Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

TA MARRËSH SHPËTIMIN SERIOZISHT

Ka ditë që hap një roman rus dhe ndiej sikur kam bërë diçka serioze.

Njëherë doja patjetër të vishesha me shkëlqim për në kishë dhe, me gjithë përkushtimin, hyra me një fund të shkurtër. Po ajo ndjesi më përfshin sa herë vendos të lexoj klasikët rusë. Faqet kanë peshë; fjalët janë të rënda, të gjalla, të mbushura me krenari dhe ndjenja të holla.

Në qendër të romanit gjen heronj rrugëhumbur: kriminelë, pijanikë, kumarxhinj, kurtizane, njerëz pa ndërgjegje. Dhe pastaj, pa ndonjë arsye të dukshme, gjithçka përmbyset, sepse ata rigjejnë lidhjen me Zotin.

Dikur letërsia kishte një autoritet që mund të të merrte në pyetje, të të falte dhe të kërkonte prej teje një shndërrim. Sot, një pretendim i tillë do të shkaktonte skandal: një pjesë e lexuesve do të ndiheshin të ofenduar, ndërsa pjesa tjetër do ta quante “të pahijshme”.

Pjesa më e madhe e letërsisë moderne (flas për romanin e huaj) do t’i ofendonte inteligjencën një lexuesi të mirë. Ajo ka zëvendësuar komeditë romantike, dhe përveç faktit që janë shkruar në letër, këto romane nuk kanë asnjë cilësi të një romani serioz. Janë më shumë si një tufë mendimesh të dikujt që ka vendosur se të jesh “shkrimtar” është cool: ai tha, ajo tha — dhe ja, kemi një libër. Histori klishe njëra pas tjetrës: një çift, një vajzë që do të jetë e pavarur, dhe një romancë që mbyllet me një fund të lumtur a ndonjë përqafim mbi ndonjë urë.

Eshtë e pranueshme që sallat me shandanë kristali janë zëvendësuar nga kafenetë me “ice vanilla pumpkin matcha” dhe të tjera modernitete të ngjashme. Por ajo që nuk duhej të ndryshonte janë ndjenjat njerëzore. Jo domosdoshmërisht njeriu perfekt me ndërgjegje të lartësuar, apo si tek klasikët rusë, besimi, sepse aty hyjmë në zgjedhje personale, por njeriu dramatik, i përjetshëm në luftën e tij morale. Tragjikisht, njeriu i sotëm është dembelosur. Nuk kërkon më të ndërtojë një karakter, as hero, as antihero. Gjithçka që ofron është një vazo bosh.

Ashtu si influencerët që i sheh çdo ditë në rrjetet sociale të cilët zgjohen në mëngjes, shkojnë në palestër, hanë një pjatë “të shëndetshme”, ndonjëherë edhe punojnë, pastaj në mbrëmje vendosin një maskë në fytyrë dhe shohin një serial. Kjo është figura e njeriut modern, një njeri që influencon jetën, por nuk e jeton. Ndërkohë, shkolla, studimi, leximi, mënyrat e vërteta për të ushqyer mendjen dhe shpirtin sikur janë zhdukur nga ideja jonë e të jetuarit.

Besimi, kur shfaqet në romanet bashkëkohore, zakonisht vjen si metaforë. Ne parapëlqejmë ironinë ndaj bindjes, mohimin ndaj teologjisë, dhe paqartësinë morale ndaj çdo shenje të transcendencës. Drama shpirtërore që dikur gjallëronte letërsinë, mëkati, hiri, shëlbimi, është zëvendësuar nga mundime më të rafinuara: email-e ndarjeje, mesazhe të padërguara, dilema të vogla emocionale, etj.

Letërsia klasike ruse nuk kënaqej me neurozë; ajo kërkon metafizikë. Të lexosh rusët pas një stine letërsie bashkëkohore është si të kujtohesh se dikur letërsia ishte çështje e peshës morale.

Romanet e Dostojevskit janë tërmete teologjike të maskuara si tregime.

Të Tolstoit janë laboratorë moralë ku çdo pasion testohet për pastërti.

Edhe absurditetet e Gogolit, si njeriu që zgjohet dhe e gjen hundën e zhdukur, burokrati që vdes i ngrirë me pallton e tij, duken si shëmbëlltyra të pëshpëritura nga një prift i çmendur.

Dallimi nuk është vetëm në përmasë, por në pritshmëri. Rusët besonin se letërsia duhej të lëndonte. Duhej të zhvishte iluzionet, të trazonte rehatinë dhe ta kthente lexuesin në botë të përulur e të ndërgjegjshëm.

Letërsia moderne, përkundrazi, ka si qëllim të të bëjë të ndihesh rehat në një boshllëk të kotë. Ajo na pasqyron me butësi, duke na siguruar se të ngrihesh nga shtrati dhe të shkosh të blesh një kafe është produktivitet.
Aty ku letërsia ruse ofronte zbulesë, jona ofron një lloj rehatie për një brez të çuditshëm ankthi.

S’mund t’u vësh faj plotësisht shkrimtarëve për këtë ndryshim. Vetë besimi, morali, pastërtia shpirtërore apo dëlirësia kanë dalë mode. Sa qesharak do të konsiderohej sot një hero romani që pi kafen e tij me qumësht bajamesh dhe tronditet nga mungesa e dëlirësisë së të fejuarës së tij. Tolstoi, më vjen keq, por nuk je më në modë!

Të shkruash sot seriozisht për besimin rrezikon të akuzohesh për fyerje ndaj një feje tjetër, apo më keq, të sulmohesh publikisht si në rastin e Salman Rushdie disa vite më parë. Absolutizmi moral që mbështeste letërsinë ruse, bindja se e mira dhe e keqja nuk ishin ndërtim shoqëror, por realitete shpirtërore, nuk ka më vend në një kulturë ku gjithçka është subjektive, dhe ku mangësitë shpesh konsiderohen virtyte.

Megjithatë, diçka humbet në këtë tërheqje nga transcendenca. Kur Dostojevski shkruante “Dashuria në veprim është diçka e ashpër dhe e tmerrshme”, ai nuk shprehej si romantik. Dashuria e vërtetë, ashtu si besimi i vërtetë, kërkon vetëmohim. Letërsia bashkëkohore parapëlqen substanca më të buta. Dashuria, tani, është terapeutike; kuptimi është personal; uni mbetet e paprekur dhe në rehati.

Ka pasur një kohë kur shkrimtarët i frikësoheshin Zotit; tani i frikësohen mërzisë. Komplimenti më i madh që mund t’i bësh një romani sot është se “të ndihmon të heqësh mendjen nga puna”. Është joshëse ta hedhësh poshtë intensitetin e klasikëve si diçka historike. Por edhe në bollëkun tonë laik, uria që ushqeu ato romane mbetet. Ende ka lexues që kërkojnë seriozitet moral, letërsi që nuk përshkruan thjesht përditshmërinë, por e pasuron atë. Ende duam të transformohemi, thjesht na vjen turp ta pranojmë.

Ajo që letërsia ruse transmetoi, dhe që ne e kemi harruar, është se këto dëshira nuk shërohen me ironi. Ndërgjegjja nuk është një mjet teknologjik që riprogramohet; është një plagë që kërkon trajtim.

Prandaj leximet e Dostojevskit ende ndihen të rrezikshme. Romanet e tij nisen nga bindja se të njohësh veten është të rrezikosh shpëtimin.

Ndoshta kjo është ajo që letërsia jonë aktuale e ka aq shumë frikë: një publik që i trembet pasojës së të menduarit. Një njeri që nuk guxon të kurohet shpirtërisht nuk do ta ndjejë veten në habitatin e tij përballë një libri që i ofron shpëtimin.

Të besosh në diçka, qoftë edhe në bukuri, do të thotë të heqësh dorë nga lehtësia e jetesës moderne. Rusët, të paktën, e dinin se ky ishte thelbi.

(c) 2025 Artemisa Kuznetsov. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney & Google Nano Banana.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin