Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

DIALEKTIKA E HERAKLITIT PËRBRI PROVERBAVE POPULLORE

Përfytyroni një mendimtar të lashtësisë greke i cili hodhi në pergamenë dhe në mjedisin antik pikëpamjen e tij filozofike, por me kohë vepra praktikisht i humbi dhe mbetën vetëm diçka më shumë se 100 thënie, për një shumicë “enigmatike, apo të errëta” dhe nga kjo e quajtën Herakliti i Errët. Por pas shumë shekujsh Hegeli, një nga më të mëdhenjtë dijetarë të filozofisë dialektike, dëshmon përulësisht se “nuk ka asnjë thënie të Heraklitit që nuk e kam futur në Logjikën time”!

Mendimtari dhe kritiku i madh Fredrik Niçe (Friedrich Nietzsche), që “nuk la gjë pa kritikuar!”, shprehet për Heraklitin se “e ndjej veten ngrohtë dhe shpirtërisht më mirë se kudo në shoqërinë e tij”. Sa i përket opinioneve mbi “errësirën” që disa shohin në mendimin heraklitian, Niçe thotë: “zor se gjen tjetër që të ketë shkruar kaq qartë e plot dritë”!

Në një farë mënyre mund të thuhet se Herakliti është krijues fjalësh të urta, i cili madje imiton në këtë drejtim gjeninë popullore. Fjalë të urta populli ka krijuar e trashëguar brez pas brezi për mijëra vjet. Proverbat pastaj, duke qenë edhe të shkurtra, janë “transportuar” lehtësisht nga populli në popull, sipas një përkthimi të përshtatur, natyrisht kur përmbajtja dhe forma e tyre bashkëtingëllojnë në mjedisin e ri. Fondi themelor i proverbave është një pasuri mbarëbotërore. Kjo na jep dorë për të folur për “proverbat” e grekut Heraklit duke i përqasur me proverbat e popujve fqinj.

Ja fillimisht disa thënie të Heraklitit, të cilat pa diskutim janë proverba të mirëfillta: 

“Gomerët do të pëlqenin kashtën ndaj arit”;

“Çdo gjallesë shtyhet në kullotë me frushkull”;

“Hyjnitë dhe njerëzit nderojnë të rënët në luftë”;

 “Arroganca duhet shuar më shpejt se një shpërthim flake”;

“Populli duhet të luftojë për ligjet, si për muret e qytetit”;

“Për njeriun karakteri është demon”

“Dufit është vështirë t’i kundërvihesh, sepse çfarëdo që dëshiron e blen me çmimin e shpirtit”

Proverbat popullore janë një koncentrat, një përmbledhje me fjalë tepër të kursyera e të mençura të asaj urtësie që do të donte shumë fjalë për t’u shprehur. Të përhapura nëpër gjithë hapësirat e mendimit në çastin që aktivizohen, proverbat krijojnë një shpërthim intuitiv të gjerë dhe të menjëhershëm. Mjaft i rëndësishme është formulimi i tyre, si rregull, nën një tension dialektik të brendshëm dhe të fuqishëm. Madje ndonjë herë ky duket si tension i vendosur prej forcës së zakonit. Bie fjala, mund të thuhej shkurt “fol drejt”, por proverbi tensionohet në këtë mënyrë: “rri shtrembër, e fol drejt”. Pjesa e parë e proverbit duket e tepërt, e shtuar më tepër për muzikalitet poetik, por roli i saj i vërtetë është krijimi në të i një tensioni të brendshëm, ndonëse edhe një nënkuptim këtu ka: mund të rrish shtrembër mbi argumentet , por duhet të flasësh drejt.

Vini re tensionin që ka krijuar populli në këto proverba, formuluar sipas një dialektike të thjeshtë, të drejtpërdrejtë e shpërthyese:

-borxhi me borxh s’lahet;

-gjuha kocka s’ka, kocka thyen;

-koka bën, koka pëson;

-gjuha të lidh, gjuha të zgjidh;

-i mbushet mendja, atij që ka mend;

-gjaku s’bëhet ujë;

-punën po s’e bëre, s’bëhet;

-ai që lodhet, çlodhet.

Raportet borxh i pashlyer – borxh i shlyer, butësi pa fortësi kockash të thyera, mrekullia me emrin gjak – ujë i zakonshëm, puna si akt bërje e mosbërje, lodhja që të çlodh, të gjitha këto, që janë parë si anë të kundërta në të njëjtit objekt ose veprim, janë në formë dhe përmbajtje tensione të harmonizuara mbi të njëjtën send; ai njeri që lodhet në punë, fiton parat e një pushimi si largim nga puna.

Në lidhje me tensionimin në proverba, vlen të zbërthesh këtë thënie të mrekullueshme të Heraklitit që nis me qortim: “Ata nuk e kuptojnë dot sesi çfarë është e kundërt, përputhet me vetveten, si harmonia e tendosur e një harku dhe lirës”. Në një hark apo në një lire, instrument muzikor antik, fija e tendosur bashkon dy cepat e kundërt që duan të largohen. I gjithë harku është një harmoni e tensionuar ku çdo element ka vendin dhe masën e tij plotësisht të përcaktuar në kuadrin e harmonisë së harkut. Pak më shumë të tensionohet fija dhe harku nuk tërhiqet dot; po të lihet fija më e lirë, harku s’ka forcë të shtyjë shigjetën.

Për krahasim, i jashtëzakonshëm është ky proverb popullor: “Jo i mirë sa të lëpijnë, jo i keq sa të pështyjnë”! Pra nisur nga përvoja dhe mençuria përpiqu të gjesh tensionin e duhur, pikën e duhur në hapësirën dialektike të së mirës dhe të keqes! Kështu edhe proverbat janë përgjithësisht harmoni të tensionuara në masën e duhur: “ai që lodhet, çlodhet”; lodhjen e çlodhjen i bashkon fija e punës së tendosur sa duhet. “Është sëmundja që e bën shëndetin të këndshëm e të mirë, uria ngopjen, lodhja pushimin”, do të thotë Herakliti. Pa lodhje nuk të shijon pushimi, edhe sepse lodhja e puna japin paranë e lypur për të mbuluar kënaqësitë e pushimit. Por edhe këtu duhet masa, harmonia: puna e shumtë mund të të sëmurë, puna e paktë s’të jep gjë.

Por proverbat e Heraklitit kanë edhe një ngërthim tjetër, atë të disa kuptimeve që asociojnë me njëra-tjetrën; janë të ngjeshura në kuptime të mbivendosura. Ai thotë: “Është rrufeja që urdhëron të gjitha gjërat”. Çfarë të ketë patur parasysh? Në një kuptim mitologjik mund të thoshim se është Zeusi, i cili nëpërmjet rrufeve që hedh urdhëron gjithçka. Por në një farë mënyre Herakliti i largohet mitologjisë, lë në heshtje Zeusin dhe ia atribuon vetë rrufesë forcën e urdhrit. Rrufeja është e shpejtë, është një çast. Mos vallë ai do të thotë se është çasti që vendos për fatin e muajve dhe viteve?  Apo ai ka parasysh elementin e tij qendror, zjarrin me veshjen e rrufesë, që, siç thotë në një vend tjetër, “do të gjykojë dhe do të përfshijë të gjitha gjërat”?

Më shumë ka të ngjarë që Herakliti të ketë nënkuptuar njëkohësisht të gjitha këto, në mos po edhe diçka më tepër se kaq. Ky është Herakliti i asociacioneve të panumërta. Ai vetë aludon për diçka të tillë kur thotë: “Zoti është ditë natë, dimër verë, luftë paqe, tepri uri. Dhe gjërat shfaqen të ndryshme, si te zjarri i përzier me erëza të ndryshme, që i japin erën dhe emrin”. Sipas rastit konkret në procesionet fetare priftërinjtë hidhnin erëza apo myshqe të ndryshme për të krijuar efektin e rasti, por, siç ve në dukje mendimtari, në të gjitha rastet është po ai zjarr, po ai thelb i njëjtë i shfaqur nëpërmjet aromave të ndryshme. Edhe proverbat heraklitiane janë përpiluar në atë mënyrë që të krijojnë efekte të shumta dhe shumëngjyrëshe.

Mua personalisht më krijon një efekt magjepsës kjo thënie e tij: “Një fëmijë që luan, që hedh zaret, është koha e jetës, është mbretëria në dorën e një fëmije”!? Shumë mendime të ngjall kjo në kokë, pa zbuluar kurrë deri në fund ç’shtë dashur të thuhet. Apo kjo thënie tjetër: “E njëjta gjë janë e gjalla dhe e vdekura, dhe të qenët zgjuar dhe fjetur, dhe e reja dhe e vjetra, këto bëhen ato, ato bëhen këto” . E reja bëhet e vjetër dhe e vjetra bëhet e re, rrotullohen në cikël duke i lënë vendin njëra tjetrës në zëvendësimin e njëra-tjetrës!

Herakliti me një prejardhje aristrokatike ka shumë të ngjarë t’i ketë dhënë vetes një rol orakullar dhe mendimet e veta t’i ketë shkruar në formën e thënieve të urta, të figurshme, tepër të ngjeshura, plot metafora e asociacione, me një harmoni që ka brenda tension në masën e prerë sa duhet. Edhe populli ka arritur deri këtu me proverba të mrekullueshme, herë më të ngushta e herë mjaft më të përgjithshme. Por gjenia e përpunuar dhe e rafinuar e Heraklitit ka shkuar më tej, aty ku intuita dhe filozofia e thjeshtë e popullit nuk ka arritur dot në rrugën e natyrshme që ndjek. “Proverbat” e atij filozofi janë fryt i spekulimeve filozofike me përgjithësime dialektike që përfshijnë të gjithë këtë rend të bukur të gjërave, të cilin grekët shkurt, duke filluar me Pitagorën, e quajtën “Kozmos”. Herakliti mund të quhet në këtë mënyrë mendimtar i urtësisë kozmike, i asaj urtësie që ai vetë e quajti Logos, të atij zjarri qe përfshin gjithçka.

(c) 2025 Spiro Duka. Shkrimi është një ekstrakt i përpunuar prej librit: Spiro K. Duka, HERAKLITI I PROVERBAVE TË URTËSISË KOZMIKE, Pegi 2000. Imazhi në kopertinë është realizuar me Flux dhe përpunuar me Fotor.

1 Koment

  1. As qe pretendoj te konkuroj me kete Heraklitin po sepse me duket qe ca nga keto mendimet i ka lene pergjysem, ne mos vazhdimi ka qene ne ato copat e humbura. Po mar guximin t’i plotesoj sipas rradakes sime. Ju lutem mos e merrni per mendjemadhesi:

    “Gomerët do të pëlqenin kashtën ndaj arit. Asgje per t’u çuditur, edhe nje një njeri i humbur prej ditesh ne shkretetire do te preferonte nje shishe uje ndaj nje grushti dollaresh”
    “Çdo gjallesë shtyhet në kullotë me frushkull. Ka shume njerez qe e lene shkollen pikerisht se nuk ka kush I shtyn”
    “Hyjnitë dhe njerëzit nderojnë të rënët në luftë. Po te mos e benin kete ndofta do te kishim me pak luftra”
    “Arroganca duhet shuar më shpejt se një shpërthim flake. Puna eshte se profesioni I arrogancefikesit nuk egziston:
    “Populli duhet të luftojë për ligjet, si për muret e qytetit. Populli nuk do te luftonte per asgje po te mos e shtynin ata qe perfitojne nga ajo lufte”
    “Për njeriun karakteri është demon”(Kesaj nuk ia gjej dot se nuk e kuptoj shume mire)
    “Dufit është vështirë t’i kundërvihesh, sepse çfarëdo që dëshiron e blen me çmimin e shpirtit. Ka shume njerez ne kete bote qe shpirtin e japin me discount”

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë