nga Oltion Kadaifçiu
Sonatë për gruan e tjetrit. Sonatë i thënkan asaj pjesës me muzikë që i ndenjka përbri kantatës që këndohet. Ka edhe sonete si ato të Shekspirit që kishin nga 14 vargje të gjata plot me fjalë e herë me rimë e herë pa rimë e herë me muzikalitet të herëpashershëm.
Mendoj se zoti Henrik S.G. e ka fjalën për sonet në titullin e veprës së tij. Më shumë se muzikë që i rri përballë kantatës, këtu kemi vetë kantatën, në mendimin tim. Rrëfim në vetë të parë i një psikologu klinik që unë nuk ia di moshën e saktë, por të 25-tat kujtoheshin lehtë e pa dhimbje. Edhe miqësia e shkollës e vetë shkolla është aty. Mamaja është aty, megjithëse goxha e shtyrë në moshë. Ndoshta fillimi i të tridhjetave. Vazhdon e udhëton nëpër botën e madhe herë me anije a tren. E herë kushedi me çfarë.
Ky është një aristokrat. Pasunar i madh. Me jahtin e vet. E ëma banon në sarajet e saj në Versajë, ku ndoshta ka edhe serrën e vet plot me lule që çelin. Ka studion në qendër të Parisit. Te rruga Goff. Nga Google Earth kuptohet që kemi një adresë luksoze. Aty rrotull janë biblioteka, universiteti, Panteoni. Shtëpia ka shtretër e kanape, ka lidhje gjaku me revolucionin francez. I hipën aeroplanit për opera e muzikë pa përtesë. Gjyshi i gruas që meritonte të ishte e tij, kishte qenë në një qeli me Dostojevskin. Por edhe ajo ishte grua e një tjetri.
Por ku ka këndvështrim më të rehatshëm për të parë gruan e tjetrit se ai i një aristokrati francez psikolog klinik plot pacientë, të paktën gjysma e të cilëve na kanë njëfarë lidhje me gruan e tjetrit. Ai vetë i pari. Pastaj i ati. Pastaj një tjetër e një tjetër.
I pari ndër ta është zoti Herpin. Ai ka një fiksim me komshien që jeton në apartamentin sipër të tijit. I magjepsur nga hapat e saj që kumbojnë prej tavani, ai po e humb fillin e jetës së arsyeshme. Zoti Herpin është ai që më së shpeshti rikthehet në skenën ku protagonisti ynë rrëfen jetën e tij të një vjeshte e ca viteve dhe është ai që i vë titullin librit. Megjithëse nën kujdesin e psikologut tonë, Herpini zbulohet për fiksimin e tij. Kur fqinja do të ndërronte banesën, një herë që e takon në tunelet e metrosë, ai nuk duron dhe e rrëmben në krahë dhe e mbulon me të puthura. Pastaj izolohet e pas ca kohe, i mposhtur prej sëmundjes, endet stacioneve të metrosë ku reciton sonete për dashurinë e humbur. Në njërin prej gabimeve më të rënda të tij në këtë detyrë (e pastaj natyrisht e shkrimtarit) është që ai i afrohet zotit Herpin në stacion e i thotë “Thonë se vrasësit, herët a vonë, kthehen në vendin e krimit” (fq. 220). Zot i madh!
Dakord, ndoshta, lapsuse të tilla duhet të jesh disi dashakeq t’i veçosh e t’i sjellësh për thashethem letraro-kritik publik, por kritika mund të qëndrojë, kur e përfshin në kuadër të një kritike më të gjerë si ajo për fjalofilinë që, do s’do, tundohet prej shprehive të parafabrikuara, që nuk e vrasin mendjen për rrjedhën e rrëfimit, por çelin shtretër të rinj sa herë që dallga e fjalës e thyen rendin rrëfimor. Dakord, lajthitje të tilla nuk janë të shpeshta, por kjo tendencë e tradhtuar nga lapsusi, për mua rri e pranishme përgjatë veprës. Njohuritë e zotit Gjoka në fushën e psikikës njerëzore duken disi të kufizuara. Diku tjetër, për shembull, psikologu i zotit Gjoka shprehet: “… altruizmi si fenomen shoqëror mund t’i ketë rrënjët thellë në parahistorinë e njerëzimit, krejt ndryshe nga egoizmi, që është një produkt neto i shoqërisë moderne të emancipuar.”
Këto pako gjëra për mua mjaftojnë që të mendoj se autori është nxituar në punësimin e protagonistit të veprës. Një paragjykim në këtë kontekst vjen natyrshëm, sapo merr vesh se kemi të bëjmë me një psikolog klinicist në Parisin pararojë të eksplorimit të ndërgjegjes njerëzore, por kur sheh thjeshtësinë me të cilën i qaset zoti Gjoka tematikës, nuk ke si mos alarmohesh ca.
Thjeshtësia nëpër refleksione të natyrës filozofike e psikologjike, shfrytëzimi për qëllime thjesht narrative i ndodhive të pacientëve që popullojnë librin, krijojnë bindjen se një shkrimtar a botanist a ortoped do kish qenë një gjetje shumë më e shëndetshme për plotësimin e personazhit e do ta kish mbrojtur autorin nga ekspozimi i panevojshëm i boshllëqeve në fusha të ndjeshme të dijes, si ajo e psikologjisë. Për mendimin tim, ka edhe mungesë të larmisë në stile a ngjyra. Kemi letra, ditarë, dialogë, por prapë gjuha mbetet e njëtrajtshme, këndet e vështrimit të njëjtat.
Por tematika është e vërtetë dhe pa diskutim universale. Moisiu i madh që foli me Zotin e mori prej tij dhjetë urdhëresa, mori edhe urdhëresën që mos synohet gruaja e tjetrit. Edhe Iliada hakmarrjen për rrëmbimin e gruas së tjetrit rrëfen. Por format moderne janë më të larmishme dhe jo gjithmonë bëhen shkak për luftëra, madje sipas studime të produktivitetit nëpër organizata, e rritin disi produktivitetin. Ashtu disi përmbushet një nevojë për konfirmim të cilësive që njeriu i ndan me natyrën e gjerë, e që garanton mbijetesën e llojit. Për të përmbajtur ndikimin shkatërrimtar të tundimit të gruas së tjetrit, disa shoqëri – si në Somali e tjetërkund në Afrikë – kanë zgjedhur ta gjymtojnë femrën. E duke përmbajtur gatishmërinë e përfshirjes për hir të kënaqësisë që përfiton dhe procesit kimik që i nxit trurit të gjorë.
Në shumë raste në natyrë, femrat pretendon t’i mbajë në zotërim mashkulli alfa. Çdo lloj luani toke e deti, dreri e derri mban haremin e vet. Frojdi e shihte konfliktin për kontrollin mbi gratë si një nga shkaqet më të forta të luftës që po sillte shkatërrim dhe pastaj kompozoi të pavetëdijshmen mbi të cilën ndërtojmë secili veten e vet.
Por autori nuk angazhohet dhe aq në përcjelljen e kësaj ankese. Gjuha e tij është e thjeshtë dhe përfshirja e gruas së tjetrit është një koncept pak i pranishëm. Tjetri është i pranishëm jashtëzakonisht pak. Autori e ndjen këtë dhe gjetja e këtij titulli që ka forcë tërheqëse, megjithëse ndoshta edhe shtytëse për shkak të pështjellimit nervoz që mund të ngjallë, justifikohet me përmendje të përsëritur nëpër tekst. Tjetri nuk është fare i pranishëm dhe gjithë ajo parapritje për tension shkon kot.
Sonatë për gruan e tjetrit.
Me një titull të tillë në letërsinë shqipe, bën aq tragjedi sa ta gjykosh të nevojshme. Dhe ky titull nga vetë Ministria e Kulturës e vendit u përzgjodh për universalitetin e veçantinë e vet. Për veçantinë e universalitetit, thuhej në kushtimin e zotërinjve të jurisë që dha çmime.
Unë për këtë rast pata nderin të merrja pjesë në një emision televiziv të drejtuar nga Elsa Demo. Aty ishin të pranishëm edhe kryetari i jurisë përkatëse, Parid Teferiçi dhe dy autorë që kanë eksperiencë si anëtarë jurish: Ylljet Aliçka dhe Rudi Erebara.
Elsa Demo është shpatarake e kulturës sonë dhe titullin emisionit ia kish vënë Për(çmime) të letërsisë. Hej dreq. Çmimi i ministrisë. Ministrisë së Republikës sonë. Viti 2017.
Gruaja e tjetrit. Sonatë për gruan e tjetrit. Dreq, thashë unë. Po ky ku e gjeti Henrik S.G.? Ky e gjeti në Paris. Atje po shijonte një jetë shije e kënaqësie e drite deri edhe kujdestari të shëndetit mendor.
Plot pacientë që shohin dashurinë dhe rezonancat e saj nëpër shoqëri. Një mama, vajza e së cilës zbulon seksin e tërbuar; një burrë tjetër që dashuron dashurinë; një njeri që mezi përmban frikën dhe është i vetmuar; një lidhje me një qen, një të dashur, shoqe shkolle e plot e plot.
Pyetja e shtruar për të pranishmit ishte: a kemi të bëjmë me letërsi shqipe, kur e vetmja gjë që e afron me të tillën është origjina e autorit? Dhe pastaj si duhet të ndikojë kjo në dhënien e çmimeve? Si do të riformohet konglomerati i vlerave për të thithur vlerësim?
Dhe në fakt këto janë çështje që vërtet mund të na orientojnë në kërkimin e një vlerësimi.
Me gjithë sërën e kritikave që unë pashë të nevojshme të sillja në vlerësimin e veprës, mendoj se libri ka klimë të mirë dhe leximi është disi argëtues. Fjalia, ky vendstrehim i shkrimtarit modern shqiptar që nuk ia ka fort ngenë karaktereve, subjekteve tërheqëse, etj., këtu është e thjeshtë. Pa sfida të kota. Pa pretendime që rrotullohen kot gjithandej dhe ia përhumbin shikimin atij që gjykon çka lexon edhe në terma më pak estetikë e më shumë racionalë.
Ngjarjet janë tërheqëse dhe rrjedhin. Ka seks, ka çmenduri. Ka njerëz. Pjesa është shqiptare a jo? Autori është shqiptar dhe ai ka një imagjinatë për dikë që është francez, aristokrat, me akses në një tematikë universale nga pozita të favorshme. Ndoshta një largësi e madhe, pak hapësirë për të kontribuar në universalen e të veçantën, por një përpjekje e mirë në letërsinë e peshës së lehtë të stilit Perëndimor, që ka nevojë për një testim tjetër në radhët e letrarëve shqiptarë.
(c) 2018, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Oltion, duke te falenderuar per keto shkrime, kam nje sugjerim. A mund t’i shoqerosh ne fund me nje note nga 0 deri ne 10 secilen prej veprave per te cilat shkruan. E di qe per shume kritike kjo duket nje praktike arbitrare dhe disi jo e denje por mua personalisht si lexues me ndihmon. Mendoj qe sidomos ne kontekstin e letersise shqipe, kjo eshte e domosdoshme. Se te gjithe jemi te paqarte se sa ia vlen nje liber qe fiton nje cmim ne Shqiperi.
Psh Sonates cfare note do t’i jepje?
Pershendetje. Faleminderit per vleresimin e per sugjerimin, por mendoj se vleresimi me nje note do te krijonte nje sistem referimi qe une nuk jam ne gjendje ta ushqej me argumentat e duhura.
Sistemi me note flet vete. Ose sherben si suplement i argumentave qe ke dhene deri tani ne shkrim. Madje ai iu flet edhe personave te ndryshem ndryshe, pra secili ben leximin e vet te notes. Psh per mua nje liber i letersise shqipe i vleresuar 7 e siper eshte nje ftese per ta lexuar. Me poshte as qe do denjoja. Por dikush tjeter do te mjaftohej edhe me 6.
Prandaj nuk kemi pse te kemi frike .Kjo nuk eshte note ne mesim. Por sidoqofte zgjedhja juaj.
Po a nuk ekziston tashme ajo fjale (e re) e urte popullore, nje liber i mire (per te ecur ne shitje) duhet te kete brenda patjeter seks, intrige dhe nje vrasje!?! Harosllav Hasheku ka nje tregim te bukur per kete pune, cilesine e librit, kuptohet me humor.