Shënime mbi gjuhën, populizmin dhe projektimin
Kam lexuar se në kohë të vjetra profecitë më të sigurta dhe më të besueshme nuk ishin ato që vinin me shkrim a si të thëna me gojë. Sepse shumë herë ka ndodhur që, gjatë interpretimit të tyre, njerëz të shkathët nga mendja, të mësuar dhe mendjemprehtë janë mashtruar për faj të shprehjeve të dykuptimshme, ekuivokeve dhe paqartësisë së fjalëve, për të mos përmendur shkurtësinë e thënieve vetë […] Ato profeci, përkundrazi, që përfaqësoheshin atëherë nga shenjat dhe gjestet e dukshme gjykoheshin si më të vërtetat dhe të pagabueshmet […] Le ta vëmë në provë, pra, këtë lloj profecie; dhe të shkojmë e të kërkojmë këshilla nga ndonjë mendjeshkurtër, që nuk e hap gojën fare.
—François Rabelais, La vie de Gargantua et de Pantagruel, 1532–1564
Që nga shekulli i 15-të, me rizbulimin e Vitruviusit dhe traktatet që pasuan shekuj më pas, arkitektura filloi të shihet si gjuhë, madje shumë tekste merrnin nga gjuhësia aspekte strukturore dhe leksikore për të përshkruar elementet e fasadave dhe të rregullave të kombinimit të tyre në eksterier. Që nga ajo kohë e deri sot, arkitektura është parë si një gjuhë më vete, e cila i përgjigjet një grupi rregullash drejtshkrimore dhe gramatikore të mirëcaktuara dhe konsoliduara në histori, ashtu si edhe vetë gjuha letrare.
Për më tepër, ashtu siç gjuha mund të “njolloset”(ose të evoluojë) nga përdorimi i fjalëve të huaja, neologjizmave apo fjalëve popullore, vulgare apo të pisëta, nuk përjashtohet që po ashtu edhe gjuha e arkitekturës të mund të njolloset (ose të ndryshojë) nga përdorimi i fjalëve dhe elementeve që shpesh hyjnë me vështirësi në një komunitet që vetërregullohet falë kodeve të komunikimit (stilet dhe raportet) historikisht të fiksuara.
Në Shqipëri, duhet pranuar se një ndër çarjet më vendimtare në këtë drejtim u vu re pas liberalizimit të vizave dhe hyrjes së arkitektëve të huaj pas viteve 2008-2015. Për shembull, futja e termave si “rivitalizim”, i shqipëruar me fjalën e njollosur “rijetëzim”, përkon me momentin kur projekti i “Kthimit në identitet” dhe “Rilindja urbane” u aplikuan në mënyrë të njëtrajtshme dhe paralelisht me një seri ndërhyrjesh urbane, që preknin si objektet ekzistuese historike, ashtu dhe ato moderne.
Vala e shkollave të huaja, projektet e bashkëpunimit me universitetet shqiptare, obsesioni me mitin e “Il Paese di Fronte”, e “L’Albania” të shkollave të huaja: këto ishin momentet kur interesat e vjetër u zgjeruan drejt projektimit masiv, pra, ndërhyrjeve mbi shkallën e territorit dhe të rretheve. Këto hyrje-dalje patën patjetër një rol vendimtar në zhvillimin e gjuhës së arkitekturës pas viteve 2000. Po të gërmohet në arkivat e shkollave italiane, nga projektet me fonde evropiane tek diplomat e studentëve që ndiqnin akademikë me interesa të caktuar, neologjizma, si rivitalizzazione, riuso, archeologia industriale, dominojnë dokumentet shkencore dhe projektet studentore. Nga Butrinti si park tematik, tek Muzeu në Bazën e Nëndetëseve në Porto Palermo—i realizuar nga e njëjta arkitekte që restauroi fshatrat Vuno e Dhërmi dhe Shtëpitë-Muze Kadare/Agolli—dhe deri tek parqet dhe shtëpitë-muze të qyteteve me liqene (Pogradec, Shkodër e Kukës): do të ishte tepër naive të thuhej se këto iniciativa hapën rrugën për xhentrifikimin e territorit nga politikat e qeverisjes së majtë. Megjithatë, mbetet fakt që zonat përreth këtyre investimeve, si për shembull në Jug, janë bërë sot ekskluzive për një klasë të limituar elitash.
Përtej futjes së nocioneve dhe terminologjive të reja në projektim, roli radikal i kësaj vale interesi dhe operativiteti nga të huajt në Shqipëri formoi një mentalitet të ri dhe i dha një tjetër perspektivë kuptimit dhe leximit të arkitekturës dhe projektit, duke derdhur në diskurs komentet dhe analizat e publikut të gjerë. Një demokratizim i cili ra në ujdi dhe me aspektet më ideologjike të fushës, jo larg stereotipave të natyrës “tradicionale apo moderne, e vjetër ose e re, vilë apo kullë, rrugicë apo rrugë me asfalt, e bukur apo e shëmtuar, racionale apo vernakulare, e jashtme ose vendase” etj.—jo për çudi rivalitete që luftojnë dhe kundërvihen pikërisht në terrenin e mentaliteteve dhe të gjuhës së arkitekturës.
Gara mes palëve zhvillohet kështu si dialektike, jo dhe aq kontradiktore, midis populizmit vendas dhe modernizmit të huaj. Nga pikëpamja e gjuhës së arkitekturës, pra estetikës së fasadës, pamjes, orderave dhe proporcioneve, u krijuan rryma që në shikim të parë dukeshin të kundërta. Nga njëra anë, projektimi erudit i “të jashtmëve” të kthyer në atdhe me një valixhe plot me neologjizma dhe me formulime disleksike, nga ana tjetër tradita ndërtimore popullore, e cila duhej luftuar, si për shembull fjalët e “pisëta” të futura nga praktikat e klasës punëtore të sektorit të ndërtimit, nga kitsch-i, kolonat greke, ngjyra-ngjyrat, suvatime alla veneziana, tek dordolecët apo sytë magjikë në majë të ballkoneve.
Në tentativën për të spastruar këtë “njollë të errët”, artistë dhe arkitektë me “mentalitet perëndimor” krijuan dy terrene të patundshme, ku sektorë të caktuar të profesionit të projektuesit po tentojnë ende sot të futen: a) ndërtimet e reja dhe b) restaurimi ose rimëkëmbja e trashëgimisë ekzistuese. Dy terrene mbi të cilat është luajtur historikisht beteja mes profesionistëve dhe ku sidomos trashëgimia, deri dje në duart e shtetit, i ka hapur rrugën interesit privat në një garë mes kush prodhon teorinë e restaurimit më tërheqëse. Në kushtet e një kulture të trashëgimisë të ndërtuar artificialisht, ideologji të reja ndeshin vështirësi me një sistem ekonomik të bazuar mbi luhatjet e kontingjencave. Me fjalë të tjera, një arkitekt që sot predikon restaurimin, nëse kontingjencat do të ndryshojnë nesër, do ta bëjnë të ndryshojë mendim sipas orientimeve të reja të opinionit publik apo tregut. Kjo nuk është dhe aq metaforë e Tiranës si qytet i bazuar mbi plane pjesore dhe me taktika spekulimi që luhasin në çdo moment interesat ndërtimorë, por përkon edhe me problemet praktike të konkurrencës mes profesionistëve, që duhet t’i krijojnë treg vetvetes.
Në këto kushte, arkitekti bëhet më i kompromentueshëm, duke u detyruar të rindërtojë një motiv të ri që justifikon veprën personale sipas momentit.
Kjo luhatje kontingjencash, në mungesë të një ideologjie apo vlerash (humbja e asaj që Walter Benjamin e quan aura), shpjegon disi krijimin e miteve profesionale, duke i shkëputur figura të caktuara intelektualësh nga konteksti origjinal për t’i futur në lojë brenda një konteksti të ri totalisht projeksional: nga Kadare tek Velo, Kolevica, apo edhe nga Hatibi, Lubonja tek Rama i viteve të para. Po! Populizmi pranohet, por do mikpritur me një dozë të lartë retorike dhe identiteti të munguar, dhe duhen rehabilituar intelektualët dhe t’u projektohen atyre “vlerat” e shoqërisë së re.
Ishte vetëm çështje kohe për borgjezinë e Unazës së Vogël që përpiqej të rilindte pas rënies së diktaturës, përpara se të çukiste populizmin e asaj që ndodhte përtej rrugicave erudite të kryeqytetit dhe të shihte anën tjetër të shoqërisë. Problemi ishte se në vend të një përplasjeje konfliktuale mes dy klasave, “pluralizmi ekonomik” nënkuptonte detyrimisht një ballafaqim dhe shkëmbim rolesh dhe hierarkish. Borgjezia e rrugicave dhe e vilave të Tiranës pati vetëm për një moment të shkurtër shpresën se do të qeveriste mbi klasën kryesore të mbetur nga eshtrat e socializmit: fshatarësinë. Vetë fshatarësia, të ardhurit nga rrethet, nëpunësit publikë, vinin nga një mentalitet ku aspekti “popullor” kishte luajtur një rol kulturor thelbësor për brezat e tyre, ashtu si dhe të profesionistëve të viteve1970 dhe të fillimit të 1980-ës. Ishin përkatësisht vitet fill pas revolucionit popullor të Maos të cilat mbase zinin vend më shumë në Shqipërinë kooperativiste sesa në Evropën e metropoleve, por edhe vitet e agjendës së identitetit kombëtar, muzeve historike, piramidave, festivaleve popullore e folklorit.
Përzierja gjuhësore me mentalitetet filloi të prodhonte rezultate edhe më interesante në momentin kur sektorë të borgjezisë tiranase filluan të linin gjurmë në qytet. Dhe këto rezultate i shohim sot me qartësi. Përsëri stereotipa: folklor dhe modernizëm, vilë private dhe monument, vulgaritet (“popull”) dhe borgjezi. Këto terrene, dikur parti dhe ideologji të kundërta, filluan shpejt dhe papritur të flasin të njëjtën gjuhë popullore edhe në arkitekturë. Anekdota më domethënëse janë situata si ajo e Vilës Petrela, ngjitur me pallatin me kuba të Maks Velos. Për të marrë statusin monument, shtesa e katit të tretë të vilës u njëtrajtësua me katet ekzistuese duke përdorur gjipse dhe ornamente klasike fallco dhe gëlqere rozë, duke “vazhduar” dhe imituar stilin e objektit ekzistues. Nuk duhet harruar se shpesh këto elemente stilistikore, ashtu siç ndodh sot në periferi e zona rurale, vinin në Tiranë si know-how i ustallarëve apo projektuesve që ktheheshin nga jashtë me një bagazh stilistikor dhe gjuhësor, që eksperimentohej tek vilat e familjeve borgjeze apo tregtare të kryeqytetit. Vila Petrela mbetet dëshmi e borgjezisë së rilindur pas rënies së diktaturës, që kërkon një identitet të ri, por nuk ka fjalor tjetër në raftet e bibliotekës personale veçse atë shqip-shqip ose shqip-vulgar.
Prapë në arkitekturë, përplasja e madhe dhe më vendimtare: arkitektura e instituteve të projektimit me anonimat të fortë si në autorësi, nga Pistoli me “shoqe e shokë”, ashtu edhe në tipologji dhe stil ndërtimi gjatë viteve të rindërtimit socialist, ku objektet ishin të gjitha të njëjta, kundrejt rikthimit të traditës dhe ideologjisë vernakulare, së bashku me intensifikimin e shpalljeve “monument kulture” dhe lindjes së arkitekturës popullore të muzeve nga grupi i Sokrat Moskos, Enver Fajës, Nina Shehut dhe Petraq Kolevicës, tek brezi i ri tradicionalist, si Maks Mitrojorgji, Robert Kote etj.
Por mes tyre, vetëm profili biografik i Maks Velos u përgjigjej interesave kulturorë dhe ideologjisë së re që duhej ndërtuar nga viti zero, 1990. Jetë e persekutuar, art dhe arkitekturë “disidente”, kubizëm dhe kreativitet: ishin këta togfjalëshat të cilët i kërkonte borgjezia e re për të nisur aktivitetin e sipërmarrjes kreative në kryeqytet—si për ironi, vitet e para ishin të karakterizuara nga shtesat kubike të kateve dhe kioskave private. Detyrimisht këto ishin vlerat e duhura për t’i dhënë një tjetër identitet kulturor kryeqytetit, që do të çonin në kushtet e një urbanistike selektive, jo larg metodave të planeve pjesore italiane apo komuniste, dhe fat i madh, që Veloja kish ndërtuar një pallat pikërisht në qendër të Tiranës, ku banonin dhe “dy shkrimtarët e regjimit”. Dhe nuk është më herezi apo sekret sot të thuhet se “rivitalizimi” i shtëpive-studio të Kadaresë dhe Agollit, A-ja dhe K-ja postmoderne, të cilat kërkojnë të bëjnë artificialisht monument një objekt mediokër, u hynin në punë taktikës së Bashkisë së Tiranës për të rritur artificialisht vlerën e tokës së zonës ku duhej ndërhyrë sa më parë, në mënyrë që të financohej ndërtimi i Sheshit Skënderbej që do të rriste atraksionin e kullave rreth e përqark.
Pse mediokër? Sepse fundja Veloja me pallatin “me kuba” nuk kishte bërë gjë tjetër veçse të “popullarizonte”, madje në mënyrë inteligjente, me kombinimin kuba-dritare-lozha, një tipologji e cila për shqiptarët ishte thjesht një banesë-tip si gjithë të tjerat që ndërtoheshin nga institutet shtetërore të projektimit të banesave: momenti kulmor i asaj që mund të quhet barazi sociale në Shqipëri. Këtë kish dashur të bënte Veloja, duke e komunikuar me zë të lartë: kubat kanë efekt zbavitës tek fasada kryesore; ngjajnë gati si tubat e një organoje të një katedraleje të madhe. Ajo që kubat thoshin me ulërimë, projektuesit e sotëm e përkthyen me gjuhën e tyre edhe më ulëritëse, të viteve të fundit, duke injoruar semantikën e kontekstit kohor të Velos. Nuk ia vlen të komentohet A-ja apo K-ja, që mbase kanë efektin pozitiv, sepse u japin mundësinë studentëve të shohin një version të realizuar të asaj që kanë studiuar në librat e shkollës kur kanë parë pallatin me parullën “I am a Monument” të Robert Venturi-t dhe Denise Scott Brown.
Por vlen ndërkohë të veçohet metafora më e heshtur e kësaj ndërhyrjeje dhe e “rifutjes në diskurs” të këtij pallati banimi. Tirana duket se po kthehet në qytetin ku edhe banesat e institutit të projektimeve, që nuk arritën asnjëherë të shihen si monumente, të cenohen sot nga një procedurë e dhunshme tjetërsimi dhe rijetëzimi: shtimi i sipërmarrësve të mesëm (ata të cilët nuk u ngritën asnjëherë në stadin e oligarkut) ka bërë që të formohet një klasë funksionarësh me kapital relativisht të lartë. Këta kanë aftësi të ofrojnë para për të blerë disa hyrje apo një pallat të tërë të madhësisë si ai i pallatit A-K. Raste të tilla në Tiranë janë me qindra. Episodi më i heshtur është tjetërsimi i një prej njësive të banimit në Rrugën e Durrësit, në dalje të Rrugës së Ambasadave (godina me kthesë ose Pallati nr. 59, që përfshinte ish-Hotel Pensionin), i projektuar nga një grup arkitektësh të kryesuar nga Valentina Pistoli në vitin 1958-59, mbase objekti më monumental me funksion banimi i ndërtuar gjatë periudhës së tipizimit të apartamenteve; por, njëkohësisht, ndryshe nga virtuoziteti i Velos, një pallat i cili nuk do e nuk ka nevojë të ulërijë. Bëhet fjalë për një objekt që rrethon një ishull urban me përmasa të mëdha, duke formuar një oborr të brendshëm, dikur i përdorur si hapësirë e gjelbër dhe park lojërash nga fëmijët dhe banorët. Ky ishte edhe kriteri themelor për arkitektët e socializmit, që edhe kur përdornin blloqe lineare, këto duhet të rrethonin oborre të përbashkëta. Një kriter i ngjashëm karakterizonte edhe pallatin e Velos përpara se të prishej godina e INSIG-ut në vitin 2016, ku të dy pallatet ngjitur me njëri-tjetrin formonin një muralje për atë pak “oborr” në pjesën e pasme, ku sot është fasada e A-së dhe K-së. Sot pallati A-K është lënë si kunj i veçuar, për t’i hapur vend rrugës së Unazës së Vogël dhe shërbimit infrastrukturor të Kullës së Verdhë—një strategji që vështirë se do t’i plotësonte kriteret stilistike të Velos.
Ndërkohë, forma e ndërtesës së Pistolit kujton jo pak periudhën kur shtetet sociale, si bashkia e Vjenës në vitet 1920, ndërtonin banesa kolektive për klasën punëtore në formën e hof-eve, oborreve madhështore të huazuara nga gjuha dhe tipologjia e arkitekturës borgjeze të pallateve aristokrate të kohëve të perandorisë, dhe të kthyera në banesa sociale falë një programi që zgjati pak, por prodhoi diçka madhështore, duke u dhënë strehim brenda ansambleve madhështore klasave të ulëta, që paguanin vetëm një qira simbolike: këto banesa dhe emrat e tyre emblematikë, si Matteotti-Hof, Karl-Marx-Hof, George-Washington-Hof etj., qëndrojnë sot ende stoike dhe prezenca e tyre madhështore në qytet i ka bërë ballë spekulimit imobiliar, duke e mbajtur ende Vjenën një qytet me qira të ulët. Nga pikëpamja gjuhësore, në këto hof-e tek elementet popullore të fasadës të kërkuara nga qeverisja socialdemokrate e qytetit ishte përdorur populizmi si formë komunikimi dhe për t’i bërë më në fund punëtorët të kuptonin dhe të pranonin arkitekturën që do t’u jepte strehim, pa e perceptuar si diçka moderne dhe të huaj. Nuk e dimë se sa Pistoli mund ta njihte ketë referencë, por Vjena e Kuqe, siç njihet në histori periudha e këtyre ndërtimeve, nuk mund të mungonte në raftet e bibliotekës së zyrave të Institutit të Projektimit, dhe kjo duket edhe në disa elemente ende të ruajtura tek pallati i Rrugës së Durrësit: kolonat drejtkëndore me motive të gdhendura, dritare të markuara nga fasha-korniza të vazhduara, korniza dhe parmakë gati klasikë dhe elemente të tjera që i bënin eko Pallatit neoklasik të Oficerëve, që ndodhet vetëm përballë.
Përtej këtyre elementeve stilistike, gjithësia e pallatit, për shkak të madhësisë dhe përsëritjes monotone të motiveve të njëjta, krijon një harmoni që në tërësi ia bën fasadën gati të shurdhët.
Por disa vite më parë, ky objekt anonim i Rrugës së Durrësit, si shumë të tjerë, nuk u shpëtoi transformimeve, kur një segment i pallatit u ble nga sipërmarrës të ardhur në Tiranë “për t’u marrë me biznes”, dhe që nuk ditën të riprodhojnë më shumë sesa gjuhën e gjipseve dhe mermerëve të mësuar në kantieret provinciale të Greqisë dhe Italisë, duke e kanibalizuar atë parcelë të pallatit me gjipse e kolona antike, sot Hotel Colosseo. (Në koherencë me urbanistikën selektive mund të thuhet se Pistoli nuk pati të njëjtin fat dhe mirëtrajtim si të Velos, sidomos për shkak të pozicionit në gjeografinë imobiliare të qytetit.) Në shumë raste sot në këto objekte banimi, sidomos pas tërmetit, kanë mbetur vetëm pak familje të vjetra, dhe këto kryesisht janë njerëz të moshuar dhe pensionistë. Në pamundësi për t’u bërë bashkë për të kundërshtuar blerësin, të kërcënuar apo të vënë në kushtet kur nuk mund të mos e pranojnë ofertën, shumë janë të detyruar të lënë shtëpitë dhe të largohen prej qendrës apo të mbetën pa strehë.
Kjo duket se është dinamika e re e urbanistikës së Tiranës, nën këmbët e kullave të larta dhe nën hijen totale të diskursit publik të zakonshëm. Se ku do të çojë kjo situatë,duket gati e paparashikueshme në kushtet kur sytë dhe veshët e kritikës dhe të aktivizmit janë të drejtuara gjithmonë aty ku bërtitet më shumë: nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shijojmë heshtjen që lutet, e padëgjuar, për pak socializëm.
© 2024 Marson Korbi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.