kujdesën për dorëshkrimin dhe, pas shumë përpjekjesh, ia dolën mbanë e na e bënë të mundur ta kemi sot në dorë këtë libër. Mjerisht vetë shqipëruesi nuk e mori dot këtë kënaqësi! Ai i punoi e i lëmoi vargjet e tre italianëve të mëdhenj, pa e shijuar dot gëzimin që do t’i falte libri i shtypur.

Të botosh poezi të përkthyera nuk është gjë e lehtë; aq më e vështirë bëhet puna e botuesit kur përkthyesi nuk është më në jetë, për të diskutuar me të përmbi tekstin. Përgjegjësia është natyrisht shumë më e madhe. Kurse liria më e vogël. Pra ndryshimet që u lejuam të bëjmë kanë qenë minimale: vetëm ato që na janë dukur të domosdoshme. Zef Zorba ka zgjedhur t’i sjellë në shqipen e njësuar të standardit vjershat italiane, ashtu si shkruante jo rrallë edhe poezi të vetat, duke ndërkallur hera-here elemente të gegnishtes e më rrallë edhe ndonjë të toskërishtes. Pra është treguar i hapur ndaj përdorimit të trajtave gjithfarëshe. Duke u nisur nga ky fakt, edhe ne kemi ndjekur të njëjtin parim gjatë redaktimit: në ndonjë rast p. sh. kemi zgjedhur të zëvendësojmë me paskajore ndonjë trajtë toske, sepse ashtu ritmi përmirësohej dukshëm.

Gjatë punës së kujdesshme që bëmë me tekstin, disa shënime tonat a dyshime fillestare për ndonjë lapsus, që na pati shtyrë të ndërhynim në tekst, në fund i lamë mënjanë, duke menduar se mbase shqipëruesi ishte larguar me kast nga origjinali dhe i kishte dhënë vetes liri për liçencë poetike; p.sh. në vjershën Nënës sime (A mia madre) italishten esilio e shkëmben a mbase “e sheh” si Elisio, duke na dhënë shqip vargun vetëm kjo të vendos në fushat eliziane për italishten solo questo ti pone nell’esilio. Rast i ngjashëm gjendet edhe në poezinë Kornë angleze (Corno inglese), ku vargun D’alti Eldoradi malchiuse porte! e sjell si Tjerë Eldoradosh dyer jo mirë të kyçura!, duke “parë” italishten alti si altri. Mendimin e parë për “t’i korrigjuar” ato pak raste si këto, e ndryshuam pra në çastin e fundit, për arsyen e përmendur më lart, dhe i kthyem tekstet ashtu si i kishte dorëshkrimi i shqipëruesit.

I përmendim këto për të sqaruar lexuesin se asgjë nuk na ka shpëtuar pa ballafaquar e pa rrahur mirë gjatë punës së redaktimit, por thjesht kemi dashur të ndërhyjmë sa më pak, duke respektuar gjithnjë zgjedhjen e poetit. Ishte një fat për ne e për lexuesit që botuesi italian Mondadori na dha lejen e botimit të kësaj përzgjedhjeje duke na vënë si kusht që të përfshinim në të edhe tekstet e origjinalit italisht, pra realizimin e botimit dygjuhësh, që është edhe mënyra ideale për të lexuar e shijuar poezinë e përkthyer.

© 2019, Botime Çabej

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin