Pallati me Shigjeta mund te zhvendoset e të mbijë papritur, të themi, tek Xhamllëku (ose Xhomlliku), por Dija me sy të kaltër, këpucë burrash tërë baltë e fustan mbi fustan e mbi pantallona, nuk e lë qoshen e vet të shitjes në një nga krahët e Sheshit Wilson pranë Librit Universitar.
E takon aty çdo ditë nga mëngjesi herët deri rreth orës katër pasdite. Stolin e vet, një arkë të vjetër plastike, e zhvendos rreth e rrotull perimeve e frutave që shet, duke ndjekur sa mundet hijen mbi trotuar.
“S’kom nrru ven për 25 vjet! Nji, mu ktu kom nejt! Asiher, për Zotin!” – thotë Dija me krenari të spikatur për besnikërinë ndaj lagjes. Rrallë nuk del të dielave. Por, sa për ditët e javës, sa luan monumenti i Wilson-it nga sheshi, aq luan edhe Dija nga rrëza e vet. Perimet e frutat ndërrojnë sipas stinës. Sot ka kopër e majdanoz me nga 10 qindarka tufën. Ka edhe pjeshka, bishtaja bizelesh të njoma, sallatë, ca domate, spinaq, speca e nja katër stiva me gjethe rrushi. “Mor mes 10 mij a 20 mij m’ditët. Vetëm rruga m’do 4-5 mij! Po hajt mo, bereqavers. S’qahem!” thotë Dija duke folur në lekë të vjetra. Duhet të ketë pasur sy jashtë zakonisht të bukur; ngjyra blu e thellë sot i humbet në fytyrën e nxirë nga dielli dhe rudhat rrethuar nga tufa flokësh që dalin çrregullt prej kryqes së bardhë lidhur pa kujdes në kokë. I ka të lodhur sytë blu, por të qeshur e si të dorëzuar paqshëm fatit. Dija vjen për ditë nga Lalmi, “mu ke Prroi i Erzenit kom i shpi i-katshe; ka i krah rrin korçart, ka i krah rrim no”. Bën që herët në mëngjes 20 minuta me gomar për tek Ura e Beshirit. Aty merr një furgon ku edhe fut mallin. Ky vjen nga Durrësi… nga Ramanati- thotë Dija. Në kthim merr dy autobusë: atë të Tiranës së Re deri tek Fabrika e Bukës; pastaj, atë të Ndroqit.
Hamidetë tek lagjja ime tiranase thërriteshin Deje, por kjo thirret Dije. Tufa me gra blerëse, shumica me theks jugor, duket e njohin mirë e i thërrasin të gjitha kështu. Dija nuk i thërret në emër e u flet me përulje të dukshme, por i njeh mirë të gjitha. Një çuni 8-9 vjeçar që kalonte, Dija i dha një pjeshkë e i tha: “Haje, haje se osht shum e omël e t’bo mir!” Pastaj m’u kthye mua e më kallëzoi se të atin e çunakut “e kish rrit me qumësht”. Sepse Dija e kish nisur karrierën e vet të shitjes në këtë zonë me qumështin e lopës, e më pas kish kaluar tek frutat e perimet. “Kjo lagje ka njerz shum t’mir, për Zotin! M’vret Zoti me fol keq! Jon shum t’përgjegjshëm!” më thotë Dija. Unë vras mendjen se pse përgjegjësia e tyre është tipari që Dija ekstrakton kaq pa hezitim. Shumë klientë që blenë i thonë se do ia japin paret herën tjetër; unë nervozohem dhe i them Dijes më pas se kjo pjesë s’më pëlqen hiç. Dija më thotë: jo, jo se s’harrojn! Një burrë plak veshur me sqimë, me të folme të fortë labe që sapo kish marrë në këtë mënyrë dy tufa majdanoz e dy kopër për 40 qindarka në total, e dëgjon vërejtjen time e më kthehet nga sipër biçikletës duke më parë nën syze: pse, ç’kujtove ti? Se nuk ia sjellim ne!?” Pastaj iku duke tundur kokën si të ma kish hequr krejt vizën mua dhe sojit tim mosbesues që s’e kupton traditën.
Kur nisa bisedën, thashë t’i drejtohesha Dijes me “none”, por pastaj u tuta për arsye etike, dhe bëra mirë. Dija dhe unë i takojmë brezit lindur brenda të njëjtit 10-vjeçar. Dija është 58 vjeç. Ka bërë tri klasë shkollë e është rritur afër Urës së Beshirit. 10 vjeç nisi punën në kooperativë e 16 u martua në Lalm… në 1972. “5 korrik ka qenë data kur u martova… ra shi gjith mjesit; m’drek doli dilli. Dola nuse me dymit, po i kisha t’ri, bojë blu t’çelët. I bojte burri dymitt athere. Ũ çova içik fare pajë se kisha 5 motra t’vogla ene i vlla. Vllain e kom mo t’vogël, se e pat mor baba m’befotroft, se e dojte i çun. E gjeti i jati kur ishte 6 vjeç, po vllai im s’e pranoi ene i tho: m’ka rrit ija ime mu, ene motrat e mia. Ene s’ia mori 600 lekët që dojte me i dhon i jati. E di si e ka majt lalën tem vllai apo jo? E di si e ma nonën teme nusja vllait sot? E kom nonën 85 vjeç, mo! Nusja vllait tem pastro nonën teme i her, masnaj la çunat e vet. E kom flori nusen e vllait! No nusen e kina mor qytetare, e kina mor ka Kafja Xhafës.”
Pastaj Dija i kthehet rishtaz martesës dhe rinisë. Llogaritë matematike të copave në të cilat Dija e ndan jetë e vet janë të thjeshta. I ka aq të qarta, sa duket se ia thotë edhe vetes këto herë pas here. “Kom 40 vjet martu, po 40 dit t’bardha s’i kom pa. M’kohn e kooperativës jetojshmi 32 vet me i ven, se ishin 5 vllezën bashk me kunota e t’gjith mo. Ũ kisha 3 kalamoj. Masnej m’u bon 6 se s’dishim mo… katunar t’trash… I her punova 25 vjet rresht m’koperativë. Tashi mas 90-ës kom po aq qi shes m’u ktu ku m’shef ti. Kom fillu pun 10 vjeç. Hajt, mo! Gruja o si gamori: për t’punu e për t’bajt. Jeta qeka si t’u niska, ashtu do t’u maroka!”
E pyes për burrin. Më ka ngelur i panjohur në bisedën e parë me Dijen. “E kom, e kom” thotë Dija, “po m’i ka ra trombozë para tre vjetsh e s’lu dot mo durt. E ngrej ũ ka shtrati ene e vesh po ũ. I lej ushqim ciper tovalinës e vi m’Tiront. Për ditë nji kshu! Goca m’bi hilaxhe për burrin pri Italiet; për muj, e shkreta, u bo telef ka paret!” Dija ankohet se këto tre vjet i shoqi s’ka marrë asnjë qindarkë ndihme. Më tregon se ai duhet të dalë në pension në gusht dhe duhet t’i nisë një lloj pagese; “po ia dhon”,-shton me mosbesim. Ndërsa Dijes i bie që të dalë në pension pas dy vjetësh. Thotë se që në 1990 kur ndërprenë punën në bujqësi, kanë paguar të dy rregullisht “asikuracionet”. “Prapseprapë, derisa t’kem at burr gjall, do punoj sa t’kem içik lek me e shti m’dhe. Ose do m’shtjeri ai mu. Pse t’i bish m’qaf kalamojvet! Ato jon hallexhi vet e kon kalamoj me rrit.” Dija pra ka gjashtë, tre djem e tri vajza; më të madhin 37 vjeç. Thotë që s’u ecën mirë, e se çunat gjejnë punë në ndërtim veç kur munden. Nuset e çunave punojnë në shtëpi e në bujqësi: pastrojnë “vllajat” ose parcelat me perime e majdanoz, ndërsa Dija del i shet. Një çun është në Greqi, ndërsa një gocë në Itali. Por Dija nuk e di se ku tamam. Thotë se e bija vjen ndonjëherë për verë, por ajo “sa e shef, se goca rri ke vjerra që e ka me shpi m’Tiron, mas stacionit t’funit Tironës Re. Vje sa me na pa, e m’bi ene çunin e vogël, po ai s’di me fol. I them ũ: fol, nona, fol shqip, se s’di nona italisht!” Dhe Dija gajaset e nxjerr plotësisht dhëmbët.
Kur erdha kësaj radhe i ndërpreva mëngjesin Dijes. Po hante një copë bukë e një copë djathë. Më tha se i kishe mëngjes e drekë bashkë. E pyeta nëse djathin e prodhonte vetë në fshat. Më tha se e blinte, sido që kishte një lopë në shtëpi. Lopën e përdorte veç për qumësht, por s’e mbante dot më, dhe do e shiste se “s’kom munsi me e bajt. Do ushqim për dimër, dreqi!” Perimet të paktën i kishte të vetat. Edhe ujin më tha se e merrte nga pusi në oborr. E pyeta për gatimet e përditshme dhe më tha se normalisht bënte gjellë me bizele, gjellë me patate apo gjellë me qepë. “Ene speca me gjiz kaj her. Burrit ja lej veç e ve,ç se nuk i do bashk ai”. “Po mish, sa herë në muaj përdor në gjellë?”- e pyeta. “Nja dy herë m’mujt. Kom çunin e kunotit që puno m’thertore. Kur kom lek me ble, m’i bi nja dy kile ai.” Peshkun Dija s’e kish gatuar kurrë në jetën e vet.
Sot në mëngjes kur shkoja në punë, pak më sipër rrugës së Dijes, pashë një tufë me fshatarë si puna e Dijes që vraponin me arka e qese nëpër duar si tufë zogjsh kur i sulmon skifteri. Disa nga gjërat i kishin lënë pas, por vrapi ishte i marrë dhe sikur kryhej nën ndonjë nevojë instinktive për t’iu larguar grabitqarit. Nganjëherë kur i shoh fshatarët tanë nëpër aeroporte se si dalin vrikthi nga autobusët dhe i vërsulen radhës për kontrollin e pasaportave duke të shtyrë me bërryla e duke të dalë përpara, u shoh në sy të njëjtën shkrepëtimë nevojtare e të pakontrolluar për të përfituar nga situata e për të dalë nga rreziku. Edhe kur rrezik, në fakt, nuk ka. Por jeta ata i ka mësuar ndryshe… Arsyeja e ikjes së çmendur me kumbulla e pjeshka që derdhen trotuareve kësaj radhe ishte një mikrobus apo furgon i policisë bashkiake. Ata po bënin një aksion spastrimi këtë mëngjes. Më shkon mendja tek Dija. A ia del Dija të vrapojë kaq shpejt. Policët bëjnë sikur marrin nja dy arka të mbetura në trotuar dhe i fusin në makinë. Duket tamam si skenar në të cilin disa arka duhet t’u liheshin policëve që qetazi largohen me mision të kryer dhe prova të siguruara. Kishim folur me Dijen edhe për policinë. Më kish thënë “ene policia nevojtare o. Gjynof se ene ato m’pun shteti jon. Jon rob me halle. I polic i dit m’tho se e kishte t’bijën me t’meta mendore. I duhen pare t’shkretit. Ina no kryderra, se ikim kur na përzejn, ene veç kur vim prap! Katunar hesapi mo!” Mua më kujtohet çfarë tha para pak ditësh një vajzë e vogël 4-5 vjeç në plazh. Me kovën e vet po bënte kallëpë me rërë; njëri i doli i shtrembët, dhe e vogla tha lirshëm sikur fliste me vete: bobo… ky më doli si katunar!”
“Kom vujt e vuj hala. Shum kom vujt!”, më thoshte Dija me një të folur që s’kish as qarje e as protestë. E thoshte sikur të thoshte se mbrëmë natën kish parë një ëndërr të keqe, ose se pas dy ditësh u vinte radha për t’u mbledhur bizeleve të dyta. E pyeta nëse i ka ngelur gjë pishman. Prisja të më thoshte jo, sepse, pavarësisht gjithë halleve, Dija e jetonte me sy të qeshur ditën. Më tha: Ah sikur t’kisha vesh i her i pal kpuc t’bukra! Çunin e modh e kom m’Greqi. I kom lon amanet: kur t’vdes, tëm veni velle. Se lekt do ja lej ũ. Veç t’m’i blejn kon!”
Ndërkaq vjen një grua që do domate për gjellë. Dija i thotë se ato që ajo ka, “s’bojn për gjell”. E pyes se pse e largoi klientin kur mund t’i kish dhënë domatet që kishte dhe të fitonte diçka. Dija m’u përgjigj buzagaz por si me hile, se gruaja i donte me çmim më të ulët, ndaj kish thënë “për gjellë”, dhe Dija s’kish ndërmend ta ulte çmimin. Ah, sa ka zanati!- thashë me vete. Më pas një grua tjetër e pyeti për spinaqin, dhe Dija iu kthye me vrull të ri: “E ke super spinoq! Merre se s’do bohesh pishmon!”