Titulli origjinal: KULTURA EPISTEMIKE E MENDJES AUTOKRATIKE-KLANORE SI DREJTUESE E PROJEKTIT “ENCIKLOPEDIA SHQIPTARE”
Hyrje
Niveli i organizimit dhe funksionimit të një shoqërie është në ndërvarësi reciproke me nivelin dhe aftësitë e njohurive që ajo shoqëri ka për veten dhe në raport me botën. Sociologjia e dijes, e filluar nga Max Scheler-in me veprën “Format e dijes dhe shoqërisë” (“The Forms of Knowledge and Society”), për t’u pasuar nga Karl Manhajm-i me veprën “Ideologjia dhe utopia” (“Ideology and Utopia”), do të sjellë një mënyrë të re të të kuptuarit të marrëdhënies së dijes me shoqërinë, me ç’rast dija dhe praktika shoqërore shikohen në marrëdhënie reciproke të konstituimit të ndërsjellë të njëra-tjetrës.
Kultura, si një aspekt themelor i shoqërisë, dhe kultura organizative e bashkësive, si aspekt operacional i realizimit të kulturës (në kuptimin e përgjithshëm), është një faktor i rëndësishëm, i cili ndikon në përcaktimin e natyrës së dijes, prodhimin, vlerësimin e rëndësisë si dhe për shpërndarjen e saj.
Projekti nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare është një dëshmi se si aftësitë për përcaktimin qëllimeve dhe mjeteve njohëse përcaktohen nga modeli mbizotërues kulturor i mendjes.
Cili është kriteri dhe qëllimi i hartuesve të “Platformës së Enciklopedisë shqiptare”? Në kohën e “kultit” të “dijeve të specializuara” pse është i nevojshëm realizimi i një projekti të dijes gjithëpërfshirëse, siç është Enciklopedia? Cili është qëllimi dhe funksioni i tij për mirëqenien intelektuale të kombit shqiptar? Cilat mjete epistemike janë përcaktuar për realizimin e qëllimit të Enciklopedisë?
Modelet kulturore të mendjes si përcaktues të natyrës së dijes
Duke e parë marrëdhënien e dijes me pushtetin Pierre Bourdieu thotë se pushtetet nuk ndërtohen vetëm vertikalisht, nga lart-poshtë, por edhe kulturalisht përmes praktikave, të cilat ndikohen nga sfondi kulturor i formimit të individëve (P. Bourdieu, “The Logic of Practice”, 1980, fq.86). Modeli kulturor i mendjes, si habitus prej nga buron dija, jo gjithnjë është e ndërvarur nga modelet qeverisëse politike. Modelet kulturore të mendjes, si përcaktuese të mënyrave se si individët brenda një shoqërie i interpretojnë përvojat e tyre të brendshme dhe ato të të tjerëve dhe si ata i ndërtojnë mekanizmat e ndërveprimit shoqëror, ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si formohet dhe shpërndahet dija në shoqëri të ndryshme. Fuqia e modelit kulturor të mendjes, shkon përtej fuqisë së mekanizmave formalë të një sistemi qeverisës që e garanton mënyrën e caktuar të funksionimit të rendit institucional e shoqëror. Varësisht karakterit të zhvillimit të një shoqërie, modelet kulturore të mendjes mund të jenë në marrëdhënie ndërveprimi me modelet qeverisëse, por jo rrallë, këto modele i nënshtrohen një dinamike komplekse kundërshtimi e mospajtimi me njëra tjetrën.
Shoqëria shqiptare (brenda kufijve shtetëror të Shqipërisë, Kosovës dhe jashtë tyre), me zhvillimin e saj atipik e policentrik, në këtë fillim shekulli të ri, përbën rastin tipik të ndeshjes midis modelit kulturor të mendjes autokratike-klanore me modelin qeverisës liberal-demokratik: të ndeshjes midis mentalitetit kolektivist dhe mentalitetit individualist; të ndeshjes midis komunikimit verbal të qëllimeve, të besimeve dhe bindjeve epistemike të konkluduara pa shqyrtim analitik të grupit të ngjashëm me strukturën e familjes që synon të ketë monopolin “familjar” të “prodhimit” dhe shpërndarjes së dijeve, dhe komunikimit racional analitik të subjekteve individuale mendore, të cilët mbështeten dhe drejtohen nga arsyeja, si fakultet suprem që i përcakton parimet njohëse a priori dhe forcën e racionalitetit dhe objektivitetit të vlerës dhe qëndrueshmërisë së dijeve. Përderisa modeli qeverisës liberal-demokratik e nxit ndryshimin në përputhje me kontekstet e reja që prodhojnë nevojat e reja për zgjerimin e kufijve të lirisë dhe të mundësive të reja çliruese ekzistenciale për individin dhe shoqërinë, modeli i kulturës së mendjes autokratike-klanore është rezistues ndaj çdo ndryshimi.
Nëse për sistemin qeverisës demokratik-liberal, nepotizmi është kanceri për funksionimin e sferës publike, për kulturën autokratike-klanore nepotizmi si koncept negativ, përpos që është i panjohur, ai është edhe i refuzueshëm, sepse është thellësisht kufizues dhe i rrezikshëm për interesat e klanit. Shoqëria shqiptare, e dominuar nga kultura autokratike-klanore, është e zhytur gjithpërfshirshëm në nepotizëm, sepse për kulturën autokratike-klanore nepotizmi është kusht i ekzistencës dhe vijimësisë së vlerave dhe qenies së saj.
Rasti i Kosovës dhe Shqipërisë, është një provë e mirë që vërteton faktin se si modeli i sistemit qeverisës liberal-demokratik, me mekanizmat e tij formalë, nuk mund ta përmbysë me një të rënë të lapsit logjikën e kulturës autokratike-klanore me të cilën funksionojnë institucionet e dijes. Nëse sistemi demokratik-liberal prodhimin e dijeve dhe shpërndarjen e tyre e bazon në kulturën e tregut, në Kosovë e Shqipëri është kultura e hierarkisë klanore ajo që e përcakton natyrën e dijes, orientimin e prodhimeve, vlerave diturore dhe shpërndarjen e tyre.
Mendja autokratike-klanore e ka kulturën e vet epistemike, e cila njohuritë i transmeton, jo sipas rregullave e standardeve shkencore, të racionalitetit dhe objektivitetit, por përmes ndërveprimeve të bindjeve dhe besimeve ndërpersonale të anëtarëve të klanit. “E vërteta shkencore” e udhëheqësit të klanit është ligj i detyrueshëm për gjithë anëtarët e grupit. Mendimi kritik racionalisht i argumentuar, jo vetëm që është inekzistent, por edhe i padobishëm, sepse tejet i cenues dhe i rrezikshëm për vetëdijen e mbyllur klanore.
Paaftësia e kulturës epistemike të mendjes autokratike-klanore
Kultura epistemike, si pjesë përbërëse e modelit të kulturës së mendjes autokratike klanore, logjikën e vet e shfaq jo vetëm në praktikën shoqërore, por edhe me pikëpamjen “teorike” për marrëdhënien me dijen. Një logjikë e tillë bëhet mëse e dukshme në praktikën e modeleve teorike për praktikën e dijes që ajo synon ta vendosë dhe zbatojë.
Projekti “Enciklopedia shqiptare” (2023), mishëron paaftësinë e kulturës epistemike të mendjes autokratike-klanore në jetën shqiptare. Ajo shtrihet nga paqartësia dhe kundërthëniet në përcaktimin e qëllimit dhe funksionit të hartimit të “Enciklopedisë”, te mungesa e kuadrit konceptual teorik, te përbërja e anëtarëve të redaksive dhe te mungesa e etikës profesionale.
Sipas “Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës” të nënshkruar më 20 qershor 2022, e cila është një nga dokumentet juridike administrative, të përfshira në “Dokumente të projektit Enciklopedia Shqiptare”, të publikuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 2023, Enciklopedia Shqiptare parashihet të “hartohet në 10 vëllime, me një numër mesatar prej 400 faqe për vëllim”. Në Nenin 1. (Qëllimi dhe objekti) të kësaj Marrëveshjeje thuhet se “Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje bashkëpunimi është financimi i përbashkët i projektit madhor në albanologji Enciklopedia Shqiptare, vepër themelore me karakter njësues dhe promovues”. Në dokumentin “Platforma e Enciklopedisë Shqiptare”, në pjesën e saj të titulluar “Kriteret e përfshirjes”, që në krye të paragrafit të fundit thuhet se “Enciklopedia Shqiptare do të përfshijë tërësinë e botës shqiptare”. Në dokumentin “Kriteret shkencore për të zbatuar nga redaksitë dhe autorët në procesin e hartimit të Enciklopedisë Shqiptare” të datës 7 prill 2023, të nënshkruar nga dy Akademitë (të Kosovës dhe Shqipërisë), në pikën 1. të Pjesës 1/Kriteret e përgjithshme, thuhet: “ ESh është një projekt kolektiv me karakter etnoidentifikues e etnodallues, e vlerësuar prej bashkëhartuesve të saj si një vepër ekumenike (përbashkuese); si një arritje shkencore që përfaqëson një konventë mendimi e vlerësimi kombëtar për trashëgiminë dhe identitetin shqiptar”. Ndërsa, në pikën 7. të Pjesës 1/Kriteret e përgjithshme, thuhet se : “ESh ka për qëllim të shërbejë si një libër identiteti në kuadër të familjes europiane të popujve në një të ardhme të afërme të përbashkët”.
Prej pikave të lartcekura vërehet se Projekti i proklamon qëllimet kulturore e politike, por aty nuk përmenden askund qëllimet epistemologjike. Cili është roli i Enciklopedisë në raport me informacionin, të vërtetën dhe të kuptuarit? Mungesa e qëllimeve epistemologjike, i fut planhartuesit e Enciklopedisë në kundërthënie logjike. Në njërën anë, flitet për domosdoshmërinë e zbatimit të “kritereve shkencore” të “kritereve unike”, por, në rastin tjetër, në mënyrë eksplicite, thuhet se enciklopedia “nuk e synon shkencën e mirëfilltë” (shih dokumentin “Udhëzues praktik për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare”, fq 64.). Pse duhen zbatuar rigorozisht “kritere shkencore” e “kritere unike” për një ndërmarrje që “nuk e synon shkencën e mirëfilltë”? Qëllimi epistemologjik i hartimit të Enciklopedive – për aq kohë sa njerëzimi nuk do të lirohet nga nevoja e të kuptuarit të vërtetës dhe realitetit – ka qenë dhe do të mbetet organizimi i njohurive dhe nevoja e angazhimit kritik kundrejt informacionit që ato sjellin. Organizimi i shumëllojshmërive të njohurive, siç ndodh me çdo Enciklopedi serioze, është i pamundur pa një kuadër konceptual teorik të prodhuar nga arsyeja, si fakultet i parimeve për klasifikimin dhe sistematizimin e të gjitha njohurive në një tërësi unike. Kuadri konceptual teorik është kusht për vendosjen e rregullsisë dhe unitetit kuptimor që informacionet e përfshira në Enciklopedi mos të jenë kaotike e të karakterit pasiv, por të strukturuara e aktive për nxitjen e të menduarit dhe të kuptuarit të realiteteve kritikisht. Theksimi i kritereve të jashtme metodologjike të pambështetura në një kuadër konceptual të qartë teorik (dhe aq më keq kur ato kuptohen si kategori të njëjta të të menduarit), për pasojë do të krijojë kaos në organizimin e lëndës informuese enciklopedike.
Pikëpamja integraliste përballë pikëpamjes partikulariste
Prej dokumenteve administrative, të planifikimit “shkencor” e të kritereve “shkencore” të përfshira në “Dokumente të projektit Enciklopedia Shqiptare” theksohet mbizotërueshëm nevoja e zbatimit të kriterit integralist, gjë kjo shumë e dëshirueshme dhe e mirëpritur. Pikëpamja integraliste në dhe për botën shqiptare mund të jetësohet vetëm përmes kategorive cilësore të kriterit ontologjik. Koncepti i integralitetit në “Dokumentet e projektit ESH” nuk shfaqet si kategori cilësore e kriterit ontologjist-njohës të prejardhur nga fakulteti i arsyes, i cili do t’i përcaktonte edhe do t’i orientonte kriteret teoriko-epistemologjike e metodologjike, por si kategori sasiore përfytyrimore e kriterit politik, në bazë të të cilit do t’i jepet përparësi “përvojave përbashkuese” në raport me “përvojat e ndryshme të ndërtimit të shoqërive (lexo: shqiptare-A.H.) dhe “krijimit të subjektivitetit të tyre (lexo: shoqërive –A.H.) politik e kulturor”. Platformëhartuesit e Enciklopedisë Shqiptare integralitetin, në vend që të ta konceptojnë si një kategori ontologjike-njohëse për kuptimin e thellë të gjithë kontekstit të përvojës të njësishme të botës shqiptare, e konceptojnë si kategori relacionale të përvojës shqisore për përshkimin e shumëllojshmërive të jashtme të “përvojave të ndryshme” të botës shqiptare. A nuk është kjo një hapësirë konceptuale për kontrabandimin epistemologjik të pikëpamjes partikulariste brenda pikëpamjes integraliste për botën shqiptare? Si mund të flitet për “krijimin e subjektivitetit të tyre politik e kulturor” në një Projekt, i cili, deklarativisht, synon që subjektin shqiptar ta shfaqë me subjektivitetin e vet unik në botë?
Pse mos të ndodh kjo kundërthënie? A nuk janë disa nga hartuesit e “Platformës…”, disa nga Redaktorët e anëtarët e redaksive, sidomos ata të Kosovës, të cilët, këto, së paku, njëzet vitet e fundit, në konferenca e në tribuna shkencore, në punime e libra “shkencorë” janë bërë altoparlantë të idesë së të ashtuquajturit “komb kosovar”, të “identitetit kosovar”, të idesë për “dëmin” që ka sjellë njësimi i gjuhës shqipe; të hartimit të “historisë kosovare” të veçuar nga historia e përgjithshme shqiptare, të “identitetit letrar kosovar” etj. etj. Cila është etika profesionale e këtyre njerëzve? Si mundet që njerëzit, të cilët bindjen dhe besimin e tyre epistemik për qenien shqiptare e bazojnë në pikëpamjet partikulariste dhe me përkushtim, vullnetshëm dhe pandalshëm, kanë punuar e punojnë për “krijimin e subjektivitetit politik e kulturor” të “shoqërive shqiptare”, ndërsa, nga ana tjetër, pranojnë të përfshihen në një projekt, i cili synon të realizohet duke pasur për qëllim “përbashkimin” dhe afirmimin e subjektivitetit të qenies unike shqiptare në botë? A mos ndoshta kemi të bëjmë me ndryshimin revolucionar të pikëpamjeve brenda këtyre mendjeve? Assesi jo!
Aspiratat partikulariste të kulturës së mendjes autokratike-klanore bëhen të dukshme edhe me kriterin jo proporcional të numrit të anëtarëve të përfaqësuar në Redaksinë Qendrore. Në dokumentin “Platforma e Enciklopedisë Shqiptare” është paraparë që struktura redaksionale e “Enciklopedisë” të përbëhet nga pesë anëtarë të Redaksive vendore nga Tirana dhe pesë të tjerë nga Prishtina, pra gjithsejtë dhjetë anëtarë. Ndërsa për “botën shqiptare” të Mal të Zi, të Maqedonisë së Veriut, të Luginës së Preshevës, të arbëreshëve dhe diasporës, mendja autokratike-klanore platformëhartuese ka “rezervuar” vetëm një vend përfaqësimi.
Pranimi formal i pikëpamjes integraliste, si qëllim politik i vendosur nga Qeveritë shqiptare dhe i materializuar në dokumentin “Marrëveshje e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” të datës 20 qershor 2022, është hapësira për subversion të vlerave diturore të kulturës së mendjes autokratike-klanore shqiptare mbi dijen shqiptare, qëllimi i së cilës është normativizimi e standardizimi i dijes ekzistuese të prodhuar nga pikëpamja partikulariste (lexo: krahinore, politike, klanore). Mendja autokritike-klanore karakterin ontologjik të pikëpamjes integraliste e zhvleftëson në nivelin e kriterit formal politik me qëllim që të krijojë fushëveprim të lirë për kriteret e jashtme metodologjike, e të cilat e përligjin fushëveprimin e vet në gjithë procesin e hartimit të Enciklopedisë Shqiptare, qoftë edhe me aspiratën për territorializimin e dijes. Ja një shembull: në dokumentin me titull “Udhëzues/ Për përcaktimin e kritereve-bazë për ndarjen e punëve midis dy redaksive vendore, si dhe të fushës së veprimit të tyre”, në pikën 2.3. thuhet: “ Ngjarjet me karakter historik mbarëkombëtar deri në themelimin e shtetit shqiptar janë përparësi e redaksisë vendore në Tiranë”. Siç shihet, kur kriteri i territorialitetit bëhet bartës i kompetencës për dijen, hapet dera që “ngjarjet me karakter historik lokal të jenë përparësi e redaksive të mëhallëve”.
Për shkak se në “Dokumente të projektit të Enciklopedisë Shqiptare” kriteri integralist konceptohet si një kriter i jashtëm politik, e jo ontologjist-njohës, edhe përcaktimi i kritereve metodologjike do të jetë i karakterit të “jashtëm”, si bie fjala: në pikën 11. “Përzgjedhja dhe shkallëzimi i lëndës enciklopedike (personalitete, fakte, zhvillime, ngjarje, dukuri, trashëgimi të tjera)…; ose në pikën 12. Shkallëzimet e madhësisë së përfaqësimit në artikuj monografikë, të mëdhenj, të mesëm, të vegjël…”; ose zbatimin e “rendit alfabetik” të artikujve (shih, pika 14.).
Liria si kriter ontologjik
Kultura epistemike e mendjes autokratike-klanore bazohet në përvojën shqisore, si burim të informacionit, por jo në arsyen, si burim i të kuptuarit. Mendja autokratike-klanore, me kulturën e vet epistemike, është e aftë të mendojë për praktikën tash dhe këtu, por jo edhe për mendimin. Kriteret e jashtme metodologjike, në kulturën epistemike të mendjes autokratike-klanore, përbëjnë vetë modelet teorike për praktikën e dijes. Kjo është situata kur veprimet praktike nuk paraprihen nga mendimi dhe të menduarit. Si mundet një praktikë e të menduarit të prodhojë mendim kur vetë është e pamenduar?
Kriteret e jashtme metodologjike, për shkak se janë të bazuara në kategoritë sasiore, janë instrumente të lehta për t’u hartuar dhe për t’u vënë në zbatim, por kur janë të pambështetura në një kuadër të qartë konceptual teorik, (që është kusht për përcaktimin e kritereve ontologjike dhe epistemologjike), ato vetëm sa do të krijojnë kaos logjik e material në organizimin e lëndës enciklopedike. Në pikën “9.1. Kritere të përfshirjes së ESH (personalitetet)” thuhet: “Shenjat publike vlerësuese për personalitete, ngjarje apo dukuri (mirënjohjet zyrtare publike, dekoratat dhe medaljet, titujt e nderit, diplomat, trofetë dhe çmimet) përbëjnë kritere pranuese në ESH. Këto kritere nuk kanë karakter të vetëmjaftueshëm”. Cili është kriteri tjetër që kriterin e “shenjave publike”, si kriter tipik i mendjes përtace, e bëka të plotë dhe të vetëmjaftueshëm? Me një kriter të tillë formal-ceremonialist, hartuesit e kritereve të përfshirjes në ESH sovranitetin e mendjes së vet ua delegojnë instancave të tjera vlerësuese paraprake.
Heidegger-i thotë: “thelbi i së vërtetës e zbulon veten si liri”. Për vetëdijen aksiologjizuese përtace, përballja me faktin e ndërlidhjes ontologjike që ekziston midis të vërtetës dhe lirisë, është sfidë e papërballueshme dhe krejtësisht çorientuese për ta zotëruar kuptimin e konfliktit që ekziston midis vetëmohimit, si entitet ontologjik i lirisë, dhe efekteve, si materializim në praktikën shoqërore të vetëmohimit. E lidhur me zinxhirët e mesikinitetit, vetëdija aksiologjizuese shqiptare konfliktin e tillë do ta “zgjidhë” duke u përqendruar në vlerësimin e efekteve anësore, të shfaqura në momente të izoluara, kalimtare, të ndara nga vetëmohimi, e jo në ato thelbësore-strukturore që ka prodhuar vetëmohimi. Efektet thelbësore do të krijonin hapësira vepruese aksiologjizuese për ndriçimin e vlerës së vetëmohimit, si kusht për konsolidimin e vetëdijes për lirinë; të vetëdijes për rolin që ka vetëmohimi për vazhdimësinë dhe rritjen konsistente të mundësive të praktikës historike, ekzistenciale e (vetë)njohëse në procesin e realizimit të qenies së njësishme kombëtare shqiptare. Duke u marrë me efektet e izoluara e kalimtare të ndara nga substanca e tyre – vetëmohimi; vetëdija meskine aksiologjizuese shqiptare, për kënaqjen e nevojave parciale, grupore e krejtësisht egoiste, ka dëshmuar vullnet të pashoq për të shkelë mbi vetëmohimin si mbi një pistë të reklamimit.
Paaftësia e vetëdijes aksiologjizuese
Përballja e vetëdijes aksiologjizuese shqiptare me idenë e lirisë dhe detyrën e matjes së botës shqiptare përmes dhe në raport me të, për një kohë të gjatë duket se do të jetë mision i pamundur. Paaftësinë e vet, vetëdija aksiologjizuese shqiptare, në kushtet e lirisë së shprehjes, e mbulon me logjikën e të mos parit të gjërave “bardhezi”. Logjika e të parit të gjërave “me ngjyra” e jo “bardhezi” në kontekstin shqiptar, jo vetëm që është relativiste, por është thellësisht konformiste e konjukturale. Pse themi kështu? Në situata të skajshme dramatike e ekzistenciale (veçori dominuese kjo e rrugëtimit të qenies historike të popullit shqiptar) kufizimi i mundësive vepruese imponon edhe kufizime të perspektivave për të vendosur dhe zgjedhur anë: anën e drejtë apo të gabuar të historisë. Shoqëria shqiptare, e paaftë për konsolidimin e vetëdijes së vet aksiologjizuese në raport me lirinë, dramën e të vendosurit dhe të zgjedhjes anë (kulturalisht e gjeopolitikisht) e shijon si përjetim të gjallë edhe sot e kësaj dite, edhe pse juridikisht e konstitucionalisht për Shqipërinë dhe Kosovën, si shtete, ajo konsiderohet si çështje e mbyllur.
Kriteri ontologjik i lirisë, i prejardhur nga intelekti, si fakultet i të menduar dhe të kuptuarit, është baza prej nga kuptimi dhe vlerësimi i ngjarjeve, i proceseve, i personaliteteve dhe vlerave etike e estetike do të mund të merrte orientimin e dëshiruar koherent dhe do të sillte konkluzione të vlefshme për atë se kush, cilat ide, ngjarje e procese kanë krijuar mundësi më të mëdha vepruese koherente për realizimin e qenies shqiptare, si subjekt unik me subjektivitet të njësishëm në botë. Kultura e mendjes aksiologjike shqiptare, në mungesë të kriterit ontologjik të lirisë – për pasojë edhe të eklipsimit të vetëdijes aksiologjizuese – duke filluar nga institucioni i Presidencës (në Kosovë e Shqipëri) e deri te shoqëritë e organizatat civile – është shndërruar në industri të ndarjeve të gradave, titujve, çmimeve e mirënjohjeve.
Hartimi i enciklopedive përfaqëson aspiratat dhe idealet më të larta intelektuale të një bashkësie, të një populli apo të një kombi për dijen. Idealet intelektuale të enciklopedistëve francezë (Jean Le Rond d’Alembert, Denis Diderot) ishin që përmes enciklopedisë, jo vetëm të informonin, por edhe të sillnin një mënyrë të re të të menduarit dhe të të kuptuarit të njeriut dhe të botës. Të frymëzuar nga empirizmi i Jon Locke-ut dhe Francis Bacon-it, enciklopedistët francezë kriter ontologjik të mënyrës së re të të menduarit për njeriun dhe botën do ta vendosin lirinë dhe dinjitetin e qenies njerëzore. Projektuesit e Enciklopedisë Shqiptare nuk flasin për një mundësi transformuese të mënyrës së të menduarit për veten (tonë shqiptare) dhe botën, si qëllim epistemologjik i “Enciklopedisë Shqiptare”. Përkundrazi, ata flasin për “normativizimin” dhe “standardizimin” e dijeve ekzistuese (mbase të standardizimit të njohurive nga gjuhësia shqiptare përmes de-standardizimit të gjuhës së njësuar!). Detyra dhe funksioni i enciklopedisë nuk duhet të jetë vetëm i karakterit informues, e aq më pak në funksion të “standardizimit të dijeve ekzistuese” – shkencërisht në gjendjen e tanishme ekzistuese tejet të kontestueshme – por i karakterit kritik në funksion të promovimit të idealeve më të larta të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Këtë ideal epistemologjik të kulturës së kritikës mendja autokratike-klanore nuk mund ta imagjinojë, as ta dëshirojë, sepse ajo vetë është antidoti i kulturës së kritikës.
Inteligjencia shqiptare, marrë në përgjithësi, sidomos pas rënies së murit të Berlinit e këtej, qoftë me heshtjen qoftë me fjalën e vet, ka treguar mungesë të vullnetit të vetëdijes aksiologjizuese për procese, ngjarje, personalitete e transformime politike e historike në raport me idenë e lirisë. Liria është e pandarë nga dija, por nuk është e kufizuar nga ajo. Vlera e lirisë është depozituesja e qenies së dijes, e cila dijes i jep orientim nga e ardhmja. Pa idenë e lirisë, si kriter ontologjik, nuk mund të këtë organizim të qëndrueshëm të njohurive të fushave të ndryshme në një tërësi unike, siç është “Enciklopedia”. Liria, si kriter ontologjik, është letër lakmusi për matjen e ngjarjeve dhe personaliteteve, të efekteve që ato kanë ushtruar për hapjen e mundësive dhe zgjerimin e horizonteve ekzistenciale për ndërtimin dhe konsolidimin e qenies shqiptare, si një subjekt i tërë (i pandarë) historik në botë. Në mungesë të kriterit ontologjik të lirisë dhe, për rrjedhojë, edhe të mungesës së vetëdijes aksiologjizuese për lirinë, nuk është e çuditshme që në “Enciklopedi” do të zënë të njëjtin vend meritor si Esad Pasha (mbase edhe Sulltan Abdul Hamidi II) ashtu edhe Ismail Qemali; si Ahmet Zogu ashtu edhe Hasan Prishtina, Fan Noli e Bajram Curri; si ballistët ashtu edhe partizanët e kështu me radhë deri në historinë më të re.
Kriteri ontologjik i lirisë, jo vetëm që është përcaktues e orientues për qëndrueshmërinë e kritereve epistemologjike e metodologjike, por ai është themeli që e përcakton qëndrueshmërinë dhe vetë vlerën e njohurive. Si mund të “standardizohet” e “normativizohet” dija “ekzistuese” brenda një “Enciklopedie”, kur brenda komunitetit “shkencor” shqiptar nuk ekziston as konsensusi minimal për kriteret vlerësuese për lirinë?
Prej përjashtimit të kritereve ontologjike e epistemologjike dhe me fokusimin e vëmendjes vetëm në kriteret e jashtme “shkencore” metodologjike, nuk është e vështirë, pastaj të parashihet se mungesa e një kuadrit konceptual teorik do të prodhojë mungesë kriteresh të definuara, të cilat do ta nxisin me prioritet debatin “shkencor” rreth përpilimit të listës së zërave enciklopedikë: kush po hyn e kush po mbetet jashtë enciklopedisë: “kur hyn filan fisteku i mëhallës së tij, pse të mos hyjë edhe filan fisteku i mëhallës sime”.
Etika e qëllimit të kulturës së mendjes autokratike-klanore
Qëllimi i etikës së kulturës së mendjes autokratike-klanore është kontrollimi dhe ruajtja e monopolit mbi dijet. Konceptet universale të etikës përzgjedhëse të përbërjes së redaksive mendja autokratike-klanore i përdor për nevoja praktike të ruajtjes së kontrollit mbi dijet, prodhimin, vlerat dhe shpërndarjen e tyre. Në pikën tre të dokumentit “Udhëzues praktik për hartimin e ESh” thuhet “Autorët hartues të njësive enciklopedike zgjidhen prej redaksive të fushave nga radhët e studiuesve më të zotë në disiplinën e ekspertizës”. Nga lista e publikuar e autorëve hartues, mund të kuptohet se një kriter i tillë nuk është përfillur. Në funksion të kontrollit në redaksive, në njërën anë, janë përfshirë emra të personave që janë në nismë të “disiplinës së ekspertizës” së tyre, dhe, nga ana tjetër, janë përfshirë emra autoritativë, por të cilët, për shkak të moshës shumë të shtyrë e problemeve shëndetësore, as fizikisht nuk mund të jenë në lartësinë e përgjegjësisë së detyrës për të përcjellë gjithë procesin e hartimit deri në finalizim të projektit “Enciklopedia Shqiptare”.
Motivimi i fortë i mendjes autokratike-klanore për të vendosur kontroll mbi natyrën, vlerat dhe shpërndarjen e dijeve, radikalisht bëhet i dukshëm kur, në një projekt që formalisht pretendon t’i bëjë jehonë vizionit integralist për botën shqiptare, në listën e redaktorëve përgjegjës të dijeve albanologjike, nuk shihet asnjë nga emra autoritativë, të cilët, që nga gjysma e dytë të shek. XX e deri më sot, konsiderohen themeltarë të vizionit integralist në shkencat albanologjike, sidomos në fushën e dijes së gjuhësisë e të letërsisë. Paradoksalisht, mohuesit e djeshëm dhe të sotëm të vizionit integralist në dijet albanologjike, vihen në ballë të një projekti që, formalisht, synon përbashkimin e botës shqiptare si një tërësi e njësishme.
Në botën shqiptare çdo gjë është e mundur: edhe e paimagjinueshmja, si me magji, shfaqet si realitet!
Përfundim
Hannah Arendt në veprën “Gjendja njerëzore” thekson se një epokë shkence zhvillohet në një epokë organizimi dhe se mendimi i organizuar është baza e veprimit të organizuar. Mjerisht, qenia politike, ekonomike, kulturore e shkencore shqiptare, jo vetëm që është e paorganizuar, por është e parcializuar, e fragmentuar dhe kaotike. Pa një moral të vullnetit të mendjes racionale shqiptare për ta menduar dhe kuptuar seriozisht veten, vendimet administrative-politike, nuk mund ta përmbushin misionin për arritjen e një mendimi të organizuar, dhe rrjedhimisht, të veprimeve të organizuara. Përmbushja e një misioni të tillë bëhet edhe më pamundur kur ai i besohet dhe i delegohet fuqisë së mendjes autokratike-klanore.
Mungesa e parimeve morale e intelektuale, në njërën anë, dhe, nga ana tjetër, kundërthëniet logjike e teorike, si tregues të mungesës së premisës epistemologjike – si koncept themelor -, flasin për mungesën e qartësisë së qëllimit të dijes dhe të vetë qëllimit të Enciklopedisë, si përfaqësim i vullnetit të një shoqërie për dijen. Mungesat e tilla pasqyrojnë mungesën e vullnetit dituror për krijimin e një mendimi të organizuar për “botën shqiptare”. Për rrjedhojë, nga projekti “Enciklopedia Shqiptare” nuk mund të priten efekte për krijimin e veprimeve të organizuara shqiptare. Platforma e “Enciklopedisë Shqiptare” para se ta tejkalojë realitetin e botës së çorganizuar shqiptare, do të duhej që paraprakisht, me një ideal dhe vullnet moral të lartë dituror, ta tejkalojë gjendjen e çorganizuar të vetë mendimit shqiptar.
Pavarësisht parashikimit për përfundimet jo të qëndrueshme që do të sjellë Projekti si rrjedhojë e mungesës së premisave epistemologjike, “Enciklopedia Shqiptare” do të realizohet, e para: sepse mendja autokratike-klanore nuk mund ta privojë veten nga uria e dëshirës për monopol financiar ndaj 4 milionë eurove të ndara deri tani nga dy shtete shqiptare për hartimin e Enciklopedisë; dhe e dyta: sepse për mendjen autokratike-klanore, Enciklopedia është hapësira e odës shqiptare, për rritjen e frekuencës së jehonës së këngëve për anëtarët e fisit.
Përballë këtyre dy synimeve, vullneti i mendjes autokratike-klanore është i pandalshëm!
© 2024 Arben Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar në bashkëpunim me Midjourney.