Ose zhvirgjërimi i veshit të Kim Jong-un
Ministria e Punëve të Jashtme të ish-republikës së Zadehstanit, sot Sulltanati i Zahdestanit, i bën thirrje Republikës Demokratike Popullore të Koresë së Veriut që të ndërpresë menjëherë provat me armë bërthamore, “të cilat janë provokime të rënda dhe që ndikojnë negativisht në mjedisin e sigurisë rajonale dhe më gjerë”.
Kjo thirrje nuk i drejtua popullit mik koreano-verior për arsye logjistike, por veshit të djathtë të naltmadhnësisë së tij “Ndjekësit të Madhëruar” Kim Jong-un, sekretarit të parë të Partisë së Punëtorëve. Kim Jong-un sapo kishte kryer ndërhyrjen e rradhës për të shurdhuar veshin e majtë, duke shastisur edhe njëherë kundërshtarët e mahnitur adhuruesit e tij ndërkombëtarë me zhurmën e shkaktuar nga shpërthimi bërthamor.
Ndërsa veshi i djathtë i Kim Lëng-un ka lindur i shurdhët, veshi i majtë ka pësuar disa herë ndërhyrje bërthamore shurdhuese. Udhëheqësi suprem i nënshtrohet ndërhyrjeve të tilla shurdhuese për t’u kursyer nga të qarat e fëmijëve të uritur dhe nga qortimet e ndërkombëtarëve.
Gazetat raportojnë se “thirrja” përshkoi një largësi prej 8000 milje nga kryeqyteti i Zahdesanit në Pjongjang brenda 10 orëve me një shpejtësi zëri prej 768 miljesh në orë. Por burime të besueshme pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme tregojnë se në fakt “thirrja” hasi në disa pengesa në zonën e maleve të Himalajës, ku u mbajt peng për disa orë nga receptorët kinezë. Ministria e Punëve të Jashtme ka dërguar për këtë një note proteste dhe ka ftuar për bisedime përfaqësuesin e Republikës Popullore të Kinës z. Ye Hao. Zyra e shtypit pranë kësaj ambasade e kontaktuar nga gazeta jonë “mohon kategorisht çdo përfshirje në këtë çështje”.
Burime të pakonfirmuara konfirmojnë se kjo thirrje ishte një orvatje e qeverisë së Zahdestanit për të zhvirgjëruar veshin e djathtë të Cim Cong-un pas bllokimit të të majtit nga provat e djeshme bërthamore.
Por mendimet e ekspertëve dhe të opinionistëve ndahen përsa i përket formës së “thirrjes”. Gazeta “Tregu Popullor” raporton se “thirrja” ishte në formën e një “piskame” me mundësi të lartë suksesi penetrimi për veshin e Gzim Long-ut. Gazeta “Peisazhi” i mëshon faktit se “thirrja” ishte më shumë një ulërime shumë-dimensionale me qëllimin për të penetruar edhe hapje të tjera të trupit të Cim Kong-un. Kërkesës sonë për hollësi mbi këto “hapje të tjera” gazeta “Peisazh” nuk iu përgjigj duke iu referuar politikës së gazetës për diskrecion në trajtimin e çështjeve të tilla të ndjeshme për publikun.
Gazeta opozitare “Zahdestanja.com” mëton se thirrja ishte një e gërthitur apo e bërtitur duke u mbështetur në burimet e saj konfidenciale në Ministrinë e Bujqësisë, të Ushqimit dhe Mbrotjes së Konsumatorëve. Gazeta citon burimin e saj të sigurtë se gjithsesi “thirrja nuk kishte arritur t’i kalonte dy zyrat ndarëse të ministrit të punëve të jashtme me zyrën e marrëdhënieve me jashtë.” Ndërsa gazeta tjetër opozitare “Millenium” citon kryetarin e opozitës z. Rahman se “kjo thirrje ishte një ngjirje e mjeruar e një qeverie, zëri së i cilës është qjerrur së gënjyeri.” Z. Rahman citohet më tej të jetë shprehur se “thirrja e qeverisë është e pafuqishme të penetrojë murin e bllokimit që i ka ngritur vetes me izolimin total… ajo është një thirrje hajdute nëpër terrin informativ … një thirrje impotente e një ministrie, të cilës i ka ngelur vetëm zhgualli i ministrisë së jashtme, se brenda është kryeministria e Sahan Bishës që pëshpërin “thirrje” të tilla dhe pshurr gjurmëlënësin e tij si gjithkund në çdo cep të autoritetit të këtij shteti.”
Gazetat “Dje” dhe “Telepatia”, të pozicionuara asgjëkundi dhe gjithandej në boshtin joideologjik të pushtetit, i referohen ekspertit Kustrut Miftira që shprehet se “thirrja u krye në një heshtje të plotë, pasi ajo ishte faktikisht reflektimi, madje amplifikimi i zërit të agjentëve amerikanë të ulur këmbëkryq në Ministrinë e Jashtme, për të shmangur vëmendjen nga raketat që sot lëshohen në formën e meteorëve në Moskë dhe gjetkë në Rusi.” Gjithashtu nga sondazhi i këtyre gazetave në bulevardin e kryeqytetit u vërejt se qytetarët ishin të disa mendjeve në lidhje me formën e thirrjes. Ndërkohë që disa betoheshin se atë thirrje e kishin dëgjuar edhe shurdhërit e mëhallës pasi i kishin parë të bënin kryq a të faleshin, të tjerë me shpërfillje e karakterizonin “thirrjen” më shumë si një fishkëllimë në stadium bosh.
Pas hulumtimit gazeta mësoi se thirrja nuk kishte vajtur në Pjongjang, por pasi një çoroditje kishte humbur rrugën dhe ishte përplasur në një pallat të Tokios, Japoni, ku kishte thyer disa xhama, dëmtuar lehtë fasadën e pallatit dhe fatmirësisht kishte vrarë asnjë përveç katër kalimtarëve të moshës së thyer.
Nisur nga propozimi i z. Filan, i cili dëshironte të qëndronte anonim, ne u lidhëm me z. Jimmy Dushku, cicërimat e të cilit ndiqeshin me kërshëri dhe vazhdimësisht nga Kim Jong-un. Lutjes sonë z. Dushku iu përgjigj pozitivisht, duke falenderuar me përkushtim bashkëcicëronjësin e tij z. Rahman për rekomandimin. Z. Dushku ofroi më kënaqësi platformën e tij në Twitter për të përçuar në veshin e duhur “thirrjen” e qeverisë së Zahdesanit për udhëheqësin Gim Gong-un.