Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

NA MBYTI FOTOKOPJA

Prof. Dr. Artan Fuga në një shkrim në Gazetën Standard “Na mbyti varfëria në kulturë” (22 Mars, 2004) prek çështjen e cenimit të së drejtave të autorit nga fotokopja. Unë kam përshtypjen se fotokopja e librave mësimorë universitarë nga studentët përbën faktikisht shqetësimin kryesor të artikullit.  Por shqetësimet e autorit kalojnë nga problemet financiare për botimin dhe cilësinë e botimit të librit shkencor, tek cenimi i të drejtave të autorit dhe politikat publike për mbështetjen e bibliotekave dhe autorëve.

Shqetësimet e autorit (në 7 pika)

Shkurtimisht sipas Fugës libri shkencor është i rëndësishëm në cilindo format, por si studentët edhe pedagogët nuk e përdorin mjaftueshëm për arsye kryesisht financiare. Cilësia e librave shkencorë është e dobët pse kushtëzuar nga burimet financiare shtëpitë botuese zgjedhin të botojnë libra shkencore duke kompensuar burimet me botimin e librave jocilësorë. Botuesit ngushtësohen financiarisht edhe kur u cenohen të drejtat e autorit, çfarë rrjedhimisht krijon më pak të ardhura për autorët e librave. Sipas tij, ndër cenimet kryesore të së drejtës është akti i fotokopjimit të librave shkencorë. Pasi  përmend argumentet fisnike, edhe pse shumë cekët e pa lidhje logjike, Fuga kalon sërish në argumente ekonomikë. Sipas tij studentët varfërohen kulturalisht përse akti i fotokopjimit përcakton një mënyrë të veçantë leximi (jolinear!), fotokopja nuk mundëson krijimin e një bibliotekë personale (harruar kopjet me dorë të librave të verdhë deri para 20 viteve) dhe fotokopjuesi paguhet keq gjithsesi (në krahasim me botuesin apo makinistin?). Më tej në shkrim Fuga i bën thirrje qeverisë për politika publike favorizuese e nxitëse për librin shkencor pse këto i hapin rrugë zhvillimit të kulturës e shkencës. Sërish në artikull preken të drejtat e autorit dhe paaftësia e pedagogëve për të menaxhuar proceset juridike e financiare për botimin e librave.

Unë jam dakord me shqetësimet që ngrihen në artikull, por jo me çfarë unë mendoj se është agjenda e këtij shkrimi: problemi i studentëve që fotokopjojnë tekstet e librave mësimore universitarë apo librave shkencorë. Për këtë le të shohim argumentet etike, juridike dhe ekonomike në lidhje më këtë çështje.

  1. Aspekti etik: Kur autori përmend çështjen e studentëve që cenojnë të drejtën e autorit pse fotokopjojnë, tregon mungesë ndjeshmërie dhe hesht ndaj dy dukurive tepër të rënda në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri: (a) shitja e librave (kryesisht me detyrim) nga pedagogët e lëndës tek studentët e tyre; dhe (b) cenimin e të drejtave të autorëve në një pjesë të madhe të librave universitarë të publikuara nga pedagogët shqiptarë. Në rastin e parë ka një shkelje të etikës në marrëdhënien pedagog-student kur një pedagog cakton librat e tij si material mësimor. Përveç përfitimit financiar nëpërmjet rrogës, angazhim i rregulluar nga statuti apo udhëzimet e qeverisë, pedagogu i kërkon studentit të angazhohet në marrëdhënie ekonomike jashtë kuadrit institucional për përfitim financiar personal.  P.sh. në universitetin e Rutgers kjo çështje është zgjidhur duke ja hequr përfitimin financiar pedagogut në rast se ai cakton si material leximi librin e tij, e në universitete të tjera duke ja kaluar përfitimin financiar (royalties) universitetit. Gjatë studimeve të mia në dy shtete perëndimore nuk kam hasur asnjëherë që një pedagog të caktojë në listën e librave ndonjë libër të tij. Në Shqipëri për shkak të mangësisë së theksuar së literaturës është e pashmangshme, por jo të detyrohen studentët të blejnë librat.
  2. Aspekti juridik: Argumentet juridike janë shteruese në lidhje me fotokopjen për përdorim personal e qëllime studimore. Ligji Nr. 9380/2005 “Për Të Drejtën E Autorit Dhe Të Drejtat E Tjera Të Lidhura Me Të”,  neni 26/ ç & dh përcaktojnë se lejohet “riprodhimi i plotë ose i një pjese të saj [veprës] bëhet për përdorim vetjak, me kusht që të mos cenojë shfrytëzimin tregtar të veprës; [dhe] fotokopjimi i veprave të bibliotekave publike bëhet për përdorim vetjak brenda bibliotekës ose për shërbime të saj.” Gjithashtu direktiva 2001/29 i BE-së, pika 39, i përshtatur edhe në ligjin shqiptar, lejon fotokopjen për qëllime private. Në Gjermani, Zvicër dhe Austri kopja për përdorim privat është e lejuar gjerësisht. Në SHBA (Code Of Federal Regulations, Title 37 – Patents, Trademarks, and Copyrights) ka kufizime, por bibliotekat dhe arkivat janë të autorizuara të pajisin cilindo me fotokopje apo riprodhime të tjera nëse këto realizohen për qëllime private studimore apo hulumtuese.
  3. Aspekti ekonomik: Me ndryshimet e fundit në sistemin e kërkimit shkencor në Shqipëri gjatë viteve 2005-13 veprimtaria shkencore në Shqipëri zhvillohet kryesisht në universitete. Pedagogët në universitetet publike në Shqipëri janë të detyruar të ndërmarrin veprimtari kërkimore-shkencore dhe rrjedhimisht të publikojnë studimet e tyre. Sipas rregullores së veprimtarisë akademike (MASH, Nr. 20/2008 “Për Veprimtarinë e Personelit Akademik në Institucionet Publike të Arsimit Të Lartë”) një profesor angazhohet me 200 orë mësimi në vit, (dhe 170 si përgjegjës i departamentit), në krahasim me docentët (300) apo lektorët (260). Nga ku sipas udhëzimit veprimtaria kërkimore duhet të zërë jo më pak se 20% së numrit të përgjithshëm të orëve në një vit (ose jo më pak se 300 orë pune vjetore). Promovimi me tituj akademikë gjithashtu është i lidhur me veprimtarinë kërkimore dhe publikimet, sidomos monografitë. Kur një pedagog i UT-së u shet librat e tij studentëve është faktikisht duke përfituar për së dyti herë nga studentët. Një herë kur paguhet nga taksapaguesit dhe tarifave të studimit për veprimtarinë e tij mësimdhënëse dhe kërkimore, e njëherë kur studentja i blen pedagogut librin. Universitetet gjithashtu kanë fonde dhe janë të detyruara të financojnë publikimin e librave shkencorë, në pamundësi le të vendosen kopje digjitale. Rregullorja për “Etikën në Veprimtarinë Kërkimore dhe Botuese” (MASH, Nr. 105/2012), neni 4, ja njeh këtë përgjegjësi institucioneve dhe angazhimin për të mbrojtur të drejtat e autorit. Universiteti i Tiranës, edhe pse ka një fond kërkimi dhe blerje librash, nuk ka një rregullore për veprimtarinë e botimit. Universiteti i Prishtinës ka një rregullore që lejon financimin e botimeve të librave shkencorë dhe mësimorë universitare, që gjithashtu detyron botuesin e pedagogun të dërgojë në bibliotekën qendrore të universitetit dhe të fakultetit përkatësisht nga pesë kopje.  Kur pedagogu paguhet për kohën e tij të kërkimit, edhe pse jo për koston e publikimit, ai duhet të dërgojë në bibliotekën e universitetit kopje të mjaftueshme për studentët, sidomos kur libri i tij është lexim i detyrueshëm për lëndën. Në Shqipëri ky rregull vlen për të gjitha botimet, të cilat duhet të arkivohen në Bibliotekën Kombëtare.

Autori gjithashtu duhet fillimisht të kritikonte politikën e Universitetit të Tiranës. Në vitin 2011 në Universitetin e Tiranës janë investuar për fondin e librave 19 000 000 lekë, prej të cilave  rreth 11 400 000 ishin të parashikuara nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga fondi i universitetit (p.sh. të ardhura nga tarifat e studimeve etj.). Fuga mund të ngrinte pyetjen sesa prej këtyre librave kanë qenë cilësor? A janë realizuar shpenzimet e planifikuara, kryesisht ato shpenzime që parashikohen për kërkimin shkencor (hulumtime, konferenca dhe investime në infrastrukturën kërkimore)? P.sh. në Fakultetin e Historisë e Filologjisë, ku Prof. Fuga është përgjegjës për Departamentin e Gazetarisë, realizimi i shpenzimeve ka qenë 95% edhe pse buxheti është jashtëzakonisht i vogël (rreth 148 000 000 lekë). Sa prej këtyre parave kanë shkuar për të pasuruar bibliotekën e departamentit? Sa studentë e frekuentojnë bibliotekën? Sa libra janë botuar nga personeli i departamentit? Sa prej tyre janë mbështetur financiarisht nga projekte kërkimore, nga universiteti apo nga burime të treta?

Shkurtimisht, artikulli nuk kishte asgjë relevante me politikat publike. Argumentet ligjorë nuk përmenden, ato ekonomike numërohen nga kolltuku dhe pa një studim të mirëfilltë. E çështjet që janë vërtet të rëndësishme – si etika në marrëdhëniet student-pedagog dhe komodifikimi i skajshëm i këtyre marrëdhënieve, deri në korruptimin për nota, diplomë e shitje librash – nuk përmenden fare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin