Nga Eleana Zhako
Imagjino, që në vendin Sh., karvanë njerëzish të nxirë nga dielli, gra si Shamikuqja të sjella nga Orienti me shami në kokë, burra, fëmijë, më pak pleq, me torba në kurriz – që nga pesha e tyre kanë marrë formën e gamiles – pyesin kalimtarët se ku është parku “Rinia”.
Numri i tyre e kalon numrin e gishtërinjve të duarve e të këmbëve të njëqind njerëzve bashkë, ngjajnë si koloni grenxash që turren të gjejnë pak “bukë e krypë e zemër” në tokën e re të shqiponjave. U kishin thënë, që tek Parku “Rinia” ka pemë e gjelbërim dhe se mund të vendosin atje çadrat e tyre; që afër parkut ndodhet dhe një lokal madhështor me emrin “Taiwan”, që t’u kujtojë Azinë e tyre të largët; që mund të bëjnë ndonjë nevojë tek tuk, të pinë ndonjë makiato apo të hanë ndonjë trileçe me të paktat verdhushka të mbetura; të shikojnë çiftet e sapomartuara që pozojnë të lumtur se do kenë wedding memory nga Taiwani, nuse me lule plastike në kokë dhe buzëkuq deri tek veshët, me një nishan kopjativ sipër buzëve dhe një çadër të bardhë kineze për dekor; ambulantë rrugësh që shesin cigare të hapura, çamçakëza, fara dhe nga një peshore me vete; me Bashkinë, Kryeministrinë, Presidencën pothuajse në të njëjtën lagje… “Welcome to Albania”!
Imagjino, që ty të mërzitet kaq shumë kjo pamje “jevgjish”, sa vendos të mos kalosh më nga ajo anë. Frika se mos bëhet Shqipëria si Greqia e Italia të bren të tërin. Pamjet mjeruese që transmentonte televizioni shqiptar nga parqet e Greqisë, ku refugjatët ishin ulur këmbëkryq pa prishur terezinë nga sharjet dhe ankimet e njerëzve, mjerisht u bënë realitet dhe në vendin tënd. Eh, kush vjen pa ftuar do e gjejë dhe pa shtruar mendon. Ndryshe puna e shqiptarëve emigrantë (harrove azilkërkuesit), ndryshe e këtyre të Lindjes. Në mendjen tënde e imagjinon këtë ndryshim si paralele gjeografike, kulturore, racore, zakonore që s’priten kurrkund.
Imagjino, që në gardhin me gjemba që ngrihet në mendjen tënde, i lartë gati sa Kulla e Babelit, që të ndalojë hordhitë e Lindjes, në atë gardh shumë njerëz, bashkëatdhetarë të tu kanë lënë kokallat e tyre, britmat e fundit, klithmat e fundit, një foto të dashur ngecur në telat e gardhit, një copë këmishe, pak fije floku dhe shumë ëndrra.
Imagjino, që ky “sojsorrollop” pretendon se ka të njëjtat nevoja me ty, të njëjtat të drejta njerëzore me ty, këndon të njëjtin himn “Liberté, égalité, fraternité”, lexon vargjet e Kuranit njësoj si ty, lexon vargjet e Biblës njësoj si ty, ka dy e tre fe, pothuajse si ty, ka kapërcyer shtatë male, shtatë fusha, shtatë dete gati si ty, nuk ka emër të përveçëm, ashtu sikurse nuk kishe as ti në tokë të huaj; për qyterërimin e tij ke lexuar në rrëfimet e lashta, për zvetënimin e tij në kronikat e zeza të ISIS, nuk dëshiron t’i njohësh më tepër, ashtu si nuk donin të të njihnin ty njerëzit e atjeshëm; të ngjajnë me miza dheu, të vogla, të parëndësishme, bezdisëse, neveritëse, ashtu siç ngjaje ti në Perëndimin e afërt dhe të largët.
Imagjino që dhe ai porsi ty, është pasardhës i njëjtë i Kainit dhe Abelit, që Eva apo Havaja e tij ka kafshuar të njëjtën mollë hedonizmi me Etlevën apo Havanë tënde; që lundrimi i tij i ngjan lundrimit tënd të dikurshëm, shpresëdhënës, kokëfortë, i malluar, i vrerosur, i mbytyr në vaj e në lot, i pakthyeshëm; që anija e tij i ngjan anijes tënde të mbytur, asaj që su “gjend” kurrë, që përfundoi në Hadin e nënujshëm të detit, që gllabëroi në fundin e tij të dashurit e tij ashtu si dhe të dashurit e tu; që bota siç thuhet në atdheun tënd është një portokall që rrotullohet….dhe nuk i dihet se ku fati do vërë gishtin..
Imagjino…