Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Teatër

TEATRI I VOGËL I TRANZICIONIT

Dokumentim i prodhimit teatror të nismave të lira individuale dhe të kompanive private në vitet e Shqipërisë në tranzicion

nga Elsa Demo

HYRJE

Lidhëset e dosjeve heroike në arkivin e Teatrit Kombëtar që zgjidha edhe një herë këto ditë janari, çojnë në vitin zero 1990 dhe viti zero në grumbullin historik ku jetojnë të pandara kultura me politikën.

Gazeta, revista, punime diplomash, studime, foto, video, afishe, bileta, skica, marka, design-i i gjithë kësaj, ruajtur me kujdes diku, ndonjë fije e dixhitalizuar diku tjetër, hedhur apo lënë në erozion në të shumtën e rasteve, janë produkt kulturor i një kujtese, sepse është produkt kulturor kujtesa. Ajo rron edhe kur vdesim biologjikisht, ajo nuk riprodhohet, ajo përpunohet. Që kjo të ndodhë, duhet ai shikim prej Ardian Kyçyku kur përshkruan vitet nën diktaturë dhe tranzicion si në romanin “Sy”:

“Bekuar qofshin sëndukët dhe çinglaminglat e stërgjyshërve! Kam gjetur të dhëna se një biçimsëz mesjetar, për t’ia prishur gjakun, i dërgonte prijësit tonë, Gjin Bue Shpatës, nga një shportë jo me vezë, po me sy shqiptarësh. Ha shqip, apo s’ha? Sy shqiptarësh! E pra, qysh nga ai çast, vështrimit kombëtar i mungon një sasi dhe një cilësi e madhe metaforash. Shikimi kombëtar është i mangët. Këtu e themi, këtu e lëmë: nuk kemi aq sy sa na nevojiten në këtë fazë të zhvillimit tonë.”

Me “Teatrin e vogël të tranzicionit” fillimisht kisha parasysh dokumentimin e jetës së kompanive teatrore. Rrugës kufijtë u shtynë duke përfshirë çfarë kishte ndodhur më herët me nismat e lira të individëve dhe ekipeve të vogla brenda teatrit publik apo në Akademinë e Arteve. Kërkohej të tejkalohej modeli i vjetër i të bërit teatër, të zgjidheshin vepra artistikisht të rrezikshme që t’i përgjigjeshin përmbysjes së rrethanave, gjendjes njerëzore pa kah dhe utopisë, përshpejtimit të kohës, zhvendosjes gjeografike të grupeve dhe klasave shoqërore, e bashkë me to të gurëve të fatit njerëzor; duhej një dramaturgji me burim edhe improvizimin për një lojë teatrale jotradicionale në hapësira skenike të qëruara nga ngarkesa e dekoreve dhe imitimet vizuale, për të ndërtuar si rezultat një komunikim intelektualisht sfidues për shije të pastërvitura aq dhe për një publik me pritshmëri.

Por deri aty është një copë e mirë rruge që shtrohet nga paratë dhe menaxhimi i tyre.

Fillestarët në mesin e viteve nëntëdhjetë, që nuk kanë as status të qartë të organizatave jofitimprurëse, janë pa përvojë në planifikim financiar, grantesh apo bashkëfinancimesh. Brezi i parë i menaxherëve diplomohet në Universitetin e Arteve në vitet 1994-’95. Kompanitë që ngrihen pak më vonë e marrin seriozisht rolin e menaxherit dhe emri i tij ekspozohet në afishe përkrah autorit dhe regjisorit. Është menaxheri që lidh punën krijuese me burime financiare qeveritare, private, publike, nga fondacione dhe filantropë të huaj apo nga biznese që kishin filluar të hynin në skenën e artit.

Trajtimi i financave në kurrikulën e arteve në Universitet mbetet një problem që duket qartë në menaxhimin primitiv të institucioneve të artit skenik, të cilat, kur kanë sukses, deklarojnë me krenari produksionin “sold out” dhe kur dështojnë, thonë “nuk bëhet biznes me artin”.

Seria e shkrimeve në vazhdim bazohet në kërkim arkivash personale dhe institucionale, në materiale të shumëllojshme që kanë vlerën e gjurmës e të dëshmisë, rifreskuar nga bisedat aktuale me protagonistë të kohës, producentë, regjisorë, dramaturgë, aktorë, drejtues, disa prej tyre vazhdojnë të jenë aktivë. Ata janë pyetur për mënyrën e të bërit teatër të pavarur nga ideologjia dhe kontrolli politik, të pavarur dhe nga lloji i teatrit të repertorit;

– kontaktet me botën Perëndimore dhe shkëmbimin e informacionit mbi estetikat teatrore bashëkohore;
– roli i Akademisë së Arteve si bazë për eksperimentim dhe konfliktet mes brezave si rezultat i kërkesave për ndryshim;
– reflektimi i shoqërisë së tranzicionit në teatrin e vogël;
– ç’ishte një kompani teatrore në vitet 1995-2005: fryma, zgjedhja e pjesëve, autorëve, aktorëve, kontratat, shitja e biletave;
– raportet privat – Teatër Kombëtar;
– ligji “Për Teatrin” dhe pse nuk u zbatua;
– roli i Edi Ramës në këtë histori si ministër Kulture;
– zhdukja e pratikave private të cilat mendohej se do ndikonin në riorganizimin e sistemit të centralizuar teatror;
– dhe së fundi, ku ndryshon modeli i sotëm i të bërit teatër privatisht nga shoqatat kulturore. 

Regjisorët janë pyetur specifikisht mbi metodën e punës me tekstin, lojën e aktorit dhe improvizimin me ansamblin aktorial; mbi lirinë për të zgjedhur dhe për të vendosur, në rastet kur kompaninë e drejtonte producenti, apo për faktin që komedia u bë zhanër dominant.

Teatri i vogël ka ecur paralel me teatrin publik (nënkupto: shtetëror) njëfarë kohe, e konkurroi atë në prodhim, numër shfaqjesh dhe spektatorësh, shpesh edhe në përmbajtje dhe gjuhë teatrale duke frymëzuar idenë e një tregu demokratik kulturor të spektaklit të gjallë. Politikat qeveritare erdhën në ndihmë sa për të krijuar përshtypjen e një zhvillimi të nevojshëm që e kërkon tregu i lirë dhe për të dhënë imazhin e një sektori vizionar, të guximshëm, kompensues të vlerave të mohuara gjatë komunizmit, që do ta vinte në diskutim teatrin si formë sa elitare aq edhe populiste.

Si ndikuan rrethanat e ngritjes së shtetit të ri demokratik në jetën e teatrit dhe përse nuk u krijua një konstante që mban në ekuilibër publiken dhe privaten, janë të tjera pyetje që marrin përgjigje në vijim.

Fakti që kjo formë e organizimit të aktivitetit teatror reshti së qëni, është tregues për mosfunksionimin e politikave për kulturën, për ndërprerjen e trashëgimisë, e asaj që e quajmë traditë, dhe për mashtrimin e pritshmërive për shije, edukim, qytetërim që krijon bashkëkohorja në art.

Iniciativa e individëve apo grupeve kolektive të organizuara në kompani, shoqata, institute, klube dhe çfarëdolloj trajte që i bën bashkë, meriton të studiohet dhe njihet si një kapitull i kulturës moderne shqiptare që i përket teatrit aq edhe sferës publike në tërësi. Kërkimin e vështirëson dhe e kufizon fakti që arkivat dhe koleksionet publike për periudhën e tranzicionit nuk ofrojnë shërbim të dixhitalizuar dhe vetë bashkëkohësit artistë, segmente të shiritit të kujtesës i kanë të fshira. Kështu, trajektorja e fenomenit vende-vende humbet në mjegull.

I domosdoshëm është një vështrim krahasues me aktivitetin teatror privat të vendeve postkomuniste në Evropën Lindore dhe Qendrore, veçanërisht me Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilat dilnin nga modelet e organizimit dhe prodhimit të centralizuar kulturor të ngjashme me rastin shqiptar.

Si pjesë e historisë së teatrit dhe e një Shqipërie që e mbajmë me vete në trajtën e hijeve të turbullta shpirtërore nga ajo kohë dhe e shanseve për të zbuluar lirinë dhe orientimin drejt pjekurisë, ia vlen të ekspozohet bashkërisht me peizazhin social e politik, që i paraprin destabilitetit të nëntëdhjetëeshtatës, kur duke jetuar shfrenuar vendi rrëshqet në boshllëk. Një vend postkomunist në udhëkryq, që kërkon të shpikë një identitet, që fundos veten, ngrihet dhe bëhet përsëri si t’i vijë për 35 vjet me radhë.

Do kisha dashur t’i ngjante kohës ky tekst, kohës nën lente progresive, për të parë afër dhe në distancë, e prapë afër e prapë larg, duke e jetuar në shumëkohësi tranzicionin e tretë historik, më të rropatshmin, tranzicionin demokratik të Shqipërisë.

vijon: I. Shije kulturore dhe praktikë politike

© 2026 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Ky shkrim është pjesë e një cikli mbi temën “Post-Komunizmi në Shqipëri – E tashmja e gjatë”, mbështetur nga Fondi Kulturor Zviceran, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zbatuar nga Qendra për Biznes, Teknologji dhe Lidership (CBTL). Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autores dhe në asnjë rast nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të asnjë prej palëve mbështetëse. Seria e shkrimeve do të botohet si kolanë speciale e revistës Peizazhe të Fjalës.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin