nga Eleana Zhako
Në Shqipëri kanë një adhurim të pafund për atë që në Perëndimin e civilizuar njihet si Ora e Tokës. Gjatë Orës së Tokës perëndimorë e jo perëndimorë “të ndërgjegjshëm” mbyllin çelësin e dritave duke pasur iluzionin e rremë se fetihu i Orës së Tokës mund t’u sigurojë përjetësinë kur të vijë Dita e Gjykimit apo, që ashtu si Noa do jenë njerëzit e zgjedhur të Perëndisë – Natyrë në varkën e shpëtimit ( të mbytjes më mirë).
Por, në Shqipëri Ora e Tokës nuk fiket një herë në vit siç ndodh atjekund, madje nuk fiket në një orë të caktuar, por vend e pa vend, kohë e pa kohë, orë e pa orë, pa sebep domethënë. Thjesht, shpejt, bukur, e saktë… Ora e Tokës është e pranishme në çdo hall e gëzim të shqiptarëve. Është bërë pjesë e pandashme e tyre, i jep më tepër romanticitet lidhjes në çift (që e kërkonin me qiri këtë romanticitet dhe se gjenin), fsheh mbeturinat dhe plehrat e lagjes (që bëhen një me errësirën), puçrrat bezdisëse me pak qelb që lulëzojnë në moshën e adoleshencës, cipën e verdhë të dhëmbëve, njollën e vajit që ka pikuar shkarazi mbi pantallona, zullumet e të vegjëlmëdhenjve, shkëndijat makbethiane të një truri të buhavitur, kafshët e shtypura nën thundrat e tytyve, lypsarët e rrugëve…”Të faltë Zoti, më jep ndonji lek”…
Shyqyr që dritat i kemi bio, nuk u hedhim “pesticide” që të rriten me bollëk dhe të bëhen ashtu si halldupe, por i rrisim me kursim e me munde të mëdha, nuk i konsumojmë por i konservojmë në dollapin e errësirës. ”Rritja e temperaturës globale dhe fenomeni i ndryshimit të klimës ka prekur edhe vendin tonë. Ju flet Radio Tirana”… “derdhet Vjosa, fryhet Buna”… ”dhe një zë vëngon nga lumi/më buçet, më zgjon nga gjumi”… Është zëri i mamasë sime. Mungesa e dritave gjatë natës shkriu ajsbergun e frigoriferit “Obodin”. Uf… gjysma e së keqes… gjysma e punës u bë vetë, u vetëpastrua frigoriferi. Po na mbarojnë dhe qirinjtë. Ah, ato “Fjalët e Qiririt”… ”Në mes tuaj kam qëndruar e jam duke u përvëluar”… RIP Qiriri
Dëgjohet një zhurmë gjeneratori. Gjeneratorët janë si banesat afër trenave dhe aeroplaneve. Kur nanurisesh me zhurmën e tyre, nuk ç’ mësohesh dot ndryshe. Do gjithmonë të ndodhesh afër një treni, aeroplani, gjeneratori. Gjeneratorët janë antibiotikët e ç’ dritave shqiptare. Sa kolliten pak dritat, ato menjëherë i përvishen punës, si milingonat gjeneratore (punëtore). Mjafton pak benzinë dhe ia marrin këngës. Misioni i shkencëtarëve shqiptarë në botë është përmirësimi i gjeneratorëve të së ardhmes, që në vend të zhurmës, të dëgjohet muzikë, mundësisht muzika e preferencës së secilit (fol e thuaj), të punojnë me vaj bio dhe të minimalizohen përmasat e tyre, sipas modelit të fundit të iphone. Të hyjë kudo dhe të transportohen lehtësisht… Ja u zgjidh dhe ky muhabet.
Tani, seriozisht, këtë punën e dritave se kam marrë vesh. Shqipëria: vend në tranzicion, sistem tranzicioni, ekonomi tranzicioni, errësirë tranzicioni, energji tranzicioni. Sa i gjatë paska qenë ky tranzicioni, s’po merrka fund. Do ua lëmë trashëgimi gjeneratave dhe gjeneratorëve të ardhshëm si pasuri kombëtare. Do mësojnë në të ardhmen se paraardhësit e tyre harxhuan dhe energjinë (frymën) e fundit të tyre për të shpëtuar sadopak nga burimet energjetike të vendit. Për këtë gjë Shqipëria meriton të renditet në listën e vendeve që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në “Save our Planet”! Kështu, Shqipëria nuk do lakohet në shtypin e brendshëm dhe të jashtëm për numrin e madh të azilkërkuesve, por për numrin e madh të energjishpëtuesve. “Katundarë e punëtorë, që nga Shkodra der në Vlorë….”
“Save our Planet, Save Albania!”
Tranzicioni MADE IN ALBANIA
http://photos1.blogger.com/blogger/7091/2849/1600/Made%20In%20Albania.jpg