“Perëndia, me diturinë e madhe që ka, çdo gjë në këtë botë e bëri që të lindë e vogël dhe ca nga ca të rritet. Ne, pemët, bagëtitë. Vetëm dhimbjen e ka bërë që të lindë e madhe dhe ca nga ca të zvogëlohet”
V. Gurojanis
“Këputja lulëzon” (Zenit, 2014) është titulli i pazakontë i romanit të shkrimtarit grek Vasilis Gurojanis sjellë në shqip nga shkrimtari dhe përkthyesi Romeo Çollaku. Për dikë që ka njohje elementare të botanikës nuk arrin të kuptojë menjëherë se pas këtij titulli fshihet një “bimë barishtore shumëvjeçare e tokave të lagështa, e ngjashme me fierin, me gjethe të holla e të lëmuara si ato të pishës, që këputen lehtë”, sipas përkufizimit që i jep fjalori i gjuhës shqipe fjalës “këputje”. “Këputja lulëzon” është një libër mbi këputjen dhe çrrënjosjen e brezave të tërë në zonën e Thesprotisë, në Greqinë e sotme. Sikurse shkrimtari shkruan në hyrje të tij, ky libër i dedikohet “Amalisë, Liles, Kristos, Skënderit, Rustemit, Panajotit, Arifit, Thodhoriut, Petros, Shuaipit dhe gjithë fëmijëve që nuk jetuan dot për t’u bërë të fortë”. Myslimanë e të krishterë bashkë, çamë myslimanë e çamë të krishterë, greqishtfolës e shqipfolës, grekë e shqiptarë janë viktimat e një lufte të egër shfarosëse e ndërvëllazërore në Thesproti. Nuk bëhet fjalë për një libër të mirëfilltë historik, por për një libër letrar ku historia vihet në funksion të letërsisë, por pa zbehur për asnjë çast rolin e saj, madje në të kundërt bashkëveprojnë si toka me ujin. Balada e Gurojanit është mali i Morganës që përngjan me “një kalë të shqetësuar, që brof përpjetë i trembur”, zërat e ofshamat e njerëzve të mbytur lumenjve të Akerontit dhe Kallamait, gjarpërinjtë që zezojnë filxhanëve të hanëmeve, të gjitha si kumte kobndjellëse. Figurat e kalit dhe të gjarprit, qoftë si figura metaforike, qoftë si fizike, janë të pranishme përgjatë gjithë tekstit dhe personazhet kryesore të librit janë ngushtësisht të lidhura me to.
Rrugëtimi i tekstit fillon me dy kushërinjtë Idrizin dhe Peçon që pasi kanë marrë informacion mbi vendodhjen e kalit të Peços dhe personin që zotëron kalin, nisen nga fshati mysliman Varfaj në Mamurin e krishterë në kërkim të kalit të humbur. Por euforia e gjetjes së kalit, pasohet nga një oshëtimë plumbi mu në rrëzë të veshit, që hedh përtokë Peçon me kalin e tij Markon gjatë çastit të përqafimit njeri – kafshë. Që prej atij çasti Peçoja jeton me fantazmën e kalit të tij dhe çdo natë shikon në ëndërr se si shndërrohet në kalin e vet. Është shumë mallëngjyese skena e rrëfimit të tij për kalin tek prifti, pas vendimit të tij për t’u konvertuar në i krishterë që t’u shpëtojë përndjekjeve të palës armike. “Kur më vranë Markon në Mamur, ramë mbi bar të dy tok. Thuajse kokë më kokë. Më shfrynte i shkreti mu në turinj. Më temjaniste me një bar që akoma ia kam erën në hundë. Nuk mbaj mend gjë tjetër. Qysh atëherë kam një frikë në zemër. Natën e parë fjeta me të ndjerin në një plevicë. Natën tjetër fjeta këtu, në shtëpi. Pashë në ëndërr sikur u bëra kali im. “I nuhate shpirtin”, më tha Qarka. Megjithëse kaq vjet nuk kam blerë tjetër, hauri im është plot me miza kali që më futen nëpër hundë e nëpër veshë. Një mijë net e kam parë atë ëndërr. Dhe nuk kam qenë ndonjë kalë në tërfil, por i lidhur në vend të shkretë, ku ha gjemba e rrjep gorrica. Se kë kam zot, nuk e kam marrë dot vesh, di vetëm që më shpie prej kapistre në Kallamá që të shuaj etjen, por uji është i hidhur si gjaku dhe unë nuk e vë në buzë. Pastaj shoh sikur më shalojnë fëmijët e mi dhe më shpojnë me shufër që të bëj not në Kallamá, por ngrihem në të mbrapmet edhe i hedh”.
Peçoja në kundërshti nga kushëriri i tij Iliazi, është figura e çamit mysliman që për t’i shpëtuar tmerrit të luftës, pranon të konvertohet në fenë e të parëve të tij, sikurse dhe pohon, jo për arsye servilizmi antipatriotik, por pasi bota për të nuk është një “çerdhe mishngrënësish” dhe atdhedashuria e tij nuk priret nga dasitë fetare, politike e nacionaliste. “Po të ishte yni Zoti, nuk do hiqnim këto që heqim! Do kishte djegur fajtorët! E rrotullova këndej, e rrotullova andej, dhe thashë që atdheu është atje ku lindën ata që më lindën. Ç’të bëj unë në Myzeqe edhe në Vlorë? Do plakem dhe akoma do më duket çudi pse dielli del nga ajo anë e perëndon nga ajo ana tjetër!” Për Peçon apo Petron, Shqipëria është thjesht një referencë gjeografike; për të dhe fakti i të qënit shqipfolës nuk e identifikon me Shqipërinë, por me krahinën dhe fshatin ku kanë lindur të parët e tij. Ai luhatet mes shprehjeve grekoshqiptar, shqiptarogrek e turkoshqiptar dhe ndjen që ky kategorizim pedant i identitetit të tij prej të tjerëve ndrydh qenësinë e tij. Personazhet e Gurojanit nuk shquhen për zellin e tyre patriotik, sesa atë zakonor. Krishtërimi dhe Islami ndan botët e tyre, herë mespërmes si lumenj ku pluskojnë kufoma të pakallura e herë bashkohen në detin e kripur të vajtimeve të përbashkëta.
Por, strumbullari rreth te cilit vërtiten të gjitha ngjarjet është Iliaz Idrizi. Gjithë personazhet e tjerë ngjajnë të jenë në funksion të kësaj figure. Gurojanis arrin të vendosë dramën personale të Iliazit në kontekstin e përgjithshëm të dramës çame, duke na dhënë me mjeshtëri një panoramë të plotë letraro-artistike e historike të ngjarjeve të fillim ’40-ës. Iliazi është një i vdekur i pakallur apo një i gjallë i kallur, i cili i ndërsyer nga tradhtia bashkëshortore e Hazbies me të krishterin Kiço Verbi ka ndjesinë se jeton me një gjarpër të gjallë brenda në trup që i përshkon të gjitha vrimat dhe i shkakton sëmbime helmatisëse. Ai vlon i tëri nga urrejtja për të shoqen, aq sa puthjen që ajo e u jep fëmijëve e shikon si gojë të përdhosur nga ndyrësitë me tjetrin, marroset nga përfytyrimi i prekjes së gjësë së saj “si faqe e rruajtur që tjetri e ka veshur me frymë e gishta si shishe rakie”. Ai e mbyt të shoqen në lumë dhe i vë si qëllim vetes të gjejë se ku fshihet tjetri. Shndërrohet në një njeri tërësisht paranojak, që flijon mbi altarin e tërbimit të tij një mori njerëzish. Megjithëse e vret ose mendon se e vret Kiço Verbin, haluçinacionet e tij nuk e lënë të shikojë qartë se cili është vrasësi dhe cili i vrari, kush përndjekësi e cili i përndjekuri. Përndjekësi, i cili në varësi të pozicionit të hënës shndërrohet njëherë në pëndjekës dhe njëherë në të përndjekur, simbolizon sipas shkrimtarit përndjekjen e Iliazit nga një shëmbëlltyrë e ngjashme, të të njëjtit gjak dhe së njëjtës rrënjë, pavarësisht dallimeve sipërfaqësore dhe të përftuara më vonë nga orientimi i ndryshëm fetar dhe ushtarak. Iliazi arrin të sfidojë shprehjen “të gjallët me të gjallët dhe të vdekurit me të vdekurit” duke shkrirë bashkë të gjallët me të vdekurit. Forca e përshkrimeve të gjendjeve psikologjike të Iliazit është aq rrëqethëse, saqë lexuesi e përjeton me tmerr e dhimbje bashkë. Akoma më tronditëse është skena kur Iliazi zbulon se mbart një embrion të madh në kurriz, që ngjan me qenie mitologjike, i cili është embrioni i ngjizjes së shoqes me tjetrin.
Gurojanis është ndoshta i vetmi shkrimtar grek që arrin të portretizojë me një lirizëm të rrallë dramën personale dhe kolektive të popullsisë çame në Greqi. Ai nuk fajëson kryesisht ose ekskluzivisht njërën palë apo tjetrën, por merret me arsyet e shkaqet më të thella të konflikteve psikologjike, ideologjike, fetare e etnike të kampeve të ndryshme ushtarake në Thesproti. Njerëzit për të nuk ndahen në shqiptarë apo grekë, myslimanë apo të krishterë, bashkëpunëtorë të italianit e gjermanit apo të anglezit, të forcave të majta partizane apo forcave të djathta, por në vrasës dhe viktima. Ai shikon me tmerr sesi kapica e viktimave arrin majën e Morganës dhe asnjë forcë hyjnore nuk mund ta ndalojë këtë kasaphanë, as Krishti e as Muhameti, as prifti e as myftiu, as besa e as ligji. Janë forcat ushtarake ato qe vendosin rendin e jetës së njerëzve dhe kafshëve, duke i cytur dhe shpuar tejpërtej me tytat e tyre. Janë militantët e betuar e militantët e rekrutuar që shuajnë gjaketjen e tyre me kurme njerëzish të pafajshëm. Janë ata që vendosin se në cilën anë do anojë peshorja e jetës dhe e vdekjes. Kufomat janë thjesht spektatorë të pakallur të netëve të pafund të kristaleve.
Gurojanis konsiderohet në Greqi si shkrimtar i pakicave e minoriteteve. Stili i tij simbolik e surrealist i përqasjes së historisë ngjan me një pipe ku të gjithë lexojnë“ceci n’est pas une pipe”.E vërteta e tij është përtej së dukshmes, përtej indeve shtetformuese e kombformuese, përtej tentativave manipuluese e didaktikave religjioze. Toka është paraardhësi i njeriut, shtet – kombi është arma e tij…
Eleana: sa mire qe e solle kete histori e analize. Shume interesante e mezi pres ta gjej! Dhe RÇ perkthen gjithnje shume natyrshem, qarte dhe ngrohte! Eshte fat qe na sjell bukurite nga gjuha greke. Mezi pres ta lexoj, por ama e shoh si ne film gjithcka. Shume piktoriale kjo histori;
Ne fund, kombi-shtet eshte arma dhe, ne fakt, vdekja e njeriut. Por a do e kishim kete diskutim pa te?
Faleminderit Presja. Ideja e sjelljes se ketij perkthimi kishte te bente me dy arsye. Me temen e zgjedhur, trajtimin e saj dhe qe pa perkthimin brilant te Collakut nuk do mund t’i transmentonte lexuesit te njejtin intensitet ndjenjash. Ne Shqiperi kemi lexuar shume libra historike dhe letrare te shkruar nga shqiptare dhe kendveshtrimi shqiptar, por gati aspak nga kendveshtrimi i vendit ku ndodhen ngjarjet tragjike. Libri ka dy plane leximi. Eshte plani surreal ku pershkruhen te gjitha gjendjet psikologjike te personazheve dhe plani historik ku jepen ngjarjet dhe faktet historike. Eshte goxha i rende si liber, do stomak shume te forte. Jam dakord me ty qe pa shtetin komb s’do kishim nga ta fillonim lemshin, por shteti komb ishte dhe kutia e Pandores per nje pjese te madhe te minoriteteve dhe jo vetem. Ngjan me teper si nje e keqe e domosdoshme, sesa nje e mire e domosdoshme