Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjeografi / Urbanistikë

TË SHOHËSH BOTËN NËPËRMJET PEIZAZHIT

nga Prof. Dr. Zydi Teqja

Një nga kujtimet më të hershme të fëmijërisë time, ndoshta kujtimi më i hershëm që kam nga kjo jetë, lidhet me dëshirën time të madhe që të shikoja se çfarë kishte mbi oxhakun e kuzhinës tonë. Dëshiroja shumë që dikush të më merrte në krahë dhe të më tregonte çfarë kishte atje lart. Një kujtim tjetër i hershëm i takon kohës kur u rrita edhe pak, aq sa për të artikuluar mirë dhe për të krijuar lidhje midis gjërave të kësaj bote. Më kujtohet që në mbrëmje, përpara se të na fiknin dritën për të fjetur dhe sidomos mëngjeseve të dimrit, kur nëna na porosiste të mos çoheshim sepse akoma shtëpia ishte e ftohtë, bashkë me vëllain tim më të madh, luanim duke fantazuar histori me figurat që shikonim në dërrasat e tavanit të dhomës tonë. Ai ishte një tavan i vjetër dhe i bukur që vinte që nga periudha para Luftës së Dytë Botërore. Loja ishte se kush mund të krijonte më shumë histori duke lidhur në ngjarje me kuptim imazhet që krijojnë dërrasat e prera. Duhet të kem qenë 5-6 vjeç atëherë. Ishte akoma koha kur ishim të vegjël dhe e shikonim botën nga poshtë lart.

Kur u rrita dhe mund të dilja lirisht, shpesh ngjitesha në pemë. Në oborrin e shtëpisë tonë, si në shumë shtëpi të zonës së Tiranës, kishte një man të madh. Kur arrita të ngjitem dhe të shijoj manat e shijshëm, filloi të më pëlqentë edhe pamja nga atje lart; ja atje mali i Persqopit me kalanë e Petrelës përballë, në anën tjetër mali i Dajtit që jo rrallë në dimër ishte me dëborë, nga juglindja, gryka e Skurronës nga dilte lumi i Erzenit dhe rridhte gjithë hijeshi nëpër luginën e bukur të Mulletit. Më vonë, mani do të bëhej vend i përshtatshëm për të fshehur antenën e televizorit në mënyrë që të shikonim botën përtej kufijve të izoluar. Sigurisht, gjatë dimrit rënia e gjetheve na detyronte të gjenim një alternativë tjetër për antenën.

Duhet të ketë qenë në fillim të pranverës, gjatë viteve ‘70, unë isha rreth 12-13 vjeç, kur me djemtë e klasës morëm si detyrë që të ngjiteshim në kodrat pas shkollës sonë për të mbledhur dru për sobën. Bashkë me një shok u ngjitëm më lart nga të tjerët dhe kur mbërritëm në një vend si ballkon që shikonte mbi luginën e Mulletit, mbetëm të mahnitur nga pamja. Gjelbërimi kishte mbuluar gjithë luginën dhe kodrat përreth. Erzeni me ujin e tij të pastër rridhte poshtë nesh, më tej shiheshin qartë fushat e sistemuara bukur me grurë. Përmes luginës kalonte rruga kombëtare Tiranë-Elbasan dhe gjarpëronin rrugicat e këmbësorëve që çonin banorët në shtëpitë e tyre apo në aktivitete të tjera të përditshme. Dhe atje më tutje, shtëpia ime në mes të pemëve, ku dallohesh mani në oborr.

Ndoshta ka qenë pikërisht ajo ditë pranvere, kur unë për herë të parë provova ndjesinë e fortë dhe të ëmbël që krijohet kur bëhen bashkë diçka e njohur dhe e dashur me diçka të re dhe të pa perceptuar më parë. Sigurisht, unë atëherë nuk kuptoja gjë nga peizazhi si mënyrë për të parë botën, por në mënyrë të natyrshme kuptova që nuk është e rëndësishme që thjesht t’i shikosh gjërat, ka shumë rëndësi këndvështrimi. Në një nga orët e vizatimit pas asaj dite, mësuesi na tha se kishim temë të lirë dhe unë menjëherë vendosa të vizatoja atë që më kishte mbetur në mendje nga ajo pamje prej lart, atje në kodër. E ruaj edhe sot atë vizatim të thjeshtë fëmije, ajo pamje e mrekullushme e fushës së Mulletit dhe e shtëpisë time atje larg, në anë të asaj fushe plot gjelbërim, ka mbetur sot e kësaj dite në kujtesën time dhe herë pas here zgjohet në ëndrrat e mia, sidomos kur jam larg Shqipërisë. Në “ballkonin”, ku unë dikur shijova atë pamje të paharrueshme të fëmijërisë time, sot ndodhet një nga vilat më të bukura të zonës, vepër dhe pronë e një prej arkitektëve të njohur të Tiranës.

Nuk do të kalonin shumë vite, kur në dimrin midis viteve 1980-1981 unë do të provoja vetë, i futur në kanalet kulluese të tokave të rënda të asaj fushe, se çfarë pune e mundimshme duhej për të mbajtur atë pamjen e bukur dhe ngjyrën e gjelbër uniforme të parcelave me grurë. Eksperienca jetësore dhe dijet e fituara tashmë, ku shfaqeshin prirjet e mia për shkencat e natyrës dhe për filozofinë, më ndihmuan për të filluar të gjykoj më thellë, për t’i parë gjërat përtej sipërfaqes. Ndoshta atëherë fillova ta shikoj peizazhin si një mënyrë për të qenë. Kjo mënyrë e të parit të botës do të thellohesh e pasurohesh gjatë viteve të studimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe sidomos gjatë periudhës kur unë isha pedagog i ekologjisë, e cila për herë të parë filloi të mësohesh si lëndë në universitet në mesin e viteve 1980-të. Kjo është koha kur ekologjia po i jepte rëndësi degës së saj të re, ekologjisë së peizazhit.

Brezi jonë jetoi një rini të izoluar dhe kështu, kur unë fluturova për herë të parë me avion isha në të tridhjetat. Megjithatë, një nga dëshirat që më bënte ta shmangia disi edhe frikën nga fluturimi ishte të qëndroja pas dritares dhe të shikoja pamjen poshtë. Në një periudhë të shkurtër kohe pata mundësi të udhëtoj në Europë, Amerikë, Afrikë dhe Azi dhe të përjetoj peizazhe nga më të ndryshmet. Studimi i thelluar i ekologjisë dhe formimi i përgjithshëm më ndihmonin të bëja dallimet jo vetëm midis zonave të ndryshme, por edhe midis kulturave. Tashmë, mund ta shikoja peizazhin si dokumentim të kulturës dhe të historisë.

Por, do të kalonin edhe disa vite me eksperienca të rëndësishme në sfera të ndryshme të jetës, përfshirë angazhimet politike dhe sociale, përpara se t’i përkushtohesha tërësisht peizazhit dhe arkitekturës së peizazhit. Duke perifrazuar profesorin e famshëm Carl Steinitz, në këtë kohë unë isha thelluar në njohjen e disa fushave por edhe kisha njohuri të përgjithshme për shumë fusha të tjera. Nga njëra anë studimet, nga ana tjetër eksperiencat shumë të ndryshme jetësore më kishin ndihmuar për të arritur ta kuptoj peizazhin si një mënyrë për të parë botën dhe për të përfituar nga fuqia e pamjeve nga këndvështrime të ndryshme, për të kuptuar se si funksionojnë marrëdhëniet dhe ndërveprimet dhe për ta parë peizazhin si një mënyrë e të qenit të kësaj bote; për të kuptuar jo vetëm rolin e njerëzve, por edhe të gjallesave të tjera që janë apo kanë qenë në ato peizazhe.

Duhet të jetë përgjegjësi e rëndësishme e arkitektëve të peizazhit që të kuptojnë gjeneratat e kaluara, po ashtu si brezin e ri. Është detyrimi ynë që kur ne veprojmë në të tashmen, të kujtojmë se ata ishin si ne dhe kishin universin e tyre shpirtëror moral e material.  Kjo i ndihmon arkitektët e peizazhit t’u përgjigjen pyetjeve të tilla si: Pse ne jetojmë në këtë mënyrë? Pse jemi këta që jemi dhe si kemi ardhur deri në këtë mënyrë jetese? Çfarë zgjedhjesh po bëjmë tani dhe si mundet që e kaluara të na ndihmojë për të mbështetur mënyrën tonë të jetesës? A kemi arritur ne të kuptojmë, të prezantojmë dhe të përfshijmë në realitetin e gjallë të njerëzve, vendet që janë të dashura për ta dhe ato që janë të rëndësishme për gjallesat e tjera? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të na ndihmojnë që të arrijmë ta kuptojmë më mirë botën.

Dy shekuj më parë, zhvillimi ekonomik, rritja e popullsisë, ndryshimet politike dhe sociale dhe intensifikimi i zonave të banuara nxorën në pah nevojën për kompetenca profesionale të cilat nuk mund të siguroheshin as nga arkitektët dhe as nga kopshtarët. Kështu, në shekullin e XIX-të lindi profesioni i arkitektit të peizazhit i cili do të luante një rol të rëndësishëm në hapësirën publike, sidomos në SHBA dhe në Europën Veriperëndimore. Megjithatë, gjatë shekullit të XX-të, arkitektët e ruajtën ndikimin e tyre mbizotërues edhe në hapësirën publike. Nën drejtimin e tyre, u projektuan qytete të cilat duhej të siguronin lëvizjen e mirë të makinave, por në të vërtetë, si rezultat ne morëm qytete të cilat periodikisht bllokohen nga trafiku. U projektuan qytete të cilat duhej ta largonin ujin e stuhive dhe morëm qytete të cilat vuajnë nga mungesa e ujit (por që herë pas here edhe përmbyten). Për të mos përmendur problemet me ndotjen e ajrit, ishujt e nxehtësisë apo ndryshimet klimatike. Të gjitha këto zhvillime kërkojnë një ridimensionim të rolit të arkitektëve të peizazhit dhe i ftojnë ata për një kontribut më të madh në zhvillimet e shekullit të XXI-të.

Fusha e arkitekturës së peizazhit duket misterioze për ata që sapo fillojnë kursin e parë. Fjalët dhe argumentet që vijnë nga shkolla e mesme bëjnë që një pjesë e fjalorit të jetë e njohur por  megjithatë kuptimi mund të mos jetë i qartë. Për habinë e studentëve të rinj, nuk ka një përgjigje të saktë si në lëndët e tjera. Nuk ka formula për të mësuar dhe zbatuar si në kimi apo matematikë. Nuk ka ushtrime e problema për t’u zgjidhur në fund të një kapitulli. Përgjigjet e gabuara dhe kritikat për përpjekjet e para të dizajnit mund të janë të shumta. Një botë krejtësisht e re idesh dhe konceptesh dhe një mënyrë e re e të parit shpaloset kur studentët fillojnë programin e studimit në arkitekturë peizazhi. Por projektet konkrete, që janë shumë sfiduese për të mos thënë të frikshme në fillim, kur zhvillohet të kuptuarit e koncepteve, ndryshon mënyra e të menduarit dhe fillojnë të përvetësohen aftësitë të reja, kthehen në sprova emocionuese që i përfshijnë studentët e arkitekturës së peizazhit në botën e mrekullueshme të profesionit të tyre të ardhshëm. Kapja e një ideje i hap rrugën një tjetre dhe pastaj një tjetër ide të përfshin në një rrugëtim emocionues derisa përfundimisht mendohet se është arritur zgjidhja.

Thellimi i studimeve do të tregojë që nuk ka asnjë zgjidhje 100% të saktë ose përfundimtare për një projekt të dhënë.  Nga ana  tjetër, detyrat dhe provimet, sidomos ato që zhvillohen në formatin studio, nuk nënkuptojnë një listë përgjigjesh në një fletë letër që i paraqitet pedagogut, por prezantime grafike, makete dhe argumentime me gojë për zgjidhje projektuese përpara një grupi vlerësuesish kritikë, disa prej të cilëve janë të ftuar nga jashtë institucionit, të cilët ofrojnë vërejtje direkte në kohën e pyetjeve e përgjigjeve. Ata që janë jashtë kësaj fushe janë të privuar nga mrekullia që ne pedagogët e arkitekturës së peizazhit provojmë tek shikojmë studentët e ndrojtur apo të rrëmujshëm të fillimit të vitit të parë, tek vijnë e prezantojnë punët e tyre origjinale plot siguri e përgjegjshmëri dhe njëkohësisht janë të hapur ndaj vërejtjeve dhe kritikave.

Arkitektura e peizazhit është një profesion i cili ka marrë përsipër të kujdeset për planetin Tokë. Kjo do të thotë që ne kemi marrë barrën e ndjekjes dhe të kujdesit për vendin tonë. Duke u bërë përgjegjës për Tokën, për oborrin, për lagjen, për fshatin apo për qytetin, ne duhet të pranojmë pasojat morale të kësaj përgjegjësie. Duke u kujdesur për planetin dhe krijesat e tij, ne gjithashtu kujdesemi për veten, pasi ndjekja e natyrës me respekt dhe dashuri do të thotë të kujdesemi edhe për veten tonë.

Prandaj, një nga qëllimet e mia më të rëndësishme në punën time si profesor i arkitekturës së peizazhit është që të arrij ta zhvilloj dhe pasuroj këndvështrimin për botën dhe ta përmirësoj mënyrën se si studentët e mi do të shikojnë nga dritaret e një makine apo të një avioni ose edhe kur të ecin nëpër një peizazh për pjesën tjetër të jetës së tyre. Unë dua që ata të shohin gjëra që ndryshe nuk do t’i shihnin dhe që të jenë pikërisht ata që një ditë do ta bëjnë Shqipërinë më të jetueshme, më të shëndetshme, më sociale dhe sigurisht më të bukur.

© 2024 Zyhdi Teqja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin