Togfjalëshi “kafshë politike”, në zhargonin e përditshëm mediatik (e këtu s’kam si të veçoj mediat sociale), ka gjetur një përdorim të shpeshtë dhe të gjerë qyshkur. Kush e lakon, zakonisht, mëton të dëftojë dikë i cili, në rrafshin e politikes, bart veti dalluese kundrejt të tjerësh që veprojnë po aty; veti të cilat, më është krijuar përshtypja, shquajnë politikanë që janë jetëgjatë në skenë, karizmatikë, që ia kanë dalë t’i mbijetojnë bërrylave të gjithanshëm, e për këtë shkak kanë dëshmuar epërsi dhe aftësi për të korrur vëmendje. Jo rrallë, ata janë të njohur për një lloj egërsie (prej nga përputhja me “kafshën’ e togfjalëshit) në qëndrim dhe ligjërim publik.
Janë kaq politikanë, këta që e kanë hak një përkufizim të tillë metaforik, sa e zotërojnë rrafshin e politikës me çdo mjet, pavarësisht pritave dhe trysnive rrethanore. Vështirë se mund të arrijnë t’ua heqin mbretërimin e xhunglës pra—kjo e fundit, afërmendsh, mund të jetë veç sinonim i politikës.
Ajo e xhunglës, megjithatë, është një botë që shumëkush e ngatërron me etikën—atje ku veprojnë jo-kafshët, ata që udhëhiqen nga etiketa dhe skrupulli, e që gjakun nuk duan dhe nuk dinë ta derdhin çurg. Por ky është një përftim i gabuar, sepse jo sekush mbijeton në xhungël. Për pasojë, kush ia del që të qëndrojë—duke u përballur me të papriturat e xhunglës, a sidozot duke kollofitur ata që s’janë për këtë punë—ky meriton të dëftohet si kafsha politike dora vetë. Luan, mbret i saj.
Siç mund të shihet, përdorimi i një cilësimi të tillë ka për qëllim dallimin: dallim mes atyre që në rrafshin e politikes janë kafshë—që janë kësisoj në habitatin e tyre—dhe atyre që nuk janë të tillë. Me një fjalë, është së pari një togfjalësh shques, e mandej, në një moment të dytë, nëse do të zbatonim një gjykim vlere, një togfjalësh spastrues. Nëpërmjet përdorimit nxirret në dritë jo thjesht se kush është vërtet politikan, por edhe shtyhet drejt hijes kush nuk është i tillë: kush nuk është kafshë pra, shkëlqimi i të cilit pritet shpejt të perëndojë.
Në këtë linjë, Sali Berisha është patjetër një “kafshë politike”: i shtyrë jashtë skenës, por i rikthyer me këmbëngulje; pastaj i gjysmë-dalë me vullnetin e vet, pastaj i pabindur për të qëndruar në hije, ai ende sot, 35 vite pas angazhimit më të parë në rrafshin e politikes mbetet pjesë e atij grushti njerëzish që i kanë mbijetuar shfarrosjes së kohës. Njëjtë mund të thuhet për Ilir Metën, me dhëmbë dhe me thoj i mbijetuar qysh prej fillimit të viteve 1990. E akoma më shumë për Edi Ramën që, pas plot 12 vjetësh qeverisje, ende sot kryeson në mënyrë të pandërprerë ekzekutivin e vendit.
Rreth e rrotull tyre, kush më shumë e kush më pak, kanë grumbulluar dhe pastaj larguar, përdorur dhe likuiduar, një shumësi protagonistësh rreth tyre, partizanë dhe kundërshtarë të tyre, të cilët nuk i kanë bërë dot ballë as fuqisë kafshërore të të treve, e as kohës. Dhe që vështirë se mund të renditen, këta të tjerët, në rendin taksonomik të kafshëve të politikës.
Dhe deri këtu, nuk ka asgjë të keqe me një përdorim frazeologjik që ka gjetur gjithmonë e më tepër normalitet në qëllimin analizues të një realiteti të caktuar politik.
Problemi, nëse mund të quhet i tillë, nis kur përdorimi retorik i togfjalëshit, me qëllimin për të shfrytëzuar ndonjë efekt skenik të mundshëm, mbingarkohet me shtojca të konsideruara intelektuale. Të cilat, si gjithmonë në këto raste, janë të rreme.
Sepse vesi i keq për t’i vendosur mendimit a përfundimit dekore citimesh, edhe të gjërave që nuk janë lexuar (e aq më pak kuptuar) merr jetë dhe mishërohet në pompozitet.
Shumëkush mund t’i shtojë, apo parashtrojë, përdorimit të “kafshës politike”, emrin e Aristotelit. «Aksh politikan është një “kafshë politike”, siç do të thoshte Aristoteli» mund të dëgjohet rëndom, në rrethana të ftohta analizuese apo të valta përgëzuese. E që të bën vrik të mendosh se ky përforcim i argumentit me përmendjen e emrit të Aristotelit e ka origjinën te ndonjë citim i gatshëm, i dëgjuar diku, dikur, e me gjasa në rrjet.
Çka do të hapte një horizont të ri vlerësimesh mbi mënyrën sesi ligjërimi publik, sot, i merr dijet—ato klasiket, veçanërisht—i përpunon, shumë shpesh i jetërson, i ambalazhon, e i servir në trajtë të përkryer për reklamim. Do të kishim shumë për të thënë, e do t’i binim detyrimisht gjatë, për mënyrën sesi në emisione televizive dhe në të tjera formate hidhen në pazar emra të përveçëm dhe terminologji që shërbejnë pikërisht për të legjitimuar (a më shpesh, për të zbukuruar estetikisht) një ligjërimin publik—sidomos kur ky është, në përmbajtje dhe në formë, krejt banal. Por ky nuk është vendi[1].
Vërtet që Aristoteli ka qenë autori i togfjalëshit “kafshë politike” (në gr. “zoon politikon”, ζῷον πoλιτικόν) i cili mund të haset në shumë fragmente me autor filozofin e moçëm grek, por që në traditën perëndimore njihet nga një pasazh i librit I të “Politikës” aristoteliane (Πολιτικά, pjesa II, 1253a2).
Ndonëse do të duhej sqaruar gjithashtu se përdorimi i “kafshës politike”, nga ana e Aristotelit, nuk bëhet me qëllim dallues, siç ndodh më së shumti sot. Në shkrimet e tij, “kafsha politike” nuk vlen për dikë që shquhet mes të tjerësh. Togfjalëshi, nuk përzgjedh dhe as përjashton; ai gjithëpërfshin.
Për Aristotelin, “kafshë” (ζῷον, që ka të njëjtën rrënjë me foljen “zo”, ζῶ, “rroj”) janë të tëra qeniet që marrin frymë, që rrojnë, e si të tilla janë gjallesa. Në universin linguistik të greqishes së vjetër, është shumë e shpeshtë që një fjalë të marrë kuptime të ndryshme, shpesh jo fort të përputhshme me përkthime të ngurta në gjuhë të tjera. Dhe Aristoteli shfrytëzon këtë thellësi semantike për ta klasifikuar njeriun në majë të piramidës së gjallesave—apo të kafshëve, nëse duam t’i mbetemi besnik përkthimit të ngurtë, e të ngushtë, që ne i bëjmë fjalës ζῷον.
Të gjithë njerëzit janë gjallesa, kësisoj, ngase janë të mbushur me “zoé” (ζωή), me jetë. Por ndryshe nga të tjerat, njerëzit janë gjallesa politike: ato dinë të jetojnë në një bashkësi, në një “polis” (πόλῐς, që nuk do të thotë thjesht “qytet”, siç shpesh përkthehet ngushtë, por edhe bashkësi, pikërisht). Është një cilësi kjo që vetëm njeriu, mes gjithë gjallesave të tjera, e gëzon, në mendjen e Aristotelit. Andaj njeriu mund të përkufizohet ndryshe, “një gjallesë bashkësore”, apo thënë ndryshe “një kafshë politike”. Togfjalësh, ky i fundit, që nuk shkon të përzgjedhë mes njerëzve, por i përfshin ata në tërësi. “Kafsha politike”, për Aristotelin, nuk është kush shquhet për egërsi mes politikanësh: ajo është vetë thelbi karakterizues i çdo njeriu, tipar tërësor i të qenit njeri.
E përsëris, nuk shoh asgjë të gabuar, e aq më pak të keqe, në përdorimin verbal të një togfjalëshi sipas mënyrës sesi ky kuptohet sot, me atë ngarkesë semantike që njerëzit e përftojnë sot. Fjalët, shpesh, mbeten në kohë, në të njëjtën trajtë sesi ato janë formuluar në origjinë; pavarësisht se në rrjedhën e viteve dhe shekujve brendia e tyre përson shndërrime.
E rëndësishme është, megjithëkëtë, që përdorimi i tyre të mos humbasë peshën që meritojnë. Veçanërisht në rrethana varfërimi të seriozitetit ligjërimor.
(c) 2025 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me
[1] Hapësirë më vete do të duhej t’i kushtohej devizës “qëllimi justifikon mjetet”, gjerësisht i përdorur duke iu atribuar Machiavelli-t. Frazë që ky i fundit nuk e ka shkruar asgjëndi, e që në vëmendjen e shumë studiuesëve të tij, nuk do të vlente as si perifrazim i përfundimeve të mendimtarit fiorentin. Përveç se si banalizim i skajshëm i një mendimi shumë të thellë.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Bukur