nga A.A.B.
Është gjynah i madh, vërtet, mënyra sesi janë rimarrë nga shtypi disa fotografi të nxjerra në Facebook, në profilin e tij vetjak, nga I. Demaliaj[1]. Me ketë nuk dua të them, fjala vjen, mungesën e qëllimtë të kontekstit historik me të cilin duhet të servireshin këto fotografi, apo vetë natyrën kryekëput gënjeshtare të botimit të diçkaje që është, gjithsesi, në domenin publik dhe lehtësisht e aksesueshme nga çdokush (origjinali i materialit është “gjetur” në Drejtorinë e Arkivit të Shtetit), apo, disa herë më e rëndësishme, ahistorizmin e analizës, nëse mund t’ia lejojmë vetes përdorimin e termit, që përdoret në linçimin e personazheve të kësaj përralle të shpluhurosur rishtas.
Më kujton, në njëfarë mase, groteskun e zhvarrimit të Salvador Dalí-së pak kohë më parë për të vërtetuar mëtimet e atësisë së një fallxhoreje në të gjashtëdhjetat nga një qytezë aty pranë[2]. I plotë deri edhe me hollësinë oh-sa-pikante të mustaqeve të kreshpëruara si akrepat e orës në 10:10, të cilën na e konfirmon (“Është një mrekulli”) balsamosësi i tij i dikurshëm, ngjan si dy pika uji me qasjen e gazetarisë shqiptare ndaj status-it të I. Demaliajt. I vetmi ndryshim është që atje, në Figueres të Katalonjës, dëshira për ta demonizuar Dalí-në nuk është kaq e përflakur sa në Tiranë.
Kështu, ashtu si çdo vit tjetër, djalli i rastit në kryeqytet është I. Kadare—me kalimin e kohës, fillon të dyshosh se mos kjo këmbëngulje për t’ia prishur me çdo kusht pushimet verore një tetëdhjetë-vjeçari është ndonjë mënyrë tipikisht ballkanase për ta ngushëlluar për mosmarrjen e Nobel-it. Ndërsa krimi i radhës, e pabëra që nuk duhej të na nxinte goja, është një letër që ai i ka shkruar Sekretarit të Parë të KQ të PPSh, emri i thjeshtë vdekatar i të cilit realisht nuk i hyn më në xhep askujt. Në këtë letër dhjetë-faqëshe të shkruar me dorë, bulçitë e sterrosura të autorit lëshojnë thagmat më të pabesa e anatemat më të zeza të mundshme kundër familjarëve të tij shumë të afërt. Dhe kujt se? Pikërisht motrës Kadrie, një krim që padyshim do të meritonte rrethin e tij të posaçëm në Ferr, po të ishim ithtarë të konceptimit të Dantes mbi këto punë.
Ky, me pak fjalë, ishte synopsis-i.
Është për të ardhur keq vërtet, siç shkruaja më lart, që ishte kjo historia që zgjodhën të lexojnë mes rreshtave e pastaj të deklamojnë lart e poshtë organet e shtypit kryeqytetas. Mendoni për një çast: kemi këtu një komunikim të drejtpërdrejtë e origjinal nga intelektuali me peshë më të rëndë në Shqipërinë socialiste për vetë Diktatorin. Jo vetëm kaq, por ky komunikim i përket periudhës kur disidenca—gjithnjë e diskutueshme—e këtij të parit nuk ishte trajtësuar ende (fillimi i viteve ’80), pra është në zemër të ambiguitetit për të cilin akuzohet marrëdhënia e tij me regjimin totalitar të vendit. Ky dokument do të duhej të ishte ëndrra akademike e çdo studiuesi të periudhës apo cilitdo prej personazheve, nec plus ultra në analizën tekstuale të komunizmit të vonë shqiptar dhe marrëdhënieve të tij shoqërore.
Në vend të kësaj, një asgjë e madhe. Jepet tejshkrimi i tekstit integral, natyrisht me ndryshime jo të pakta nga dorëshkrimi, si dhe një sërë citatesh “përkeqësuese,” dëshmitarë të prurë nga shtjellat e historisë për të denoncuar keqbërësin. Këto të fundit, madje, duket sikur janë marrë më tepër prej përmbledhjes së shkurtër të letrës që ka përgatitur kancelaria vetjake e shokut Sekretar të Parë për të zotin, sesa nga vetë letra e I. Kadaresë. Si rrjedhojë, duke u përpjekur të lëmë mënjanë syleshtësinë karakteristike, propozoj një lexim të ri të letrës në fjalë.
Në pamje të dytë, letra është edhe më ndjellëse. Bëhet fjalë për hiç më pak se një autokritikë të Kadaresë, paçka se kjo ka rrëshqitur në paraqitjen redaktoriale të letrës për lexuesit. Një autokritikë jozyrtare dhe johierarkike, që nuk ndodh, si rëndom, në një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve në prani të kolektivit, por në një korrespondencë vetjake me Udhëheqësin. Pjesa standarde e saj, me “kritika të drejta” e “ndreqje” e “vepra që i shërbejnë kohës,” zë tre faqet e para. Autori i ka pranuar kokulur të gjitha kritikat që i ka bërë Partia, edhe kur këto kanë qenë të padrejta apo të tepruara, e vetëm tani, kur sheh se këto mund t’i pengojnë punën krijuese për popullin, ai vendos të shprehë shqetësimin e tij.
Kadare bën disa akrobaci të hatashme me ato që shkruan. Paralelisht me autokritikën e thelluar, ai kritikon disa rrethana “objektive” që mund të kenë shkaktuar disa teprime në qortimet që i janë bërë. Përmendet, për shembull, një “pasion për destruksion të veprave letrare” i disa të paemërve që u bien në qafë krijimeve të Kadaresë edhe kur këto kanë dalë me dobi për socializmin. Kjo dukuri shqetësuese barazohet pastaj me një sulm ndaj “dëshmisë së kohës” që përbëjnë këto vepra, njëfarë mbrojtjeje konservatore e hierarkisë së vlerave ekzistuese ndaj një relativizimi të mbështetur tek e panjohura e së ardhmes. Sado interesant paradoksi filozofik i një qëndrimi të tillë, elementi kyç i argumentit të Kadaresë është ai që marrësi i letrës është vetë koha. Narcizizmi, po aq sa interesi vetjak i Diktatorit do të ndalojë sulmet ndaj veprave sepse ato lexohen si sulme të tërthorta ndaj vetë tij.
Më tej, dalim më në fund tek shqetësimi i madh që ka shkaktuar dërgimin e letrës. Shkrimtarit (deri atëherë) të përulur të Partisë e të popullit i janë refuzuar dy herë rresht kërkesat për të udhëtuar jashtë shtetit, në Francë. Herën e parë ai nuk ishte shqetësuar shumë, mosaprovime të atij lloji nuk ishin të pazakonta. Sidoqoftë, herën e dytë, për shkak të rrethanave të veçanta (që përshkruhen me hollësi të madhe në letër), Kadare kish pësuar një tronditje të konsiderueshme. Mbërritur në përfundimin e pabesueshëm se përkiste “në numrin e atyre njerëzve për të cilët mungon besimi për t’i çuar jashtë,” ai kish kuptuar se ndikimi i forcave shkatërruese në letërsi po bëhej kritik për veprimtarinë e tij krijuese.
Kadare e lidh këtë mosbesim të theksuar të Partisë ndaj tij me një incident të vitit të mëparshëm (1979), që përfshinte motrën e tij. Pas thirrjes së saj në hetuesi për arsye se shprehej “keq politikisht,” i vëllai thirret në Komitetin e Partisë së Tiranës për t’iu kërkuar të mbajë qëndrim ndaj sjelljes së të motrës. Këtë ai e bën menjëherë, duke e siguruar sekretarin Xh. Gjoni se do të bëjë ashtu si i kërkohet. Në letër ai shton se, që nga ajo kohë, i ka ndaluar të motrës të vërë këmbë në shtëpinë e tij dhe se ka njoftuar “gjithë fisin” për shkarjen e saj ideologjike.
Pikërisht këtu, në sqarimin e imbroglio-s së të motrës, Kadare thotë fjalinë me frazat e shumëcituara dhe –kritikuara se “ [f]atkeqe në jetë nga pamartesia, maniake depresive dhe me nerva të çekuilibruara, prej saj mund të pris[te] çdo gjë.” Kjo deklaratë, sido ta marrësh, nuk duket mirë. Nga ana tjetër, duke patur parasysh se pakujdesia e të motrës ishte e të atillave përmasa sa ajo ishte denoncuar dhe thirrur në hetuesi, e se ishte marrë vesh nga instancat më të larta të Partisë, optika jonë duhet medoemos të ndryshojë. Vetë jam i prirur të besoj se një portretizim i tillë i një njeriu me probleme psikike, megjithëse mizor në dukje, ishte diçka më i dhembshur se mospërpjekja e plotë për të justifikuar dobësinë ideologjike që mund të kishte pasoja deri kriminale për shoqërinë e kohës.
Të kuptohemi drejt, nuk po them se ishte fort e mundshme që motra e I. Kadaresë, në një kohë (1980-n) kur ky kishte arritur pjekurinë e tij artistike dhe famë europiane, të dëbohej në ndonjë fshat të humbur të Myzeqesë, të internohej në kampe apo të burgosej. Sidoqoftë, ishte lehtësisht e mundshme që ajo të “qarkullohej” në ndonjë rreth, vetëm apo familjarisht, dhe po ky rrezik i avitej me qartësi rrënuese të vëllait. Jo pa një lloj shejtanbudallallëku, ai mëton që “[f]akti që… midis atyre që shaheshin isha edhe unë, vëllai i saj, bashkë me librat e mija, tregon esencën e saj.” Arma më e fuqishme kundër kritikuesve që paskan përdorur “cenin” e sapogjetur familjar, me pak fjalë, ishte pikërisht përfshirja e vetë Kadaresë në bashkësinë e të sharëve prej të motrës. Gati-gati si thërrmijat e hekurit me një elektromagnet.
Si shpjegon keqkuptimin që mendon (lexo: është plotësisht i bindur) se i ka shkaktuar ndalimin e udhëtimeve jashtë shtetit, Kadare rreshton arsyet bindëse dhe objektive që e bëjnë të nevojshme shkuarjen e tij në Paris. Është duke përfunduar skenari i “Il generale dell’armata morta” dhe pala franceze pat sjellë dorëshkrimin e tij në Tiranë për t’u shqyrtuar nga autori[3]. Autori kërkon shtyrjen e takimit me disa javë që të ketë mundësi, bashkë me grupin e punës, të bëjë vërejtjet dhe sugjerimet e nevojshme në skenar. Pala franceze pranon kërkesën e palës shqiptare. Kur komentet përgatiten dhe skenari i ripunuar në Tiranë është gati, mendohet që ka ardhur koha për takimin e dytë. Këtu ngec karkaleci dhe autori nuk lejohet të shkojë në Paris për të kopsitur skenarin.
Në radhë të parë, të gjitha ndryshimet e bëra në Shqipëri ishin “për paraqitjen sa më të mirë të luftës Nacionalçlirimtare dhe të pozitës së Shqipërisë së sotme në botë, dy nga motivet më të rëndësishme e delikate të këtij filmi, i cili mund t’ishte mjaft aktual për situatat e tanishme.” Këtu i bëhet thirrje e drejtpërdrejtë raison d’état et du parti-së hoxhian për të shfrytëzuar jehonën e një filmi të tillë vetëm pak kohë pas prishjes përfundimtare me Kinën. Sikur të mos mjaftonte kjo, zbulojmë se “janë të paharruara sugjerimet për këtë film që rasti i mirë e solli t’i dëgjoja drejt për drejtë prej Jush tetë vjet më parë dhe të cilat kanë shërbyer si kriter bazë për punën tonë me kineastët e huaj.” Origjina e kësaj mundësie të artë për propagandën e vendit të vetëm socialist në botë del pikërisht tek Udhëheqësi i tij, edhe në qoftë se ky i fundit nuk e mban më mend. Fundja nuk mund të ngrijë për mungesë partishmërie të një individi një nismë që e ka ngjizur vetë.
Nëse dy prej arsyeve që Kadareja i paraqet Diktatorit duken relativisht të lehta për t’u kuptuar dhe të qarta në qëllimin e tyre, ka dy të tjera që janë disi më të errëta në interpretim. Duke dashur ta mbushë përplot me argumente përfundimin e tezës së tij, ai nxjerr nga hiçi një deklaratë se “marrja vesh me korrespondencë për një gjë kaq delikate, e sidomos kur ishte fjala për krijues që përfaqësojnë dy arte të ndryshme, është pothuajse e pamundur.” Fjala duhet të jetë për letërsinë dhe filmografinë, e vështirësinë që këto të dyja duhet të kenë për t’u marrë vesh me njëra-tjetrën. Si fjali, tingëllon tipikisht kadareane. Si argument logjik, mund të jetë dukur fare i përshtatshëm për Sekretarin e Parë kulturalisht autodidakt. Si e vërtetë retrospektive, është krejtësisht e rrejshme kur vjen thuhet nga një skenarist jo pak prolifik shqiptar për disa skenaristë të tjerë, veçse francezë.
Pak më poshtë, edhe më mistershëm, Kadare shkruan “praktikisht hiqej dorë nga mundësitë që na jepeshin për përmirësimin e skenarit, zëvendësohej diskutimi i gjallë me një dërgim formal vërejtjesh, me një fjalë, pas tetë vjet përpjekjesh, në momentin deciziv abandonohej skenari.” Në këtë argument të fundit vihemi përballë një mishmashi ligjërimi komunist. Dikotomia “diskutim i gjallë-vërejtje formale” jep kontrastin e përshtatshëm midis dialektikës së shëndetshme marksiste dhe praktikave të fosilizuara borgjeze, që nuk i përshtateshin kohën. Ndërsa tetë vjetët (vini re: që nga këshillimi i parë me Udhëheqësin gjithashtu), kanë diçka nga planet pesë-vjeçare dhe statistikat e prodhimit industrial të folësve të RTSh-së. Megjithëse, duke marrë parasysh klimën politike të kohës, mund të kenë qënë disa herë më vendimtare nga ç’duket në pamje të parë.
Në mbyllje të letrës së tij, Kadare vendos edhe qershinë: veprën që ka në dorë atëbotë, pjesën e fundit të një trilogjie romaneske. Tjetërkund, ai e ka paraqitur këtë triptik me titullin “Koha e grindjes.” Pjesa e tretë, natyrisht, i bie të jetë “Koncert në fund të dimrit,” çuar për botim ditët e vetëvrasjes së kryeministrit Shehu, pra rreth një vit e gjysmë pas letrës. Kapitulli i parë i tij, siç do t’i kujtohet me siguri ndonjë lexuesi, është për zemëratën e madhe të Mao-s ndaj letrës së KQ të PPSh për vizitën e Presidentit Nixon në Pekin. Karremi më i shijshëm është vendosur strategjikisht në fund të letrës, e përmendur veçse shkarazi për të stimuluar kureshtjen e të plotfuqishmit që do ta lexonte. Nuk ka asnjë dyshim se portreti më i famshëm e jetëgjatë që iu bë në të gjallë të tij ishte ai i personazhit “Enver Hoxha” tek ‘Dimri i vetmisë së madhe.” Përse jo sërish, aq më tepër sikur shkrimtarit t’i lejohej hyrja në arkiva një herë të dytë? Mund ta pengonte vërtet një autorizim për një rrugë në Francë këtë?
Kështu, me një përzierje zgjuarsie, partishmërie të shtirur ose jo, joshjeje për megalomaninë e pashtershme të Diktatorit dhe modestie të simuluar komuniste, I. Kadare siguronte ekzistencën e tij rutinë si shkrimtar pranë shtetit dhe Partisë në vitin 1980. Sa i llastuar aq dhe i rrezikuar, prej vetë rrymave të nëndheshme që përbënin monolitin e diktaturës së proletariatit, instrumenti i mishërimit artistik të revolucionit kërcente një tango të ndërlikuar me bijtë e lavdishëm të popullit. Në këtë tablo, elementi familjar ishte një mes të shumtëve, vdekjeprurës në kuptimin e tij më të plotë, por detyrimisht i nënvleftësuar në shumicën e rrethanave të tjera. Mund të argumentohet që, në formën e vet më të përparuar, komunizmi shqiptar nuk do të duhej të njihte familje përveç atyre të armiqve.
Në këtë rrjedhë edhe kjo histori e Kadaresë, më tepër një tregim jo shumë emocionues, por intelektualisht interesant mbijetese sesa një faqe e zezë në analet e shthurura të furrës totalitare.
[1] http://www.lapsi.al/lajme/2017/07/28/letra-e-kadares-p-r-enverin-mohon-t-motr-n-se-fliste-keq-politikisht
[2] https://www.theguardian.com/artanddesign/2017/jul/20/salvador-dali-remains-exhumed-paternity-case
[3] Ky udhëtim i palës franceze erdhi si rrjedhojë e një detyrimi kontraktual. Për fat, origjinali i kontratës në shqip duket se është ekspozuar në “Shtëpinë e Gjetheve.” Edhe për më shumë fat, nuk e kam parë të përmendet ende në lidhje me letrën, edhe qoftë sa për verifikim.
Mua ajo leter m’u duk shume e merzitshme, autokritike-mbrojtje, ankese-kerkese.
Gjithe strumbullari, me lini te shkoj ne France se une edhe motren time kam mohuar per t’i demostruar Partise- Enver qe jam i denje per te shkuar ne France.
Kujdesi maniakal i Kadarese per vepren dhe emrin e tij, gjen nje tjeter konfirmim tek letra.
Une per vete, pres prej tij qe keto vitet e fundit, te dale ne pension si shkrimtar e te shprehet si intelektual publik, te pozicionohet qartazi dhe haptazi kunder gjithe klases politike, mafies ekonomike dhe çdo pseudoanalisti e pseudointelektuali, te dale edhe kunder Cilit, t’i kontestoje dhenien e çmimit me emrin e tij, se kjo gje duhet ta turperoje.
Tani te hedhe bomben atomike, ate qe nuk guxoi ta beje ne komunizem e nuk guxoi ta beje edhe keto 27 vjet qelbesirllek e horrllek te gjithanshem.
Kete pres une nga Kadareja, pushimet le t’i kaloje te mbara, po Shqiperia ka nevoje per angazhimin e tij pertej dimensionit si shkrimtar. E di qe pres te pamunduren, si i thone prit gomar te mbije bar, por shpresa vdes e fundit.
Ndërsa unë, i dashur Hyllin, kërkoj vetëm mundësinë e të rilexuarit të ndonjë romani të parapëlqyer të tij në paqe, e magjepsjen rishtas me tekstin për ndonjë arsye gjithnjë të re. Sikur të tregohesha pak më egoist, mund t’i shtoja listës ndonjë takim rastësor në Jardin de Luxembourg për ditë me diell, por vetëm kaq.
Megjithatë, të mos lëmë një mospërputhje të thjeshtë mendimesh të ndikojë në kënaqësinë e kulluar që prodhojnë veprat e atij njeriu në një numër kaq të madh njerëzish, midis të cilëve edhe unë, a nuk mendoni?
Me fal A.A.B, por per mendimin tim Kadareja ne pension ka dale qe me Darken e Gabuar, ne kuptimin e vleres se shtuar ne aspektin artistik, pavaresisht se une ende nuk e quaj ne pension, se ate akt duhet ta ndermarre vete Kadareja.
Une dakort kam qene dhe jam me teorine qe persa kohe jep nje vlere te shtuar nga ana artistike, te beje sikur shqiptaret nuk ekzistojne, s’kane halle pafund etj. Te pakten te bente ndonje veper qe t’i hapte telashe me keta te sotmit, sikunder beri ca vepra qe i hapen telashe me regjimin komunist.
Ka kohe qe vleren e shtuar mund ta jape si intelektual publik, por edhe tani eshte ne kohe, ne kuptimin e me mire vone se kurre. Nuk eshte se Kadareja nuk eshte marre pas Darkes se Gabuar, me gjera te tjera te natyres intelektuale, por nevoja urgjente eshte tjeterkund. Skenderbeu mbrohet vete dhe per aq sa duhet e mbrojme vete, halli eshte po ne kush na mbron. Kur them ne flas per shoqerine shqiptare ne pergjithesi, per shqiptarin mesatar. Edhe rrugen perendimore e kemi te destinuar qe me Rilindjen e shpalljen e Pavaresise, sado t’i bejme bisht atje do perfundojme, nuk eshte se perben ndonje fenomen te brishte, pesha qe ushtron Perendimi mbi hapesire-kohen dhe afersia jone me te eshte e atille qe s’kemi nga levizim, sado te kemi flutuacionin si gjendje te natyrshme..
M’andej, ketu s’po i lene gje apo sekret pa i nxjerre, te verteta e shpifje bashke, po bejne qe nga pikepamja njerezore te dale si dordolec, Edhe sikur te ruhej deri me sot nga te ashtuquajturit skelete ne dollap, tashme figura e tij humane eshte shume e demtuar. Nga pikepamja e mirefillte egoiste, personi kalon ne sulm te hapur, nuk po them ta beje se e do Shqiperine me shume se veten, tashme kete s’e beson njeri dhe as ia kerkon njeri, ta beje edhe per veten e vet, po te levize.
Ne kemi pase emigracion dhe intelektuale ne emigracion perhere, nga Rilindja deri me sot, i vetmi brez i lodhur , me perjashtimet e duhura kuptohet, eshte ky i sotmi. Sigurisht qe vjen nje pike e lind pretendimi edhe ndaj Kadareje, kur ky vjen mosha dhe nuk e takon me dot Muzen, le te themi Kaliopin, sepse emigrant eshte edhe ai, vendqendrimin fiks e ka ne Paris.
Ne fund te fundit, secili ben si i do kokrra e qejfit, nuk eshte se po nuk e pranoi deri ne fund te jetes se tij kete pergjegjesi Kadareja, ne do zhdukemi, as nuk po them qe Kadareja eshte Cincinnatus-i shqiptar, thjesht mendoj se eshte nje pritshmeri legjitime, nga ai qe mbajme si Biri i Zgjedhur.
Ismail Qemali ishte figure e dores se dyte ne kohe te vet,si nga pikepamja intelektuale, si nga pikepamja politike se ka qene i rrymes autonomiste gjithe jeten, por ne pleqeri mori persiper shpalljen e Pavaresise, dhe kjo normalisht qe e ngre ne piedestal. Ka disa detyrime ose pergjegjesi, qe dikush i merr e dikush nuk i merr, kjo eshte zgjedhje e lire e kujtdo, por edhe pritshmeria ne kushte te caktuara eshte legjitime.
Ne kete kuptim eshte nderhyrja ime, po te me falet nqs kjo prish rendin estetik te gjerave; Noli t’i bjere violines.
Asnje mirenjohje per ate mbajtje gjalle te shpreses se ishte e mundshme kundervenja ndaj diktatures; per krenarine se kishim edhe ne nje shkrimtar te permasave boterore; per ate pike referimi te fuqishme nga ana artistike te kujtdo qe merrte penen te shkruante (pas dukurise Kadare ndryshonin kerkesat ndaj vetes, synonin me lart). Asnje mirenjohje, pra, per vepren e tij qe zgjonte nje shoqeri te rene ne letargjine qe sjell shpelarja e truve, per kete “cudi”, per kete mrekulli qe u shfaq ne mjedisin tone kulturor e letrar e qe qe nje fat i papritur per bashkekohesit e pashprese. Ne vend te mirenjohjes, prozvalje. Megjithate, asgje nuk e ben dot me te vogel nje shkrimtar kaq te madh. Te gjithe do te harrohemi.Por jo emri dhe arti i Kadarese
Besi,
në qoftë ky koment i juaji në lidhje me mënyrën si u botua vend e pavend ajo letër, mund të mirëkuptoj deri diku indinjatën tuaj, por jo më shumë. Ajo çka thoni nuk ka aspak lidhje me këtë debat, madje as me debatin në përgjithësi.
Vlerat e Kadaresë janë ato që janë e mund të interpretohen në gjithëfarësoj mënyrash. Atë tuajin mund ta shprehni gjerë e gjatë në medium-in tuaj të preferuar. Për veten time, refuzoj në mënyrë kategorike që të futet cilido midis meje dhe Kadaresë “tim,” ashtu si çdo lexues tjetër i ndikuar në atë masë e që në moshë fare të re prej veprës së tij.
Nëse nuk është kështu dhe ju, në të vërtetë, e keni fjalën për shkrimin tim, atëhere mund vetëm t’ju them se nuk e paskeni kuptuar gjësend prej tij dhe t’ju uroj një ditë të mirë. Pikëvështrimet tona përkatëse janë aq larg sa të bëjnë çfarëdo marrjeje vesh gati të pamundur.
Sidoqoftë, e vlerësoj faktin e kësaj mbrojteje tuajës të Kadaresë, pavarësisht mënyrës që zgjodhët për ta realizuar.
Një shtesë
Lexoj tek Kastriot Dervishi se K. Kadare paska qenë, në fakt, e ndjekur nga Sigurimi i Shtetit që prej nëntorit 1976. Fillimisht si e dyshuar për agjenturë të huaj e më vonë (shkurt 1977) për agjitacion e propagandë. “Përpunimi aktiv 2A,” dmth ndjekja, ka vazhduar të paktën deri më 3 gusht 1978, që është data e saktë e thirrjes së saj në MPB për këshillim – jo 1979 që citoja unë prej I. Demaliajt.
Kjo vërteton tezën e shprehur në shkrim se letra e botuar ka qenë një përpjekje nga ana e të vëllait për ta shpëtuar. Nga ana tjetër, më duhet të pranoj se e kam nënvlerësuar rrezikun që i kanosej znj. Kadare, e cila del të ketë qenë goxha pranë burgimit të mundshëm.
Kjo sa për informacion plotësues, në interes të lexuesve që mund të ketë patur shkrimi i mësipërm.
Ka qene nje deputet i djathte nga Gjirokastra, i cili te krijonte pershtypjen se nuk kuptonte shume. Me nje fletore ne dore ne komisionet parlamentare, degjonte, levizte syzet sikur kishte veshtiresi ne lexim, nuk ngrinte zerin, mbante shenime te gjata dhe bente pyetje. Ky ishte nga ata qe nuk para binin ne sy. Kjo shkujdesje si prej te hutuari dekonspirohej kur merrje vesh se edhe per te futur ne pune nje kusheri te vetin ne Gjirokaster, nuk vepronte duke kerkuar drejtperdrejt apo duke ushtruar ndikimin, se keshtu do ja zinin per nder, por i kerkonte te interesuarit, apo ndonje tjeteri qe te shkruante nje leter, ta niste drejt selise qendrore te partise dhe ky aty me ta marre ne dore do “binte ne kontakt” me hallet e bazes dhe do ankohej se “shiko se cfare maskaralleqesh behen mbi njerezit tane”.
Me kete rast edhe kusheriri rregullohej ne pune, por edhe deputeti mbetej parimor. Pastaj kur merrej vesh kjo mesele, kishte kaluar ca kohe.
Te djathtet tregonin nje histori se edhe i ati i ketij, apo xhaxhai, keto marifete bente. Pas luftes, si i njohur i vjeter i Enver Hoxhes dhe duke kuptuar cfare po ndodhte, vendosi qe te hiqej si shurdh. Jo beot fare, por sikur s’ishte me ai qe kishte qene. Tani anekdoda e kerkon qe kete esnafllek ia pikasi Hoxha(qe e dinte por kiste bere vete autikun per vite te tera ne kete drejtim) gjate nje vizite ne Gjirokaster, teksa kur e thirri ne emer ky vazhdoi lojen. Por xhaxhi Enver i doli ne skene dhe ia duatrokiti skecin dhe ia njohur meriten. Keshtu mbaroi edhe ky siklet prej aktori sa kohe qe edhe njerezia pane se i Madhi e mbylli ate hesap.
Keshtu me duket mua edhe kjo letra e Kadarese. Zgjidhje kolaqi(pa te keq) perballe nje kolaqi tjeter qe kupton shume mire. Kadare pranon te paguaje cmimin me shkrim dore, duke vendosur lidhje Lart fare. Pranon mbrojtjen nga Lart, duke lene te kuptohet se edhe rrufete vetem andej mund te vine. Kakuja eshte ketu viktime e paraprogramuar, pavaresisht se do kishte apo jo tipin qe ka. D.m.th dua te them qe ky eshte nje lexim – komunikim qe kalon nga nje lloj kodi i mbyllur gjirokastritesh me shume sesa Diktator – Shkrimtar qe del ne plan te dyte. Ndaj edhe kur del ne mexhlis nje leter e tille duhet nje cike nje shpjegues dialekto-zakonor perpara se te kualifikohet ne te tjera kritere. Kadare besoj e ka ditur se letra do arkivohej dhe e pranoi oferten bashke me cmimin. Eshte episod psikologjik kurioz perderisa eshte shume serioz ne nje vend hajvanesh dhe karagjozesh.
Mjaft e gjetur ideja e kodit të mbyllur. Kam përshtypjen se asnjëri prej dy gjirokastritëve nuk ia hidhte dot tjetrit. Me një fjalë, luanin ping-pong duke e parashikuar gjuajtjen e radhës të kundërshtarit. Kuptohet që topi ishte i Të Madhit.:)
Hipoteza që parashtroni më intrigon – madje, më duket një qasje goxha e vlefshme në një studim të figurës së E. Hoxhës dhe aspektit shoqëror-familjar të totalitarizmit shqiptar. Ndoshta nuk është analogjia e gjetur, por më kujton biografinë e Lyndon Johnson-it nga Caro-ja.
Ka, natyrisht, një debat mbi dobinë e imtësive në historiografinë bashkëkohore. Duke qenë deri diku subjektiv, mendoj që nuk u shpëtojmë dot, të paktën në Shqipëri.
Studimi rigoroz dhe normativizimi i etoseve vendore, pa rënë në stereotipe, do të ishte me interes jo vetëm historik, mendoj. Mund të shërbente si një nga hallkat lidhëse midis mbledhjes së historive të patrajtuara kritikisht, në nivel vendor, dhe ekspertizës së institucioneve qendrore akademike përkatëse, fjala vjen.
Gjithsesi, në mungesë të informacioni të tillë specifik, nuk mundesha të spekuloja – në mirëbesim – përtej një modeli strukturor historiografik klasik, si ai që përmend më sipër.
Ju falenderoj për komentin dhe për shpjegimin që ofroni.