Në 1917, kur Max Weber referoi mbi “Shkencën si Profesion” (Wissenschaft als Beruf) dhe krahasoi profesionin e akademikut ndërmjet Gjermanisë dhe SHBA-së, ai e karakterizonte profesionin e akademikut si të pasigurt dhe e cilësonte karrierën akademike si të varur nga rastësia dhe jo nga merita apo aftësitë. Për disa studiues të fushës, kjo situatë vazhdon ende në të dyja kontinentet. P.sh. Ulrich Teichler i Universitetit të Kassel-it në Gjermani përmend se nga 100 të diplomuar vetëm një person do të punësohet si profesor; i paparashikueshëm se kush. Ndërsa nga rreth 25 mijë doktorata në vitin 2009 vetëm 10-15% do të mund të punësohen në ndonjë institute kërkimi apo universitet në Gjermani. Në SHBA në vitin 2007 vetëm 30% e personelit akademik ishin në rrugën e sigurt për profesor (tenure track), prej nga 56% në 1975 apo 42% në 1995; ndërkohë që pagat e pedagogëve në SHBA rriten mesatarisht me 0.17% në vit. Ndërsa nga 170 mijë doktorata në vitin 2012 vetëm 37% do të angazhohen në mësimdhënie në SHBA, 40% në kërkim shkencor dhe zhvillim, e kusuri në industri. Në të dyja vendet numri i pedagogëve me kohë të pjesshme tregon tendencë rritje prej vitesh. Për shkak të këtij “prekariteti” të gjendjes së akademikëve, kritikët e ekonomizimit të sistemit (apo tregut) të arsimit të lartë i cilësojnë pedagogët e sotëm si “proletarë të dijes” (dhe veglat e punës, dija, nuk është e tyre).
Në Shqipëri situata nuk është e ngjashme për shkak se problemet janë tërësisht të ndryshme. Arsimi i lartë u konceptua jo si një industri prodhimi të dijes, por i prodhimit i të diplomuarve dhe si një industri punësimi. Numri i pedagogëve pa doktoratë punësuar me kohë të plotë u rrit rreth 4-fish që prej vitit 2004, ndërsa numri i pedagogëve pa doktoratë me kohë të pjesshme u rrit dyfish që prej vitit 2004. Rritja e kërkesës dhe e kuotave në arsimin e lartë, si dhe hapja e tregut privat, krijuan mundësi punësimi për shumë persona që synuan profesionin e pedagogut si një punë shteti e mirë-paguar, relativisht e rehatshme dhe për hir të statusit të lartë social. Por situata e pedagogëve dhe e aspiruesve, sidomos e atyre që kishin studiuar jashtë vendit e nuk gëzonin lidhjet e duhura sociale, nuk u përmirësua dhe së fundmi pakënaqësitë e disave janë shprehur edhe në media.
Për ilustrim po përmend dy histori personale në dy institucione të ndryshme të arsimit të lartë, atë publik, në Universitetin e Tiranës, dhe privat, në Universitetin Evropian të Tiranës. Elvis Hoxha, në Universitetin e Tiranës, dëshmon tek Panorama se procedurat e rekrutimit në UT janë të korruptuara, nepotike dhe nuk bazohen aspak në parimet dhe misionin e universitetit si një institucion i gjenerimit të dijes. Gjatë procedurave për emërimin e një pedagogu të brendshëm Hoxha, autor dhe përkthyes i disa trajtimeve filozofike, shprehet se edhe pse “në komisionin e tre vjetëve më parë, tri votat e pedagogëve të filozofisë ishin pro meje, Petraq Simo (një nga emrat e simptomës) gjeti një pretekst tipik shqiptar për të më nxjerrë jashtë konkurrimit: listën e notave. Nuk kishte rëndësi për të as mësimdhënia 4-vjeçare në një universitet francez, as alokimi i kërkimit trevjeçar akorduar nga Ministria franceze e Kërkimit, as nota me mention très bien në diplomën time, as vlerësimi i studentëve për cilësinë e leksioneve të mia, as përkthimi deri në atë kohë i gjashtë librave filozofikë.” Më tej Hoxha dëshmon se konkurrentja tjetër që synonte të njëjtin pozicion e mori vendin e punës në mënyrë të pamerituar dhe në saj të kapitalit të saj politik. Ndërsa X, e punësuar në Universitetin Evropian të Tiranës, dëshmon në gazetën Dita mbi trysninë që ushtron administrata e universitetit për të pranuar si të vlefshëm një punim diplome plagjiaturë. Autorja kujton me qesëndi se të nesërmen e pyetën sërish nëse i qëndronte vendimit të saj për mos ta njohur punimin si të vlefshëm: “Sigurisht që i qëndroja, kisha argumentuar qëndrimin tim në 4 faqe vlerësim, me të cilin vetë kolegët e mi të rinj në komisionin e diplomave, ishin tallur ndërsa rrufisnin makiaton e porositur nga bari poshtë në sallën lart.”
Në 1917 Weber dallonte ndërmjet sistemit të organizimit të komuniteteve akademike gjermane, si sistem plutokratik, dhe amerikane, si sistem burokratik. Por në të dyja sistemet kanë ekzistuar diskriminime etnike (si p.sh. ndaj hebrenjve si Walter Benjamin në Gjermani) apo klasore në emërimin e pedagogëve. Ndërsa në Shqipëri dëshmitë e akademikëve tregojnë se komuniteti akademik nuk udhëhiqet nga parime të brendshme, si ajo e esnafëve akademikë në Evropën kontinentale apo e “ndërmarrjes” (enterprise) në SHBA, por në bazë të lidhjeve familjare apo politike ndërmjet akademikëve dhe politikanëve. Këtë e dëshmon shumë mirë rrëfimi i guximshëm i Elvis Hoxhës. Këto praktika të universiteteve publike, ku studentë të ekonomisë politike e të filozofisë së gjymtuar marksiste u shndërruan brenda natës në psikologë e politologë dhe u rrekën të shtrëngojnë radhët e hulumtuesve mediokër, u përcollën me sukses edhe në drejtimin e personelit akademik në institucionet private. Këtë e dëshmon autorja nga UET në ditarin e saj, ku vlerësimi me notë është çështje pazari dhe jo merite.
Sidoqoftë, unë mendoj se pakënaqësitë, sidomos kur paraqesin shkelje të ligjeve dhe procedurave formale, duhet ti drejtohen gjykatës dhe jo vetëm medias. Probleme të tilla në komunitetin akademik shqiptar, edhe kur përgjegjësit kanë emra, janë sistemike dhe autonomia e premtuar nga qeveria për komunitetin akademik nuk paraqet zgjidhje të këtyre problemeve. Sidomos, për sa kohë drejtuesit e politizuar kanë epërsi në vendimmarrje ndaj vlerësimit të kolegëve dhe shkencëtarëve, zgjidhja e premtuar nga qeveria nuk do të sjelli ndonjë risi.