nga Eleana Zhako
“Vdes si një Vend” është psikanaliza letrare e një vendi që dekompozohet ngadalë, rrëfimi tronditës i një gruaje real-imagjinare, që shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit e saj të kalbëzuar dhe si përthahet çdo burim nga rrjedhin lëngjet e saj jetësore.
Rrëfimi ka formën e një kronike postmoderne ku me një vërtetësi rrënqethëse dhe në mënyrë fantazmagorike përshkruhet Greqia e Hybris, demonit të dhunës dhe intolerancës, e fanatizmit ideologjik dhe fetar, e mendësisë mesjetare, korruptive, ksenofobike, nacionaliste, ajo e shterpësisë krijuese dhe shpirtërore. Ndonëse në tekst nuk përcaktohet koha dhe hapësira gjeografike, aludimi rreth periudhës së luftës civile greke, asaj të diktaturës së kolonelëve, si dhe jehona e ngjarjeve te Majit ’68 në Francë lidhet me botimin e parë të librit në vitin 1978, ku kujtimet dhe plagët e historisë, gjallonin ende si fantazma të pakallura.
“Vdes si një Vend” është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letersisë dhe teatrit bashkëkohor evropian. Krahas veprës së tij teatrale, Dimitriadis shquhet si poet, prozator, eseist dhe konsiderohet si përkthyesi më i mirë i autorëve të tillë si: Maurice Blanchot, Georges Bataille, Jean Genet, Jean Paul Sartre, Marguerite Duras, William Shakespeare, Samuel Beckett, William Tennessee, Witold Gombrowicz, etj. Fama e Dimitriadis në skenën e teatrit evropian i detyrohet kryesisht zbulimit të tij prej Patrice Chéreau, një nga regjisorët më të talentuar evropianë të 40-të viteve të fundit. Pak kohë pas ngjarjeve të Majit të ’68-ës, vepra e parë e Dimitriadis “Çmimi i revoltës në tregun e zi” (Le prix de la révolte au marché noir), u ngjit në skenën e Theatre de la Commune d’Aubervilliers në Paris në regjinë e Chéreau dhe admirimin e spektatorëve të tillë, si Jean Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir. Por, suksesi më i madh i Dimitriadis erdhi me ngjitjen e veprës së tij të përkthyer në shumë gjuhë “Vdes si një Vend” në skenën famshme të Teatrit “Odeon” të Parisit në vitin 2010, si dhe nderimin e tij si “Autori Bashkëkohor i Vitit” në Paris.
Mungesa e kohës dhe e vendit i jep tekstit një frymëmarrje universale dhe diakronike, çka e bën këtë vepër të jetë aktuale qoftë edhe 36 vite pas shkrimit të saj. Siç thotë dhe autori në intervistën e tij dhënë për gazetën franceze “Le Monde” pas suksesit të veprës së tij në vitin 2010 në Francë: “ Në Greqi jetojmë këtu e shumë kohë nën dritën e një ylli të vdekur. Ajo që unë ndjeva 35 vite më parë, sot tingëllon më se aktuale. Libri im është parabola e një vendi që vdes, mbasi refuzon të pranojë tranzicionin e tij, është armiqësor përsa i përket identiteteve të tjera – një vend i cili është rehatuar për 1000 vite, i cili nuk pranon të njohë atë çka e cilëson si “armik” dhe që është i paaftë të kuptojë se perspektiva e shpëtimit të tij vjen prej pranimit të “tjetrit”. Greqia karakterizohet nga një ngurtësi statike dhe nga një mentalitet i pandryshueshëm: ne ngërthehemi pas zakoneve të vjetra psikologjike dhe shoqërore, ushqehemi nga një traditë e vdekur, të cilën as që përpiqemi ta ndryshojmë. Kriza nuk mund të kapërcehet pa thellimin e vetëdijes sonë historike, e cila nënkupton vetëdijësimin se “e vjetra” ka vdekur dhe diçka e re duhet të lindë. Sikurse poeti T.S. Eliott thotë: “In my end is my beginning” – por duhet ta thuash atëherë kur fillon mbarimi”.
Sjellja e veprës “Vdes si një Vend” në shqip synon të eksperimentojë me një terren të njohur për lexuesin shqiptar. “Vdes si një Vend” është parabola shqiptare e një vendi ku shtetrrethimi i gjatë komunist dhe ngjarjet e ’97-ës nuk i përkasin një filmi bardhë e zi të së kaluarës, por vazhdojnë të kërkojnë një autor për tu ngjitur në skenën e “teatrit të maskave”. Ajo që Dimitriadis përshkruan si “Mesjeta e Mitrës”, në kontekstin shqiptar mund të përshkruhet si “Mesjeta Shqiptare”: bunkerizimi i truve të njerëzve, karrige elektrike që varen në ajër mbi kokat e njerëzve, që kanë vetëm dy emra “miq të popullit” dhe “armiq të popullit”, tufëzimi i njerëzve në kooperativa financiare piramidale, çetëzimi i njerëzve sipas parrullës “vetë zot, vetë shkop”, kallashnikovizimi i tyre deri në dhëmbë, politikanë të krimbur deri në veshë, kanonizim i fjalës “plumb qorr”, viktima anësore, jetë për dhjam qeni, “Shqipëria e kontradiktës, e luftës, e erresirës, mashtrimit, ahengut dhe biznesit”.
Gjuha e librit është një gjuhë midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës, i ngjan një lumi të rrëmbyer që mbledh gjitçka që ndesh gjatë rrjedhës së tij dhe në grykëderdhje drejt katharsis vjell gjithë vrerin e tij. Njeriu – vend i Dimitriadis zbret ne Hadin e skutave më të errëta të psikikës njerëzore dhe na sjell një rrëfim nga ferri i të gjallëve. Nëse për Sartrin “Ferri janë të tjerët”, për Dimitriadis edhe “Parajsa janë të tjerët”. Nëse një vend është pre e grykësisë së politikanëve të saj makbethianë, nëse flijon trupat e arsyes, të vetënjohjes, të lirisë, artin e të jetuarit, të të krijuarit, të njohjes dhe pranimit të tjetrit për të ndërtuar kështjella paranojake, ai është i destinuar “të jetojë nën dritën e një ylli të vdekur”.
Fragment nga vepra:
“Nuk dua të jem vend. Nuk jam vend. Nuk dua të jem ky vend. Ky vend është nekrofil, mban erë pleqërishte, është fekalofil, sodomist, putanë, davaxhi dhe vrasës. Unë dua të jem jeta, dua të jetoj, do desha të jetoj, do desha të mundesha të jetoja. Do isha e lumtur tani, nëse do desha të jetoja…por ky vend nuk më lë të dua, nuk më lë të jem jetë, te jap jetë.
Ky vend ha si kancer sisët e mia, trutë e mia, zorrët e mia, më ka rrënuar veshkat me gurët e zbritur, më ka molepsur gjithë burimet nga do rridhte qumështi im, më ka kalbur gjakun me dheun e zbritur në damarët e mi, është ngulitur i tëri mbi zemrën time të rreckosur nga infraktet dhe trompozat. Çdo institucion i tij është dhe një infrakt, cdo ligj i tij, një trompozë. Dërdëllimet e tij moralizuese më kane shkatërruar mushkëritë, historia e tij më bën të dridhem e tëra sikurse të vuaja nga Parkinson, qytetërimi i këtij vendi më ka rraskapitur, më ka shkalafitur. Nuk vazhdohet më kështu. Pozicioni i tij gjeografik është astma ime, forma e tij shtrihet mbi trupin tim si një herpes gjigant dhe më cmend…herë më shfaqet në formën e grabujës që më futet në sy, herë të një gjylpëre gjigante që më shpon kafkën dhe herë të një shkëmbi masiv që varet në majat e flokëve të mi dhe më zvarrit drejt një deti lotësh të hidhur… Zgjedha e tij rëndon mbi qafën e mitrës sime…. belbëzimi i tij gagaç më lidh gjuhën, vulgariteti i tij më shkakton djersë të ftohta…fiksimi i tij pas fantazmave të tij, devijimet e tij, imitacionet e tij, trute e mpira, kufomat e tij, qivuret e tij, krimet e tij….
Ky vend është makthi ynë. Do na vdesë, do na çbëjë. Si do shpëtojmë? Na pi gjakun, na e pi. Nuk më lë më të fle, më ka vjedhur gjumin. Si mund të jetohet pa gjumë? Nuk do jetojmë…. Gjithë sperma e burrave të botës nuk do mjaftonte të ngjallte atë të çarëzën e trupit nga nis jeta njerëzore…
Ke zbrazur gjithë jetën tënde brenda meje, por më ke lënë pa jetë. ..Më ke mbjellë si farë, por fara jote nuk do zërë asnjëherë…mbasi fara jote nuk zë më…nuk do mbijë më kurrë jetë brenda nesh. Palogrua!* Sikur të të kisha para meje, do të therrja me duart e mia. Ah Zoti im, të mundja ta vrisja! Vrasësit e saj ia dolën mbanë të mbërrijnë deri në mitrat tona dhe t’i mihin sikurse të ishin varre. Derrat, derrat! Janë të gjithë derra! Nga ta zë e nga ta lë, janë të gjithë vrasës, të gjithë! Më shtyjnë drejt një krimi të llahtarshëm, drejt një therrorie te pafundtë, therrorie të pafundtë…Ah, si durojmë këtu brenda, si s’na ka cmendur akoma palobushtra, kjo garotë**, kjo laringspërdredhura?! …me thikanxjerrësit e saj të kollarisur, që mbajnë fjalime zyrtare para thikanxjerrësve të tjerë të kollarisur.
Çdo pore e saj është një bandë horrash, çdo qoshe e saj një biçak, çdo centimetër i saj një grackë, mbushur plot me kurthe morti dhe thika të mprehta burrash vrasës, matrapazë dhe idiotë, strehë qirashësh burracakë dhe trafikantësh njerëzish…na zhyt kokën në jashtëqitjet e saj, na jep shqelma te harbuara në bole, na tret, na shtrydh, na rrënon, na përçan, na mbyt, na dënon, na vdes, na vdes, bushtër, e shitur, e molepsur, morracake, dhëmbëhelmatisëse, nënë-gjarpër, ulkonjë, gabele, inçestare, që gjithë kohës përqesh si majmune dhe papagalle, këmbëters, ogurzezë, nursëze, nuk të duroj dot! Nuk e duroj dot …vrasësen, femijëvrasësen, mëngjarashen, lepracaken, shtrëmbaluqen, kokëboshen, plakaruqen… plakaruqen që e pastë fatin e keq! Nuk duroj dot më asgje të sajën, asgjë, asgjë! E urrej, e urrej,.. ah, ah, të urrej, të urrej, të urrej, të urrej,… do vdes përbindësh dhe do vazhdoj të të urrej! Urrejtja vlon brenda meje… dua të shkruaj për së mbrapthi himnet e shkruara deri tani per të, fjalë për fjalë dua ta pushkatoj dhe ta mbys si qen me duart e mia….
Nuk jam më grua…..as ti burrë….gjithcka na e mori ajo..Cfarë do i ngelet asaj pa ne?
Cfare do jetë ajo kur mos t’i ngelet asgjë nga ne? Dheu i saj ka marre formën time. Trupi im ka tashmë përmasat e saj…Kam brenda meje fatin e saj…Vdes si një Vend”.
*Fjala “vend” në greqisht i përket gjinisë femërore
** garotë: teknikë ekzekutimi me origjinë spanjolle, ku i ekzekutuari qëndron në një karrige dhe i mbërthejnë në qafë një rrip metalik të cilin ekzekutuesi vendosë sa do e shtrëngojë dhe ka si qëllim mbytjen e të ekzekutuarit.
Më fal, jo se dua të dal me pallë zhveshur qysh në komentin e parë, por kam ca vërejtje “stilistike” për tekstin (se Xha Xhai na ka mësuar me standarte të larta këtu).
Shqipja e ka që i shquan emrat e përveçëm (sidomos emri: Dimitriadis, që del vazhdimisht, le të jetë i gjatë dhe të mbarojë me “s” sa të dojë). Ka pastaj, aty-këtu ca shprehje që nuk i kuptoj si p.sh.: “i krimbur deri në veshë” (pse jo deri në hundë, bie fjala), apo “viktima anësore”. Nejse.
Unë nuk e di kush e ka përkthyer veprën në fjalë, po mirë do të ishte të thuhej, se ne përkthyesve na bëhet qejfi kur na përmendet emri.
Përsa i përket fragmentit të shkëputur nga vepra, dy vërejtje do të bëja. Ka shumë përemra pronorë (aq sa ngjan si e përkthyer nga anglishtja). Unë do t’i kisha reduktuar në minimum, pra, përemrat pronorë dhe gjëja tjetër, foljet: sa më shumë që të mundja në mënyrën habitore dhe dëshirore.
Po janë vetëm shije personale. Tha.
@Arben
Faleminderit per komentet e natyres stilistike. Me lejoni t’ju pyes nese jeni ne radhe te pare njohes i greqishtes, mbasi per nga natyra e komentit te krijohet ideja se jeni ne gjendje te sillni nje veshtrim krahasues te pershtatjes se greqishtes ne shqip dhe ne relacion me anglishten. Perse mendoni qe perdorimi i tepert sipas jush i peremrit pronor eshte prone kryesisht e anglishtes dhe qe nje perkthim apo pershtatje nga greqishtja ne shqip duhet te mosperfshinte nje perdorim kaq te dendur te ketij peremri?
Persa i perket s-se se famshme do preferoja mendimin e xhaxhait mbi kete, perderisa ju i referoheni xhaxhait. Fjalet ” viktima anesore” dhe te “krimbur deri ne vesh” jane alkimi fjalesh te autores se ketij prezantimi, jo te shkrimtarit grek. Viktima anesore eshte ne analogji te shprehjes ” efekte anesore” dhe ka efekt grotesk, ndersa kundervenien tuaj te krimbjes deri ne hunde dhe jo deri ne veshe, sikurse dhe shkruaj, nuk arrij ta kuptoj. Une mund ta shpija krimbjen deri ne sy apo ne koke, fundja pak fantazi me teper nuk mendoj se thyen “rregullat e estetikes letrare”.