nga Marcela Tringaj
Të gjithë ata që kanë pak haber nga historia e dinë se mosbindja është virtyti më i vërtetë i njeriut. Përmes mosbindjes, bota pa progres. Përmes mosbindjes dhe rebelimit. Oscar Wilde
Ne njerëzit lindim të pafuqishëm të gjithë. Në fillim varësohemi absolutisht nga përkujdesja e familjes sonë, e më pas e shoqërisë dhe e qeverisë që na përket. Më pas janë pashmagshëm rrënjët, raca, gjuha, gjinia, xhepat, ndonjëherë ndonjë fat rënë prej qiellit, disa prej faktorëve që na diktojnë rolin tonë në shoqëri e të kuptojmë nëse kemi ndopak pushtet në dorë apo jemi të sunduar totalisht nga Tjetri.
“Korrupsion i moralshëm” e quan studiuesi Tim Dean fenomenin sesi ata që kanë pushtet, gjithmonë kanë edhe privilegjin të përcaktojnë përmes kodeve morale, rregulloreve e deri ligjeve se ç’është e mirë e ç’është e keqe për t’u zbatuar nga masa e gjerë. Historia ka treguar se drejtpërdrejt apo jo, përfituesit e padiskutueshëm janë ata që ushtrojnë pushtetin. Janë po ata që zotërojnë influencë e ndikim te pjesa tjetër e shoqërisë.
Kështu për shembull, autori i mësipërm u referohet rasteve kur Papa u lëshonte indulgjencat njerëzve të zakonshëm e kisha përfitonte. Gjithashtu sistemit feudal i cili i mëshonte virtytit të bindjes për të përfituar mbi punën e bujkrobërve apo si sistemi patriarkal e përcaktonte njerëzimin sipas kategorive të gjinisë. Për të mos folur më pas për kapitalizmin modern, që u hedh hi syve punëmarrësve përmes mitit të meritokracisë, teksa këta, me punën e tyre, anshëm pasurojnë e bëjnë që përfitues të jenë po të pasurit.
Të qenit në mënyrë të vazhdueshme me fat do të thotë që një pakicë mes nesh i ka mundësitë për të ndarë të njëjtat interesa e preferenca me të pushtetshmit, në rastin më të parë sot: qeverinë. Futja në linjën e pushtetit e nxit elitën (ose atë pakicë) që ta përfytyrojë veten si të shkëputur nga realiteti i komunitetit. Që këtej vjen edhe mundësia për zgjedhje dhe zgjidhje të përfitueshme, por edhe për të përjashtuar pjesën e mbetur jashtë sistemit.
Doemos prej pushtetit të pabarabartë lindin aftësi, potenciale e shanse jo të njëjta. E nëse flasim për të zakonshmit, në shoqëri më pak egalitare e diskriminuese, aftësia për të ushtruar pushtet dhe influencë sigurisht përshkallëzohet edhe për arsye të tjera të qenësishme e të pashmangshme: arsimi, të ardhurat, statusi shoqëror, mënyra sesi informacioni mund të aksesohet e të përvetësohet; për të mos folur më pas për prejardhjen, identitetin racor, gjuhën e gjininë.
Kësisoj konfliktet në shoqëri lindin sepse grupe të caktuara e ndiejnë veten të përjashtuar nga statusi që rrjedh nga kamja, pushteti dhe prestigji. Përgjithësisht në dekadat e fundit bindshëm besohet se pushteti dhe fuqia që vjen prej politikës është më dominuesja.
Afërmendsh prej pushtetit politik marrin jetë e legjitimohen edhe minipushtetet e tjera, në mënyrë që njeriu i zakonshëm të bindet urtë e butë se gjithçka është për të mirën e tij. Mediat që keqinformojnë e kontrollojnë çfarë diskutohet, multi-nacionalet që i kanë zët sipërmarrjet familjare e zhvillimin lokal, firmat tenderuese që vjedhin pa hesap, të afërm e farefis të pushtetarëve që zaptojnë çdo mundësi, janë veçse pak nga provat që fuqia nuk qëndron më tek ne.
Porse historikisht legjitimimi i luftës për pushtet nuk ka qenë asnjëherë i përhershëm dhe në mungesë të pikave të tij të dobëta. Ushqimi përhershëm me teori, opinione, filozofi, bindje publike për të na formësuar besimin mbi forcën e pushtetit që ne si individë zotërojmë, si qenie e vetme apo si pjesë e një komuniteti, është veçse një opinion ready-made i atyre që ushtrojnë pushtet të vazhdueshëm mbi ne, të zakonshmit.
Por fuqia jonë si njerëz të zakonshëm qëndron në aftësinë për t’i rezistuar këtij përcaktimi që na bëhet apo edhe rebelimi për t’u zënë në kurth. Alternativa është që të fshihemi në frikën e të qenit i dobët. Kur kapemi me një çështje që na prek interesin personal, le të provojmë të mendojmë se me kë tjetër mund të ndajmë të njëjtin interes; kjo mund të bëhet forca jonë. Të kuptojmë se përbërësi thelbësor i fuqisë individuale është solidariteti: aftësia për të mos u privuar nga aftësia për të ndarë të mirat, qëllimet, interesat dhe shqetësimet e përbashkëta.
Në këtë pikë: studimi i Robert Putnam me disa komunitete në Itali është mjaft interesant. Rajone të suksesshme si Toskana, ndryshe nga Sicilia, karakterizoheshin nga lidhje të forta komunitare në sferën e angazhimit publik.
Njerëzit në këtë rajon angazhoheshin më tepër në jetën kolektive, falë jetës kulturore më të plotë, klubeve të pasioneve sportive a intelektuale, apo angazhime të tjera shoqërore. Në Sicili, përkundrazi, njerëzit ishin më të mbyllur, më pak të angazhuar në aktivitete shoqërore të gjithfarë lloji. Ata nuk gëzonin besim tek njëri-tjetri, ndryshe nga Toskana.
Putnam formuloi konceptin e ‘kapitalit njerëzor’, si aftësia e një komuniteti që jeton në një vend të caktuar për t’u ndërlidhur në punë a veprimtari shoqërore e civile, për një komunitet më efikas në përmbushjen e nevojave të tyre, nga vetë ata duke nënvizuar nevojën jetike të besimit si shtylla e zhvillimin të një komuniteti.
Kjo lloj simbioze në lidhjen mes banorëve të një komuniteti është forma që merr fuqia e një individi, e të gjithë njerëzve së bashku jo vetëm për të ndërtuar ndjenjën e unitetit por edhe për të ndarë vizionin se bashkimi gjithmonë bën fuqinë. Politika qëllimisht ka tentuar e ia ka dalë të përçajë, me një varg mekanizmash të sofistikuar, ndjenjën e solidaritetit e të zgjidhurit të gjërave bashkërisht nga komuniteti, duke përmbushur kështu individualisht interesat personalë të njerëzve të zakonshëm.
Ndaj ia vlen më shumë të nisemi nga premisa se fuqia jonë varet kryekëput nga lidhja që kemi mes njëri-tjetrit në komunitetin ku banojmë; dhe nuk është slogan romantik të thuhet se fuqia jonë si individë, që manifestohet në vullnetin për t’u bërë bashkë, i shton fuqi komunitetit, çka nuk vjen domosdoshmërisht nga politika, siç rëndom besohet.
Pabarazia masive që ka kapluar shoqëritë sot është padyshim edhe më flagrante falë mediumeve apo rrjeteve sociale, paçka se jo aq sa mund të duket. Por megjithatë ndihet në ajër, gjithmonë e më shumë, një frymë e re lëvizjeje për të çliruar veten nga sundimi sistematik prej pushtetit, për aq sa kjo mund të realizohet me një kombinim të iniciativës personale me atë kolektive.
Në gjithë këtë gjueti pushteti pothuaj nga të gjithë e kundër të gjithëve, disa do të mbeten fatlumët e të paturit më shumë pará, influencë, burime në krahasim me të tjerët. Të tjerë thjesht do ta pranojnë. Fuqia qëndron veçse tek ata që do të tranden, rebelohen e bëhen bashkë me të ngjashmit e tyre.
(c) 2024 Marcela Tringa. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.