Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

GJENEZA E SË DJATHTËS FETARE NË SHBA

Në artikujt e deritanishëm kemi parë se si besimi fetar, ose më mirë disa elementë të botëkuptimit kristian në versionet e tij protestante, luajtën rol të dorës së parë në formësimin e ideve themelore të ndërgjegjes kombëtare amerikane. Kjo shpjegon rrjedhimisht edhe ndikimin e këtij faktori në zhvillime madhore në periudha të ndryshme të historisë së vendit. Në artikujt në vazhdim do të shohim rolin e ideve në fjalë, sidomos asaj të shtetit kristian, në politikat moderne amerikane, në shembullin e grupimit të së Djathtës Fetare (Religious Right). Ky grupim ka qenë dhe është në fakt shprehja më kryesore dhe më e organizuar e vizionit të një Amerike kristiane, duke pasur vend të dukshëm në fusha të ndryshme konkrete të peizazhit politik.

E Djathta Fetare gjen fillesat e saj në lëvizjen fundamentaliste të fillimit të shekullit XX, si një përpjekje për të rifituar pozicionin mbizotërues të protestantizmit konservator në shoqërinë amerikane. Nën impaktin e Zgjimit të Dytë (shih artikullin për “shtetin kristian”) ky pozicion kish karakterizuar pothuaj gjithë shekullin XIX, me numrin e madh të besimtarëve evangjelikë, e me Biblën të gjithëpranishme në kulturën e vendit, si gur prove për çdo aspekt të saj, pavarësisht nga interpretimet e ndryshme. Por nga fundi i shekullit ky mbizotërim po zbehej, si pasojë e disa zhvillimeve të rëndësishme si teoria e evolucionit, metodat e reja në studimin e Biblës, dhe psikologjia moderne frojdiane. Ndërsa në aspektin social, një faktor ndërlikues ishte vërshimi i miliona imigrantëve katolikë e hebrenj në qytetet e mëdha të Veriut.

Në këto kushte, ajo pjesë e besimtarëve që vendosi t’i rezistonte modernizmit e të mbronte idenë e Amerikës kristiane, kristalizoi gradualisht një strategji të posaçme të mishëruar në dy drejtime kryesore. Së pari, ata identifikuan teorinë e evolucionit si burimin e së keqes duke e kritikuar atë me forcë në të gjitha platformat e mjetet e mundshme, e së dyti, ata përpunuan një teori të fundit të historisë, të mbështetur në interpretime të veçanta të disa pasazheve të librit biblik të Zbulesës. Këta besimtarë u njohën me emrin ”fundamentalistë” bazuar në një seri pamfletesh të botuara më 1910-1915 ku përcaktoheshin pikat kryesore se çfarë duhej të besonte një kristian, gjithmonë sipas interpretimit të autorëve të pamfleteve në fjalë.

Lëvizja fundamentaliste zhvilloi fushata të fuqishme kundër modernizmit dhe arriti një sërë suksesesh të pjesshme, por megjithatë shumica e këtyre besimtarëve mendonte se Amerika ishte thellësisht e korruptuar, e se ata vetë pak mund të bënin për të ndryshuar diçka. Ata nuk ishin të identifikuar haptas me ndonjërën nga dy partitë politike kryesore, dhe kjo detyrimisht i vështirësonte përpjekjet për të ndikuar në politikat e Washingtonit. Kësisoj në masat e besimtarëve po zinte gjithmonë e më tepër vend ideja se vetëm një veprim mbinatyror, ndërhyrja e Zotit, mund ta shpëtonte vendin nga gjykimi hyjnor.

Mirëpo Lufta II Botërore dhe më pas Lufta e Ftohtë sollën ndryshime drastike në këtë peizazh, rrjedhimisht edhe në qëndrimin ndaj autoritetit shtetëror. Ishte sidomos kauza e antikomunizmit ajo çka i lidhi evangjelikët më së tepërmi në aleancë të ngushtë me qeverinë, sepse ata kishin qenë rreshtuar haptazi kundër ideologjisë marksiste qysh në vitet ’30 dhe vinin kësisoj në fushëbetejën e re me kredenciale plotësisht të justifikuara. Qëndrimi i tyre i vendosur antikomunist në fillim nuk bënte dallim ndërmjet dy partive, por preferenca u zhvendos me kohë drejt republikanëve, sidomos pas fitores së komunistëve në Kinë më 1949. Kjo iu vesh infiltrimit komunist në administratën demokrate të presidentit Truman, e prandaj antikomunizmi i krerëve evangjelikë u bë gradualisht i ngjashëm me atë të republikanëve. Në fillimet e viteve ’50 vështirë se mund të gjeje ndryshime ndërmjet deklaratave të pastorëve evangjelikë e atyre të politikanëve republikanë.

Një politizim i tillë i besimit kristian u theksua mjaft gjatë viteve kur në Shtëpinë e Bardhë ishte gjenerali i shquar D. Eisenhower, i cili e kuptonte mirë rëndësinë e përkushtimit fetar si faktor i fuqishëm për unitetin e vendit në kushtet e luftës së pazakontë me bllokun komunist. Kjo vihej kështu mbi baza tërësisht teologjike, duke u kthyer ndjeshëm edhe në një detyrim fetar, ndërsa predikimi i lajmit të mirë të ungjillit lidhej gjithnjë e më ngushtë me objektivat e vetë shtetit. Mund të thuhet pra që evangjelikët kishin arritur ta kthenin besimin e tyre privat në një fe politike për të gjithë kombin, e po ashtu që ata e mendonin Amerikën si një vend kristian, me Shtëpinë e Bardhë republikane si një aleate të kauzës së tyre të sanksionuar nga Zoti.

Vitet ’60 ishin dëshmitare të marrëdhënieve më komplekse të liderëve evangjelikë me administratat pasardhëse të presidentëve demokratë Kennedy dhe Johnson, por një zhvillim madhor gjatë kësaj periudhe ishte lëvizja kundërkulturore e hipive që vuri në flamurin e saj parulla si ”seks i lirë” apo ”bëni dashuri, jo luftë”. Ndërthurja e saj e ngushtë me protestat ndaj konfliktit vietnamez bëri që krerët evangjelikë e fundamentalistë të ndjeheshin gjithmonë e më të shqetësuar për rënien morale të vendit. Revolucioni seksual dhe konsiderimi i hipive si pararendës të komunizmit ishin kësisoj një shtysë e fortë për përfshirjen në rritje të këtyre besimtarëve në politikë.

Në zgjedhjet e vitit 1968 besimtarët në fjalë mbështetën hapur kandidatin republikan Nixon si përbërës kryesorë të koalicionit të tij, gjë që shtriu ndikimin e fundamentalistëve në shkallë vendi, e jo vetëm në zonat rurale të Jugut. Mirëpo implikimi i presidentit në skandalin Watergate më 1973-1974 i zhgënjeu thellë përkrahësit e këtij politikani sa të aftë aq edhe kontroversial. Korrupsioni i administratës krahas me shtimin e shthurjes seksuale e të numrit të divorceve të cilat u dyfishuan në dekadën 1965-1975 dukej se ishin shënjuese të prirjeve radikale të kulturës së atyre viteve. Prirje të tilla po sulmonin haptas shumë parime bazë të shoqërisë së deriatëhershme, e po bënin që besimtarët evangjelikë të realizonin se ajo shoqëri po u shpërbëhej para syve. Ata duhej të organizonin rrjedhimisht përpjekje afatgjata e të bashkërenduara kundër këtyre prirjeve, nëse donin të kishin sukses. Dhe në fakt gjatë viteve ’70 ndodhën një sërë fushatash proteste në nivel lokal e nacional nga ana e besimtarëve kristianë, që arritën disa suksese sidomos në kundërshtimin e objektivave të lëvizjes feministe.

Sukseset e fushatave të tilla kuptohet që tërhoqën vëmendjen e strategëve politikë të partisë republikane, sidomos pas humbjes më 1976 ndaj kandidatit demokrat Jimmy Carter. Duke qenë besimtar kristian i devotshëm dhe politikan moralisht i panjollë, ky i fundit u ofroi zgjedhësve një shkëputje të qartë nga skandalet niksoniane, dhe arriti të merrte edhe votat e një mase shumë më të madhe besimtarësh në krahasim me kandidatët e mëparshëm demokratë. Por duke mos dashur të angazhohej në “luftën kulturore” e duke pasur prirje kompromisi, ai u cilësua “i dobët” nga ana e liderëve evangjelikë që filluan të rreshtohen hapur kundër tij. Nga ana e tyre republikanët po kërkonin mënyra për të kapitalizuar pakënaqësinë e zgjedhësve konservatorë me degjenerimin moral e për të zgjeruar kësisoj bazën aktiviste të partisë. Ndërsa drejtuesit e grupeve evangjelike e fundamentaliste synonin të përdornin levat e aparatit shtetëror për t’ju kundërvënë asaj që ata konsideronin si rënie morale të Amerikës dikur kristiane.

Pas ndërmarrjes së një sërë hapave konkrete gjatë viteve ’70, në qershor 1979 një grup drejtuesish fundamentalistë e konservatorë, midis të cilëve ishin Jerry Falwell, Paul Weyrich e Richard Viguerie, themeluan grupimin e pagëzuar me emrin Shumica Morale (Moral Majority), akt që shënon edhe lindjen zyrtare të lëvizjes së të Djathtës Fetare në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i përgjithshëm i këtij grupimi do të ishte riafirmimi i vlerave morale judeo-kristiane me synimin për ta rikthyer Amerikën në një ”vend kristian”, ashtu siç kishte qenë ajo (e theksojmë, sipas mendimit të tyre) në fillimet e historisë së saj. Organizata do të ishte ”zëdhënësja e miliona amerikanëve të respektuar, besimtarë e që i binden ligjit, të cilët duan të bëjnë diçka përballë kalbëzimit moral të vendit”. Kjo do të realizohej duke zgjedhur në të gjitha nivelet qeverisëse, duke filluar që nga bordet e shkollave, administratat lokale e deri tek Kongresi e Shtëpia e Bardhë, përkrahës të vizionit të tyre për Amerikën, vizion që duhet theksuar se nuk mbështetej nga të gjithë besimtarët kristianë të vendit, dhe gjeti ndër ta mjaft kundërshtime. Përkrahja më entuziaste për Moral Majority vinte nga fundamentalistët e evangjelikët e Jugut, por ajo adoptoi qysh në fillim një parullë unifikuese me katër drejtime themelore: ”Ne jemi për jetën, për familjen, për moralin dhe për Amerikën”.

Kuptimi praktik i këtyre objektivave ishte se organizata e sapokrijuar përkrahte së pari nxjerrjen e abortit jashtë ligjit, bile edhe në rastet e përdhunimit apo të rrezikut të jetës për nënën, meqë kjo konsiderohej çështja më e mprehtë morale e kohës. Së dyti, theksohej vendosmërisht mbështetja për familjen tradicionale, kundër të drejtave të personave gay, dhe në përgjithësi kundër synimeve të lëvizjes feministe. Së treti, me favorizimin e moralit të shëndoshë kihej parasysh kundërshtimi ndaj pornografisë e kulturës së drogës. Dhe së katërti, theksimi i tiparit ”pro-amerikan” nënkuptonte pozicionimin e vendosur në favor të forcimit të mbrojtjes së vendit nga agresiviteti i Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij.

Nën drejtimin e Falwell i cili u zgjodh kryetar i bordit dhe mbeti figura më e njohur gjatë gjithë ekzistencës së saj, Moral Majority i shtriu degët e komitetet e posaçme të veprimtarisë politike në shtete të ndryshme, duke u angazhuar fuqimisht në fushata rreth çështjeve që ajo i mendonte të rëndësishme për ruajtjen e konceptimit kristian të ligjit moral. Drejtuesit e veprimtarët e saj besonin se ai konceptim përkrahej nga shumica e amerikanëve (prej këtej edhe emri i organizatës), dhe faktikisht ajo përbënte një grup interesi konservator nga më të fuqishmit në historinë e Amerikës. Ajo arriti të kishte miliona anëtarë e donatorë, degë në një numër të madh shtetesh, botime të rregullta dhe audiencë të konsiderueshme në qindra stacione radiosh e televizionesh lokale. Përveç emisioneve të rregullta, veprimtaria e saj përfshinte mitingje, konferenca, biseda, programe muzikore, fushata për mbledhje fondesh, si edhe pamflete e broshura që dërgoheshin me postë. Ato kërkonin zakonisht nxjerrjen jashtë ligjit të çdo lloj aborti, rivendosjen e seancës së lutjes në shkollat publike, mbrojtjen e familjes tradicionale kundër avancimit të të drejtave të personave gay, si edhe futjen e mësimit të kreacionizmit (1) nëpër shkolla, ku ajo teori të mësohej krahas asaj të evolucionit.

Por preferenca e Moral Majority mbeteshin fushatat elektorale të të gjitha niveleve, ku ajo deklarohej si organizatë pa parti, por tërë fushatat në fjalë zhvilloheshin në përkrahje të krahut konservator të partisë republikane. Dhe duhet theksuar se si rezultat i veprimtarive intensive gjatë ekzistencës së kësaj organizate, partia republikane i fitoi të gjitha zgjedhjet presidenciale, duke filluar me Reagan më 1980 e 1984, dhe pas tij me George Bush më 1988. Ndërkaq më 1987, Falwell dha dorëheqjen si kryetari formal i organizatës, por ai mbeti figura e saj më e njohur deri në shpërndarjen e saj më 1989. Pas kësaj, roli i Moral Majority në politikë u vazhdua nga grupimi tjetër Christian Coalition, që mbështeti kandidatin e vet presidencial Pat Robertson më 1988. Qysh atëherë e deri në ditët tona e Djathta Fetare përfaqësohet nga grupime e organizata të tjera të fuqishme si American Family Association, Christian Coalition of America, Focus on the Family, Concerned Women for America, apo Family Research Council, presidenti i së cilës Tony Perkins është ndër liderët më aktivë e më të dukshëm të së Djathtës Fetare në kohën e sotme. Këto organizma luajnë rol vendimtar pothuaj në të gjitha proceset e jetës politike amerikane, dhe me gjithë larminë e objektivave konvergojnë në parimet e idetë që rreshtuam më lart.

Duhet theksuar më në fund se parimet e idetë në fjalë janë të përafërta, por vetëm në një farë mase, me ato të grupimeve të tilla në vendet e Europës Perëndimore. Këto të fundit, si p.sh. Lëvizja Politike Kristiane Europiane (ECPM), krahas mbështetjes së moralitetit kristian në aspektet e jetës familjare, vënë kurdoherë një theks të fortë tek problemet e drejtësisë sociale dhe tek mbështetja për shtresat e varfra. Nga ana e saj e Djathta Fetare amerikane preferon që çështjet e luftës kundër varfërisë t’ua lerë nismave bamirëse private dhe në përgjithësi mekanizmave të tregut. Në ndryshim të dukshëm pra nga sivëllezërit e tyre europianë, politikanët kristianë amerikanë parapëlqejnë ta përdorin autoritetin shtetëror vetëm në sferën e etikës familjare dhe jo në atë të mirëqenies sociale. Në artikuj të ardhshëm do të ndalemi më me hollësi në pozicionet konkrete të së Djathtës Fetare amerikane në politikat publike dhe do të analizojmë po ashtu edhe ndryshimet me forcat e ngjashme në Europën Perëndimore.

=====================

1) Kreacionizmi, apo kreacionizmi shkencor, është një teori që përpiqet të gjejë baza shkencore për krijimin e botës nga Zoti brenda 6 ditëve, siç përshkruhet në librin biblik të Zanafillës.

9 Komente

  1. Sipas disa emisioneve te TV, te gjitha keto organizata jo-qeveritare kane patur lidhje te drejtperdrejta me qeverite amerikane (me shtetin), duke e zhvilluar aktivitetin e tyre konform udhezimeve (te fshehta) zyrtare.

    1. Ju falenderoj për komentin, por do të ishte me interes të jepnit ndonjë burim.
      Përndryshe ajo që thoni ju mbetet tepër e përgjithshme, përveç tingëllimit pothuaj konspirativ, me fjalë të tjera jashtë qerthullit të një hulumtimi të mirëfilltë historik e shkencor.

  2. Falemnderit për këtë shkrim interesant. Kur synoni të botoni shkrimet në vijim?

  3. Ju falenderoj për komentin. Shkrimet e deritanishme kanë qenë me intervale prej 10-15 ditësh dhe ashtu mendoj edhe për të tjerat, gjithmonë në varësi të mundësive të administratorëve të faqes.

  4. Reaksioni kunder vlerave te modernitetit dhe Iluminizmit besoj se do te dale ne plan te pare ne dekadat qe vijne. Gjithe bota eshte kunder: e shikon ne Rusi, ne Boten Arabe por jam me se i sigurt qe mund te konstatohet ne Kine dhe Indi.

    Pse ky reaksion? Thjesht sepse pati ‘aksion’ (veprim). Pasi ‘historia mori fund’ (sipas Fukuyames) religjioziteti nuk iu desh me elitave perendimore per luftuar komunizmen. Revanshi i papare kulturor post-modernist neper universitete synoi zhveshjen e cdo lloj kategorie qe ndihmon njeriun te kuptoje boten: komb,gjini, familje, orientim seksual. Me gjasa, qellimi i eshte i njejte me ate te “Marksizmit kulturor”: para se te kete lufte klasash duhet patur lufte kulturash. Vetem pasi te zhvishet njeriu nga cdo tipar dallues kulturor, vetem atehere mund te zhvillohet lufte e pameshirshme klasash qe te con ne komunizem.

    Per cudi, Amerikanet e hengren ate koqe ulliri.

  5. Më duket se komenti juaj është tepër i përgjithshëm dhe me një qasje tejet utilitare dhe pragmatike të besimit fetar kur thoni se “religjioziteti nuk iu desh më elitave perëndimore”. Dhe reaksioni për të cilin flisni fillon me rënien e komunizmit lindor, ndërsa në shkrimin tim kam shpjeguar se fundamentalistët amerikanë reaguan ndaj disa dukurive specifike të shekullit XIX, pra kundërveprimi i tyre ndaj modernizmit është shumë më i hershëm. Po ashtu motivet e tyre zor se mund të quhen pragmatiste apo utilitare.

    Edhe reaksioni i Botës së Tretë ndaj Perëndimit mund të shpjegohet me shumë arsye, përveç marksizmit kulturor që parapëlqeni ju. Ajo ideologji mund t’i ketë vërtet objektivat që përmendni, por vetëm se ato duken si tepër graduale dhe “long term” për t’u gëzuar nga përkrahësit e saj, megjithatë diskutimi i objektivave në fjalë është krejt me vend. Por s’duhet harruar edhe se ky marksizëm përdoret si një lloj gogoli, sidomos nga e djathta (edhe kristiane) këtu në Amerikë. Sa për ilustrim, një nga teoricienët më të përmendur fundamentalistë, Prof. Norman Geisler, që ka bërë një analizë shterruese të dukurisë në fjalë (http://normangeisler.com/tag/cultural-marxism) arrin të fusë në atë thes jo vetëm Obamën, por edhe çiftin Clinton.

    Tepër e ngatërruar, tha.

    1. Ne fakt reaksioni nisi qe prej Revolucionit Francez. Nga Frengjit kemi te madhin De Maistre, nga Anglezet kemi Burke. Te dy kane bere kritika madheshtore te ideve Iluministe, por karvani vazhdoi te ece perpara. Reaksoni vazhdoi me intensitet te vogel. Shenoj ketu psh qe ne 1908 Kisha Katolike reagoi ndaj arsimit publik laik, dhe uli moshen e sakramentit te rrefimit ne 9 vjec. Idea ishte qe te kapnin nxenesit para se te indoktrinoheshin ne sistem shkollor laik. Fatkeqsisht, ky ‘reaksion’ pati ‘kunder-reaksion’: nuk ishte kisha qe i kapi keta femije, ishin ‘prifterinjte’. Me tej, koncili Vatikan II u perpoq te gjente nje ‘modus videndi’ me boten ‘iluministe’. Gjithcka ishte e kote, per aq kohe sa ‘progresi’ vazhdonte me ritme te larta.

      Ama, ne ate moment qe ‘progresi’ ndalon ose njerezit nuk e besojne me (kujtoj ketu levizjen kunder vaksinave) reaksioni gjen terren me te gjere per te marre fryme.

      Besoj se sot kemi arritur ate pike kur reaksoni eshte ne ‘ngjitje’.

      P.S. Eshte me se e vertete qe cifti Klinton dhe Obama jane pinjolle te Marksizmit kulturor, ne mos me keq, ‘useful idiots’ te aparatit te fshehur Sovjetik.

  6. P.S. Frytet e Marksizmit kulturor po shijohen tani. “Long Term” nisi qe kur Shkolla e Frankfurtit u zhvendos ne Columbia University ne vitet 40-te. Sot, vetem me diploma ‘studime gjinore’ kemi te diplomuar mbi 800,000 leshko ne Ameriken e Veriut.

  7. Kaluam nga e Djathta Fetare te marksizmi kulturor, po nejse. Sa për shijimin e fryteve që thoni, sipas shprehjes së mirënjohur të John Maynard Keynes ”in the long term we are all dead”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin