Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Admin

ZËRI I VOGËL I BRENDSHËM I NJË GJIGANTI

nga Erida Gjini

Sot u nda nga jeta në Portugali, në moshën 83 vjeçare, António Lobo Antunes. Një nga gjigantët e letërsisë bashkëkohore portugeze, shkrimtar i gjendjeve emocionale ekstreme, njohës i thellë i realiteteve njerëzore, rrëfimtar i plagëve të luftës koloniale, eksperimentues i fjalës së shkruar.

António Lobo Antunes, lindur më 1 shtator 1942, ndërtoi një vepër të gjerë letrare të karakterizuar nga thellësia psikologjike, narracioni i fragmentuar dhe një eksplorim i pamëshirshëm i kujtesës, traumës dhe historisë. I diplomuar si psikiatër dhe i ndikuar thellësisht nga përvoja e tij si mjek ushtarak gjatë Luftës Koloniale Portugeze në Angola, Antunes i shndërroi plagët personale dhe kombëtare në disa nga romanet më të fuqishme të Evropës në fund të shekullit XX.

Karriera e tij letrare filloi me librin Memória de Elefante (1979), një vepër gjysmë-autobiografike që portretizon një psikiatër në Lisbonë në krizë personale. Pas tij erdhi Os Cus de Judas, një nga librat e tij më të lexuar, një monolog tronditës mbi brutalitetin dhe shkatërrimin psikologjik të luftës koloniale.

Romani, – të cilin pata nderin dhe fatin ta përkthej, – erdhi në shqip në vitet e fundit nga shtëpia botuese Aleph nën titullin Toka në fund të botës[1]. Paraqitet si një monolog i gjatë i një mjeku portugez që rrëfen përvojat e tij gjatë luftës koloniale në Angolë. Duke folur me një grua në një bar në Lisbonë, personazhi kryesor, narratori në roman, kujton brutalitetin e luftës, absurditetin e kolonializmit dhe traumën psikologjike që e shoqëron pas kthimit në atdhe. Libri, përmes pasazheve të gjata, është një reflektim i dhimbshëm, gati obsesiv, mbi luftën, zhgënjimin dhe humbjen e idealeve, ndërsa protagonisti përpiqet të kuptojë teksa rrëfehet, nën një vulnerabilitet të skajshëm, plagët e thella që lufta ka lënë në jetën dhe ndërgjegjen e tij.

Ashtu si del në pah që në librat e tij të parë, stili letrar i Antunes-it veçohet përmes një narracioni të dendur dhe me shumë zëra, ku kujtimet, mendimet dhe dialogët shpesh ndërthuren në mënyrë fragmentare. Ai përdor fjali të gjata, rrjedhë të vetëdijes dhe ndryshime të shpeshta perspektive e kohësh për të paraqitur botën e brendshme psikologjike të personazheve. Në veprat e tij, koha dhe kujtesa përzihen vazhdimisht, duke krijuar një atmosferë introspektive dhe komplekse që pasqyron traumën, historinë dhe konfliktet e shoqërisë portugeze.

Antunes e zgjeroi reputacionin e tij me librin Conhecimento do Inferno, duke përmbyllur një trilogji të hershme që ndërthur autobiografinë me kritikën shoqërore. Në dekadat që pasuan, ai krijoi vepra gjithnjë e më ambicioze, përfshirë Fado Alexandrino, që ndërthur zërat e veteranëve të përndjekur nga kujtimet e luftës në Angolë, dhe Auto dos Danados, një portret i mprehtë i rënies së një familjeje portugeze pas rrëzimit të diktaturës.

Ndër romanet e tij më të vlerësuar të periudhës së mëvonshme janë O Manual dos Inquisidores, një eksplorim i errët dhe satirik i pushtetit dhe korrupsionit gjatë dhe pas diktaturës, si dhe As Naus, një rishikim i guximshëm dhe ironik i miteve perandorake portugeze përmes rikthimit të figurave historike në Lisbonën moderne.

Siç thoshte ai vetë, “São precisas três coisas para escrever: paciência, solidão e orgulho”, Nevojiten tre gjëra për të shkruar: durim, vetmi dhe krenari. Dhe kështu, partizan i këtyre tre virtyteve, gjatë më shumë se katër dekadave, Antunes i dhuroi Portugalisë dhe letërsisë botërore mbi 30 vepra me një stil të veçantë, duke përcjellë mesazhe autentike e vështrim kritik mbi plagët psikologjike e shpirtërore që mbeten pas nga traumat, luftërat, kujtesa dhe nga transformimet shoqërore.

Shpesh i përmendur si kandidat i përhershëm për çmimin Nobel, Lobo Antunes konsiderohet gjerësisht si një nga shkrimtarët më të mëdhenj modernë të Portugalisë, përkrah Jose Saramagos. Trashëgimia e tij qëndron jo vetëm në përmasën e veprës së tij me ndikim gjithmonë aktual, por sidomos edhe në mënyrën se si ai e transformoi romanin portugez, duke e shtyrë drejt një kompleksiteti më të madh psikologjik, eksperimentimi gjuhësor dhe përballjeje të thellë me historinë.

Në Portugali thuhet se ky popull ka një ‘borxh monumental’ ndaj këtij gjigandi të letrave, përtej vlerësimeve dhe çmimeve: ‘ai i mësoi t’i kthejë veshët për nga brenda dhe të dëgjojë atë zërin e vogël të brendshëm´.

(c) 2026 Erida Gjini. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[1] https://www.shtepiaelibrit.com/store/en/antonio-lobo-antunes-/9783-toka-ne-fund-te-botes-antonio-lobo-antunes-9789928323347.html


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin