Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

SHQIPONJA TË HALLAKATURA

nga A.A.B.

Aty nga mesi i verës së shkuar, në mbarim të mandatit të tij, një nga veprimet e fundme të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit ishte përurimi i një rruge të re[1]. Togfjalëshin “rrugë e re” e kam përdorur qëllimisht, duke huazuar nga një pjesë e titujve të shtypit që pasqyruan lajmin. Titujt, në të vërtetë, gënjenin, ose, së paku, të çonin në rrugë të gabuar, pasi nuk pati kurrfarë punime për ndërtimin e kësaj rruge. Ajo çka ndodhi ishte thjesht riemërtimi i një rruge ekzistuese, madje, për të qenë më të saktë akoma, i një copëze të një rruge ekzistuese të njësisë bashkiake  (sot administrative)nr. 7 të Tiranës. Rruga në fjalë, “Frederik Shiroka”, ishte e vetmja në zonë që, pavarësisht se ndërpritet nga një tjetër, “Naim Frashëri’, mbante të njëjtin emër në të dyja krahët e kryqëzimit. Një nga kahet e saj, me pak fjalë, u pagëzua si rruga “Otto von Habsburg”, në prani të fëmijëve të princit të kurorës së ndjerë dhe përfaqësuesve të vendit të tyre.

Pjesa e ri-emërtuar me këtë emër të madh ishte gjysma e shkurtër lindore, një rrugicë fare modeste tiranase, kufizuar nga avllitë e vilave dy dhe tri-katëshe të lagjes, e cila, për më tepër, ndërpritet nga një mur i lartë në fund të saj. Ky i fundit është dhe arsyeja për kalimin e pronësisë nominale mbi rrugën nga kirurgu i shquar, por gati i harruar, shkodran tek i biri i perandorit të fundit të monarkisë së dyfishtë. Kjo sepse në krahun tjetër të suvasë së përhimtë, mes gjelbërimit të harlisur, gjendet shtëpia jo e madhe që strehon ambasadën austriake këtu. Si duket, bashkisë iu duk e arsyeshme, në mënyrë pothuaj fëminore, ta linte, si të thuash, pranë shtëpisë arkidukën. Qëllimisht, ceremonia e përurimit ndodhi nga ana e rrugës “Skënderbeg” (që butësisht është shëndrruar në “Skënderbej” ose përndryshe rruga e Ambasadave), për të shmangur përshtypjen jo doemos të mirë që mund të bënin kafeneja e vetmuar dhe restoranti i vogël i prodhimeve të detit “Saranda”, që janë të vetmet pika referimi në rrugën “Otto von Habsburg”.

Nëse kthehesh sërish mbrapsht, kapërcen ngushticën e “Naim Frashëri”-t dhe del tek pjesa kryesore e rrugës, pamja që të përshëndet është e veçantë. Një ndërtesë e vjetër tulla-kuqaloshe, ndoshta e viteve ’50, nga ato që quhen “të rusit”, arnuar paq me një mori shtesash dhe një shumëllojshmëri ngjyrash spontane (dhe jo prej fushatës së dikurshme të ngjyrosjeve të kryebashkiakut Rama); ajo shërben, me aq sa kuptohet, pasi të tilla gjëra nuk përfliten haptazi në lagje, si shtëpi publike jo-zyrtare. (Paralajmërim: Për hir të vërtetësisë, duhet thënë se ka një mundësi të mos jetë më i tillë vend e t’i ketë ngelur nami nga disa vite më parë). Po të vazhdosh, gjen një berberhane, një dyqan të vogël trajtimesh kozmetike dhe dritaret e një apartamenti, të gjitha të mbuluara nga gjethet e zbërdhulëta të ca rrapeve të rinj e të shkurtër. Përballë, matanë rrugës, në katin përdhes të një pallati më të lartë e me të vonë, midis kafenesë së cepit dhe një dyqani a punishteje qëndistarie, në murin gati të zbrazët me suva të ashpër, hyrja e vogël e një  agjencie funerale.

Shtëpia Funerale “Mani”[2], me aq sa dimë, nuk shquhet veçanërisht nga simotrat e saj në atë fushë veprimtarie apo përbën ndonjëfarë interesi si e tillë. Ajo që është e pazakontë, e habitshme, që më detyroi të ndaloja në vend e t’i ngulja sytë një copë herë të mirë, ishte stema e përdorur në tabelën e madhe prej plastike mbi derë. Pa pikë dyshimi, ndoshta për herë të parë që nga kapitullimi i mbretërisë së Italisë më 3 shtator 1943, shihej (dhe shihet) e shfaqur krenarisht në Tiranë një shqiponjë perandorake romake në fluturim. Jo vetëm ishte skema e ngjyrave ajo e duhura, shpendi i praruar në një fushë të kuqe në vishnjë, por shqiponja i ishte mbivendosur një kurore dafinash dhe një rrufeje, të dyja gjithashtu ngjyrë ari. I vetmi ndryshim që kishte pësuar flamuri i Romës perandorake ishte zëvendësimi i nistoreve nën kthetrat e shqiponjës, SPQR-ja e Senatus Populusque Romanus i kishte lënë vendin akronimit më të mistershëm MANI. Në një vend si i yni, ku e vetmja shqiponjë e kudogjendur në përdorim të gjerë publik dhe privat është ajo e flamurit, pra, varianti ynë vendor i stemës dykrenore të Bizantit gjatë sundimit të Palaiologëve, shfaqja spontane e paraardhëses së saj dhe e çdo simbolike tjetër që nuk e ka prejardhjen tek hagjiografia me të cilën ushqehemi prej sistemit, përbën risi.

Është e vështirë të hamendësosh me saktësi arsyet që qëndrojnë pas kësaj zgjedhjeje të agjencisë “Mani”, por nuk është e pamundur të vësh në dukje një apo dy tipare që spikasin së largu. Në radhë të parë, duhet menduar se zgjedhja e shqiponjës madhështore lidhet me hijen e rëndë dhe solemnitetin e veprimtarisë që kryen një ndërmarrje varrmihëse. Në ndryshim nga tregtarët e tjerë, ata nuk mund të tërheqin klientët vetëm nëpërmjet ofertave më ekonomike apo qoftë një shërbimi njëtrajtësisht cilësor. Përtej tyre, që natyrisht janë faktorë që merren në konsideratë, varrmihësit duhet të tregojnë një lidhje pothuajse organike me protokollin dhe ceremonialin e varrimit, e cila siguron të afërmit për përcjelljen e të ndjerit me nderin dhe dinjitetin e kërkuar prej tyre. Kjo pasi më tepër se një shfaqje respekti ndaj atyre që nuk janë më, varrimet janë raste shoqërore ( “raste mondane par excellence”, thotë Jep Gambardella i Paolo Sorrentino-s) gjatë së cilave ritheksohen hierarkitë brenda dhe jashtë familjare nëpërmjet ngurtësisë së vetë rastit.

Gjithaq intriguese është dallimi i qartë, por i nënkuptuar, ndërmjet përdorimit të shqiponjës kombëtare dhe asaj romake në rastin e lartpërmendur. Kjo sugjeron ose që autoriteti shtetëror në Shqipëri nuk lidhet, në asnjë rrafsh, me protokollin apo solemnitetin, gjë fare e mundshme kjo; ose një ndarje midis publikes dhe privates në marrëdhëniet shoqërore të shqiptarëve. Nëse qëndron kjo e dyta, do të thotë se skalitja e patriotizmit, idealit kombëtar, e me radhë, bëhet në mënyrë të tillë që të kuptohet si shërbim publik, pjesë e detyrës qytetare të çdokujt, por edhe si shfaqje publike me një audiencë të paracaktuar, vendase apo të huaj. Një shembull konkret të kësaj pashë në ndeshjet e fundit të kampionatit europian: të njëjtët njerëz që këndojnë në këmbë himnin në një bar të tejmbushur as e marrin mundimin në shtëpitë e tyre, megjithëse kjo nuk është e thënë të jetë përfaqësuese. Një tjetër arsye është se varrimi nuk duket të jetë ajo lloj ndodhie që lidhet me shtetin; përveç funeraleve kolektive e deri histerike të periudhës komuniste, vendi ynë nuk njeh varrime shtetërore, me përjashtim të dëshmoreve të rënë për atdhe, këtë gjysmë shekulli. Kjo, atëherë, mund të jetë arsyeja për ketë mbajtje largësie, mund të themi të rrallë, të shoqërisë shqiptare ndaj një autoriteti epror.

Ajo shqiponjë romake ishte pazakonshme dhe për motive të tjera. Si vizatimi, ashtu dhe ngjyrimi ishin tepër të realizuara dhe rrjedhimisht të kushtueshme për një tabelë të vetmuar të një ndërmarrjeje në një rrugicë të Tiranës. Për më tepër, sa herë e shikoja, ajo më ngjante çuditërisht e njohur, megjithëse interesi im në heraldikë dhe veksilologji nuk shkon përtej amatorizmit. Pas një periudhe kureshtjeje ngacmuese, si kërkova pak në internet, e lidha me lojën kompjuterike Total War: Rome II, një nga shembujt më të mirënjohur të zhanrit strategjik që ka dalë në shitje para afro tre vjetësh. Zotërinjtë apo zonjat e ndërmarrjes kishin ‘huazuar’ stemën e saj për ndërmarrjen e tyre, një shkelje e qartë e të drejtës së autorit, për fat të keq e zakonshme. Më interesante është ndjesia i ndikimit që ajo tabelë ngjall, nga një kureshti e përzier me respekt, në një lloj talljeje dhe përçmimi të lehtë për origjinën e saj banale (për mua). Lidhja e bërë në këtë rast ka të gjasë të jetë goxha e shpeshtë, duke patur parasysh famën e lojës dhe dashurinë e të rinjve përgjithësisht për lojëra virtuale. Ndoshta një pjesë e tyre do ta shohin kështu, ndërsa disa të tjerë do të mendojnë se lavdia perandorake e para pesëmbëdhjetë shekujve kalon disi, në atë hyrje të vogël.

Kjo më sjell tek një rastësi tjetër. Para pak ditësh, meqenëse kisha lënë televizorin ndezur, më kapi syri një kronikë lajmesh mbi “takimin e lamtumirës” (frazeologji e zymtë zyrtare kjo) të ambasadorit gjerman në largim me Presidentin e Republikës. Dikur, vura re një flamur të dytë të kuq mbrapa shpinës së z. Nishani. Ishte flamuri presidencial, ai që u miratua mes aq shumë kritikash e debatesh para dy vjetësh[3]. Ndryshimi thelbësor është shqiponja. Në vend të shqiponjës zyrtare, është futur në përdorim ajo e stemës së Këshillit të Ministrave para 2013-s, zyrtarisht, ajo e Kastriotëve. Është shtuar gjithashtu një kurorë e artë gjethesh dushku, simbol i mbretit Gent sipas shpjegimit , ndërsa përkrenarja e Skënderbeut është kthyer përballë për të treguar paanshmëri politike, sepse më parë ‘shihte’ majtas. Të gjitha këto, megjithëse i pata lexuar në një shkrim[4] të A.V. disa muaj të shkuar, nuk kishin mbërritur të linin një mbresë mjaftueshëm të madhe sa për të më shtyre drejt një arsyetimi për çështjen, ndoshta për shkak të largësisë (nuk isha në Tiranë asokohe).

Duke u përpjekur të mos ngatërrohem në diskutimin për motivet, vlerën apo ligjshmërinë e këtij ndryshimi, duhet thënë se ai tregon sërish dëshirën për të dalluar, në këtë rast midis institucionit presidencial dhe shtetit abstrakt. Presidenti është figura e dytë madhore në hierarkinë shtetërore, pas kreut të qeverisë, që zgjedh të marrë një stemë të re në vend të asaj ekzistuese. Të dyja palët e lidhin ndryshimin e tyre me argumentin historik, Kastriotët e lartpërmendur dhe shtetin e hershëm shqiptar përkatësisht[5]. Ky është një logjikim jo fare pa meritë, duke patur parasysh që revizionizmi i mbështetur në fakte, i peshuar mirë e me masë do të ndihmonte në çeljen e një dritareje tjetër, nga parvazi i së cilës të soditen ato pjesë të historisë që kanë qenë të veshura tebdil për shumë kohë. Megjithatë, duhet thënë se çnjohja e simboleve kushtetuese që na përcaktojnë përballë pjesës tjetër të botës pasqyron një ndryshim të thellë të marrëdhënies që kemi me idenë kombëtare, kundrejt asaj shtetërore.

Të dy aktorët qeveritarë të përmendur e kanë marrë mbi vete përgjegjësinë e këtyre ndryshimeve, që na jep të drejtën legjitime ti trajtojmë si zgjatime të mendësisë dhe logjikës së secilit prej tyre, së paku në çastin e dhënë. Në njëfarë mase, si z. Nishani dhe z. Rama janë më të afërt dhe më të ngjashëm në formim  me njërën nga klasat e shoqërisë, shtresën e mesme shqiptare, që i ka zgjedhur sesa homologët e tyre europianë apo amerikano-veriorë. Kjo bën që analiza e veprimeve të tyre, jashtë asaj aspektit qartësisht politik, të jetë jo vetëm më e lehtë dhe ata vetë më të kuptueshëm, por edhe e rëndësishme si shprehje e qasjes së asaj shtrese ndaj kësaj pyetjeje historike. Ndryshimi i tyre në lidhje me simbolet kombëtare, si rrjedhojë, është një fenomen shoqëror, sado i kufizuar, më tepër sesa një case-study i ëndërruar karakterial për biografët e tyre hipotetikë. Nëse bëjmë pjesë të ekuacionit edhe rastin, ndoshta krejtësisht të veçantë, të shoqërisë “Mani”, mendoj se duhet pranuar që kemi mbërritur në një pikë ku disa aktorë shoqërorë sikletosen nga konceptimi i deritanishëm i superstrukturës kombëtare.

Në mënyre të konsiderueshme, njëri prej shkaqeve të kësaj ndodhie, nëse e pranojmë si të vërtetë, është ndryshimi (pothuajse) thelbësor i audiencës kombëtariste nga ajo shqiptare brenda kufijve të Republikës, tek ajo shqiptare në gadishull. Shumë prej popullatave me të cilat ndajmë këtë superstrukturë kanë përjetuar një udhëtim tepër të ndryshëm historik që prej fillit të shekullit të shkuar. Do të ishte jo pak e vështirë që kombëtarizmi ynë, formuar, mes të tjerash, edhe për nevoja politike totalitariste të komunizmit shqiptar, të ishte të gjendje të përshtatej shpejt me kushtet e reja retorike dhe kulturore të demokratizimit pjesor. Faktorizimi i nevojave kombëtariste të shqiptarëve jashtë territorit të RSH, të cilët përbëjnë shumicën absolute të shqiptarëve, si dhe paaftësia institucionale dhe shoqërore për të ndarë degën ‘shqiptariste’ (ruaj rezerva të thella ndaj termit) nga trungu i kalbëzuar ideologjik monist, e rëndojnë problemin në mënyrë të papranueshme.

Rrezikohet jo vetëm zëvendësimi i një koncepti të vjetruar të idesë kombëtare me një grumbull të paorganizuar folk-populist, krijuar për një mori agjendash e qëllimesh të ndryshme nga të njohur e të panjohur e i pavlerësuar edhe me kriteret mediokre të akademizmit plot cene që prodhojmë sot; por edhe një izolim i ri kulturor jo thjesht i strukturave të mëdha shoqërore nga njëra-tjetra, por edhe i copëzave të ndryshme në të cilat po fragmentohen gjithnjë e më shumë këto struktura. Nga pozita deri diku egoiste e një shqiptari Tirane, asaj çka i druhem më shumë është mundësia e kalimit drejt një modeli little Englander[6] kundrejt shqiptarëve të tjerë, të cilët nuk figurojnë si duhet në hartat tona identitare. Ka fort gjasë, madje është e sigurt, që dikur do të duhet të vendosim nëse shqiptari që na kanë mësuar se jemi, ai që shohim se jemi bërë, ai që na thonë (kryesisht të huajt) se ngjajmë dhe ai që do të duhet të bëhemi, në të cilin shteti-komb monoteist humbet (shpresojmë) në një mjegull të butë sfumuese historish individuale dhe vendore të kombit, mund të bashkëjetojnë. Përgjigja e duhur dhe e mençur është e qartë, por kjo nuk ka penguar kurrë askënd që të mos ta zgjedhë. À vous.

[Shënim: titulli është i PTF. Titulli origjinal: Aquiliferī Albāniae]

[1]http://www.syri.net/2015/07/12/kjo-eshte-rruga-me-e-re-ne-tirane-foto/

[2]http://www.ikub.al/biznese/14/03/28/Sherbime-Funerale-MANI-0083.aspx

[3]http://president.al/?p=19317

[4] https://peizazhe.com/2015/12/29/shqiponja-me-krahe-te-squllur/

[5]http://shqiptarja.com/m/home/selia-kryeministrore-si-ndryshohet-logoja-e-shqiponjes-dykrenare-176734.html

[6] http://www.collinsdictionary.com/dictionary/english/little-englander

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin