Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

UDHËT E SHKRONJAVE

Mes rreshtave të traditës/ Elton Hatibi

Në datat 2-7 nëndor të këtij viti do të hapet në Galerinë e Arteve të qytetit të Shkodrës ekspozita “Udhët e Shkronjave: Mes rreshtave të traditës”. Kjo është ekspozita e dytë e këtij lloji organizuar nga Instituti Konak, e cila pason ekspozitën e hapur prillin e kaluar në Tiranë, me synimin e mëtejshëm të gjetjes së një shtëpie të përhershme të koleksionit të këtij instituti, që të mund t’i shërbejë publikut si një muzeum dhe qendër studimore e trashigimisë kulturore, tekstuale dhe devocionale islame në hapësirën shqiptare. Kjo ekspozitë gëzon mbështetjen e Galerisë së Arteve dhe Bashkisë së Shkodrës dhe kurohet nga Edison Çeraj. Bashkangjitur po sjellim esenë kuratoriale të shkruar nga Elton Hatibi.

Në fillimin e shek XVIII, qyteti Iskenderie dëshmohet si një vend që ka prodhuar pa teklif tekste të traditës hurufite, me gjasë një qytet-kopsht dervishësh që kuptimet kozmologjike i rroknin përmes mistikës së rreshtimit të shkronjave, harfeve pra. Kjo e dhënë kequdhëzoi studiuesin e mirënjohur turk Gölpınarlı ta identifikonte vendin për Iskenderien (Aleksandrinë) e bregut juglindor të Mesdheut. Të tjerë na mësojnë, me të drejtë, se bëhej fjalë për Shkodrën, një tjetër Iskenderie kjo në gjuhët diplomatike të Lindjes. Shënjimi i saktë i qytetit u mundësua falë emërtimit të lagjeve të mirënjohura Bahçallëk, Tophanë, Rus, etj. të gjendur në kolofonët e librave.

Një shekull më pas, nuk i gjurmojmë dot në mjegullën e kohës këta dervishë joortodoksë dhe shkrimet e tyre në Shkodrën e Bushatllinjve. Si duket, përplasjet dhe rivalitetet e njohura shtrihen me rigorozitet në këtë skaj të Ballkanit, për t’i shtyrë shpërthimet mistike në hapësira më pjellore në viset jugore të vendit. Por dinastia e pashallarëve, kryesisht me Mustafain, të fundmin e tyre, na ka lënë dëshmi të tjera të vyera të librave diturakë në gjuhët orientale, përmbledhur sot më së shumti si koleksion i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Ngjashëm si këto tekste të shumta që i japin jetë koleksionit, ndër trashëgimtarët e hoxhallarëve të vjetër apo në bukinistët e sotëm gjejmë ende mjaft tekste teologjie, filozofie, jurisprudence e letërsie, dorëshkruar në gjuhët orientale.

Tronditjet qytetërimore të fillim shekullit të njëzetë, bashkarisht me librat dhe letrat private, rrëgjuan dhe qasjen ndaj kësaj tradite njohjeje dhe rrezikuan humbjen përgjithmonë të mjaft prej rrëfimeve të shkruara me “gërmat e vjetra”. Në kontekstin e këtushëm, siç na njofton një dëshmitar si Hamdi Bushati, fatmirësisht u ruajt pllaka e gurtë e shkruar me harfet arabe e Hamamit në Tabakhane, objekt i shndërruar nga autoritetet në depo karburanti. Sakaq, si kudo gjetkë, fat të trishtë patën shumica e gurëvarreve të vjetra, me mbishkrimet shpesh në vargje, që dëshmonin jetët e njerëzve të këtij qyteti. Në furinë e revolucionit kulturor, u shkatërrua edhe gurvarri i bukur i bamirëses nga dera e pashallarëve të Shkodrës. Emri dhe fama e saj fatmirësisht na ka mbërritur edhe nga dokumenti i ekspozuar në këtë ekspozitë, që dëshmon bamirësinë e saj me prona të lëna vakëf në qytetin e Durrësit, ndoshta të ndodhura pranë faltores tashmë të zhdukur që emërtohej, eponime, “Kaja Hanëm”.

Shkronja për nga funksioni është ngjizur për të rrugëtuar. Përveçse në letër, ku komunikon më mirë, shkronja gjen vend rëndom shkruar apo e gdhendur në gjithfarë sipërfaqjesh, kudo, për trillin e njeriut si dëshmues i qytetërimit. Pikërisht në kulturat myslimane shkronja më së tepërmi është shndërruar në element qendror estetik e dekorativ, në sajë dhe të lakimeve karakteristike dhe kompozimit të shkrimit arab. Por parasëgjithash, në pikënisje, shkronjat e zhdërvjellta janë bartëse të dijes hyjnore, përkujtuese të mistereve të Hakut.

Shpesh duke i rezistuar teknologjisë së shtypshkrimit, memorizimi i verseteve, kopjimi në heshtje e durim i shkronjave dhe shfaqja e tyre nëpër libra, mure e dyer e objekte, u ka dhënë formë edhe në këtë cep të botës shfaqjeve të qytetërimit islam, deri sa historia tragjike e këtij qindvjeçari t’ua shkapërderdhte të copëtuara këto shkronja apo harfe. Njerëzit, megjithatë, shpesh dhe pa ua ditur kuptimin, i kanë fshehur e bartur sendet e shkruara, për t’ia transmetuar brezit tjetër si shenja autentike të njohjes së vyeshme. Shkronja që gjarpërojnë nëpër gjeografinë e këtij vendi, si mijëra kokrra tespiesh qelibari, që në përmasa të ndryshme i vijnë publikun të rimbledhura përmes koleksionit të Institutit Konak.

Gurë të gdhendur, diploma e dokumenta, tablo devocionale, objekte të ndryshme të praktikës fetare dhe sidomos libra do t’i shfaqen publikut të Shkodrës përmes kësaj ekspozite. Librat, disa dikur në zotërim të dijetarëve dhe emrave të njohur historikë, i dëshmojnë publikut pasurinë e dikurshme intelektuale zotëruar kryesisht në gjuhët e Orientit. Kështu, kjo trashëgimi e larmishme, në fashitje të ngadaltë, ngjyroste natyrshëm përditshmërinë dhe të përtejmen e shqiptarëve myslimanë, derisa përdhuna i ndaloi ritmin e rrahjes jetësore.

Megjithëse moderniteti përcaktoi një regjim të ri shkrimi, të shkruarit shqip me “shkronjat e vjetra” mbijetoi dhe disa kohë, ndoshta nga bindja ndaj vlerës spirituale të shenjtërisë që përcillnin. Harfe që përçojnë kumte të drejtpërdrejta, por që merren dhe lëvizen jashtë rendit të tyre për të përftuar rafinime estetike, të pandarë nga përpjekjet mistike. E dëshmon flamuri kombëtar i formësuar me shkronjat arabe, qendisur nga mistiku shkodran dhe poema e tij në nder të Zonjës Fatime, që sëbashku u rikthyen fluturimthi për këtë ngjarjen e sotme.

Edhe një herë, mirë se i bashkoheni këtij rrugëtimi të bukur të kulturës!

 

© 2024 Elton Hatibi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin