Kur një reality show merr më shumë hapësirë mediatike se teatri, muzika apo filmi, problemi nuk është tek formati, por tek sistemi që e prodhon këtë realitet.
Formati Big Brother është kthyer në një nga emisionet më të ndjekura në Shqipëri. Diskutimet mbi ngjarjet e spektaklit përfshihen pothuajse në të gjithë programacionin e Top Medias dhe në shumicën e mediave online. Lajmet prodhohen shpejt, drejtpërdrejt nga rrjetet sociale të programit, pa nevojën e verifikimit, analizës apo trajtimit profesional të çështjeve, por me një avantazh të qartë: shikueshmëri dhe klikime të menjëhershme.
Kjo praktikë nuk mund të kuptohet pa analizuar gjendjen e sektorit mediatik në Shqipëri. Raportet mbi median tregojnë se gazetarët përballen me pasiguri ekonomike, paga të ulëta në raport me kostot e jetesës dhe vonesa në pagesa. Në këto kushte, përgatitja e një lajmi të gatshëm nga Big Brother paraqitet si një marrëdhënie win-win, ku të gjitha palët dalin të fituara: mediat marrin klikime pa kosto, programi forcon rolin e tij në diskursin publik, konkurrentët fitojnë vëmendje dhe publiku argëtohet.
Në edicionet VIP marrin pjesë kryesisht artistë të arteve performative: aktorë, balerinë, këngëtarë, që synojnë të rikthehen ose të hyjnë në botën e televizionit. A është kaq e vështirë karriera në art dhe kulturë në Shqipëri, aq sa një reality show të shihet si trampolinë profesionale? Apo bëhet fjalë për dëshirën për sukses të menjëhershëm, të kombinuar me mungesën e mbështetjes, vlerësimit dhe mundësive reale për t’u pozicionuar në skenën kulturore?
Këto pyetje nuk lindin në vakum. Ato pasqyrojnë mënyrën se si funksionon vetë sistemi kulturor.
Një kërkim i thjeshtë në Google me fjalë kyçe si “audicione 2025” apo “audicione Tiranë 2025” rezultoi me shumë pak njoftime, kryesisht për konkurse dhe festivale fëmijësh. Në teori, audicionet duhet të jenë procese të hapura për të përzgjedhur personin më të talentuar dhe më të përshtatshëm për një rol, pavarësisht njohjeve apo përfshirjes në sistemin kulturor. Në praktikë, shumë prej tyre zhvillohen “brenda për brenda” institucioneve kulturore, edhe për arsye burokratike.
Mbështetja financiare për projekte të pavarura në fushën e kulturës mbetet po ashtu e kufizuar. Sipas thirrjes së Ministrisë së Kulturës për vitin 2026, financimi maksimal për një projekt të propozuar nga një artist arrin deri në 1 milion lekë të reja, duke përfshirë pagesën e artistit, si edhe shpenzimet administrative dhe logjistike. Kjo shumë është simbolike dhe nuk siguron një jetesë të qëndrueshme, duke e kthyer mbështetjen më shumë në ndihmë sesa në mundësi reale zhvillimi profesional.
Pandemia e COVID-19 e bëri edhe më të dukshme pasigurinë e sektorit kulturor. Artistët e vetëpunësuar dhe ata të përfshirë në projekte mbetën pa burime të qëndrueshme të ardhurash. Në mungesë të financimeve afatgjata dhe një infrastrukture funksionale, zhvillimi i artit shpesh varet nga ekspozimi publik dhe nga ngjarjet mediatike.
Arti nuk ekziston dot pa audiencë, por as pa krijues.
Ndërsa arti dhe aktivitetet kulturore kërkojnë kohë, përkushtim dhe vëmendje, një reality show ofron spektakël të menjëhershëm, të konsumueshëm lehtësisht nga çdo telefon, duke tërhequr vëmendjen e masës. Në vitin 2024, sipas një raporti të INSTAT-it, rreth 30% e shqiptarëve morën pjesë të paktën një herë në vit në aktivitete si teatër, koncert muzikor jokomercial apo ekspozitë arti. Por, a është arti një luks për shqiptarët?
Çmimet sugjerojnë të kundërtën. Për të ndjekur një shfaqje në Teatrin Kombëtar në shkurt të vitit 2026, një qytetar duhet të shpenzojë rreth 300 lekë për një biletë me çmim të reduktuar gjatë ditëve të javës dhe 500 lekë në fundjavë. Një pjesë e mirë e ekspozitave artistike, filmave me metrazh të shkurtër dhe të gjatë shfaqen pa pagesë, falë mbështetjes së organizatave dhe ambasadave. Vizitat në muzetë kombëtarë dhe lokalë ofrohen me çmime të reduktuara për fëmijë, studentë dhe pensionistë, si edhe me hyrje falas për të gjithë në ditë të caktuara.
Festivalet e kërcimit, filmit apo teatrit ofrojnë zakonisht bileta me çmime simbolike, ndërsa artistë të huaj kanë dhënë edhe koncerte falas. Megjithatë, vihet re një paradoks: pjesëmarrja është shpesh më e ulët pikërisht në aktivitetet pa pagesë. Kjo sugjeron se problemi nuk është kostoja, por mungesa e interesit, e kultivimit të edukimit kulturor dhe, mbi të gjitha, promovimit. Një kosto simbolike mund të nxisë organizatorët të investojnë më seriozisht në komunikim dhe promovim. Përtej dëshirës personale të individit, rritja e pjesëmarrjes në aktivitete artistike ndikohet drejtpërdrejt nga roli i medias.
Shumë artistë në Shqipëri marrin pak kohë dhe vëmendje mediatike sepse e bazojnë karrierën e tyre te krijimtaria dhe jo te rrëfime, bëma apo drama të jetës personale. Dëshira për të vlerësuar artistin nëpërmjet jetës së tij tingëllon e njohur: dikur biografia, e mirë apo e keqe, përcaktonte njohjen në masë ose harresën e artistit. Edhe sot, në tekstet shkollore, jeta e autorit vendoset shpesh në krye të faqes, përpara veprës.
Problemi i artit dhe kulturës nuk qëndron te mungesa e krijuesve apo e veprave artistike, por te mungesa e promovimit të tyre. Teatri, muzika, filmi, arti pamor dhe letërsia prodhohen vazhdimisht, por rrallë bëhen pjesë e diskursit publik.
Media nuk funksionon më si ndërmjetëse mes krijuesit dhe audiencës, por si filtër që favorizon përmbajtjen me reagim të menjëhershëm. Në këtë logjikë, arti që kërkon kohë, kontekst dhe interpretim përjashtohet sistematikisht nga vëmendja publike, jo sepse është i pakuptueshëm për publikun, por sepse nuk prodhon tituj të shpejtë dhe klikime të garantuara.
Një reality show nuk e zëvendëson artin; por zëvendëson promovimin e tij duke marrë përsipër një rol që institucionet kulturore, mediat dhe politikat publike nuk kanë arritur ta përmbushin. Për shumë artistë, pjesëmarrja në këto formate është strategji mbijetese në një sistem që shpërblen ekspozimin dhe jo veprën.
Në Shqipëri, arti ekziston, por nuk shfaqet në “prime time”. Dhe në logjikën e Big Brother-it, nëse nuk shfaqesh në kamera, nuk je më pjesë e lojës. Pra, nuk ekziston.
Ne i kemi gjetur njerëzit që pëlqehen, historitë që shesin, algoritmet dhe ndjekësit e tyre. Tani mbetet pjesa më e vështirë: të krijojmë artin.
(c) 2026 Oriada Dajko. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me Flux.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.