Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Libri Shqip

MES GARDHEVE, BRENDA DHE JASHTË SHQIPËRISË

 

Arta Marku bisedon me shkrimtaren Enit Karafili Steiner, rreth romanit “Epope intime”

Enit Karafili Steiner u shfaq për herë të parë si autore e një romani këtu e rreth 9 vjet të shkuara me “Tokëmjaltën”. Në harkun e një dekade ajo u rikthye me “Dhunë dhe dhunti” dhe së fundmi me “Epope intime”; gjithnjë romane, gjithnjë histori personazhesh që qëndrojnë mes Shqipërisë dhe perëndimit, gjithnjë në gjuhën shqipe, ndërsa vetë autorja, studiuese dhe pedagoge e letërsisë angleze në një universitet të Zvicrës, prej vitesh nuk e ka më shqipen gjuhë të komunikimit të saj të përditshëm, së paku atë profesional.

Por mesa duket shqipja është e pashmangshme sepse shqipja i përket aq se edhe shqiptarët, andej e andej kufirit, si lexues e si personazhe, me të cilët ndihet pazgjidhshmërisht e lidhur.

“Epopeja intime” është një histori shqiptare në dy kohë: e djeshmja e izoluar brenda kufijsh që mund t’i kapërcenin veç zogjtë, e rënduar nga mundime dhe dënime absurde dhe e sotmja me kufij të kapërcyeshëm, e rënduar gjithsesi nga mundimet e vjetra por edhe të rejat gjithaq absurde.

Në qendër të librit janë Marla dhe Marini të lidhur me një dashuri problematike, të ndaluar, të pamundur, sepse është një dashuri mes kushërinjve të parë, e cila i ndjek pas gjithë jetën. Në moshën 18-vjeçare që të dy largohen nga Shqipëria: Marini me padurim (s’do tjetër, veç të fluturojë, ëndërron të bëhet aviator dhe të mos kthehet më kurrë në Shqipëri); Marla, përkundrazi, me kokën pas (s’bën tjetër veç mendon për rikthimin). Por këtu historia veç sa ka nisur…

Si është ndërtuar “Epopeja intime”? Me histori të marra ku? Çfarë përfaqësojnë personazhet, jetët e tyre? Si e përndjek Shqipëria një emigrant? E shkuara a bëhet ndonjëherë e largët, e shkëputur, pa pika kontakti me të sotmen? Apo e shkuara e shënjon të sotmen, i imponohet asaj?

Për këto dhe të tjera, rrëfehet shkrimtarja, Enit Karafili Steiner…

***

-Zonja Karafili, jetoni jashtë Shqipërisë prej një kohe të gjatë, por përmes letërsisë suaj ktheheni gjithnjë në Shqipëri. A është diçka e pashmangshme? A është e pavetëdijshme? Apo në mënyrë të vetëdijshme kërkoni me këmbëngulje të mbani lidhje me rrënjët?

Të dyja; vetëdija dhe pavetëdija lidhen shpesh si zëri me jehonën. E qëllimshme është përpjekja për të kultivuar shqipen time dhe për të kontribuuar në letërsinë shqipe, sado modeste qoftë pjesëmarrja. S’ia lejoj vetes të mbetem te kontributi që sjell në letrat anglisht, të cilat përfitojnë nga kontributi i mijërave e mijërave shkrimtarëve e studiuesve, duke qenë se anglishtja është historikisht gjuhë kolonizatorësh. Përkundrazi, shqipja, e cila ka njohur e vuajtur kolonizim, duhet kultivuar me të gjitha forcat, brenda dhe jashtë trojeve shqip.

-Në bosht të Epopesë intime është një histori dashurie edhe pse do të ishte pak që librin ta përcaktoja si një roman dashurie. Për mua është një roman për “bijtë e tranzicionit” shqiptar. Por le t’ia nisim gjithsesi nga historia e dashurisë. Faqet e para të librit ishin disi çorientuese për mua derisa e kuptova se në fakt bëhej fjalë për një dashuri problematike, të ndaluar, të pamundur, sepse është një dashuri mes kushërinjve të parë. Sigurisht realiteti i njeh edhe të tilla lidhje, pothuaj gjithnjë të papranuara. Pse ju e bëtë këtë zgjedhje? A ishte në zanafillë një histori reale? Çfarë nënkupton shkelja e disa kanoneve?

Tema e dashurisë mëkatare, e incestit me motrën, vëllain, babain, bijën, është pikë nevralgjike e Romantizmit evropian; ndeshet në veprën e Byron-it, Mary dhe Percy Shelley-it, Chateaubriand-it, etj. Me kalimin e viteve, falë mësimdhënies e punës kërkimore, kjo temë e vështirë, gjëmbore do ta quaja, ka zënë vendin e vet tek unë. Po ta hapim rrethin e familjes përtej bërthamës prind-fëmijë, dashuria mes kushërinjve të parë nuk është tabu jashtë Shqipërisë. Familjet mbretërore evropiane kanë praktikuar mblesëritë mes kushërinjve për të ruajtur pushtetin brenda rrethit të tyre familjar. Në romanet e Jane Austen-it ka martesa të kushërinjve të parë, martesa të miratuara nga opinioni publik. Pra, pa njollë turpi. Sado që ka pasur ligje që i ndalonin këto lidhje, sot për sot, nuk janë tabu në shumicën e vendeve perëndimore. Ama sa rëndësi ka historiografia perëndimore, kur vetë adoleshentët shqiptarë në libër e përjetojnë si tabu? Kjo më intereson: ndërgjegjja, vetëdija, botëkuptimi i tyre. Çfarë shpjegimi i japin vetë ata shndërrimit të dashurisë në erotizëm tabu-thyerës? Ç’ngjyra, procese mendore e emocionale i bashkëngjiten dashurisë, kur ajo ndërthuret e rëndohet me ndjesi faji?

-Roman për “bijtë e tranzicionit” shqiptar, e quajta më lart Epopenë intime. Një nga karakteristikat e shqiptarëve të tranzicionit është ikja, dëshira për të ikur, këmbëngulja apo përpjekjet për të ikur. Disa nuk e kanë bërë se nuk kanë dashur, disa nuk e kanë bërë se nuk kanë mundur. Ama ata që kanë ikur (në përgjithësi, besoj) e kanë bërë me bindje të plotë. Mund të mos jenë përshtatur dhe janë kthyer ama kanë ikur me bindje të plotë. Përkundrazi, Marla ikën me kokën pas. Nëse nuk kthehet kjo vjen nga këmbëngulja e prindërve. Çfarë përfaqëson Marla me këtë tipar? A është në fakt kaq e pazakontë se ç’e mendoj unë, apo përkundrazi?

Kjo mund të ketë vlejtur për të rriturit, a për shumicën e tyre. Në kohën e gjimnazit, ndër moshatarë, kam hasur kë donte të largohej nga sytë këmbët dhe të tjerë, të cilët iu bindën prindërve dhe ikën me pahir. Prindërit, pas gjase me doza të forta realizmi, nuhasnin rrezik aty ku kish vërtet. Diçka më duket e qartë: prindërit tanë kishin menduar e medituar për Perëndimin më gjatë se ne. Boney-M e Duran-Duran, Pink Floyd, ABBA, i kam dëgjuar prej prindërve të mi dhe brezit të tyre. Ata më prezantuan me “Voice of America”. Në Epope intime, Marla dhe Marini janë 18 vjeç, pritet të dalin në jetë dhe prindërit janë ata që duan t’i katapultojnë në Perëndim. Marla i ndërsehet Perëndimit, ndërsa Marini e sheh si shpëtim, secili ka arsyet e veta. Meqë pyesni rreth Marlës: personazhi i saj është i frymëzuar prej motrës së një shokut tim, e cila ndoqi vëllain në shtetin ku ai kish emigruar do vite para saj. Ajo e përjetoi vitin e parë kaq keq, sa për muaj të tërë iu ndërprenë menstruacionet. Kur kupton se prindërit po i emigrojnë në Kanada, se shtëpia në Tiranë është shitur, Marla shokohet. Sheh dyert e Shqipërisë tek i mbyllen para syve dhe, në krye të disa muajve, vë re se i janë ndërprerë menstruacionet.

-Marla ka pasur një jetë normale në Shqipëri. Sigurisht normale brenda logjikës së diktaturës. Kurse Marini dhe Dardani, kushërinjtë e saj, i përkasin shtresës së të përndjekurve; i dëbuan nga Tirana dhe i çuan në Gramsh. Ndërsa, siç thamë, Marla ikën me kokën pas, kushërinjtë e saj mezi presin që të ikin. A i bën kjo e shkuar e ndryshme që ta shohin ndryshe edhe ikjen, largimin nga Shqipëria?

Them se po. Përdor fjalën “them”, ngaqë mua më duhet t’i interpretoj vendimet që kam marrë, sado paradoksale mund të tingëllojë. Jo të gjitha vendimet narrative janë të vetëdijshme. Marinin, siç e deshifroj unë, e frikësojnë kthinat dhe përmbysjet e fateve në Shqipëri, qëkur dëbimin nga Tirana e përjetoi si rrufe në qiell të kthjellët. Kur vjen në fuqi qeveria demokratike, nëna e Marinit nga e dëbuar ngrihet në përgjegjësi sa kap majat e pushtetit. Edhe ky zhvillim për mirë vjen i beftë. Ndaj për Marinin, Shqipëria është vendi anti-stabilitet. Shpresën për stabilitet, për një jetë pa përmbysje e mban te Perëndimi. Ndryshe për Marlën: ëndrra perëndimore sjell ndarje e përçarje të reja. Si diktatura edhe Perëndimi e copëtojnë familjen, përfshi edhe jetën e Marlës me Marinin.

-Rrugëtimet e para të dy personazheve qendrorë të librit janë drejt ishujve: Marini shkon të studiojë në Maltë. Një ishull real. Marla shkon të studiojë në një ishull tjetër, një vend i papërcaktuar, (Ishulli i Gardheve e quani). Besoj se është një trill. Pse Marini ka një destinacion të përcaktuar dhe Marla një vend që është KUDO dhe ASKUND?

Marini ka lidhje pragmatike me mërgimin, Marla alegorike. Për Marlën nuk ka rëndësi emri i ishullit. Ajo që ka peshë dërrmuese është se ishulli nuk ndodhet në truall shqiptar. Prandaj thotë se Shqipëria është Itaka, kurse çdo vend tjetër thjesht bujtinë. Ajo që Marla regjistron me dijen e vetëdijen e saj është një X vend i huaj. Gardhet që gjen në ishullin perëndimor i duken paradoksalë: Perëndimi, të cilin shqiptaria e mban për vend të lirë, është i shenjuar me gardhe. Paradokset ishin pjesë e utopisë që shqiptarët e viteve ’90 kishin sendërgjuar rreth perëndimit. Perëndimi-Perëndi, satirizon Marla.

-Marla, përfundimisht nuk kthehet: krijon familje jashtë. Vendi i papërcaktuar bëhet qartësisht i përcaktuar. Vendoset në Zvicër në fillim në një fshat që vetëm 3 vitet e fundit ka marrë statusin e qytetit e mandej në Lozanë. Ajo thotë diku në libër “kam 18 vjet që bëj duel të heshtur me perëndimin”, ama qëndron në perëndim. Në duel perëndimi fiton? Çfarë e imponoi vendimin e saj për të qëndruar në perëndim? A nënkupton, duke qëndruar, se “ka lëshuar rrënjë” në vendin e ri? A lëshojnë rrënjë emigrantët në vendet ku kanë shkuar? Apo janë rrënjë në ujë?

Kjo është frika: se do të shndërrohen në rrënjë në ujë. Romani, ama, sugjeron se rrënjët e kërcelli i jetës së shqiptarëve në mërgim duhet të çajnë mes ujërave pa u kalbur. Prandaj është simbolika e zambakut të ujit në kopertinë, lule e importuar në shekullin e 19-të nga Amazona. Jo, Perëndimi nuk fiton. Në fakt, metafora e duelit shndërrohet nga metaforë lufte në metaforë dialogu. Marla lufton asimilimin me frymë Rilindëse, ka idhull De Radën, e gjen veten te proverbat shqip, citon Porosinë e Madhe të Rexhep Qosjes. Dialogon me idhujt e letrave shqip, por edhe me tërë formimin sociologjik që ka përvetësuar në Perëndim. S’pranon të fshehë rrënjët shqiptare; të bijën e konsideron hebreje-zvicerane-finlandeze-shqiptare. Domethënë, dialogu shumëfishohet, herë paqësor e herë i flaktë. Me siguri, nëse Marla do të kthehej në Shqipëri, dueli dialogues do të vazhdonte. Për tipa si Marla, Shqipëria duhet gjithnjë të rilindë, në kuptimin që të jetë aktive në krijimin e fatit të saj, jo duke imituar Perëndimin automatikisht, por duke skalitur realitetin e vet, duke zbuluar dëshira e aspirata të lidhura me historinë e saj.

-Në libër janë disa histori emigrantësh veç Marlës:

-Janë prindërit e saj që emigrojnë në Kanada. Bëjnë një jetë të zakonshme në një shtëpi shumë të vogël ku nuk presin dot as mysafirë por kanë sigurinë e sistemit shëndetësor kanadez, fundja kanë njëfarë moshe.

-Është Marini gjithnjë në lëvizje, i paqëndrueshëm në shumë aspekte dhe me probleme shëndetësore. Stacionin qendror e ka në Londër…

-Është Dardani edhe ai i paqëndrueshëm me tre martesa të ndryshme në vende të ndryshme dhe me fëmijë nga secila martesë. Pas një varavingoje të gjatë jashtë, kthehet në Shqipëri ku ndërton një biznes për prodhimin e sapunëve.

-Është, njëfarësoj vajza e birësuar e Marlës…

EMIGRIMI zakonisht bëhet me qëllimin e një jete më të mirë. Por a e arrijnë emigrantët e librit tuaj? A mjafton të ikësh nga vendi për një jetë më të mirë? Apo mundësia për një jetë më të mirë më shumë sesa jashtë njeriut është brenda tij?

Si ta përkufizojmë jetën më të mirë? Është temë e lashtë dhe e gjerë, filozofia perëndimore e ka debatuar dhe e debaton. Letërsia e eksploron dhe më shpesh ka arritur të përcjellë, se cila nuk është jeta e mirë, sepse distopia lëvrohet më thjesht se utopia, mbart më pak rreziqe artistike e filozofike. Pyetja juaj është e goditur. Librat e mi s’i kanë shpëtuar tundimit të meditojnë për jetën e mirë dhe i kam dhënë përgjigje të ndryshme (pranoj, se asnjëra prej përgjigjeve e marrë më vete nuk është pa vrima e gropa). Te Tokëmjalta, vendlindja duket trualli më pjellor për jetë të mirë, nëse e zgjedhim vetëdijshëm, jo thjesht sepse rastësia e deshi që të lindnim në Shqipëri. Te Dhunë e dhunti, përgjigjja është më e tërthortë: aty një emigrant shqiptar, pasi arrin sukses profesional me karrierë të lakmuar në Hollywood, pëson një aksident që e paralizon dhe ia bën jetën barrë. Te Epope intime, po prapë, përgjigjja vjen me nuanca: perëndimi nuk është formulë magjike për më të mirën jetë; e përmban mundësinë e jetës së mirë, por nuk e garanton. Edhe Shqipëria e përmban, pa i bërë vetes reklamë. Perëndimi, ama, ka privilegjin t’i formulojë kriteret e jetës së mirë, boll t’ju referohesh indeksit të “World Happiness Score”.

-Emigranti në momentin e nisjes: Kur Marla niset, veç të tjerave, fut në valixhe edhe disa libra. I pari është Antologjia e mendimit shqiptar. Për të tjerat mendohet. Është Kadareja padyshim por më së shumti janë autorë të huaj: Tostoi, Balzaku, Remarku, Markez… Çfarë nënkuptojnë librat në përgjithësi dhe zgjedhjet konkrete në veçanti në valixhen e një emigranti? Çfarë merr me vete një emigrant?

T’ju them të drejtën, i përmend këto libra sidomos për breza më të rinj se imi. Për fëmijët e mi, të kushërirave e kushërinjve të mi, që ata të kenë dijeni përmes historisë së një adoleshenteje të viteve ’90, se cilat libra shqiptarë e të huaj lexonin me endje prindërit e tyre.

Ah, valixhja e emigrantes! Merr fillimisht ato gjëra që i duhen për mbijetesën imediate përtej kufijve. Për tipa si Marla edhe librat janë ushqim, i japin dorë mbijetesës. Dikur librat do të regjen, dikur vetë valixhja do të rrënohet dhe do të mbetet vetëm doreza. Këtë emigrantja do ta ruajë si relikte, tip ikonë etnike. Pastaj, vetë jeta është një soj valixhe, së cilës s’ia njohim kapacitetin mbartës.

-Kur një emigrante shkuan histori emigrimi dhe emigrantësh, hamendësoj se duhet të ketë diçka nga vetja aty. Në fund të fundit, gjithnjë shkrimtari ka diçka nga vetja në shkrimet e tij. Në fakt sa ngjajnë përvojat e Marlës si emigrante me përvojat tuaja vetjake? Në mos, çfarë pune kërkimore keni bërë për njohjen e mendësisë së emigrantit dhe përvojave të tyre?

Mbase jam kokëfortë si Marla. Dyshja e mëdyshja integrim-asimilim më ka ngrënë energji; po ashtu kapitalizmin s’e kam përqafuar qorrazi. Një libërth eksploziv, të cilit i rikthehem, është Manifesti Komunist, tashmë i pasuruar prej kritikës post-koloniale e marksiste. (Ime ëmë, ndonëse nuk u bë kurrë anëtare partie gjatë diktaturës, e citonte ndonjëherë Marksin, tani unë kuptoj përse.) Disa aspekte të jetës studentore të Marlës vijnë nga përvoja ime, direkt ose indirekt. Gjatë doktoraturës kam pasur shkëmbime të shpeshta me një shoqe, e cila shkruante një PhD rreth bizneseve të ngritura prej emigrantëve në Los Angeles. Kam mësuar shumë prej saj. Kërkime kam ndërmarrë rreth historisë së hebrenjve në Finlandë, Zvicër dhe Izrael. Plus, kam mbledhur informacione mbi situatën juridike në Zvicër, veçanërisht mbi disa raste gjyqësore, të cilat bazohen në akuza për diskriminim racial dhe etnik. Jam informuar rreth historisë së emigracionit në Zvicër gjatë shekullit XX. Nga burimet shqip, Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe, përgatitur nga Prof. Gjovalin Shkurtaj, më ka ndihmuar në pjesët e librit që zhvillohen në Shkodër. Gjithsesi, personazhet nuk janë kopje të origjinalëve që mund të kem ndeshur në biografinë time. Ata zunë të shpalosnin kaq individualitet, sa më tërhiqnin t’i kuptoja, t’i njihja nga afër. Madje në mendjen time, ende vazhdojnë të jetojnë, pa e ditur as ata as unë, se ku do t’i çojë jeta. Në fakt, kjo është shenja që pres, kur dua të bindem, nëse një roman si ky ia vlen të shkruhet deri në fund, të latohet e përgatitet për botim, apo duhet lënë mënjanë si diçka e shkruar për t’u trajnuar.

-Pjesa më e madhe e librit është Shqipëria brenda një emigranti edhe kur ky i fundit mendon të kthehet dhe kur mendon të mos kthehet kurrë. Janë rrënjët në fund të fundit. Por është ndjeshëm e pranishme edhe jeta aktuale e një emigranti në perëndim i cili vuan racizmin dhe ksenofobinë. Marla e vuan në kurriz për veten por sidomos për vajzën e saj të birësuar që është me ngjyrë. A është problemi më i madh i një emigranti, fakti që nuk pranohet? Që refuzohet? A e keni vuajtur ju vetë? Apo keni njohur emigrantë, shqiptarë ose jo, që e kanë vuajtur racizmin dhe ksenofobinë?

E kam vuajtur për veten dhe për të tjerët që vuanin si unë. Kam pasur ndërkohë fatin të njoh vendas, të cilët e ndjenin shtypjen e të ardhurve, ndërsa votohej për ligje kundër emigracionit. Në rrafshin e mentalitetit, kam ndjerë distancë të madhe. Vendlindja që unë e shumë shqiptarë lanë pas e filozofon, e psikologjis ndryshe pozitën e të ardhurit, lëre më të mikut. E konsideron statusin e të ardhurit si status të lëndueshëm. Pse i lëndueshëm? Sepse kush kërkon strehim te tjetri, shkel në zonë të huaj, është larguar nga ajo pjesë e botës që njeh më mirë; është i brishtë prej mallit për njerëzit e zakonet që la në vendin e vet; sepse i duhet të pranojë rregulla, të cilat as i njeh, as i sheh të nevojshme, as ka fuqi t’i ndryshojë. Ngado që kthen kokën përballet me mungesa, me pikëpyetje, nëse po sillet mirë në territorin e tjetrit, a po e përdor si duhet gjuhën e tjetrit; përplaset me nevojën që të shpjegojë kush është, pse ka ardhur, sa kohë do të rrijë. E ndërsa shpjegon e shpjegohet, pyet veten: po mirë xhanëm, edhe sa vite do duhet të lakuriq shpirtin kështu për të justifikuar, mos më keq shfajësuar, praninë time në këtë vend, për t’i bindur këta njerëz se pas kaq vitesh nuk jam më i ardhur?

A ka ndryshuar diçka përgjatë 33 viteve që nga emigrimet e mëdha masive?

S’më duket se ka ndryshuar; përkundrazi, ka krahasime që më shtyjnë të them, se është përkeqësuar. Është shtuar ekspertiza shkencore rreth emigracionit, gjë pozitive, natyrisht. Veç mes shkencës dhe politikave qeverisëse ka një det të tërë. Evropa perëndimore bën sikur e kujton të shkuarën e saj okupatore e nëpër dhëmbë mezi e lëshon një gjysmë mea culpa sa për të larë gojën. Po kjo është temë për një tjetër bisedë. Ajo që ka ndryshuar është gjendja ime personale, gjë që s’dua ta ngatërroj me fatet e kujt jeton si emigrant, pret lirinë në kampet e refugjatëve ose çapitet rrugës së mërgimit.

-Pra, siç thatë edhe më sipër, me të drejtë satirizon Marla: Perëndim-Perëndi. Paskësh një mungesë realizimi sa herë gjykojmë për perëndimin. Dhe nuk është vetëm mënyra me të cilën perëndimi sillet me ne. Ka një moment ku Rebeka, motra e Gabrielit, që do të bëhet burri i Marlës, i tregon kësaj të fundit për një projekt të të vëllait: do të bëjnë një konkurs, – i thotë, – uroj të mos jetë konkurs farsë. Edhe ndodh. Të ne ka korrupsion të rafinuar.

Në Shqipëri flasim tërë ditën për korrupsionin. Por siç duket harrojmë se, në fund të fundit, korrupsionin nuk e shpikëm ne. Ky është perëndimi?

Mund të flas për Zvicrën, sepse të gjithë Perëndimin s’e njoh: Ka korrupsion të sofistikuar, ka zgjedhje të blera, lobe të fuqishme, për shembull, ai i firmave farmaceutike, ose korporatave të mëdha si Nestle. Sot në Zvicër ka tre herë më shumë milionerë se para 20 vjetësh. Sipas raportit të fundit të organit të sindikatave Unia, drejtori i bankës UBS fiton në ditë aq sa shumë punëmarrës zviceranë fitojnë në vit. Nuk janë fakte që të përçojnë as qetim, as besim se shteti u shërben të gjithë qytetarëve njësoj.

-Le në ndalim pak te historia e familjes së përndjekur të librit: është familja e tezes së Marlës, Valentinës. E thamë, Marini dhe Dardani janë djemtë e saj të tezes. Kur ata i dëbojnë nga Tirana dhe i çojnë në Gramsh, babai i Valentinës merr vendimin për t’i këputur lidhjet. Për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes. Histori e njohur kjo. E dimë, shumë burra dhe gra divorcoheshin në raste të tilla. Por ka diçka që më bën të ndaloj te historia e Valentinës: është pikërisht i ati që e mohon. Nëna që e ka rritur, që në fakt është njerka, thjesht i bindet të shoqit. Motra e saj, që në fakt është gjysmë-motra nuk do që ta mohojë, por edhe ajo i bindet vullnetit të të atit. Pra, njeriu që ka një lidhje më të plotë biologjike me Valentinën që po internohet, babai, është pikërisht mohuesi. Si e shpjegoni? Në fund të fundit a keni pasur dilema? (Ky baba ka një sjellje të pazakontë edhe me djemtë e Valentinës që nuk e ka me Marlën, vajzën e Emës…)

Kjo pikërisht është anomalia. Jo, s’kam pasur dilemë për babanë despot. Kam hasur më shpesh baballarë sesa nëna të pandjeshme. Kaq nga ana empirike, e cila mund të jetë e gabuar. Më tutje, ky libër përzhit lidhjet e gjakut si masha thëngjijtë. Lidhjet e gjakut kanë peshë, por më rëndësi kanë marrëdhëniet që ndërtojnë njerëzit me njëri-tjetrin. Libri quan nënë atë që të ka rritur e është kujdesur për ty. Veç biologjia pa socializimin amënor nuk e bën nënën. Gjaku s’bëhet ujë thotë, shqipja. Dakord, por fiziologjia e njeriut e çmitizon edhe këtë: plazma, e cila mbart elementët të figuruar të gjakut, përbëhet prej 90% ujë. S’ka gjak pa ujë. Në këtë kuptim, ky roman e konsideron familjen të hapur e të përkushtuar përtej gjakut. Gjysmë motra është motër kokë e këmbë, nëse ti je e lidhur mendërisht e shpirtërisht me të. Prandaj Valentina është personazh me peshë. Një nga ligjëratat më therëse, më elegjiake është ajo e Valentinës, ndërsa i numëron të birit pakënaqësitë e saj në emër të një brezi vetëmohues, që i nisi fëmijët pa pyetur se do t’iu bëhej jeta e amësht pa fëmijë. Në këtë pikëpamje, brez vetëmohues.

-Pra, midis motrave, ose gjysmë motrave, Valentinës dhe Emës gjatë rritjes, ka pasur një lidhje e jashtëzakonshme. Kundër urdhrit të babait, disa herë Ema shkon te autobusi që do ta çoje tek e motra në Gramsh, por asnjëherë nuk guxon të hipë në atë autobus. Përfundimisht gjatë internimit motrat nuk kanë asnjë kontakt. Kur diktatura bie motrat rilidhen, por siç thotë diku Valentina: “jo si më parë”. Kjo më solli ndërmend një shprehje shqiptare; buka e thyer nuk ngjitet më. Në fakt, çfarë ndodh me marrëdhëniet njerëzore në raste si këto? Dramat që imponoi diktatura a zbuten? A ka mirëkuptim nga ata që kanë vuajtur? Apo gjithnjë mbetet një njollë e pashlyer diku në thellësi të njeriut?

Motrat e quajnë njëra-tjetrën gjithnjë motra, jo gjysmë motra. Ndjenja është e fortë, prej çeliku. Por çelik që i është ushtruar furrnaltës së historisë. Fakti mbetet që njëra motër s’ka mundur t’i qëndrojë afër tjetrës, kur kjo kish nevojë për të. Këtë ndjenjë faji Ema nuk e shkund dot kurrë prej supeve. Mendoj, se falja ka ndikim shëlbues. Falë faljes, dy familjet rilidhen pas dëbimit. Veç Ema e ka të pamundur t’ia falë vetes rolin pasiv, oportunist që ka luajtur. Në libër nuk ka asnjë bisedë, ku motrat ulen tok e i tregojnë njëra-tjetrës, si e përjetuan ndarjen, ç’vështirësi e pengje patën. Pra, në këtë epokë hapjesh, ku muret ndarëse rrëzohen jo vetëm në Berlin por dhe mes familjeve shqiptare, ka tema të tjera, të reja, të cilat shndërrohen në tabu. Mbase ajo që nënkupton historia e tyre është se fenomeni tabu nuk zhduket as në shoqëritë demokratike. Vetëm ndryshon petkun.

-Ka një shpjegim shumë të bukur në roman mbi familjen. Marla e gjen kur punonte në një dyqan ku shiteshin sende të përdorura, veç të tjerave edhe libra. Në një nga këta botime ajo vëren se “familje”, një fjalë e njëjtë në shumë gjuhë të botës paskësh në rrënjë fjalën “famulus”, latinisht “shërbëtor”. Pra ky funksion qëndroka mbi të gjitha.

Çfarë kumton mbi FAMILJEN libri juaj? A është familja një njësi shoqërore e vogël por e PËRKRYER? Apo asgjë nuk është e përkryer në shoqërinë njerëzore?

Po të ishte familja e përkryer, do të jetonim në shoqëri të përkryer. Si mund të jetë e përkryer, kur familja është njëherazi fushë beteje e shtrat dashurie! Ca beteja mbeten beteja të ftohta. Ca dashuri më të ftohta se ca të tjera. Megjithatë, si beteja, si dashuria, s’mund të jenë operative pa principin e shërbimit, të përkushtimit. Diku përkushtim i vaktë, diku i thelluar, por ekzistenca e këtij principi më duket kusht.

-Ka aty këtu në libër historiza që duken si periferike por të nxisin në reflektime. Për shembull:

-Gabrieli ka një teze e cila, në kohën e Luftës II Botërore, gjatë periudhës së aleancës finlandezo-gjermane, ishte dekoruar me kryqin e hekurt nga nazistët, Ajo është hebreje dhe është kujdesur si infermiere për ushtarët gjermanë. Në fakt ka bërë një punë humane, por imagjinoni një hebreje që kujdeset t’i mbajë në jetë nazistët, teksa deri edhe familjarët mund t’i kishte nëpër kampe përqendrimi…

-Një shqiptar i Kosovës gjatë luftës në Kosovë, kërkon azil në Zvicër. Marla është përthyese dhe ai i zbulon asaj: “Unë s’kam qenë spiun i serbëve por kur më kanë urdhëruar të kryej diçka, e kam bërë. Për hir të fëmijëve.” Çfarë duhet të bëjë Marla? Ta denoncojë këtë bashkëpunëtor të serbëve? Apo të mos e përkthejë në mënyrë që ai të marrë lejë qëndrimi në Zvicër?… Në diskutim mbi argumentin me një murgeshë, kjo e fundit i thotë Marlës: “Fajet s’peshohen si të jenë gurë […] më mirë të gabojmë të prirur nga zemërgjerësia sesa nga indiferenca ose urrejtja.

Në të dyja rastet më lart FAJET NUK PESHOHEN. Çfarë është drejtësia në fakt? Ajo peshorja e drejtësisë a ekziston? Ekuilibri i përkryer në drejtësi a ekziston?

Kam qenë vetë në pozitë delikate, ku kam vënë në dyshim një refugjat kosovar, për të cilin shërbeja si përkthyese. Jo kaq hapur e kaq qartë sa Marla, por kam dyshuar dhe desha ta trajtoja më të plotë këtë dilemë. Ekuilibrin e përkryer mendoj se vetëm një autoritet hyjnor mund ta gjejë. Çka s’do të thotë, se nuk duhet ta kërkojmë drejtësinë, siç kërkojmë shëndetin e jetëgjatësinë tonë, edhe pse jemi 100% të sigurt, se do të vdesim një ditë.

-Edhe pak këtu, sepse më ka tërhequr veçanërisht vëmendjen një varg i Jehuda Amichait të cilin e përmendni në libër. Ishte një pikëpyetje e madhe për mua: “Aty ku unë ngul këmbë në të drejtën time, nuk rriten lule”…

Yehuda Amichai është poet që e lexoj për të ndjerë nëse i kam këmbët në tokë. Dhe ky varg më shoqëron shpesh. M’u duk i përshtatshëm të vinte prej Talitës dhe që ajo t’ua drejtonte prindërve, pasi mes tyre procesi gjyqësor ka hapur hendek të thellë. A ia vlen të kërkojmë të drejtën absolute, apo të synojmë për një qëndrim etik, në mos kompromis, që fiton e bën për vete njeriun? E drejta më ngjan e drejtë, kur forcon dinjitetin dhe bashkëjetesën mes njerëzve. Nuk kam parasysh të drejtën si koncept filozofik abstrakt, por si element që i shërben së mirës dhe kuron çarje në bashkësi njerëzore konkrete.

-Një tjetër reflektim është ai që bën vetë Marla kur i duhet të marrë një vendim në një moment të caktuar ndryshimesh: a duhet ta ndjekë pas Gabrielin, të dashurin e saj? Ai ka ikur nga Ishulli i Gardheve ku studionin të dy dhe e fton Marlën të shkojë me të. A duhet ta bëjë? A duhet të shkojë? Ndoshta tani mendon se duhet të shkojë por a do të mendojë kështu edhe më pas? Mos do të pendohet po e bëri? Pra bëhet fjalë për një hap drejt të panjohurës. Në këtë moment ajo hedh një pyetje shumë interesante: Ç’është jeta veçse një testim i pashmangshëm?

A ka një moment për njeriun kur provimi mbaron? A ka një moment kur ne shohim qartë përpara? Kur nuk ka më asgjë të panjohur për ne?

Nëse ka, unë vetë ende s’e kam arritur. Do të kisha kërshëri të flisja me dikë, që ia ka dalë mbanë. Jam deri diku e përgatitur, se jeta është provë, madje sprovë, e të lë gojëhapur, sa të ndihesh si fëmija para abetares. Do t’i uroja vetes më tepër forcë stoike, megjithatë besimi se nuk vijmë nga hiçi e nuk shkojmë në hiç më jep ekuilibër.

Një hollësi tjetër: Dardani, siç duket, ka prirjen e biznesit. Dhe zgjedh biznesin e sapunëve. Vendos të prodhojë sapunë në Shqipëri. A ka një simbolikë kjo zgjedhje? Biznesi i sapunëve, diçka që lan, pastron…

Po. Kur Marla dhe Marini, pas festës së maturës në Tiranë, shkojnë tek një grua që u hedh fall rreth së ardhmes, aty bija e gruas, një vogëlushe, i thotë Marinit “ti je i papastër”. Dhe Marla vite të tëra ndihet e ndyrë prej gjesteve të Marinit, madje e ndyrë meqë ajo vetë e ka dashur në një formë të turpshme. Sa për Dardanin, aludohet se ai ka ngjyer gishtat në skandalet e Gjallicës dhe Vefës. Sapunin e kam parë si produkt të domosdoshëm, sa edhe kozmetik. Kam ripërpunuar idenë se diçka që llamburit nga jashtë mund të ketë pisllëk brenda. Si molla e së gjorës Borëbardhë, jashtë joshëse, përbrenda me helm. Ja, lë pastaj lexueses e lexuesit të hulumtojë më afër pastërtinë, papastërtinë, a purizmin e personazheve.

-E keni shkruar librin në gjuhën shqipe (besoj se nuk ndodh kështu me studimet), e keni botuar në Shqipëri. Ky libër, po aq sa edhe kjo bisedë, ka akuza të forta për perëndimin: A do ta kishit botuar aty ku jetoni?

Unë hëpërhë dua të shkruaj për shqipfolës. Nëse dikush tjetër e përkthen, patjetër. Akuza është fjalë ligjore dhe nuk ka komb e shtet me ligje të përsosura. Në përgjithësi libri im anon nga kritika e atij që të do të mirën. Kush të do, thotë shqipja, të shqyrton e të qorton. Kështu thotë edhe urtësia Biblike, rrënjët e së cilës e përshkojnë Perëndimin kryq e tërthor.

(c) 2024 Arta Marku. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë, Ship City, është përpunuar me Midjourney. 

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin