(Në 90-vjetorin e lindjes)
Tish Daija është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare të shekullit XX. Kontributi i tij prek të gjitha gjinitë e muzikë-bërjes në Shqipëri; si ato më të mëdhatë, ashtu edhe gjinitë tjera të muzikës së lehtë, muzikës së filmit dhe muzikës popullore. Ashtu si shumë bashkëkohës, puna e Tish Dajisë u përqendrua në realitetin social-kulturor që u krijua nga regjimi komunist në gjysmën e dytë të shek. XX. Atij i takoi të ishte ndër themeluesit e disa prej institucioneve më të rëndësishme muzikore të vendit (Konservatori i Muzikës, Ansambli i Këngëve dhe Valleve) dhe gjithashtu të kontribuonte për mbarështimin e krijimtarisë muzikore sipas atyre që ishin profilet kryesore gjatë asaj periudhe.
Siç është bërë e traditës këto kohët e fundit në Shqipëri, janë pikërisht përvjetorët e mjeshtërve të tillë që bëhen sebep për t’i kujtuar. Sivjet ishte 90-vjetori i lindjes së Tish Dajisë (dhe jo vetëm i tiji, në fakt, por edhe i Tonin Harapit). Në Tiranë u zhvilluan disa aktivitete si homazh për artistin. E gjendur në njërin prej tyre, zgjodha që të ndalesha më posaçërisht tek dy aspekte nga krijimtaria e tij: muzika e filmit dhe kënga. Doja të ishte njëkohësisht një formë kujtese dhe reflektimi mbi disa aspekte nga krijimtaria e artistit.
Daija nuk numëron shumë tituj filmash shqiptarë, por ama secili prej tyre është i firmosur nga regjisorë të spikatur në kinematografinë tonë. Dy bashkëpunimet e hershme janë me Hysen Hakanin, Fëmijët e saj (1956) dhe Debatik (1961). Vijon me Dhimitër Anagnostin, për Komisari i dritës (1966). Pas tij janë Kryengritje ne pallat (1972) dhe Tingujt e luftës (1976), me regji nga Xhanfesi Keko.[1] Mbizotëron në to modeli tipik për prodhimtarinë filmike të asaj periudhe në përgjithësi: tema dhe lajtmotive të interpretuara nga orkestra simfonike, për të ilustruar dhe mbështetur muzikalisht gjendje të caktuara emocionale. Megjithatë nga lista e mësipërme do të doja të veçoja sidomos dy tituj: Fëmijët e saj dhe Kryengritje në pallat.
I pari, është një film i periudhës së hershme, kur jo vetëm nuk ishin standardizuar ato klishetë e muzikës së filmit brenda kinematografisë shqiptare, por edhe kjo e fundit ishte rishtare.
Mirëpo pikërisht kjo gjendje e pajis artin kinematografik me një vitalitet interesant, të tillë që nuk do të përsëritej më në vitet në vijim. Lirizmit dhe realizmit të imazheve lëvizëse – kombinim ky shumë i sinqertë dhe shprehës njëkohësisht – i vendosen tema instrumentale të shkurtra, që dallohen nga i njëjti ekspresivitet. Ndjehet fryma e sprovës dhe e kërkimit për të shoqëruar përmbajtjen e imazheve lëvizëse. Tek filmi Kryengritje në pallat kemi sërish një rast të përveçëm eksperimentimi, që e dallon regjisoren Xhanfise Keko.
Kolona muzikore arrin të integrohet si një element përbërës brenda gjuhës audio-vizuale të filmit. Nuk e dimë sesa i ndërgjegjshëm ka qenë Tish Daija në qasjen e tij muzikore dhe sa të njohura kanë qenë sprovat e kinematografisë botërore në lidhje me tingullin elektronik, por dua të veçoj si shumë kuptimplotë skenën e ëndrrës të Qetësorit. Kjo është e realizuar nga tingujt elektronikë të një organo-hammond. Tingulli në vetvete ka një rol shumë detajues në këtë skenë mbi të pandërgjegjshmen fëminore.
Sa i takon këngës, Tish Daija mund të konsiderohet si ndër më prodhimtarët. Ai ka shkruar këngë për festivalet ne RTSH dhe ato të rretheve; këngë popullore, këngë qytetare, përpunime mbi modelet tradicionale, këngë masash, këngë për kulturën socialiste. Nga ky opus i cili ka pasur sigurisht ngarkesat e veta ideologjike, sot kanë mbetur si më të njohura: Kënga e krushqve, Me lulet’bukura, Erë Pranverore, Flak e borë, Natën von’ dhe Mall për vendlindjen. Përtej këtij elementit prodhimtar, do të doja të ndalesha në dy aspekte. I pari dhe më i rëndësishmi, për mua, lidhet me marrëdhënien specifike të Tish Dajisë me qytetin e tij, Shkodrën; me kulturën dhe këngën urbane të saj.
Është e pranuar që Daija është një pinjoll i kulturës shkodrane të viteve ’30-’40 dhe mënyrës sesi kjo kulturë u bart në një gjeografi kombëtare. Qysh në vitet ’40 bëhen të njohura e popullore krijimet e tij: Kënga e krushqve, Me lulet’bukura.
Janë në pamje të parë naive, melodi të thjeshta, afër me këngët e ritualit te dasmës dhe shtregullave, në një ritëm 7/8 që duket se ai e ka fort për zemër. Me to ama, Daija i hapi rrugë asaj që në vitet ’60 do të përfaqësonte “këngën qytetare shkodrane” dhe që u bë shumë e dashur për publikun.[2] Si një protagonist i jetës muzikore të asaj periudhe (kujtojmë që ai luante në saksofon dhe interpretonte në Radio Shkodra si dhe në situata festive në grup me muzikantë të tjerë), ai me sa duket, u bë pjesë e atij procesi të parevokueshëm kalimi nga “ahengu” drejt “këngës qytetare shkodrane”, pra i një kënge popullore urbane me një profil sa lokal aq edhe kozmopolit. Pas Dajisë, ne këtë drejtim kontribuuan Preng Jakova, Simon Gjoni e Pjeter Gaci.
Specifika e dytë, lidhet me repertorin e këngës shqiptare, siç u formatua ajo në një skenë të institucionalizuar të Festivalit të këngës në RTSH. Tish Daija ka qene ndër kompozitorët më të pranishëm, duke filluar nga edicioni i parë, në viti 1962, me Erë Pranverore, deri në vitin 1987 që më rezulton si pjesëmarrja e fundit. Në 26 edicione të festivalit ai ka marrë pjesë 22 prej tyre. Megjithatë, bashkëpunimet më të suksesshme kanë qenë ato me poetin Llazar Siliqi dhe interpretimet e përveçme të Vaçe Zelës dhe Justina Aliajt.
Pjesa më interesante e kërkimit dhe e eksperimentimit në këtë fushë i takon për mendimin tim, edicioneve të para të festivaleve. Kështu, Erë pranverore është ndër të paktat këngë në literaturën muzikore që nuk i përmbahet modelit standard strofë-refren, por referon variantet e këngës anglo-amerikane, me skemën chorus-bridge.
Është pastaj Flak e bor’ dhe deri diku Motiv i ri, që hapet me Justina Aliajn duke e fërshëllyer melodinë. Ka një prirje spektakolarizuese brenda këtyre këngëve: hyrjet recitative (të tipit verse), të ngadalta, ritmet vallëzuese, shumë swing dhe elasticitetin e përdorimit të orkestrës simfonike, në mbështetje të një vokaliteti përgjithësisht me shumë thyerje. Janë elementë të cilëve ai iu qëndron pak a shumë besnik edhe në krijime të tjera, por që pikërisht në këtë periudhë e shfaqin në mënyrë më origjinale potencialin e tyre shprehës. E rigjejmë deri diku te Mall për vendlindjen, një këngë e shkruar në vitet ’80 dhe jashtë skenës festivalore. E kopsitur mjeshtërisht për vokalin dhe temperamentin performativ të Justina Aliajt, ky mund të konsiderohet një homazh nostalgjik ndaj Shkodrës së dikurshme, “lëngut amniotik” kulturor që e mëkoi në periudhën e hershme krijuese. Unë personalisht e lexoj si ‘këngën e fundit’ në opusin e tij krijues në këtë gjini.
Erdha tek këto refleksione falë një pune të tipit etnografik, duke bërë intervista dhe dëgjuar rrëfime nga bashkëkohësit, studentët dhe sidomos nga familjarët e tij. Është sigurisht një format kërkimi intrigues, sepse zbulon detaje dhe të dhëna, të cilat nuk mund të gjurmohen nëpër arkiva apo libra të botuar. Megjithatë, m’u desh gjithashtu të përballesha me mungesën dokumentare qoftë zanore, qoftë të shkruar rreth krijimtarisë së Tish Dajisë. Materialet online janë të paktë, por përbëjnë një pike referimi të vakët që nuk mund ta përmbushë një trajtim më të thelluar rreth veprës së një kompozitori. Ndaj, dua të vë theksin mbi domosdoshmërinë e krijimit të një fondi të plotë, ku të përmblidhet vepra e Tish Dajisë; në dorëshkrim, apo e botuar; regjistrimet zanore dhe çfarëdo material që i përket atij. Kjo do të nxiste një studim të thelluar e sistematik të krijimtarisë së tij. Sigurisht, Tish Daija nuk është i vetmi në këtë situatë nga kompozitorët shqiptarë, gjë që e bën edhe më problematike situatën. Kjo sepse vetëm duke njohur në mënyrë të thelluar këta krijues të traditës së shkuar; formimin dhe mënyrën sesi u impostuan gjatë asaj periudhe, do të mund të krijojmë muzikën bashkëkohore.
[1] Vitet e filmave janë marrë nga Internet Movie Database.
[2] Shih për këtë: Edmir Ballgjati, Nga ‘ahengu’ te kënga qytetare shkodrane”, 2013.