Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

FILOZOFIA E PICËS

Picën time e kisha porositur me sallam pikant. Nga kutia prej kartoni ku ishte futur, vinte një aromë ndjellëse. Ishte kjo aromë, që i bindi anëtarët e tjerë të familjes të kërkonin pica me shije të ndryshme. Nuk kishte njerëz të tjerë.

Picabërësi, përtej banakut, po merrej me përgatitjen e tyre. Ndërsa po prisja, dalloj diçka interesante. Në kutinë ku ishte futur pica ime, ishte shkruar pica, tek të tjerat, përballë meje, lexohej pizza.

pica-pizzaFillova të mendoj. Përse vallë ka dy emërtime për të njëjtin send? Mbaj mend që fjala picë nuk ishte regjistruar nga fjalorët e para viteve 1990. Madje pica nuk gjendej as në tregun ushqimor të asaj kohe. Ishte një gatim që mund të shijohej me imagjinatë, vetëm nëpërmjet ekraneve televizive, duke parë RAI-n me antena ilegale.

Në Shqipërinë e asaj kohe haheshin kryesisht pite. Në mos gaboj, në Tiranë, tek rruga e Barrikadave, atje ku sot ngrihen madhërisht nëntëkatëshet, jo shumë larg Muzeut të Luftës Na-Çl, ka pasur një piteri të famshme, ku hanin vendas e të ardhur. Atje bënin pite të mira, me qepë, gjizë e mish.

Mirëpo, pitja ndryshon nga pica. Kjo e fundit vjen nga tradita e kuzhinës italiane, ushqimi më i njohur në botë, që ekziston në çdo cep të botës. Sipas fjalorit aktual shqiptar, dallimi qëndron tek shtresa e brumit: në rastin e parë është e trashë, në të dytin e hollë. Por mua më duket se ndryshojnë edhe më shumë.

Po përse duhet shkruar në dy mënyra? Sipas rregullave të drejtshkrimit shqip, pica duhet të shkruhet pica. Po pizza çfarë tregon? Me siguri shenjon një karakteristikë tjetër, p.sh. faktin që pica në këtë vend gatuhet duke respektuar tërësisht traditën italiane. Si të thuash, pica mund të jetë më e zbutur me shijen shqiptare, kurse pizza gatuhet rreptësisht sipas recetës origjinale.

Ndoshta e kam gabim, por kutitë me mbishkrimin pizza, po më duken më të mëdha. Nga ato familjaret. Mos vallë pizza do të tregojë madhësinë? Më duket i tepruar si interpretim.

Puristët me siguri nuk do ta pranonin fjalën e huaj pica, aq më tepër kur shkruhet pizza, njëlloj si në gjuhën e huaj, që po ta lexosh në shqip, duket sikur po përmend atë qytetin e famshëm ku ka një kullë të pjerrët. Por me dy “z” duket sikur po bie më shumë, ose sikur po kalon ndonjë mushkonjë aty pari. Megjithatë, edhe puristët hanë pica e pizza, pavarësisht se si i shqiptojnë.

Pas rënies së totalitarizmit dhe hapjes së Shqipërisë, një nga fushat ku kanë vërshuar huazime me shumicë ka qenë kuzhina. Sidomos nga ajo italiane. Tani mund të hash picë me katër djathëra, pikante, kapriçoze, katër stinë, etj. Meqë ra fjala, kurrë nuk e kam kuptuar dallimin midis picës kapriçoze dhe asaj me katër stinë. Se të gjitha stinët mund të jenë kapriçoze, dhe të gjithë kapriçozët jetojnë në katër stinë, apo jo?

Mua nuk më vret syrin as pica, as pizza, vetëm që ndonjëherë anoj ta lexoj të parën sikur të ishte “k”. Të raftë pica! Mund të jetë ndikimi i gjuhës së huaj…

pizzeriNuk e kuptoj, veçse, zgjidhjen që është bërë me tabelën ku shkruhet pizzeri. Tani, po të ishte shkruar në shqip duhej të ishte piceri, kurse në italisht pizzeria. Një nga të dyja. Se fjala pizzeri nuk ekziston në asnjë gjuhë dhe është gabim nga pikëpamja drejtshkrimore. I është futur trajta e pashquar shqipe fjalës italiane. E nuk më duket se i ka rënë pa dashja “a”-ja, siç u bien zanoret atyre që shkruajnë në rrjetet sociale. Nuk është çështje tipografie ose dizajni.

Mos vallë ky neologjizëm dëshiron të thotë se në këtë piceri prodhohen pica dhe pizza bashkë? Sipas porosisë? Ose tregon se piqet një produkt, që gërsheton mjeshtërisht dy tradita kulinare… Vështirë të kapet si konotacion.

“Nuk të marr vesh”, m’u drejtua picabërësi duke më zgjatur kutitë e tjera. U përmenda menjëherë. M’u desh një çast, për të kuptuar  se paskësha folur me zë të lartë, ndërkohë që kujtoja se mendimet ishin me veten time. Pra picabërësi i kishte dëgjuar të gjitha.

I hutuar zgjata duart për të marrë kutitë e picave (pizza-ve) dhe automatikisht i zgjata paratë.

“Nuk të marr vesh”, përsëriti picabërësi duke më kthyer disa monedha. “Ke ardhur për filozofi, apo për të mbushur barkun? Të bëftë mirë!”.

Më pas, kur fillova të ha picën, po mendoja nëse urimi i picabërësit kishte të bënte me ushqimin, apo me batutën… Nejse, pica ishte e shijshme.

1 Koment

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin