Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi

REVIEW BOMBING

Postimi i komenteve vlerësuese tejet kritike ose negative (negative reviews) në një sajt komercial a biznesi, kur bëhet për synime dëmtuese ose politike kundër atij biznesi, dhe veçanërisht nga persona që nuk kanë pasur ndonjë eksperiencë me produktet ose shërbimet përkatëse, konsiderohet si akt i paligjshëm nga shumë shtete dhe përndiqet penalisht, edhe pse në vështrim të parë mund të duket si jo i dhunshëm (non-violent). Kur këto komente negative lihen gjatë një kohe të shkurtër, në formë “fushate” e me berihaj, kemi të bëjmë me review bombing, një lloj vandalizmi kibernetik që mund t’i dëmtojë rëndë bizneset, sidomos ato që kanë prani të fuqishme në ueb ose e bëjnë xhiron me transaksione elektronike/online.

Dukuria është e të njëjtit lloj me të ashtuquajturat fake reviews, ku bizneset ftojnë ose paguajnë përdorues të mirëfilltë a të sajuar, që të lënë komente tejet pozitive për produktet ose shërbimet përkatëse, të cilat nuk përfaqësojnë ndonjë vlerësim realist të këtyre produkteve ose shërbimeve – duke vandalizuar kështu orientimin e përdoruesit në blerjet online. Nëse komentet kritike ose negative synojnë që ta dëmtojnë një biznes, duke ia larguar klientët potencialë, fake reviews i shtojnë klientët artificialisht, duke i bërë këta të besojnë se produkti ose shërbimi ia vlen të blihet ose të përdoret.

Si dukuri, review bombing ka të bëjë zakonisht me postimin në masë të komenteve dhe vlerësimeve negative, për ta dëmtuar një biznes në kuadrin e një proteste – që mund të jetë politike, por edhe sociale dhe tjetërlloj. Si për shembull kur fansat e një filmi ose një seriali televiziv bëjnë thirrje për të lënë masivisht komente negative për një sequel, ngaqë mendojnë se ky nuk i ka ndenjur besnik origjinalit ose nuk ua ka përfillur atyre kërkesat. Forca e review bombing varet nga numri i madh i atyre që janë gati të marrin pjesë, meqë thjesht i konformohen thirrjes politike që u bëhet.

Në rastin e tanishëm në Shqipëri, ka pasur – me gjasë – një nxitje të bashkërenduar për të lënë komente negative në biznese të turizmit (hotele, restorante), në kuadrin e protestës së “flamingove” dhe me synimin për të sabotuar promovimin e pandalshëm dhe zakonisht auto-propagandistik që i bëhet turizmit nga qeveria Rama, të cilën protestuesit duan ta rrëzojnë.

Kjo taktikë e aksionit politik, që mund të japë efekte ndonjëherë të kobshme për bizneset, nuk mund të justifikohet moralisht. Vështirë se ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes bizneseve të shënjestruara nga fushata e tanishme e review bombing dhe politikave klienteliste të qeverisë Rama dhe të vetë kryeministrit. Përkundrazi, vetë mundësia për ta dëmtuar një biznes nëpërmjet manipulimit të reviews-ve i hap rrugë shantazhit masiv dhe destabilizues të ekonomisë.

Dalja e bizneseve të ndryshme online dhe mundësia që u është dhënë bizneseve dhe klientëve të komunikojnë në distancë, nëpërmjet Internetit, i ka ndihmuar klientët të informohen për produktet dhe shërbimet që blejnë dhe, në parim, ka lejuar diferencimin mes bizneseve cilësore dhe atyre jocilësore. Tashmë shumë prej nesh e kanë bërë zakon që, para se të blejnë diçka online, të marrin në konsideratë “yjet” e vlerësimeve që i janë dhënë nga blerës të mëparshëm; duke supozuar se këta të fundit i kanë dhënë yjet në mirëbesim. Sistemi është shumë efikas, me kusht që palët t’i zënë besë njëra-tjetrës.

Thyerja e besimit, nga cilado palë, rrezikon ta komprometojë krejt sistemin. Një biznes që shton në sajtin e vet fake reviews, për t’u rritur artificialisht vlerën produkteve të veta, do t’i gënjejë blerësit; dhe, për pasojë, këta jo vetëm nuk do të shkojnë më të blejnë tek ato sajte, por edhe do të fillojnë të dyshojnë për sinqeritetin e vetë sistemit të reviews-ve. Dhe e kundërta – kur një biznes cilësor sulmohet me review bombing për arsye që nuk kanë të bëjnë me produktet ose shërbimet që ofron, por për qëndrimet politike të pronarëve të vet, atëherë në afat të mesëm dhe të gjatë klientët sërish do të dëmtohen, sepse një biznes i mirë do të dalë nga tregu.

Mundësia për të vlerësuar online një produkt ose shërbim është manifestim i demokracisë së tregut, me të cilën mund të abuzohet. Abuzimi nëpërmjet një fushate ose me mobbing ndodh rregullisht, gjatë ditëve (dhe netëve) të Eurosong-ut, kur online shpërndahen kërkesa dhe thirrje këmbëngulëse për të votuar “për Shqipërinë”, dhe jo ngaqë kënga e meriton të fitojë, por ngaqë është “jona”; dhe se “kështu veprojnë të gjithë”. Mekanizmi i votimit online, i menduar si një mënyrë për të mësuar sa është pëlqyer një këngë a një këngëtar nga masa e publikut, përfundon në karnavalin e një referendumi nacionalist primitiv, ku votohet për përkatësitë kombëtare.

Edhe kjo është një lloj “free-loading” ose “free-riding”, ku një përdorues individual ose një grup përdoruesish përfitojnë nga një shërbim publik për të realizuar synime private. Udhëtimi pa biletë, në transportin publik, është shembulli më i rëndomtë; sa kohë që çmimi i biletës i paguar nga udhëtari ndihmon për ta mbajtur në punë sistemin. Një tjetër lloj free-loading-u është abuzimi nga refugjatët me sistemin e strehimit politik në disa vende, si në UK dhe SHBA, për të fituar të drejtën e qëndrimit atje, nëpërmjet falsifikimit të provave (për shembull, duke u hequr si i persekutuar politik). Nga përvoja individuale që kam, them se emigrantët nga Shqipëria në Perëndim jo vetëm e kanë tepruar me free-loading, por edhe e kanë bërë këtë pa ndonjë ndjenjë faji; në një kohë që do të stepeshin po të ishte fjala për të trajtuar ashtu kullotat ose çezmën e fshatit të tyre.

Shfrytëzimi i mekanizmave falas, që vihen në dispozicion të publikut nga sajtet komerciale – si ai i mundësisë që i jepet gjithkujt për të lënë një koment apo review, për të ndihmuar të tjerët – kërkon një pakt të heshtur por solid mes palëve, për të mos gënjyer. Prej një hoteli që i paraqet shërbimet e veta online pritet që të mos gënjejë me fotografitë e dhomave a të pamjeve nga ballkonet; njëlloj siç pritet prej klientit që ka pushuar atje dhe pastaj ka vendosur të lërë një review, që të japë përshtypjet e veta reale për eksperiencën që ka pasur.

Review bombing e rrëzon këtë sistem mirëbesimi, sa kohë që një masë anonimësh e pushton hapësirën e vlerësimeve dhe e përdor për të arritur synimet e veta; njëlloj siç ndodh edhe me komentet negative që lihen, ndonjëherë me qindra, në rrjetet sociale – nga përdorues realë dhe botë – me qëllim që të deformojnë perceptimin e çështjes që trajton një artikull ose editorial. Në të gjitha këto raste, kemi të bëjmë me përdorime private të një hapësire publike, ose të vënë në dispozicion të publikut.

(c) 2026 Hajro Emiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading