Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

HISTORIA E ROLEVE TË NGATËRRUARA

tashmja-kaluara-ardhmjaArsyet që shqiptarët i qasen shpeshherë historisë në mënyrë problematike duhen kërkuar gjithkund, duke filluar nga vetë e kaluara e tyre, për të vijuar me psikologjinë dhe ideologjinë kombëtare, por nuk duhet harruar se një pjesë e keqkuptimeve rrjedh nga pështjellimi i roleve të aktorëve publikë.

Tashmë është e qartë se shqiptarët nuk arritën t’i bëjnë dot llogaritë me historinë e vonë, për t’i larë hesapet një herë e mirë me periudhën totalitare, e për t’u shkëputur përfundimisht nga fijet që e mbajnë të lidhur me të kaluarën. Koha e totalitarizmit është e pranishme edhe sot e kësaj dite, jo vetëm nëpërmjet aktorëve të saj, pjesërisht në jetë, por edhe falë mediave që i janë qasur asaj me thellësinë e gazetave të gossip-it, duke i servirur publikut një periudhë të shpërfytyruar, ndonjëherë të patinuar, gjithsesi të pavërtetë e pa asnjë gjykim me karakter vleror.

Të rinjve të sotëm, imazhet e asaj kohe u vijnë në trajtë anekdotike. Thashethemet, kujtimet, sensacionet, nostalgjitë, ditarët, komplotet, dorëshkrimet, krijojnë një atmosferë kulturore ku mitet bashkëjetojnë me realitetin, ku paragjykimet shartohen me kujtimet, ku perceptimet ndërthuren me provat, ku dritat alternohen me hijet. Pornografia dokumentare, siç e quajti Xha Xhai, midis të tjerash ka “meritën” e padiskutueshme se nëpërmjet rrëmimit në arkivat e regjimit, perfeksionohet procesi i humanizimit të totalitarizmit. Mediat e trajtojnë atë periudhë si thesar informacionesh, nga ku nxjerrin rregullisht scoop-e për të zbavitur vëmendjen e lexuesve, duke i joshur me të famshmen “vijon nesër”, ose “ndiqeni në numrin e ardhshëm”. Historia kthehet kështu në telenovelë, me seri të pafundme, me “colpi di scena” e surpriza nga më të papriturat, brenda e jashtë oborrit të mbretërve, pa ia kapur dot kurrë thelbin. Kjo e shndërron atë kohë në një periudhë tejet interesante, misterioze, intriguese, sa e brendshme aq edhe e jashtme, sa e afërt aq edhe e largët.

Historianët i qasen jo rrallë historisë me zellin e ideologut. Disa syresh e trajtojnë atë si palestër për të realizuar ushtrime demagogjike, duke ngatërruar në thelb rolin e vet si shkencëtarë, që presupozon kërkimin e së vërtetës me mjete shkencore, e jo vërtetimin e së vërtetës së ambalazhuar prej kohësh. Historianët sillen sikur kërkojnë medoemos pëlqimin publik, ndërkohë që duhet t’i përgjigjeshin shkencës e jo publikut. Pa bërë përgjithësime të tepruara, mund të thuhet se nga e njëjta ngatërresë vuajnë edhe intelektualët, të cilët duket sikur ndjekin me ankth luhatjet e sondazheve, ndërkohë që normalisht nuk duhet t’u bëhej vonë fare se ç’thotë mendimi dominant, por duhet të ngrinin probleme që dalin jashtë mainstream-it kulturor të momentit.

Përkundrazi, politikanët i afrohen historisë me dhelpërinë e instrumentalizimit, duke e përkulur atë sipas qëllimeve të veta. Në këtë kuptim, madje është afërmendsh, që disa prej tyre nuk duan që shapi me sheqerin të ndahen përfundimisht, sepse qëndrimi realist ndaj historisë, sikurse shkëputja përfundimtare nga e kaluara, nuk u leverdis, me sa duket, për arsye pushtetore e/o elektorale. Ndaj edhe politikanët marrin poza prej historianësh, duke dhënë verdikte që nuk u takojnë, gjithsesi duke e aktualizuar historinë e dikurshme për të përftuar pëlqimin e sotëm. Nga ana tjetër, politikanët i qasen historisë me seriozitetin e mediave, duke sjellë për qytetarët copëza realitetesh të dikurshme, shpeshherë në trajtë biografish e akuzash të ndërsjella, gjithnjë në funksion të luftës së sotme politike.

Përse vallë pas periudhave diktatoriale vazhdojnë të mbijetojnë paragjykime në popull? Sot e kësaj dite do të gjesh  njerëz që ta lavdërojnë Enver Hoxhën dhe periudhën e tij me argumente nga më të ndryshmet, nga më seriozet tek më bizarret. Në pamje të parë disa pohime duken të bazuara, në përvojë e histori, të tjerat i përkasin miteve vulgare, ndonjëherë duke cekur komiken. E megjithatë lulëzojnë dita ditës, nga lagjja në lagje, nga fshati në fshat. “E mbajti Shqipërinë në paqe”, “Ishte nacionalist”, “Ishte tamam burrë”, “E mbrojti Kosovën”, “Në atë kohë kishte qetësi”, “I mbanim dyert hapur”, “Nuk kishte trafik”, “U zhduk analfabetizmi”, “Kishte shtet të vërtetë”, “U realizua elektrifikimi” e kështu me radhë. Një nga arsyet e këtyre mbetjeve kulturore është pa dyshim mosushtrimi siç duhet i roleve të aktorëve publikë.

Publiku shqiptar, jo për faj të vet, ende nuk e ka të qartë që politikanët duhet të japin gjykime politike për të kaluarën, çka do të thotë vlerësime të sintetizuara sipas vlerave të përfaqësuara. Një regjim si ai, që mbijetoi deri në vitin 1990, duhet dënuar nga politikanët pa asnjë lloj mëdyshjeje, e pa bërë distinguo pehlivanësh, sepse kjo kërkohet nga politikanët: të japin vlerësime politike, duke pasur parasysh gjithnjë se me politikë nënkuptojmë zgjedhjen e politikave për administrimin e jetës kolektive (polis). E pra, nga politikani pritet gjykim përgjithësues, përmbledhës, që të shkojë përtej elementit të veçuar, të sipërfaqshëm, jo thelbësor; duke mos e gjykuar totalitarizmin p.sh. në bazë të trafikut të paqenë, por të shkeljeve të të drejtave më elementare të njeriut. Pra duke i prekur zemrën problemit. Tek e fundit, diktatura nuk mund të vihet në njëjtin plan me demokracinë, qoftë duke krahasuar elemente kinse të ngjashme të të dy sistemeve.

Përkundrazi, historianëve u takon që t’i shpjegojnë dallimet midis dy sistemeve e të futen në hollësi të asaj periudhe, duke na ndriçuar, sipas dokumenteve e dëshmive, realitetin dhe dinamikat e asaj kohe. Historiani mund të flasë pa u keqkuptuar për arritjet pozitive të regjimit, duke na shpjeguar përse-të e tyre, por pa harruar mizoritë e totalitarizmit dhe koston e rëndë sociale. Si të thuash, mund të flasë për elemente të veçanta duke e futur në një kontekst më të gjerë. Kështu, pohimi se gjatë regjimit kishte qetësi e nuk kishte kriminalitet, fillimisht duhet t’i nënshtrohet provave historike, duke parë të dhënat e kriminalitetit, pastaj duhet shpjeguar, ta zëmë, me kontrollin e rreptë kapilar, si policor ashtu edhe social, që ekzistonte gjatë regjimit.

Gjithashtu, kur thuhet se në atë kohë nuk kishte papunësi, duket sikur jepet vlerësim pozitiv, por historianit i takon që ta shpjegojë shkencërisht se si funksiononte ekonomia e centralizuar, tek e cila papunësia nuk mund të ekzistonte as si term, përveçse kur flitej negativisht për kapitalizmin. Gjithsesi, historiani e di që përveç etikës profesionale duhet të respektojë parimet metodologjike, duke i qëndruar larg duartrokitjeve të mediave, të mazhorancës, ose të turmës. Kjo do të thotë se sot mund të zbulojë diçka “të ëmbël” për ideologjinë mbizotëruese, kurse nesër studimet mund ta neutralizojnë atë me hidhësinë e zhgënjimit.

Në këtë kaos hapësinor e kohor njëkohësisht, në skenën publike shqiptare gëlojnë me shumicë role e poza, ku historiani sillet si politikan, politikani flet si historian, gazetari punon si grimier, arkeologu gërmon si minator, intelektuali ngrefoset si militant, nëpunësi bindet si ushtarak,… e vice versa; nën tingujt e himnit kombëtar ndërsa të gjithë valëvitin flamuj si dëshmi patriotizmi, historia na vjen në ditët e sotme jo vetëm e fragmentarizuar dhe e përçudnuar, por edhe e inskenuar në mënyrë të shëmtuar e amatoreske. Kjo na e mjegullon disi shikimin, duke mos e parë qartë historinë tonë si popull, e mbi të gjitha lidhjen e së kaluarës me të ardhmen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin