Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

ATHANAS TASHKO – NJË PORTRET

Një nga gjërat për të cilën flasim rrallë, është edhe mungesa e vështrimeve për ndryshimin e tekstit nga perspektiva e lexuesit dhe sidomos kur ky lexues ka jetuar në dy epoka të ndryshme, madje të kundërta. E kam fjalën për lexuesin në socializëm dhe atë në tranzicionin e sotëm. Brezit tim i qëllon që të lexojë sot atë tekst që e ka lexuar edhe më parë. Dhe vështruar nga kjo perspektivë, ai mund të rivlerësohet nga një perspektivë tjetër duke arritur, në disa raste, që të modifikojë edhe mesazhin.

Kur kam lexuar librin ATHANAS TASHKO (1863-1915) (Botimet FLESH, Tiranë 2015), të Eno Koços, aty, veç të tjerash, kam vënë re se teksti ynë i Rilindjes Kombëtare duhet rilexuar edhe nga perspektiva e lexuesit të sotëm për t’u afruar më shumë me fenomenologjinë e atyre zhvillimeve, në mënyrë që të përftojmë një narrativë më realiste për periudhën e Rilindjes e atë të Pavarësisë dhe për të dekonstruktuar, aty ku është e mundur, hagjiografinë dhe narrativën vetëm glorifikuese me të cilën, në jo pak raste, është ndërtuar teksti i historiografisë së krijuar në socializëm. Nga ky vështrim, figura të tilla si kjo e A. Tashkos, që, më së shumti, kanë ndenjur në prapaskenë, por që, nga ana tjetër, kanë sponsorizuar me mjete financiare dhe me ide, po të përdorim termat e sotëm, një pjesë të rëndësishme të Rilindjes dhe të Pavarësisë, duhet të njihen më mirë. Por edhe për një arsye tjetër. Pas largimit nga skena politike të djalit të tij, Koço Tashkos, siç ndodhte rëndom, edhe për A. Tashkon nuk flitej ashtu siç do të duhej.

Athanas Tashko është babai i sopranos shqiptare Tefta Tashko Koço, i Gaqo e Koço Tashkos dhe gjyshi i dirigjentit dhe muzikologut të njohur, Eno Tashko Koço. Është një familje që ka shenjuar të katër periudhat e fundit historike: Pavarësinë, periudhën e monarkisë, socializmin dhe postkomunizmin. Ky libër që kam përpara, është një tekst i plotë për atë pjesë të historisë sonë kombëtare që lidhet me diasporën tonë në Egjipt dhe, në mbi 500 faqet e tij, ka një pasuri dokumentare për këtë hapësirë gati shteruese. Njeri i fortë, biznesmen i klasit të parë, Athanas Tashko e ndërton në Fajun të Egjiptit aktivitetin e tij duke çelur atje një hotel-restorant dhe e kthen atë vend në pikëtakimin më domethënës të të gjithë atyre që më pas do të merrnin një rol të posaçëm në përpjekjen për Pavarësinë e Shqipërisë.

Në një foto të rrallë në Liqenin pranë hotelit të tij, mbi një varkë shihen Tashko, Çajupi, Filip Shiroka, Noli, Vruho.

Aty, si të thuash, ishte frymëzimi, por edhe financat. Por mua më ka bërë përshtypje veçanërisht personaliteti i Athanas Tashkos, që shfaqet, sidomos, te antropologjia e mendimit të tij. Deri tani kisha menduar se Fishta apo Konica janë të paarritshëm në shfaqjen e këtij stili apo e këtij tipari të ligjërimit të tyre që strukturon e dekonstrukton mitin e shqiptarëve si entitet modern brenda kodit të nderit, besës, trimërisë e virtytit, por Athanas Tashko nuk është më pak. Tek ai nuk ndihet patetizmi bosh, por cinizmi dhe realizmi i ftohtë. Klishetë apo stereotipitë glorifikuese të shqiptarit me të cilat e ndërtonte atë figurë narrativa nacionalromantike, këtu, ndonjëherë, përtallen. Shqiptari i asaj kohe, por, në fakt, edhe ky i sotmi «bredh pa kapistër» (F. 93), thotë Tashko, në kuptimin që nuk e njeh disiplinën. « Turqisë jepi para e merri të gjitha» (F. 93) – një karakterizim brilant i imperializmit ekonomik. « Adeti i shqiptarit – të bëjë trimëri e të presë ta lëvdojnë të tjerët » (F. 93) – karakterizim i bukur i mendjemadhësisë boshe. « Adeti i turkut dhe i grekut është të vjedhë trimërinë e tjetrit e të lëvdohet vetë» (F. 93)- sa shqiptarë janë vrarë për Turqinë e Greqinë dhe janë tretur në identitetin e tyre. Por rrallë kam lexuar një karakterizim aq të bukur për identitetin e çarë të shqiptarëve, të cilët, më së shumti, identifikohen me fqinjët apo me ata që i kanë shtypur. Në një shkrim të tijin me titull «KUNGULL I HUAJ PËR VEHTEN E TIJ», ai shkruan :

« …Na shqiptarët lindëm nga barku i nënës pa ndjenja vetiake, pa vehti të nierëzinjta, pa karakter të plotë. Këto tri gjëra të vyera për njeriun i marrim pastaj kur rritemi e bënemi burra me mustaqe. I marrim nga greku me të cilin rojmë. Do më thoni : Ay shqiptar që jeton në një qark grek merr ndienja, vetia e karakter Greku. Ay që ron me Turqit bëhet Turk. Ay që ron me Çifutët të copëton po tu thuash bamirësve të tia Çifutë e jo Jahudi. Dhe kështu pra secili prej nesh gjendet kurdoherë kungull i huaj për vehten e tij. Sikur të kishte krijuar Zoti në këtë botë ene ndonjë qark prej Veshgjatësh, që të mundnim të ronim edhe me ata, pasha Zotin mre burr, do kishim sot ene shqiptarë veshgjatomanë, të cilët në vent që ti luteshin Zotit si ndë kur lutemi sot duke thënë lai lai i alla dhe mnisthiti mu qirje otan erthis en ti vasilia sov, (kujtomë o Zot kur të vish në mbretërinë tënde), ata do të thoshin : o Zot në xhenet të gomarëve! » (F. 122). Në një vend tjetër ai ngre lart urtësinë e shqiptarëve, të cilët, në konfliktin mes Esad Toptanit dhe Ismail Qemalit në vitin 1914, nuk pranuan të merrnin armët kundër njëri-tjetrit. I kujdesshëm për të ndriçuar sa më mirë ambientin dhe kohën ku jeton, ai na tregon një gjë interesante për donmétë, hebrenjtë e kthyer në myslimanë, të cilët, ashtu të konvertuar, pra, ditën myslimanë e natën hebrenj, luanin në sferat e larta të pushtetit turk dhe shqiptarët njëherë i afronin kur duhej mbrojtur Perandoria e pastaj i luftonin kur duhej thërrmuar ajo. Pragmatizmi i njohur hebre përballë naivitetit folklorik shqiptar të cilin, për fat të keq, disa herë, e heqin për hunde të huajt. Sipas Tashkos, kjo ndodh :

  1. Sepse jemi gamile t’Anadollit, vetë nuku dijmë t’ecim, na duhet një më i math nga neve që të na heqinjë. I math për neve është çdo njeri që s’është nga raca jonë.
  2. Sepse jemi pula, na duhet një këndes që të na thërrasë kurr kurr kurr dhe të mblidhemi ndër këmbët, e ta shohim në gojët se mos ka ndonjë koqe varillë edhe për neve.
  3. Sepse jemi të trashë, nuku njohim ç’është bota, nuku kuputojmë nga na vjen e mira a e liga, burimnë nuk na e gjejnë dot, trashësia na bën që kur pësojmë no një të keqe nga vëllaj ynë, i lirojmë vatrënë, kur pësojmë nga i huaji e lëmë me Perëndinë.
  4. Sepse sot kemi karakter të poshtërë. Trashësisë i themi Urtësi, Veshgjatësisë – i themi Besë. Të unjurit kokë përpara një të uaji që na çkatëron – i themi Fisnikëri. Vrasjes për një kokë keci- i themi Trimëri. Vrasjes për punën e atija që na ushqen (me djersën tonë) – i themi nder i Shqipëtiarit. Vrasjes për të marrë gjakun nga soji ynë – i themi Nder i Shqipërisë. Edhe vrasjes për shkak të Kombësisë – i themi Budallalëk i Math.

 (F. 128)

Ai është i ashpër edhe me qëndrimet pa ide të shqiptarëve në fillim të shekullit, të cilët hidheshin sa me malazeztë e sa me serbët për të luftuar kundër Turqisë së Re. Një vepër më vete e Tashkos ishte gazeta satirike « Shkopi ». Veçanërisht me kohën kur qeverisnin xhonturqit, Tashko është shumë kritik dhe kaosin moral e politik që mbështillte shqiptarët, ai e tregon me fshikullimin e mprehtë të satirës. « Duhet ta dijmë se asnjë i huaj nuk është miku jynë. Mos pandehin myslimanët shqiptarë se Turku apo Xhoni është vëllai jynë, mos e besojnë se Greku është një me neve sepse falemi në një kishë ». (F. 134-135) Dhe më poshtë vazhdon :

« Neve shqiptarët jemi lark nga dynjaja shumë. Neve pandehim se njeri është çdo gjë e gjallë që ka dy këmbë e dy duar. Neve na duket se njeriu ka erdhur në këtë botë vetëm për të ngrënë e për të pirë, e për t’u martuar që të bënjë fëmijë e t’i lëshonjë sokakut. Neve pandehim se nderi i njeriut është të vrasë nja katër a pesë a dhjetë, kur të vrasin nonjë laro, kur të vjedhin nonjë kec, a kur të çkulin nonjë kokë presh nga kopshti. Kemi marë çnderimin për nderim, kemi marrë barbarismin për trimëri. Nderë e vërtetë të njeriut as e dimë fare nga vjen. Nderë quajmë të kruarët e bishtit nga çdo njeri i huaj ». (F. 135). Është e çuditshme se kjo paradigmë e sjelljes politike të shqiptarit, me përjashtim të kohës së diktaturës, në të cilën periudhë ishin fshirë tiparet e vërteta dhe ishte ndërtuar një kod fals i patriotizmit dhe heroizmit jo efikas, sot, në liri të plotë, disa nga ato stereotipe që përqesh e tall A. Tashko, i ndeshim rëndom.

Letërkëmbimi zë një vend të posaçëm në krijimtarinë e Tashkos. Letrat e Nolit, që i ka analizuar edhe Shuteriqi, janë një pasuri më vete. « Mos harro – i shkruan Noli se rrojtjen time e ke ti në dorë tani » (F. 365). Noli u nis në Amerikë pikërisht nga Fajuni dhe ai që e ndihmoi financiarisht dhe e nxiti për atë mision të madh, ishte Athanas Tashko. Aty flitet edhe për gjendjen e vështirë në atë kohë të Aleksandër Xhuvanit. Çetat e Çerçiz Topullit vijnë aty dhe ndihmat e Tashkos shkojnë deri në Malësinë e Veriut, atje ku luftohej për mosdorëzimin e trojeve shqiptare malazezve. Por natyra e tij e drejtpërdrejtë e bën që të qortojë jo vetëm Konicën, por edhe Josif Bagërrin. (F. 257) Në ndonjë rast tjetër ai shprehet se « krerët shqiptarë gënjehen me një fletë qepë » (F. 257). Dhe teksti është i mbushur si gjithnjë me fjalë të urta. « Mikut ju rënko, armikut ju lëvdo » (F. 263). Edhe Ismail Qemali kalon andej dhe takohet me Tashkon. Shahin Kolonja po ashtu (F. 267).

Ky libër mbi Athanas Tashkon na ndihmon të vështrojmë historinë tonë sipas fenomenologjisë së akteve dhe veprave që shënjojnë një kuptim më të drejtë për të shkuarën historike. Nga perspektiva e lexuesit të sotëm, siç e përmenda në fillim, ne kemi mundësi të dekonstruktojmë kodin e narrativës socrealiste, sidomos, në ato raste, kur ndërtohet një tekst linear dhe, në shumicën e rasteve, bardhezi. Parimi organizues i atij ligjërimi ishte hagjiografia, kulti i trimërisë dhe i virtytit. Shpesh, personazhet që u ndërtuan nga historiografia socrealiste, u ngjisnin heronjve pozitivë dhe, më shumë, ishin ide ose projektime idesh të ndërtuara nga fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore, të cilët kërkonin të gjenin rrënjët e narrativës së tyre në të shkuarën e glorifikuar. Ndërsa grindjet, përçarjet, debatet, përjashtoheshin nga argumentimi dhe narrativa e analizës. Ndërkohë, këtu, në këtë libër, kemi mundësi t’i qasemi më mirë tekstit real të asaj periudhe dhe të shohim aty edhe reflektimin e sotëm të sjelljeve që prodhojmë si entitet. Kështu, te « Liria e Shqipërisë » në nr. 7 gjejmë një letër të Xhuvanit kundër Nolit. Jani Vruho reagon keq kundër Xhuvanit. Ky i fundit i shkruan Tashkos dhe i thotë që mes meje e Nolit ka keqkuptime të nivelit akademik, por nuk i meritoj « munxët që më jep Vruho ». (F. 270). Figura e Xhuvanit jepet në disa anë në marrëdhënie me Tashkon. Këtu del edhe ndonjë fjalë e re si p.sh. :  gatuejnër për kuzhinier apo tejshkrim për faksimile. Problemet mes myslimanëve e të krishterëve nuk janë edhe aq të zbehta. Thimi Mitko, po ashtu, shfaqet në këtë ambient. Por edhe ngjarja e Vlorës, ku më 9 dhjetor erdhi një anije me armë dhe roli i gjeneralit Tomson janë pjesë e shqetësimeve të shqiptarëve të Egjiptit e të Tashkos, që ishte një farë qendre e këtij komuniteti. Shfaqet aty edhe Adhamidhi, mjeku real që u bë personazh i njohur i Çajupit. Ai i ankohet Tashkos se ky e shan siç bën me grekët. Në Fajun ka ardhur edhe Ferid Toptani dhe i kërkon Tashkos ndihma financiare për kryengritjen e Veriut. Ndërsa nga letrat me Milo Duçin tërheq vëmendjen thënia se me Pavarësinë bëmë një Turqi të vogël, po shpresojmë të bëjmë një Shqipëri të madhe. Në libër janë edhe 33 letrat e Nolit për Tashkon. Më ka bërë përshtypje letra e parë që tregon rrugën e Nolit nga Misiri në Napoli dhe nga Napoli në New York. Përshkrimet e Nolit në doganën e Napolit, pastaj shoqëria me një dibran në anije janë proza të mrekullueshme. Letrat e Nolit janë një mrekulli më vete. Përshkrimet e tij në Amerikë dhe gjendja e shqiptarëve atje janë dhënë nga dora e një mjeshtri të madh. Tërheq vëmendjen një vetëlavdërim gjithë ironi që ai i bën vetes, sidomos kur sheh se çfarë ambienti është ai që ka gjetur atje. Kjo të lë të kuptosh edhe tonin e veçantë që kishin marrëdhëniet e shqiptarëve në atë kohë.

« Politika është një gjë e panjohur për mi Shqipëtarët. Po « me ashtu dua » s’bëjmë gjëkafshë. « Zbutuni ca pak bre derra ». Të tërë duan të duken trimë nër marrëzitë e tyre. Po unë ju them që vetëm unë marr vesh nga këto punëra. « Unë jam Shqipëria », Così parlava Zaratustra. Po, më ka dhe lezet gjuha, bre, kur bënem mukajet dhe flas. Dhe her’her më vjen ashtu të puth vetehenë…  « Hikë, ore Niçe, hikë ndër Shkretëtirë, se s’jam goja që u lipset këtyre veshëve ». (348-349)

Ky ton familjar dhe ironik ua lë vendin pastaj lutjeve për t’i dërguar të holla në mënyrë që ai të vijojë punën e të ushqehet. Letrat i nënshkruan me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Vihet re ndikimi i Niçes. Në një letër tjetër, Noli zbulon vështirësitë dhe injorancën e bashkatdhetarëve të tij që nuk arrijnë të kuptojnë misionin që ai ka marrë dhe ndihmën që i duhet. Pikërisht këtë anë të lëvizjes për Pavarësi shpesh nuk e përmendim sa duhet. Ai thotë se ka gjezdisur në disa fshatra dhe qytete të Amerikës, por ka gjetur shumë pak shqiptarë që kanë pranuar të abonohen në gazetën e tij. Flet për borxhet dhe vizaton të njëjtën situatë në Buffalo, Xhejmstaun, Boston, Augusten. Dhe vëren me dëshpërim se, për fat të keq, « Ideali i shqiptarit ka qenë ylyfeja » (F ; 354). Këtu, në letrën për Tashkon, ai tregon edhe fëmijërinë e tij, bërë e njohur më pas në veprat që janë botuar për të, sidomos nga Nasho Jorgaqi, që i kushtoi një pjesë të jetës së tij figurës së Nolit. Më tej, kontradikta me Sotir Pecin, pastaj krijimi i shoqërisë « Besa- Besë ». Dhe pastaj, ashtu si në një reportazh, tregon rrugën që ka ndjekur për t’u bërë prift. Zakonisht, kur flitet për Nolin, rrallë përmenden edhe detajet nganjëherë groteske të jetës së tij. E tillë është një letër që ai i drejton Tashkos në lidhje me martesën. Siç dihet, një nga kushtet për t’u shuguruar prift ortodoks, ishte që duhej të ishe i martuar. Dhe Noli i shkruan Tashkos që t’i gjejë një nuse sa për të realizuar këtë angazhim që do të rezultonte më vonë si një nga veprat më të mëdha të bëra ndonjëherë nga një patriot. Noli, me krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, ka meritën se ia hoqi nga duart Kishës Ortodokse Greke popullsinë shqiptare ortodokse. Po kjo është një histori më vete. Këtu, në këtë letër, pasi përshkruan peripecitë e jashtëzakonshme dhe varfërinë, ai, në mbyllje, me humor, i thotë Tashkos:

« Në je patriot, bëju dhe ca më tepër dhe mbaroje këtë punë dhe t’ap uratën.

Fan Noli

P:S: në mos e mbarofsh këtë punë dot’ të mallkoj. Po munt të më thuash se mallkimi im nukë zë pa [u] bërë prift. Po unë them që zë, se në mos jam tani prift i Kishës, po pa fjalë jam prift i Shqipërisë. Dhe kij kujdes,

F.N.

Si përfundim, martesa nuk bëhet. Përmes letërkëmbimit me Tashkon, marrim vesh problemet me Sotir Pecin, pastaj vështirësitë për të shtypur librin e Meshës në shqip. Vështirësi pa fund. I shkruan edhe Konicës në Bruksel, Xhuzepe Skiroit në Itali dhe Kristo Luarasit në Sofje, por nuk arrin asgjë:

« Ndodhem shtrënguar shumë nga shëndeti, nga puna dhe më tepër nga xhepi. Tani kuptova që s’kam miq gjëkunt me gjithë që bëra ç’munda për të tjerët. Jam futur nër borxhe me të gjitha anët nga pun’ e gazetës, e cila s’vete mirë. Në u-mbajt, u- mbajt nga xhepi im. Po tani s’kam më dhe ngeca. Në qoftë se mundni të më dërgoni 6-10 lira hua, munt të thoni që më ndihtë në rasjen më kritike të jetës sime. Do t’jua kthej prapë sa më shpejt që të munt me ato pjesë që më dhatë kur u- nisa për Amerikë. Në mos m’i dërgofshi këto, harro-më-ni se s’ju kam mik më.

Mbetem i përunjur,

Babaj i Kishës Shqipe

+Fan Noli 28 Park Square

P.S. Në qoftë se i dërgoni, të vijnë këtu para mezit të Vieshtës së Parë

+F. N (AQSH. F. Athanas Tashko, D. 20, V.1960-13, fl. 48-50)

Siç kuptohet, Tashkoja e ka ndihmuar sepse letërkëmbimi me të vazhdon. Një kapitull më vetë përbëjnë letrat me Sotir Kolenë dhe mendimet që kishin nisur në atë kohë për njësimin e alfabetit. Edhe aty herë ka mirëkuptim e herë grindje. Nis interesi i tij për të sjellë modelin e shkollës angleze në Shqipëri. Mësojmë pastaj se Tashko do të kthehet në Shqipëri. Letrat me Spiro Dinen, po ashtu, zënë një vend të posaçëm. Por ato do të kërkonin një vështrim më vete.

Ky ishte vetëm një vështrim i shpejtë mbi një vepër të gjerë me një dokumentacion shterues për një periudhë për të cilën tani flitet rrallë. Mirëpo rikthimi me mjetet e narrativës së sotme drejt kësaj tradite, do të na ndihmonte shumë për të kuptuar se sa pak kemi ndryshuar nga ai shqiptari që vizatonte Athanas Tashko dhe se sa të rrallë janë sot ata që sponsorizojnë për mbrothësinë e këtij vendi.

(c) 2026 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Në kopertinë: Familja Thanas Tashko, Fajum 1911.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin