nga Lazjon Petri
U bë mbi një javë që kam lexuar librin “Metafizika e një qyteti”, shkruar nga Vladimir Toroveci dhe botuar nga Libraria Kotti në vitin 2014 dhe më vjen natyrshëm të shkruaj diçka për këte vepër letraro-filozofike. E di që është e vështirë të japësh përshtypjet përmbledhëse për një libër dhe jam i vetëdijshëm për anshmërinë dhe subjektivitetin e këndvështrimit tim, por po guxoj ta sprovoj veten dhe po e nis duke thënë që ky libër i zë vend, për të mos u pluhurosur, raftit të librave të leximdashësit të thekur të kasolles së fshatit më të humbur, po aq sa edhe biblotekës më të madhe të Kinës. E them këtë sepse, për mua, përsiatja filozofike, didaktike, analitike dhe përshkrimore e kësaj vepre gëzon bash përmasa lokale dhe universale.
Duke qënë korçar, u ndjeva i përkëdhelur që në qëndisjen e dukurive të trajtuara, Z. Toroveci ka për strumbullar vetë njerëzit, vetë korçarët: ata që nuk jetojnë më, por që do kishin qenë nder dhe krenari për çdo qytet të botës, sikundër ata që sot janë shpirti dhe zemra e qytetit- artistët në njërën anë dhe njerëzit e pazëshëm, por punëdashës dhe guximtarë të devotshëm në anën tjetër. Ti jeton në të njëjtin qytet, i njeh dhe ja u ke ní zanin personazheve në fjalë dhe ndjen plot mirënjohje dhe dëfrim të përkorë kur lexon mes rreshtash t’u vihet pikërisht atyre drita e vëmendjes dhe vlerësimi për veprën e tyre, aq sa edhe kur disa syresh tashmë kanë ndërruar jetë, ja vlen të mos dëshpërohesh që na ikën por të gëzohesh që i kemi patur.
Si shqiptar dhe qytetar i botës, leximi i “Metafizikës së një qyteti” jo vetëm të bën të ndjesh respekt për mirëbërësit Lakçe dhe Turtulli, liritë, shprehitë artistike të Vasillaq Kolevicës, Roland Karanxhës, Sotiraq Kuqalit, Llazi Serbos, qytetarinë dhe integritetin e Gjergji Vretos, përkushtimin e Kostaqe Dudas dhe Benon Progrit, vizionin e Myftar Grabockës, por, leximi i këtij libri, të bën edhe të mëkosh intelektualisht plagët e ndryshme shoqërore: dhunën, mungesën e meritokracisë, vandalizmin, tredhjen e intelektualëve dhe institucioneve, primitivitetin e turmave dhe partishmërinë e skajshme, si edhe shterpësinë e prodhimit të elitave të virtytshme dhe të përunjura.
Toroveci jeton me sytë në pulsin e qytetit. Here të duket sikur vullnetarisht shqetësohet dhe tregon kujdes për t’i matur tensionin qytetit dhe tjetër here mishërohet në energjinë dhe dridhjet e vetë këij pulsi. Aq empatik është ai ndaj dukurive të ndryshme, sa në rastin e dëmtimit të statujave ai shkruan “…shoh ëndërra të frikshme. Mizëri statujash dhe skulpturash të revoltuara, mbledhur shesheve dhe dyerve të pushtetit, çirren e protestojnë, jo në emrin tonë, po në emrin e atyre që kanë ikur dhe atyre që do të vijnë”. E duket, sikur ende pa larë syte, me t’u zgjuar, autori pyet: -“A nuk keni frikë zotërinj barbarë se një ditë ata do të kërkojnë shpagimin e merituar…?”
Nga koha e gjimnazit tim mbaj mend se në një nga orët e letërsisë, mësuesja e dashur Liljana Jahollari, na thotë që nëse Kadareja ka përdorur 6-7 mije fjalë në të gjitha veprat e tij, nga një analizë e bërë “Lumit të Vdekur” të Jakov Xoxes, vetëm tek kjo vepër dilnin mbi 10 000 fjalë shqipe. Kjo gjë m’u kujtua edhe gjatë leximit të “Metafizika e një Qyteti”, sidomos kur hasesha me fjalët e përzgjedhura me aq kujdes dhe kumt nga autori si: tis, osh, shëlbesë, magjiplotë, gjakon, llokoçitet, ngërthehet, gjerb, ofshanë, jehu, rrëmet, tahmin, orvatet, këlshejt, oshënar, lëtyra, përjargiet, i këndellur, mugullon, përhiten, e stisur, kallp, ngashënjen, gufon, kuturis, mëtues/mëtoj, siujdhesë, zbyth, apo shpagim. Po kështu, proza në fjalë, ndonjëherë të përqafon siç vetëm poemat dinë të përqafojnë sepse janë të panumërta togfjalëshat si: “…retë nuk mund të thahen dot në tel si rroba të sapolara; …drita është e pakët, por e paepur; …kridhem në vramëndje dhe ftilloj …metafora lëbyrëse dashurie; …kish mëtuar të plazmonte shpirtin e Serbos; …shërbëtorë të kastruar; apo …avunturierë me tharm Perëndish…”
Vladimir Toroveci me këtë vepër na kujton që ashtu si çdo njeri është shpirt dhe trup, edhe qyteti ka përmasën e vet fizike dhe metafizike dhe shpirti i çdo qyteti janë njerëzit e tij jetëdashës dhe idealistët e vërtetë, të cilët shndërrohen në luftëtarë të paepur për të mbrojtur vlerat e të bukurës, të mirës dhe të dobishmes. Dhe sa i takon Korçës Lule të vlerave të shumëfishta, por edhe si shembull simbolik i kësaj vepre, Toroveci, e ndien mision të pamundur t’i thurrë ditirambe fizikës: rrugëve me kalldrëm, bulevardit me kangjella apo blireve të erëndshëm pa treguar me parë respekt dhe mirënjohje për dritën metafizike: vetë njerëzit. Për të, “flatrat e këtij shpirti janë të shtrira në të gjitha kontinentet, ku frymojnë e rropaten, bijtë e tij më të mirë…”
© Lazjon PETRI, 30 Tetor 2018
Shënim: Autori jeton në Korçë dhe punon në lëmin e përkthimit, kërkimit shkencor, mësimdhënies, udhërrëfimit dhe menaxhimit të projekteve shoqërore dhe mjedisore.
Duke shprehur respekt për Korçën, prej nga jam përgjysmë me origjinë, si edhe për autorin e librit, nuk mund të mos vë re që edhe autori i shkrimit duhej që në ndonjë rast fjalët t’i kishte përzgjedhur po me aq kujdes, qoftë edhe pa “kumt”. Po të kishte bërë kështu, nuk do ta kishte akuzuar leximin e librit për mëkim intelektual të plagëve të qytetit, në mos e ka vërtet fjalën që ky libër u jep ushqim e sisë halleve të Korçës e kështu i rrit ato. Po ashtu, 10 mijë “fjalët shqipe” të Xoxes sipas mësueses duken ca të shumta, veç në mos ka llogaritur edhe mësuesja si autori i shkrimit, si vendëse edhe ca fjalë të tilla si tahmin. Më pëlqeu edhe mua përfaqimi që proza i ka bërë poezisë jo vetëm te libri, por edhe te ky shkrimi, me “togfjalësha” të tillë si “E duket sikur ende pa larë syte, me t’u zgjuar, autori pyet”, megjithëse shpresoj të ketë larë dhëmbët të paktën, meqë për të pyetur i duhet të hapë gojën.