Po qe se nuk do të ishin hajvanë, ata nuk do të ishin policë, thotë diku gjenerali Charles de Gaulle, gjë që ç’është e vërteta të lë një shije të çuditshme. Është shprehje që mund të qarkullojë në nivele më modeste, veçanërisht pas faturimit të ndonjë gjobe për tejkalim shpejtësie, por në gojën e një burri shteti më duket si pa kuptim. Ai i ka në dorë të gjitha ligjet dhe rregullat që policët të mos jenë të tillë. Ata që janë të prirur të mendojmë se ky mund të jetë ndonjë konstatim i bërë ne fillim të marrjes së pushtetit (që i bie menjëherë pas L2B), për t’i ndryshuar gjërat më pas, i siguroj se të gjitha frazat që sillen më poshtë gazetarë të ndryshëm i kanë shkëputur nga raporte që datojnë vitet e fundit.
Në atë çast, i dyshuari na kërcënoi duke rrudhur vetullat, thuhet në njërin prej tyre.
Kur mbërritëm ne, personi bënte sikur kishte vdekur që ne të besonim se nuk ishte i gjallë.
Goditja e dhunshme mbi kokë fliste qartë për një vdekje nga shkaqe natyrore.
Ky dialog i pafund shurdhësh vazhdoi të paktën një minutë.
Qeni u lëshua mbi ne me vështrimin kërcënues të të zotit të tij.
Nëse dritarja e zyrës së inspektorëve nuk do të kishte ndodhur e mbyllur ajo do të kishte qenë e hapur, gjë që do t’i kishte lejuar atij të ikte, gjë që fatmirësisht nuk ndodhi.
Nëntë goditjet më thikë në qafën dhe fytyrën e së vdekurës linin të besoje se nuk ishte një vdekje e natyrshme.
Kufoma e personit që na u paraqit përputhej tamam me përshkrimin e gruas që ishte parë nga dëshmitarë të ndryshëm.
Ishte tamam atë çast që i dyshuari ia këputi gjumit ndërkohë që ne e kishim marrë në pyetje.
Atëherë vumë re se ankuesi ishte ankuar thjesht nga kënaqësia për t’u ankuar.
Me t’u marrë në pyetje nga ne, personin kërcënoi se do të na përgjigjej nëse do të vazhdonim ta pyesnim.
Ai na tregoi gjithë të vërtetën, që nuk ishte tjetër veçse një varg gënjeshtrash.
Personi nuk pranonte që na kishte gënjyer, duke pohuar se kishte vdekur.
I arrestuari priti sa të mbaronte ushqimin e tij që të fillonte grevën e urisë.
Ai refuzoi të na paraqiste letër-njoftim që nuk e kishte.
Nuk kishim veçse dy shanse mbi dy që operacioni të kishte sukses, prandaj parapëlqyem që të prisnim përforcimet.
Personi deklaroi tekstualisht se refuzonte t’u fliste « budallenjve si ne » dhe për të njëjtën arsye refuzonte t’i fliste edhe gjykatësit ku deshëm ta dërgonim.
I akuzuari pranoi se me sharrë elektrike ka prerë për përdorim personal, afër monumentit kushtuar të rënëve, shumë drurë qindravjeçarë, nga të cilët disa sapo ishin mbjellë.
Thirrja e ankueses u regjistrua në mesnatë, rreth orës 11 të paradites.
Personi na foli për atë punën e tij, që nuk ishte fort e madhe në fillim por që ai mundi ta rrisë falë së shoqes.
Personi që na ndriçoi në këtë mesele, punonte në ndërmarrjen elektrike (EDF).
Ai gëzonte famën e këndshme të mashtruesit.
Sirtari i arkës së dyqanit ishte krejt bosh, si të mos kishte brenda asgjë.
Duke parë rrethanat, ne u shtrënguam të arrestojmë të dyshuarin në mungesë të tij.
I interesuari nisi të na japë detaje të panumërta për të na vërtetuar se nusja e tij ishte tamam vjedhësja e gruas së tij.
Kur zbuluam trupin e tij, i vetëvrari kishte pamje të shqetësuar.
Personi ishte përpjekur të thyente të gjitha daljet e gruas, pa mundur të hynte.
Vetëm autopsia mund të na thotë nëse personi është ende gjallë.
Nëna, jo vetëm që nuk kishte vdekur, siç mëtonin fëmijët e saj, por ka prova se ajo është gjallë.
Personi nuk reshtte së foluri për “gruan e tij fatkeqe”, ndërkohë që ishte ai që i kishte ngulur 37 herë thikën në qafë e kraharor.
Arkëtarja ishte fort e padyshueshme që të mos ngjallte dyshimin tonë.
Personi ishte varur pasi kishte prerë fytin.
Sipas dëshmitarëve, aksidenti nuk do të kishte ngjarë, po qe se viktima do të kishte qëndruar në shtëpinë e tij.
Është fort e mundshme që e vetëvrara të jetë vrarë në mënyrë të ulët.
Personi na cilësoi ne si idiotë, të ndyrë, plehra e qelbësira pa mundur që ta përgënjeshtrojmë.
Në vazhdim të grevës pa afat që filloi të hënën në 8.00 dhe përfundoi në 10.00, nuk ndodhi asnjë aksident.
Gruaja na kërcënoi se do të na ndiqte penalisht për shpifje sepse ne nuk i thonim të vërtetën që ajo nuk donte ta dëgjonte nga goja jonë.
Goditja që kishte marrë nga afër i kishte zhytur gjysmën e dhëmbëve në veshë.
Nga trupi i viktimës në vendin e ngjarjes nuk kishte mbetur veçse një këpucë e numrit 41.
I ndjeri e njohu formalisht vrasësin e tij.
Meqenëse gruas i kishin prerë kokën, për ne fatkeqësisht ishte e pamundur t’i vinim një emër fytyrës së saj.
Nuk u konstatua asnjë dëm tjetër veç një viktime.
Sipas thënieve të veta, burri kishte vdekur diku te ora 16.30.
Grindja ka vënë përballë dy kundërshtarë politikë, që nuk binin në një mëndje përveçse për t’u rrahur me njëri tjetrin.
Pasi u arrestua nga ana jonë, personi më në fund ishte i lirë që të fliste.
Vetëm pak dëme materiale u vërejtën mbi trupin e kufomës.
Personi nuk dukej se e kishte menduar vrasjen që bëri me paramendim.
Megjithë të shkuarën e tij si bukëpjekës, personi ishte varur në litar…
Pas identifikimit, trupi iu kthye familjes, nga e cila nuk gjetëm asnjë gjurmë.
Rahmetliu konfirmoi që vrasësi i tij kishte vepruar vetëm.
Nga plagët e rënda, vitrina u shkërmoq e gjitha.
Dy tunizianë kanë kërcyer mbi dy vajza 11 vjeçare , dje në ora 11.30, në rrugën e Aix. Ata u rrëmbyen shamitë e tyre.
Personin e quajtur Martin e kishin goditur aq përdhunshëm, sa ai erdhi në vete.
Treshja e kusarëve ishte e përbërë nga katër burra me origjinë afrikane.
I dyshuari ishte i pa strehë, policët mundën ta kapin kur doli nga shtëpia e tij.
Personi që kishte vjedhur tulet në dyqanin e bukës, ia kthye pastaj atyre të bukëpjekëses.
Ai mbante një paruke, për të na bërë të besonim se ishte tullac.
Personi kishte hyrë në një gjendej zemërimi të dhunshëm nga ku doli që të hynte prapë…
Burri kishte ruajtur gjakftohtësinë dhe kishte sistemuar në frigorifer me kujdes copat e trupit.
Të mbyllura ditë e natë në një errësirë të plotë, kafshët fatkeqësisht nuk e shikonin dot jetën me ngjyra të gëzueshme.
Personi mëtonte si nuk ndihej rehat nga seksi i inspektorit që ishte femëror
Përplasja ishte pa ndonjë qeder të madh edhe pse u desh të raportoheshin dy të vdekur.
Gjithçka duket në rregull! 🙂
Ma ka qejfi t’u hedh nje sy atyre proces verbaleve te policise shqiptare, por nuk e di si behet kjo pune.
Shumë e thjeshtë: mjafton t’i kërkosh dhe ata nuk t’i japin! 😀
Nuk eshte per t’u habitur ne kushtet e kesaj fare kakistokracie, megjithse nuk e di se ku mund te gjenden ca me te mire.
S’ka nevoje te lexosh procesverbalet e policise. Mjafton te lexosh shkresat zyrtare qe botojne online ministrite dhe administrata shqiptare, si edhe postet e politikaneve ne rrjetet sociale. “Policet” ne i kemi ne qeveri.
Une nga ana ime nuk e di nga e si me erdhi ajo fjale me siper. Me siguri kam dashur te flas per kanabikracine edhe pse zakonisht nderroj rruge kur gjendem para neologjizmash.
Koncepti i «demokraturës» i përket vitit 1987 dhe është sendërgjuar si fjalë nga sociologu francez Gérard Mermet, duke bërë bashkë fjalët demokraci dhe diktaturë, në veprën e tij me të njëjtin emër: Démocrature : comment les médias transforment la démocratie (Demokratura: si e shndërrojnë mediet demokracinë). Koncepti është marrë dhe zhvilluar nga Max Liniger-Goumaz në vitin 1992: La démocrature, dictature camouflée, démocratie truquée (Demokratura, diktaturë e kamufluar, demokraci e trukuar). Ndërsa në lidhje me komentin lart, forma e duhur e fjalës do ishte «kanabokraci» (κανναβοκρατία).
Ke te drejte Edion, shkon me mire kanabokraci se sa kanabikraci.
Ketu me poshte po sjell formulimin tim per termin demokrature, nxjerre nga nje liber i imi qe eshte botuar me shume se dhjete vjet me pare ne Tirane (Fjalor i Politikës fq.130).
Demokraturë, term i formuar nga demokraci e diktaturë. Së pari u përdor aty nga vitet ’70-’80 si përcaktim për regjimet politike të disa vendeve afrikane që thonin se kishin vendosur demokracinë por duke ruajtur metodat diktatoriale të qeverisjes. Jo rallë është përdorur edhe në shtypin perëndimor, veçanërisht ai i krahut të majtë për të denoncuar veprime a qëndrime autoritariste. Në shtypin e majtë shqiptar u përdor së pari në vitet e parë të qeverisjes së PD, ndërsa u vërejtën raste kur forcat e policisë shpërndanin me dhunë mitingjet e opozitës socialiste, nisur nga fakti se për organizimin e tyre nuk ishte marrë leja përkatëse.
Shoh se përherë e më shumë politika na vjen e përthyer nëpër prizmin e medieve dhe jo drejtpërdrejt. Mund ta ilustroj këtë me një shembull, numri i njerëzve që shkojnë në një miting apo protestë, është shumë herë më i vogël se numri i njerëzve që shohin një emision informativ apo të njëjtën ngjarje, veçse të pasqyruar në televizor. Kjo besoj i ka dhënë medias pushtetin që ka sot, titullin e “pushtetit të katërt” – pushtetin e mjeteve të komunikimit si instrumente të jetës demokratike të bazuar mbi tri pushtetet: atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.