Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

A DUHEMI VËRTET?

 
Në një shkrim të tij, shkrimtari Shevqet Meko, trajton një problem socio-psikologjik që thelbin e shfaq që në titull: “Respekti dhe zhgënjimi në distancë”. Dhe si nëntitull: A jeni zhgënjyer kur keni arritur ta njihni dikë “nga afër”?

Fillimisht m’u kujtua një shprehje e njohur që thotë se nga afër askush nuk është i bukur. Dhe në të vërtetë, qoftë edhe në një rast të vetëm, jeta askujt nuk ia ka kursyer zhgënjimin e ndonjë njohjeje nga afër. Pa harruar se edhe ne vetë mund të kemi zhgënjyer të tjerët. Për këtë arsye, shkrimin e Mekos, mjaft i rrallë në arealin intelektual shqiptar, e pashë si një përpjekje me interes për të kuptuar fenomenin.

Me gjasë, prandaj edhe një temë e tillë nuk i ka shpëtuar edhe vëmendjes së Blaise Pascal-it, filozof dhe gjeni i matematikës, shpikës i makinës llogaritëse, moralist i hollë dhe shkrimtar i një elegance të rrallë.

Si për të gjithë brezin tim, ai ishte një filozof “i dëgjuar”, por mundësitë për ta njohur nga afër u krijuan vonë. Kur e njoha, e kuptova se vepra e tij nuk kish shans për t’u njohur në Shqipërinë e kohës.

Për t’u kufizuar te tema e mësipërme, disa studiues të Pascal-it marrin në analizë një frazë të shkëputur nga vepra e tij më e njohur: “Mendimet” (Pensées), ku thuhet: “Nuk e duam një person, por vetëm cilësitë”. (Chap. XXIX – Pensées morales: 1678, n° 14, f. 273–274).

Fraza dhe konteksti i saj janë aq të njohura, deri në nivel shkollor, sa një ditë nuk duhet të çuditesh kur ta dëgjosh të shqiptuar natën vonë në dhomën ngjitur me tënden (siç më ndodhi mua), sepse ajo u jepet si tezë për t’u zhvilluar edhe maturantëve të liceve franceze në provimin e filozofisë.

Sidoqoftë, fraza e mësipërme nuk është hedhur në të thatë; ka një kontekst të caktuar nga ku autori nxjerr përfundimet e tij. Dhe në të vërtetë, diçka më lart ai pyet: “Nëse më duan për gjykimin dhe për kujtesën time, më duan vërtet mua? Jo, sepse unë mund t’i humbas këto cilësi.” (Et si on m’aime pour mon jugement, pour ma mémoire, m’aime-t-on moi? Non, car je puis perdre ces qualités…)

Natyrisht, ai sjell edhe argumente të tjera për të mbështetur përfundimet e tij, të cilat, siç thamë, komentohen e interpretohen prej shekujsh nga autorë a forume filozofike.

Kur B. Pascal shprehet se ne e duam dikë vetëm për cilësitë e tij, kjo pak a shumë do të thotë se ne gabojmë kur mendojmë se e duam tjetrin për, të themi, qenien e tij të thellë. Ajo që në të vërtetë na tërheq te të tjerët, janë cilësitë që shquajmë te ata.

Për Pascal-in, te secili prej nesh ka shumë pak gjëra të qëndrueshme; thelbi i gjithkujt nuk është ndonjë element i qëndrueshëm. Një individ, për të, nuk është gjë tjetër veçse një përbërje e brishtë cilësish dhe të metash, sjelljesh dhe zakonesh. Brendësia e qenësishme e gjithkujt është mjaft fluide, abstrakte, madje e pakapshme.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja që, për Pascal-in, dashuria për një tjetër ka diçka të pavërtetë. Cilësitë që na janë shpërfaqur te tjetri, në një moment të caktuar, ndryshojnë ose zhduken. Dikush që na dukej kaq i/e ëmbël mund të bëhet i/e ashpër në një çast të caktuar, shpërfillës/e e i/e ftohtë. Një ngjarje e caktuar arrin t’i ndryshojë krejt natyrën. Dhe befas shohim se personi që kemi dashur nuk është më i njëjti.

Për B. Pascal-in nuk ka individ me një identitet të fiksuar një herë e mirë. Kjo do të thotë se, nëse kërkon realisht personalitetin e vërtetë të dikujt, nuk do të gjesh gjithmonë të njëjtën gjë. Do të gjesh kujtime, zakone, cilësi e shprehi të fituara, por kurrë një bërthamë të fortë që do të na lejonte të thoshim: ja, ky është ai që njohim, që duam! Secili prej nesh nuk është tjetër veçse një fluks cilësish në ndryshim të vazhdueshëm.

B. Pascal shkon edhe më tej kur pohon se edhe vetë cilësitë tona nuk vijnë prej nesh. Janë të huazuara. Mënyrën tonë të të folurit, të të vepruarit, të të sjellit e mësojmë nga të tjerët, duke integruar modele që na tërheqin apo pëlqejnë, duke riprodhuar gjestet e atyre që ndikojnë te ne, duke i imituar ata. Me fjalë të tjera, vetja jonë nuk është një burim cilësish; është një udhëkryq ndikimesh.

Ka shumë që zhgënjehen kur dikush nuk i del ashtu siç e kishte menduar, ndihen të dëshpëruar. Gabimin, në të vërtetë, duhet ta kërkojmë te vetja, te ideja që kemi pasur për qëndrueshmërinë e natyrës njerëzore. Nuk marrim parasysh se te të gjithë veprojnë mjaft rrethana që nuk kalojnë pa ndikim. Por vepron edhe mpakja, bjerrja dhe lodhja nga jeta, ndryshimi i gjendjeve shpirtërore që shpesh vjen nga rrethana që nuk varen prej nesh, largimi nga mjedisi që njohim, zhgënjimet e dështimet në jetë, patologjitë e ndryshme etj. Dhe kështu ndodh që një ditë te ai apo ajo që kemi dashur vërejmë se nuk ka një thelb të vërtetë, se nuk është ai apo ajo që kemi kujtuar. Imazhi që kishim krijuar ka qenë thjesht një iluzion yni. Në realitet, pra, është vetja jonë ajo që na mashtron, ideja që kishim krijuar se te tjetri ka një esencë të përjetshme, unike.

Atëherë duhet të biem në dëshpërim e duhet të heqim dorë nga dashuria dhe miqësitë? Në këtë pikë, thuajse të gjithë njohësit e B. Pascal-it janë kategorikë: jo. Filozofi bën thirrje që të jemi të kthjellët. Që nga momenti që e dimë se asgjë nuk është e përjetshme, le të reshtim së kërkuari një miqësi apo dashuri absolute, të përjetshme, të pandryshueshme.

Gjithçka duhet ta perceptojmë ashtu siç është, domethënë si një ndjesi apo ndjenjë e ekspozuar ndaj ndryshimit. Nuk mund t’i kërkojmë tjetrit që të jetë gjithmonë i njëjti: kjo i tejkalon mundësitë e gjithkujt.

Për të kapur thelbin e ideve të tij, B. Pascal-i na propozon ta kthejmë këndvështrimin, pra ta shohim veten tonë me sytë e dikujt tjetër. Çuditërisht jemi të prirur të besojmë se ne kemi një thelb të pandryshueshëm, se jemi vërtet njerëz të dashur dhe se e meritojmë dashurinë që të tjerët kanë për ne. Ai e quan këtë thjesht “mendjekotësia e njeriut”.

Vërtet, është e mrekullueshme të ndjesh dashurinë e të tjerëve, por kjo nuk duhet marrë si diçka e dhënë përgjithmonë. Kur një gjë e tillë rastësisht ndodh, dashuria gjithmonë duhet parë si një dhuratë thuajse e pamerituar. Sepse një gjë e tillë nënkupton një perfeksion që ne e dimë mirë se nuk e kemi (personne ne peut prétendre “mériter” l’amour, car le mérite supposerait une perfection que nous n’avons pas).

Natyrisht, edhe nëse ide të tilla të B. Pascal-it (i cili zakonisht ka një natyrë të rreptë) qëndrojnë në origjinë të debateve interesante edhe sot e gjithë ditën, mua më tërheqin edhe për një arsye tjetër: për aftësinë që kanë disa mendje të shquara të hedhin dritë, të ngjallin dyshim dhe të hapin diskutime mbi ide e koncepte që, çuditërisht, i kishim marrë si të qarta, të qëndrueshme e të mirëqena.

Mbase pikërisht ky ka qenë edhe roli i filozofisë që në lindjen e saj.

(c) 2026 Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin