Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Gjuhësi / Histori

KUSH E RREZIKON GJUHËN SHQIPE

Nuk di të ketë vend tjetër në Europë që të festojë ditën e alfabetit. Fjala vjen, nuk kam dëgjuar se kur e festojnë ditën e alfabetit anglezët, italianët, francezët, spanjollët. Përse te ne kulti i gjuhës apo i shkronjave, vijon të na ngazëllejë ende dhe përse zhvendosemi në periudhën e inferioritetit historik, atëherë kur patriotët dhe dijetarët shqiptarë, në mungesë të institucioneve të tjera të kulturës, u mbështetën te gjuha dhe alfabeti në mënyrë që ta shpëtonin popullin shqiptar nga asimilimi apo t’u tregonin të tjerëve se, ne, shqiptarët, jemi një popull tjetër edhe nga që flasim një gjuhë tonën, të ndryshme nga fqinjët tanë, të cilët, edhe ashtu, na copëtuan e na ndanë.

Gjuha, natyrisht, është një shenjë e identitetit të një kombi, por, në fund të fundit, ajo mbetet vetëm shenjë dhe vetëm mjet. Po të ishte e vetmja shenjë e identitetit, frëngjishtja nuk do të përdorej edhe nga belgët, zviceranët për të mos thënë nga ish-kolonitë. E ç’mund të themi për anglishten, më tej. Gjuha është kulturë, është institucion, por vetëm si lëndë mbi të cilën vendoset kultura apo qëndrojnë institucionet, sepse, vetëm me anë të saj, ne mund t’i shfaqim e t’i ruajmë ato. Të mbështjellë me glorifikimin folklorik të gjuhës, ne po bëhemi të pakuptueshëm për botën dhe po shfaqemi para tyre si një komunitet në krizë identiteti. Gjithë ky turravrap për të kremtuar dhe për të lëshuar slogane luftarake në mbrojtje të gjuhës, të krijon idenë se shqipja po rrezikohet, se atë duan të na e marrin apo të na e tjetërsojnë.

E, në të vërtetë, kush e rrezikon sot gjuhën shqipe ? Pa as më të voglin dyshim, atë e rrezikojnë shqiptarët dhe lloj-lloj sharlatanësh që ky vend i prodhon me tepri, të cilët, edhe nën ndikimin e afshit të vonuar të Rilindjes apo të krenarisë boshe dhe delirit halucinant, kanë nisur tani të pushtojnë hapësirat publike me lloj-lloj marrëzirash. Kulmi arriti në Panairin e sivjetmë ku, në hyrje, një poster i madh, shpallte se, me anë të shqipes, shpjegohen edhe hieroglifët e Egjiptit të lashtë dhe vetë Panairi, ky pazar grotesk ku qarkullojnë arka me libra si të ishin patate apo tranguj, aktivitetin më të ndjekur kishte atë që zhvillohej në katin e tretë ku një sharlatan me patentë turbo-albanologjie, u shpjegonte gjindjes së marrë madhështinë e shqipes që tani arrin të deshifrojë edhe hieroglifët e Egjiptit të lashtë, paçka se ato tashmë janë shpjeguar e deshifruar prej kohësh. Gjuha është një mjet komunikimi që ndodhet në vetëdijen e bartësve të asaj të folmeje. Me anë të saj njerëzimi dhe europianët kanë regjistruar historinë, kulturën, letërsinë, dogmën, pra kanë dokumentuar rrugën nëpër të cilën ka ecur bota. Askush nuk ndjehet inferior përse greqishtja e vjetër apo latinishtja kanë shërbyer si mjete apo si bartëse të qytetërimit europian që kemi sot. Madje, këto ditë dëgjova, te një leksion nga filozofi bashkëkohës italian Galimberti, se Bibla që përdorin të krishterët italianë është ajo e përkthyer nga greqishtja e vjetër, dhe se, vetëm para tre vjetësh, thotë ai studiues, ajo është përkthyer në italisht nga aramaikishtja që flitej në Lindjen e Mesme nga hebrenjtë, sirianët apo fenikasit. Dhe, pas këtij përkthimi vëren ai, mund të kuptojmë se disa nga konceptet themelore që bart ligjërimi i Krishtit, janë kuptuar gabim. Në këtë kuptim, pra, gjuha si mjet i komunikimit nuk është vetë historia as kultura, është një mjet, një artific madje, siç thonë disa dijetarë të tjerë, një mjet që e ndihmon njeriu të organizojë jetën dhe të shtyjë veprimin shoqëroro më tej.

Unë e kuptoj dhe e vlerësoj punën e jashtëzakonshme të rilindësve tanë për të ruajtur këtë mjet dhe për ta paraqitur atë edhe si shenjë të identitetit tonë në mungesë të shenjave të tjera të mëdha, në mungesë të përdorimit të shqipes në Kishën Shqiptare, fjala vjen, apo në botimet me shqipen e lashtë, arbërishten apo ilirishten që ne fatkeqësisht nuk i kemi. E vetmja traditë që ruajti të gjallë këtë organizëm është gjuha e folur apo bartësit e saj të vetmuar e të ndarë. Të mos harrojmë se qytetërimi europian nis me krishterimin dhe me kishën. Ne, shqiptarët, si pjesa më e vjetër e europianëve kemi qenë po ashtu edhe pjesa integrale e kësaj kulture. Që nga Konstandini e deri vonë shqiptarët, të identifikuar në parahistori si ilirë apo epirotas, arbërorë apo albanë, kanë qenë pjesë e këtij qytetërimi dhe janë përfshirë në të ashtu siç ndodhte në një hapësirë të gjerë ku gjuha zyrtare mund të ishte greqishtja e vjetër apo latinishtja. Po ashtu edhe institucionet e mëdha të Kishës së Lindjes apo të Perëndimit kishin edhe epirotas apo arbërorë. Shqiptarët ishin pjesë e këtij qytetërimi dhe e shfaqën këtë pikërisht atëherë kur ky qytetërim u vu në pikëpyetje, kur ndodhi skizma dhe Reforma e kundërreforma në Kishën katolike. Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani janë shembujt brilantë të kësaj periudhe që pasoi rënien e Shqipërisë historike pas vdekjes së një prej figurave më të mëdha të Europës Mesjetare që është Skënderbeu. Skënderbeu dhe vepra e tij e jashtëzakonshme shpëtuan Venedikun nga shkishërimi apo shpërbërja, siç thotë Lucia Nadin. Mirëpo, ne, të mbështjellë në kultin folklorik të gjuhës shqipe dhe duke e amplifikuar atë si formë të identiteti tonë, nuk bëjmë tjetër veçse e varfërojmë historinë tonë dhe, në rastin më të keq, nuk e tregojmë ashtu siç duhet.

Do të mjaftonte që si referencë e plotë e tërësore të merrej puna e palodhur dhe e jashtëzakonshme e prof. Xhevat Lloshit për të gjurmuar historinë e shkrimit të shqipes dhe rrugën e institucionalizimit të alfabetit që kalon sidomos nga aktiviteti i Shoqërisë Biblike të Londrës. Nëse sot kremtojmë ditët e alfabetit duhet të kujtoheshim edhe për një godinë të thjeshtë që ishte një medrese në rrugën që të çon përballë ish-Portës së Lartë në Stamboll të cilën nuk e përmendim asnjëherë. Kjo godinë, të cilën e kam vizituar me rastin e një dokumentari për këtë figurë të shquar, mund të quhet si Akademia e parë shqiptare sepse aty, në kat të dytë, Hoxha Tahsini mblodhi gjithë patriotët e Stambollit dhe, siç kujton Jani Vretoja, diskutimet për alfabetin vijuan disa ditë. Hoxha Tahsini, ky njeri i madh, që në fillim tha se gjuha shqipe nuk do të shkruhet me alfabet arab, duke rrëzuar pritshmëritë e mjaft përfaqësuesve të kamur të parisë shqiptare të Stambollit që identifikoheshin me botën arabe. Është histori tjetër kjo dhe diskutimet aty, që janë paraqitur nga Jani Vretoja e që gjenden në librin e prof. Alfred Uçit « Jani Vretoja dhe Rilindja Kombëtare » (Akademia e Shkencave, Shtypshkronja Kritalina -KH, 2015), të ndihmojnë të kuptosh orientimin perëndimor që kishin ata patriotë të cilët drejtoheshin nga njeriu më i ditur i hapësirës shqiptare të kohës që ishte Hoxha Tahsini. Paralelisht me këtë anglezët e Shoqërisë Biblike dhe përfaqësuesi i tyre Thompson, po bënin presion mbi Portën e Lartë që shqiptarët të kishin alfabetin e tyre dhe ata po kërkonin një shqiptar të ditur që të bënin të mundur përkthimin e Dhiatës së Re në shqip. Prof. Xhevat Lloshi e ka sqaruar në mënyrë brilante këtë ngjarje që i ngjet një romani thriller në librin e tij të famshëm « Thesaret për gjuhën shqipe të shoqërisë biblike 1815-1883 (Xhevat Lloshi me John Quanrud & David Hosaflook) dhe rolin e Kristoforidhit në këtë lëmë.

Ne, sot, duke u mbështjellë, e duke u identifikuar me festën e alfabetit, po bëhemi të pakuptueshëm dhe ka tridhjetë e më shumë vjet që nuk po plotësojmë një boshllëk që e kemi trashëguar prej diktaturës. Historia dhe krenaria jonë nuk është vetëm alfabeti, po janë ata mijëra e mijëra dokumente që flenë në arkiva të Venecias, Stambollit, Romës, Vatikanit apo diku tjetër. Në vend që të interesohemi e të dokumentojmë me fakte historinë tonë dhe të tregojmë përse jemi një komb i vjetër e me histori të shkëlqyer, ne vijojmë ende e mbyllemi në vetvete me kremtime që nuk thonë asgjë e madje shtojnë edhe pakuptueshmërinë dhe keqkuptimet e mëdha që europianët kanë për ne. Si është e mundur që, ne, shqiptarët, të sakrifikuar në mënyrë tragjike në shekullin e XV-XVI-XVII për të mbrojtur krishterimin, sot shpallemi shtet mysliman në mes të Europës, si ka mundësi që nuk ia tregojmë botës të vërtetën tonë ?

Çfarë kuptimi ka të flasësh për gjuhën shqipe dhe të kremtosh ditën e alfabetit kur puna e dijetarëve shqiptarë për mirëmbajtjen e saj jo vetëm që nuk është e institucionalizuar si duhet, por as nuk përfillet. Gjuha shqipe, në radhë të parë, u mësohet fëmijëve. Po si mund të flasim e të hedhim valle për shqipen kur shkollat më të mira të arsimit para-universitar në Tiranë e në qytetet kryesore shqiptare, e zhvillojnë mësimin në anglisht dhe elita e vendit i dërgon në ato shkolla fëmijët e saj. Si mund të flasim për kultin e shqipes kur Kisha Ortodokse autoqefale shqiptare drejtohet nga një grek dhe puna e Kristoforidhit apo e Nolit në përkthimin e Biblës apo të praktikave fetare në shqip është hedhur në kosh. Si mund të flasim për kultin e shqipes kur, në mes të Tiranës, nga Xhamia e Re e stilit Otoman, që u përurua këto kohë një altoparlant këndon në arabisht çdo një orë nga një sure apo nuk di çfarë tjetër.

Në Kuvendin e madh të Shqipes u promovua apo u tregua edhe platforma e Fjalorit të Madh të Shqipes. Prof. Xhevat Lloshi sapo ka nxjerrë një libër tjetër « Dy Fjalorë shqip », botuar nga Konica press, Shkup 2024, në të cilin analizon se si është proceduar për hartimin e fjalorëve të shqipes nga ai i vitit 1954 e deri sot dhe vëren me shqetësim se fondi i grumbulluar i njësive leksikore, i akumuluar deri në vitet 1990, është përdorur edhe sot në hartimin e fjalorëve, duke krijuar një kaos total dhe duke sjellë një pështjellim edhe më të madh se deri sot. Fjala vjen si është zgjidhur, mungesa e leksikut të sferës kishtare që ka qenë e përjashtuar nga qarkullimi kulturor, në rastin më të mirë, dhe ka qenë paraqitur me ngjyrime keqësuese, në rastin më të keq. Duhet të presim që të shohim konkretisht kur ky Fjalor të paraqitet në versionin on-line siç edhe është thënë. Por, që në fillim, na duhet të mbajmë në vështrim se edhe kjo nismë e propaganduar me pompë nuk e zgjidhi problemin e madh që ka gjuha shqipe – hartimin e një Fjalori mbarëkombëtar të përbashkët të shqipes. Një grup studiuesish nga Prishtina, i njohur përmes platformës GJUHASHQIPE.COM, ka kohë që ka hedhur në internet një fjalor të shqipes dhe është në kontakt me korporatën Microsoft që të njihet varianti i tyre si ai zyrtar.

Problemi bëhet edhe më i ndërlikuar nëse do të llogarisim Inteligjencën Artificiale apo ChatGPT-në dhe të tjera teori e praktika informatike komplekse të afta që të nxisin inteligjencën e njeriut dhe arsyen e tij. Siç dihet këto veprojnë të gjitha mbi bazën e të dhënave të hedhura më parë në rrjetin e madh të informacionit digjital. Sot amerikanët kanë problem me kinezët sepse ata kanë arritur që të jenë në disa anë më përpara në funksionimin e IA-së dhe, nëse ti kërkon një përkufizim historik apo politik, mund të të vijë një përgjigje nga platformat kineze. Ndërsa, ne, shqiptarët, duket se jemi më të vonuarit, sepse, ne, ende nuk po mendojmë që të kemi një Fjalor të përbashkët e të pranuar nga të gjithë që ta njohin kompanitë e mëdha të Internetit. Të mos harrojmë këtu edhe fondin e teksteve në shqip që ndodhet në rrjetet e mëdha të komunikimit digjital, fond ky që është me paraqitje të gjymtuar dhe jo të unifikuar. Pra, siç shihet gjuha shqipe nuk rrezikohet nga askush. Ajo në një farë mënyre ka mbetur si fëmijë i parritur, sepse, ne, bartësit e saj, nuk kemi ditur dhe nuk kemi dashur ta bëjmë zonjë si gjuhët e tjera të lëvruara të Europës.

© 2024 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin