Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Urbanistikë

ARRATI GUSHTI

“Imagjinoni sikur në gusht Tirana të mos boshatisej nga njerëzit, por nga kullat! Qoftë edhe për një muaj, sa për të na kujtuar se si mund të ishte një qytet normal, ku njeriu ka mundësinë të ecë, sodisë dhe marrë frymë pa sakrifikuar gjë.”

Arlind Qori – nga një post në Facebook.

 

Fjali Gogoliane: Pasi u ngrit në mëngjes; nga vapa i djersitur, nga goja i vinte era qepë dhe raki të fermentuar nëpër ca kavitete që i kish lënë pas dore; pra pasi kish pirë mbrëmë me Xhaken, një tregtar sixhadesh, Nikolla shkoi të bënte një dush si përditë në këtë apartamentin e ri; kur me bisht të syve nga dritarja, pa ia regjistruar truri mirë, a thua se kish parë shkarazi në pasqyrë se fytyrës së tij të buhavitur i mungonte hunda, vërejti pa vënë re, pra, se Hotel Plaza, e vendosur në një  kullë që dukej si kosh plehrash, ishte zhdukur.

Fjali Mynhauziano-Kafkeske: Një herë, kur u gdhiva një mëngjes nga ca ëndrra të lemerishme pas një gjahu të gjatë dhe udhëtimi me kanoe, pashë se krevati i hotelit luksoz ku kisha rënë për të fjetur ndodhej në majë të një peme, në degën e ngjitur prej të cilit ndodhej minibari, dhe me tutje këmbët e një ariu që, pasi ia kisha zënë në çark andej nga zona e Librazhdit, i kishte kullufitur pa u lënë as edhe një shenjë për të shpëtuar.

Fjali Borgesiane: Alefi ishte i papërshkrueshëm, fjalët nuk mjaftojnë për simultanitetin e tij: një kullë që shkonte nën tokë po aq thellë sa ishte e lartë, një krijesë kretane arkitekture, nga brënda labirint me pasqyra, që sot e shihje në Tiranen e Vjetër, nesër në Tiranën e Re.

Fjali nga një faqe online që nuk besoj të jetë faqja e Boerit: Projekti Pylli në Ajër 2040 do të realizojë largimin e kullave dhe zëvendësimin e tyre me monumente të natyrës, të cilat i kthejnë Tiranës hijeshinë origjinale, si dhe ftojnë qytetarët të participojnë në hapësira tradicionale/moderne të përbashkëta, ku mund të dëgjohet Hajredin Pasha, të lexohet Gramshi, dhe të hahet fërgesa, njësoj siç është arritur falë projekteve të ngjashme edhe në Hong Kong, Singapor, Mumbai, Londër, LA, dhe Lima.

Fjali a la Calvino: Është një qytet në brendësi të brigjeve jugore të Detit Adriatik, përballë, ku për ferragosto, kullat shkojnë me pushime nëpër plazhet e kaltra me zall të bardhë në jug të vendit, e ku ndonjëherë, shkojne dhe në vende të tjera, ku gjithçka është all-inclusive. Në vend të tyre, pasi ngrihen tavolinat e gjata me asortimente të stinës, banorët i gjen duke bërë shëtitjen e mbrëmjes, e tek tuk, duke hedhur vallen e shqiponjave.

Fjali Kadareiane: Pasi kishin kaluar pothuaj dy vjet në vendin e Shqiponjave dhe mendonin se humorit të vendasve ia kishin marrë dorën më në fund, antropologu nga Princeton dhe gjuhëtari nga Sappienza, dëgjuan një këngë të vjetër rapsodësh për një trim malësor të ngujuar në një kullë, mbështjellthurur me një këngë tjetër për një shqiponjë që ruante një kullë; dhe ca nga vapa e gushtit, ca nga hutia e krijuar, kthyen kokat sakaq për të parë se mos me të vërtetë ndonjë shqiponjë kishte kapur kullat e qytetit kryepupthi në kthonj si ndonjë shpend xhindarak nga Një Mijë e Një Net, një shqiponjë që, në legjendat e çuditshme të këtij populli, ishte njëkohësisht edhe një zeshkane simpatike që, herëkurdoherë, rrëmbente nga nënkresa bashkeshortore ndonjë zonjë të mërzitur qytetase, të cilës i mbante fundbarku një aromë të shpenguar prej seksi femre dhe sapuni Luks.

Fjali a la përkthim i Një Mijë e Një Net nga greqishtja moderne: Pasi një kullë nga Tirana pa në ëndërr se do gjente kismetin në Emirate, u nis e shkoi, por me të arritur atje, e rrahën sa mezi mbahej në këmbë, qeshën me të sa u dolën themelet, dhe i thanë se një kullë nga Emiratet kish parë në ëndërr, toidhjo, për kismetin që do gjente në Tiranë, por udha me hiçmosgjë ëndrrash nuk merrej kështu, e kështu, u kthye kulla në vend, se si i thonë dhe llafit, kulla e rëndë në vend të vet.

Fjali Lali: Qeveria që fle, le të flejë; qeveria që punon, mbjell pemë, sjell detin këtu, çon teatrin në kullë, po dhe i çon kullat në det, dhe edhe i kthen prapë.

Fjali a la Kulla: Kur pashë një ditë që çuni i kishte marrë të gjitha kullat e Tiranës dhe po luante me to në mes të dhomës së ndenjes, i bërtita; por kur tha “Kulla Kulla, babi!” e kuptova që do bëhej starkitekt, dhe nuk e mohoj që gjithë kjo ego më bëri sa krenar po aq edhe merak.

 

Imazhi në kopertinë, © Gentian Shkurti, shkëputur nga video “mbroteatrin” – https://www.facebook.com/mbroteatrin/videos/296900667535966/

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin