Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori

DY KËNGË TË CIKLIT TË KOSOVËS

nga Gjergji Shuka

Dy këngët “Propast carstva Srpskoga” (Rënia e perandorisë serbe) dhe “Kënga e Luftës së Kosovës” janë dy prej varianteve të shumta sllavojugore dhe shqiptare që rrëfejnë betejën e famshme të 28 qershorit 1389, gjatë së cilës u përballën; koalicioni i të krishterëve ballkanikë i drejtuar nga princi serb Lazar Hrebeljanović, dhe ushtria osmane e sulltanit Murat I.

Arsyeja e përzgjedhjes të këtyre dy pjesëve të veçanta mes të gjithë lëndës epike që i referohet betejës, lidhet më së shumti me aksesueshmërinë dhe me afërsinë që paraqesin me ngjarje të rënies së perandorisë së justinëve. Kënga serbe është më e mirënjohura e të gjithë Ciklit sllavojugor, ndërkohë që mes këngëve të pakta shqiptare të cilat munda të konsultoj, në “Këngën e Luftës së Kosovës” ruheshin më tepër elementë të nënshtresës së vjetër ballkanike.

Beteja e vitit 1389 është një ndër më të ashprat e mesjetës së vonë. Luftimet janë vazhduar përgjatë gjithë ditës së 28 qershorit, duke përfunduar me të vrarë të shumtë në të dy kampet dhe duke sjellë më pas vështirësi të konsiderueshme për dy shtetet që mbartën peshën kryesore të luftës; për Perandorinë Osmane dhe sidomos për Principatën e knez Lazarit. Vetë dy kryeprijësit humbën jetën; sulltan Murati I u vra nga një kalorës ose një luftëtar i plagosur i krishterë i quajtur në dëshmitë e mëvona, Millosh Kobila (ose Kobilić), ndërsa më pas Lazari u kap rob dhe u ekzekutua me urdhër  të djalit të Muratit, sulltanit të ardhshëm Bajazit I.

Në mbrëmje ushtritë e serbëve dhe aleatëve të tyre u tërhoqën duke e lënë Bajazitin zot të vendit, por megjithatë, më pas edhe sulltanit të ri iu desh të tërhiqej; për të konsoliduar pushtetin në krye të osmanëve dhe për arsye se trupat e tij, gjithashtu të decimuara, nuk mund të përparonin drejt veriut dhe as të qëndronin në Kosovë.

Sakrifica e luftëtarëve të krishterë mundësoi ruajtjen e principatave të tyre përkohësisht, por koalicionet antiosmane do të ishin të rralla pas vdekjes së Lazarit, ndërkohë që kundërshtarët e kishin gjithnjë pushtetin të përqendruar në duart e trashëgimtarëve të Osmanit. Siç është e mirëditur me kalimin e viteve njëra pas tjetrës zotërimet e sllavëve të jugut dhe të arbrëve do të kalonin në gjendje vasaliteti ndaj Portës së Lartë.

Prej studiuesve të mëparshëm të epikës ballkanike janë vënë re ndryshime të konsiderueshme mes grupit të këngëve të shqiptarëve dhe atyre të sllavëve të jugut, ndaj mendohet se janë kënduar veçmas prej një kohe të hershme. Vetë heroi qendror është i ndryshëm; në ciklin serb i këndohet më së shumti car Lazarit, dhe ndërhyjnë personazhe të tjerë siç Milloshi, Ban Strahina apo Marko Krajleviçi; ndërkohë që në epikën shqiptare në shumicën e këngëve Millosh Kopili është heroi i vetëm.

Megjithë ndryshimet, të dy grupet përmbajnë motive të shumta që korrespondojnë në mënyrë domethënëse me ngjarjet që sollën rënien e perandorisë së justinëve, dhe mund të pohohet se nënshtresa e tyre formohet prej elementëve të këngëve të vjetra të malësorëve shqiptarë dhe  sllavojugorë. Përndryshe edhe të dhënat problematike të këtij cikli – siç janë episodi i pandodhur historikisht i tradhtisë së princit Vuk Branković, titulli “car” i Lazarit, motivi i vdekjes së nëntë jugoviçëve dhe disa të tjerë – kuptohen lehtësisht nëse i referohemi nënshtresës. Rapsodët shqiptarë dhe sllavë kanë ndërthurur motivet e këngëve  të vjetra me ato të  krijuara për betejën e parë të Kosovës, dhe kanë transmetuar në këtë mënyrë edhe ngjarje që në fakt i përkasin shekujve VI-VII duke pasqyruar një shëmbëlltyrë të padrejtë ndonjëherë të personazheve të rëndësishëm të historisë mesjetare serbe.

Përsa i përket procesit të ndërthurjes; hipoteza e parë është që fillimisht vargje ose këngë që në zanafillë rrëfenin rënien e  perandorisë dardane – siç dy të mësipërmet – ti jenë përshtatur lëndës epike të Betejës Kosovës duke u modifikuar veçanërisht në të dhënat onomastike.

Ose prej krijimit të parë të këngëve mbi betejën e Kosovës mund të ketë ndodhur i njëjti proces mbështetjeje në traditë i vërejtur ndër këngët heroike të shekullit XIX mbi kryengritjet e serbëve kundër osmanëve. Krijuesi i tyre, rapsodi Filip Višnjić, e paraprin rrëfimin e ngjarjeve të humbjes së Perandorisë Osmane në Serbi me motive të huazuara prej Ciklit të Kosovës – siç manifestimet qiellore që paralajmërojnë fundin e botës së vjetër – që janë shpjeguar paraprakisht në librat e shenjtë.

Shënim: kapitullin të plotë mund ta lexoni këtu.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin