Nga shumë anë u konstatua me të drejtë se në Shqipëri ka plasur lufta e fotografive. Nga llogoret e zyrave të shtypit, ndoshta për herë të parë, komunikatat ua lanë sipërinë fotove në sulmin ajror kundër “armikut”. Institucione, spitale, sheshe, personazhe, etj. që fotografohen me breshëri. Kurrë si kësaj here, folja shkrep në shqip nuk i ka përmbledhur më mirë si armën ashtu edhe aparatin fotografik në një veprim të vetëm.
Duhet thënë se fotografia në arenën politike shqiptare është e zhveshur krejtësisht nga ana artistike e saj. Shkrepja e aparatit bëhet për t’i nxjerrë lakrat në shesh kundërshtarit, jo për të ndërmarrë ndonjë interpretim artistik të realitetit. Në këtë kuptim, fotografia përdoret si në sallën e gjyqit, pra si provë, pra ajo më shumë dëshmon se sa tregon, më shumë deklaron se sa vështron. Pra janë të ftohta, ose të paktën shtiren si të tilla.
Fotografitë që po përdoren në politikën shqiptare, qoftë edhe në modalitetin ballafaques dje/sot, synojnë të tregojnë realitetin, duke përfituar nga lidhja e hershme e aparatit me të vërtetën. A nuk quhet vallë objektiv si pjesa e aparatit optik, prej një ose disa thjerrëza, ashtu edhe realiteti që ekziston jashtë ndërgjegjes? Njëri është emër e tjetri mbiemër, por të dyja fjalët kanë të bëjnë me të vërtetën e me konkreten. Që fotografia pretendon gjithnjë të thotë të vërtetën, kjo dihet, sikurse dihet që ajo, si çdo medium tjetër, nuk ka të bëjë shumë me vërtetësinë. Fotografia thotë “E pashë me sytë e mi”. Mungon vetëm betimi. E megjithatë dikush thotë se fotografia nuk di të gënjejë, por gënjeshtarët dinë shumë mirë të fotografojnë.
Nga objektiviteti lind edhe besueshmëria. Përdoruesit e fotografive në Shqipëri ia njohin forcën fotografisë pranë opinionit publik, ndaj e përdorin dhe ndonjëherë abuzojnë me të. Ja, thotë politikani, flet vetë realiteti. Shiko fotografinë. Shiko si e gjeta vendin, institucionin, e kështu me radhë. Mos u beso fjalëve të mia, por fotografisë. Asaj nuk ke ç’i thua.
Ironia qëndron në faktin se politikanët, pasi i zëvendësuan gazetarët shqiptarë nëpërmjet zyrave të shtypit, tani po u vjedhin zanatin edhe fotografëve dhe gazetarëve që rrëfejnë nëpërmjet fotografisë. Mediave shqiptare nuk u mbetet gjë tjetër veçse të përdorin kopjo/ngjit-in jo vetëm për komunikatat partiake, por edhe për fotografitë. Mbivendosja e përkryer. Fundi i gazetarisë, dhe i politikës gjithashtu.
Por ka edhe ironi më të hidhur. Opinioni publik shqiptar që nuk i besoi videos së famshme të ryshfetit, si nga pikëpamja juridike (meqë doli i pafajshëm në gjyq), ashtu edhe nga pikëpamja politike (meqë elektorati e vlerësoi në zgjedhjet e fundit), nuk kuptohet përse u beson kaq shumë fotografive. Aq më tepër që fotografitë janë bërë vitet e fundit gjithnjë e më logorroike, sepse bëhen me shumicë, me aparate me shumicë. Praktikisht nuk ka mbetur mjet elektronik që nuk bën fotografi. Së shpejti edhe orët e dorës do të jenë në gjendje t’i bëjnë me kushedi sa megapixel.
Në qoftë se objektivi i fotografisë është i qartë, po ai politik cili është? Denigrimi? Tejet banale, anipse efikase në realitetin shqiptar. Në radhë të parë, fotografia ekziston falë dëshirës për të kujtuar, për të fiksuar çaste të jetës e të realitetit. Po sikur fotografitë e tanishme të kenë si qëllim kryesor fiksimin e realitetit për ta ballafaquar me të ardhmen? Ka mundësi, përderisa një palë kundërshtare rendi të nxirrte fotografi krahasuese të kryeqytetit për të nënvizuar ndryshimin pozitiv.
Lufta politike në media po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Beteja e fundit e fotografive është vetëm një shprehje e saj. Pas dehjes mediatike gjatë fushatës elektorale, të shastis zhvendosja pothuajse totale e politikës shqiptare në virtualitetit e imazhit, ku realiteti përbën element të rëndësishëm, por gjithsesi dytësor, pse të ndërmjetësuar e të instrumentalizuar në të njëjtën kohë. Në të vërtetë, realiteti i shoqërisë shqiptare duhej t’i imponohej me forcë politikës, që vazhdon të luajë me aparate fotografike nëpër duar, pa e denjuar qoftë edhe me një shikim autentik.
Ne faza fillestare genjeshtra eshte e thjeshte, pasi flet te paverteta. Tani kemi evoluar, dhe manipulimi mundohet te sofistikohet. Megjithate besoj se po perhapet bindja se te thuash te verteta nuk eshte domosdoshmerisht e barazvlefshme me te thenet e te vertetes.
Xhaxha, ndërro datën e postimit që ke qitur në krye të faqes. e ke plakur ca.
Falemnderit, sapo e ndërrova. Në fakt, datat i vendos automatikisht WordPress – por unë luaj ndonjëherë me to, për të rregulluar renditjen e shkrimeve në blog dhe për të mos i mbuluar menjëherë shkrimet e reja. Arsyeja: disa shkrime që dalin menjëherë në FB, mund të presin pak në blog; por që të dalin në FB, duhet të kenë dalë në blog – që këtej edhe marifetet me datat: shkrimi del në blog, por futet mes publikimeve të një viti më parë.